2013
Ejani, Bij t’Per’ndis’
Maj 2013


Ejani, Bij t’Per’ndis’

I kërkoftë me zell secili prej nesh shkrimet e shenjta, e planifikoftë jetën e vet me pikësynim, e dhëntë mësim të vërtetën me dëshmi dhe i shërbeftë Zotit me dashuri.

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Dy herë në vit, kjo Qendër e mrekullueshme e Konferencave duket se na thotë me zërin e saj nxitës: “Ejani, bij t’Per’ndis’ që keni marr’ prift’rinë”1. Ka një shpirt të veçantë që e përshkon mbledhjen e përgjithshme të priftërisë së Kishës.

Sonte ka mijëra e mijëra nga mbajtësit tanë të priftërisë nëpër botë, që po i shërbejnë Zotit si misionarët e Tij. Siç e përmenda në mesazhin tim këtë mëngjes, ne aktualisht kemi mbi 65.000 misionarë në fushën e misionit, me mijëra të tjerë që po presin të hyjnë në qendrën e trajnimit të misionarëve ose aplikimet e të cilëve aktualisht janë duke u shqyrtuar. Ne i duam dhe i lëvdojmë ata që janë të gatshëm dhe plot dëshirë për të shërbyer.

Shkrimet e shenjta nuk kanë asnjë shpallje më të përshtatshme, asnjë përgjegjësi më detyruese dhe asnjë udhëzim më të drejtpërdrejtë sesa urdhërimi i dhënë nga Zoti i ringjallur kur iu shfaq në Galile të njëmbëdhjetë dishepujve. Ai tha:

“Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,

dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.”2

Ky urdhër hyjnor, i bashkuar me premtimin e lavdishëm që e shoqëron, është motoja jonë sot, sikurse qe në meridianin e kohës. Puna misionare është një tipar dallues i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Përherë ka qenë kështu; gjithmonë do të jetë kështu. Sikurse shpalli Profeti Jozef Smith: “Pas gjithçkaje që është thënë, detyra më e madhe dhe më e rëndësishme është të predikojmë Ungjillin”3.

Brenda dy vitesh të shkurtra, të gjithë misionarët me kohë të plotë që shërbejnë aktualisht në këtë ushtri mbretërore të Perëndisë, do t’i kenë përfunduar punët e tyre dhe do të jenë kthyer në shtëpitë e tyre dhe tek të dashurit e tyre. Për pleqtë [eldrat], zëvendësuesit e tyre gjenden sonte në radhët e Priftërisë Aarone të Kishës. Të rinj, a jeni gati të përgjigjeni? A jeni të gatshëm të punoni? A jeni të përgatitur të shërbeni?

Në rastin më të mirë, puna misionare ka nevojë për një përshtatje të rreptë të stilit të jetesës së njeriut. Ajo kërkon orë të gjata dhe përkushtim të madh, sakrificë vetëmohuese dhe lutje me gjithë shpirt. Për pasojë, shërbimi i përkushtuar misionar sjell shpërblimin e lumturisë së përjetshme, që shtrihet përgjatë vdekshmërisë dhe në përjetësi.

Sfida është që të jemi shërbëtorë më të dobishëm në vreshtin e Zotit. Kjo gjen zbatim për të gjithë ne, cilado qoftë mosha jonë dhe jo vetëm për ata që po përgatiten për të shërbyer si misionarë me kohë të plotë, pasi secilit prej nesh i vjen urdhri për të shpërndarë ungjillin e Krishtit.

A mund të sugjeroj një formulë që do të na sigurojë sukses: së pari, kërkojini me zell shkrimet e shenjta; së dyti, planifikojeni jetën tuaj me pikësynim (dhe, mund të shtoj, planifikojeni jetën tuaj pavarësisht moshës suaj); së treti, jepeni mësim të vërtetën me dëshmi; dhe së katërti, shërbejini Zotit me dashuri.

Le ta shqyrtojmë secilën nga katër pjesët e formulës.

Së pari, kërkojini me zell shkrimet e shenjta.

Shkrimet e shenjta dëshmojnë për Perëndinë dhe përmbajnë fjalët e jetës së përjetshme. Ato bëhen themeli i mesazhit tonë.

Theksi i programit mësimor të Kishës janë shkrimet e shenjta, organizuar dhe bashkërenduar përmes përpjekjes për [të krijuar] lidhje reciproke. Ne gjithashtu nxitemi që t’i studiojmë shkrimet e shenjta çdo ditë, si individualisht edhe me familjet tona.

Unë do t’ju jap vetëm një referencë që gjen zbatim të drejtpërdrejtë në jetën tonë. Në Librin e Mormonit, kapitulli i 17–të i Almës, lexojmë rrëfimin për gëzimin e Almës kur takoi përsëri bijtë e Mosias dhe vuri re qëndrueshmërinë e tyre në kauzën e të vërtetës. Anali na tregon: “Ata ishin përforcuar në njohurinë e së vërtetës; pasi ata ishin njerëz me kuptim të saktë dhe kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë.

Por kjo nuk është e gjitha; ata ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit; prandaj ata kishin shpirtin e profecisë dhe shpirtin e zbulesës dhe kur i mësuan të tjerët, ata i mësuan me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë.”4

Vëllezër, kërkojini me zell shkrimet e shenjta.

Së dyti në formulën tonë: planifikojeni jetën tuaj me pikësynim.

Ndoshta asnjë brez të rinjsh nuk ka përballuar vendime me ndikim kaq të gjerë sa rinia e sotme. Duhet të merren masat për shkollë, mision dhe martesë. Për disa, do të përfshihet shërbimi ushtarak.

Përgatitja për mision fillon herët. Përveç përgatitjes shpirtërore, një prind i urtë do të sigurojë mjetet përmes të cilave i biri në moshë të re të mund të fillojë fondin e tij personal misionar. Ndërsa vitet kalojnë, ai mjaft mirë mund të nxitet për të studiuar një gjuhë të huaj kështu që, nëse është e nevojshme, aftësitë e tij gjuhësore të mund të përdoren. Përfundimisht vjen ajo ditë e lavdishme kur peshkopi dhe presidenti i kunjit e ftojnë të riun për një bisedë. Vlerësohet denjësia; plotësohet një rekomandim misionari.

Gjatë asnjë kohe tjetër një familje e tërë nuk vëzhgon dhe pret me aq ankth postierin dhe letrën që përmban adresën e dërguesit 47 East South Temple, Salt Lake City, Utah. Letra vjen; ndjenja e ankthit është dërrmuese; thirrja lexohet. Shpesh fusha e caktuar për punë është shumë larg shtëpisë. Megjithatë, pavarësisht vendit, përgjigjja e misionarit të përgatitur e të bindur është e njëjtë: “Unë do të shërbej”.

Fillojnë përgatitjet për nisje. Të rinj, shpresoj që i vlerësoni sakrificat që prindërit tuaj i bëjnë me aq gatishmëri në mënyrë që ju të shërbeni. Punët e tyre do t’ju mbështesin, besimi i tyre do t’ju nxisë, lutjet e tyre do t’ju përkrahin. Misioni është një çështje familjare. Zemrat janë një, edhe pse sipërfaqja e gjerë e kontinenteve apo oqeaneve mund t’i ndajë.

Vëllezër, ndërsa e planifikoni me pikësynim jetën tuaj, kujtoni se mundësitë tuaja misionare nuk kufizohen te periudha e thirrjes zyrtare. Për ata prej jush që shërbejnë në ushtri, një kohë e tillë mund dhe duhet të jetë dobiprurëse. Çdo vit, të rinjtë tanë me uniformë sjellin shumë shpirtra në mbretërinë e Perëndisë duke nderuar priftërinë e tyre, duke jetuar urdhërimet e Perëndisë dhe duke u mësuar të tjerëve fjalën hyjnore të Zotit.

Mos e nënvlerësoni privilegjin tuaj për të qenë misionarë ndërsa ndiqni arsimimin tuaj zyrtar. Shembulli juaj si shenjtor i ditëve të mëvonshme do të vihet re, do të peshohet dhe shpesh do të pasohet.

Vëllezër, pavarësisht moshës suaj, pavarësisht rrethanave tuaja, unë ju nxit që ta planifikoni jetën tuaj me pikësynim.

Tani te pika e tretë në formulën tonë: jepeni mësim të vërtetën me dëshmi.

Binduni këshillës së Apostullit Pjetër, i cili nxiti: “Jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju”5. Ngrijeni zërin tuaj dhe dëshmoni për natyrën e vërtetë të Kreut–Perëndi. Shpalleni dëshminë tuaj në lidhje me Librin e Mormonit. Përçojini të vërtetat e lavdishme dhe të bukura që përmban plani i shpëtimit.

Kur shërbeva si president misioni në Kanada mbi 50 vjet më parë, një misionar i ri që vinte nga një komunitet i vogël rural mahnitej nga madhësia e Torontos. Ai qe i vogël nga shtati, por me dëshmi të madhe. Jo shumë pas mbërritjes së tij, bashkë me shokun e vet misionar, ai vizitoi shtëpinë e Elmer Pollardit në Oshaua të Ontarios në Kanada. Nga keqardhja për të rinjtë që, gjatë një stuhie verbuese dëbore, po shkonin shtëpi më shtëpi, z. Pollard i ftoi misionarët brenda në shtëpinë e tij. Ata i paraqitën mesazhin e tyre. Ai nuk u frymëzua nga shpirti [i mesazhit]. Kur erdhi çasti, u kërkoi që të largoheshin e të mos vinin përsëri. Fjalët e tij të fundit drejtuar pleqve, ndërsa kalonin hyrjen e tij të përparme, u thanë me tallje: “Mos më thoni se e besoni me të vërtetë që Jozef Smithi qe profet i Perëndisë!”

Dera u mbyll. Pleqtë ecën tatëpjetë rrugës. Djali ynë nga fshati i tha shokut të vet misionar: “Eldër, nuk iu përgjigjëm z. Pollard. Ai tha se ne nuk besonim se Jozef Smithi qe profet i vërtetë. Le të kthehemi dhe t’i shprehim dëshmitë tona.” Në fillim, misionari më me përvojë ngurroi por më në fund ra dakord ta shoqëronte shokun e tij. Frika mbërtheu zemrat e tyre ndërsa i afroheshin derës nga e cila sapo qenë dëbuar. Ata trokitën, u përballën me z. Pollard, kaluan një çast pikëllimi dhe pastaj me fuqi nga Shpirti, misionari ynë i papërvojë tha: “Z. Pollard, ju thatë se ne nuk e besonim vërtet se Jozef Smithi qe profet i Perëndisë. Unë ju dëshmoj se Jozefi ishte profet. Ai e përktheu vërtet Librin e Mormonit. Ai pa Perëndinë, Atin dhe Jezusin, Birin. Unë e di këtë.”

Jo shumë kohë më vonë, z. Pollard, tani Vëllai Pollard, u ngrit në një mbledhje të priftërisë dhe tha: “Atë natë nuk munda të flija. Dëgjoja të kumbonin në veshët e mi fjalët: ‘Jozef Smithi ishte profet i Perëndisë. Unë e di këtë. Unë e di këtë. Unë e di këtë.’ Ditën tjetër u telefonova misionarëve dhe u kërkova që të ktheheshin. Mesazhi i tyre, i ndërthurur me dëshmitë e tyre, ndryshoi jetën time dhe jetën e familjes sime.” Vëllezër, jepeni mësim të vërtetën me dëshmi.

Pika e fundit në formulën tonë është që t’i shërbejmë Zotit me dashuri. Nuk ka asnjë zëvendësues për dashurinë. Misionarët e suksesshëm i duan shokët e tyre misionarë, udhëheqësit e tyre të misionit dhe njerëzit e çmuar të cilëve u japin mësim. Në sesionin e katërt të Doktrinës e Besëlidhjeve, Zoti vendosi cilësimet [kualifikuese] për punët e shërbesës. Le të shqyrtojmë vetëm disa vargje:

“Prandaj, O ju që hyni në shërbim të Perëndisë, kujdesuni që t’i shërbeni atij me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, që ju të qëndroni të pafaj përpara Perëndisë në ditën e fundit. …

Dhe besimi, shpresa, dashuria hyjnore dhe dashuria, me syrin drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë, e cilësojnë atë për veprën.

Kujtoni besimin, virtytin, diturinë, maturinë, durimin, mirësinë vëllazërore, perëndishmërinë, dashurinë hyjnore, përulësinë, zellin.”6

Secili prej jush, tek i cili arrin zëri im, mjaft mirë mund t’i bëjë vetes pyetjen: “Sot, a jam rritur në besim, në virtyt, në njohuri, në perëndishmëri, në dashuri?”

Përmes përkushtimit tuaj të devotshëm në shtëpi ose jashtë saj, ata shpirtra që ju i ndihmoni të shpëtojnë, mjaft mirë mund të jenë ata që i doni më shumë.

Shumë vite më parë, miqtë e mi të dashur, Krejg Sudbëri dhe e ëma, Perla, erdhën në zyrën time para nisjes së Krejgut për në Misionin e Australisë – Melburn. Fred Sudbëri, i ati i Krejgut, dukej që mungonte. Njëzet e pesë vjet më parë, e ëma e Krejgut qe martuar me Fredin, që nuk kishte po të njëjtën dashuri si ajo për Kishën dhe në të vërtetë nuk qe anëtar.

Krejgu më tregoi në mirëbesim dashurinë e tij të thellë e të qëndrueshme për prindërit dhe shpresën e tij se disi, në ndonjë mënyrë, i ati do të prekej nga Shpirti dhe do ta hapte zemrën ndaj ungjillit të Jezu Krishtit. U luta për frymëzim lidhur me mënyrën se si mund të përmbushej një dëshirë e tillë. Frymëzimi erdhi dhe unë i thashë Krejgut: “Shërbeji Zotit me të gjithë zemrën tënde. Ji i bindur ndaj thirrjes tënde të shenjtë. Çdo javë, shkruaju letër prindërve të tu dhe, me raste, shkruaji Babait veçmas e bëji të ditur se sa shumë e do dhe tregoji se përse je mirënjohës që je biri i tij.” Ai më falënderoi dhe me të ëmën u larguan nga zyra.

Nuk e kisha parë nënën e Krejgut për afro 18 muaj, kur erdhi në zyrën time dhe me fjali të ndërprera nga lot më tha: “Kanë kaluar pothuaj dy vjet që kur Krejgu u largua për në misionin e tij. Ai kurrë nuk ka harruar të na shkruajë letër çdo javë. Kohët e fundit, im shoq, Fredi, u ngrit për herë të parë në një mbledhje dëshmie dhe më befasoi mua dhe e habiti së tepërmi këdo që ishte atje duke shpallur se kishte marrë vendim të bëhej anëtar i Kishës. Ai tregoi se unë dhe ai do të shkonim në Australi për të takuar Krejgun në fund të misionit të tij në mënyrë që Fredi të mund të ishte pagëzimi i fundit i Krejgut si misionar kohëplotë.”

Asnjë misionar nuk kishte qenë më ballëlart sesa Krejg Sudbëri kur, në Australinë e largët, ndihmoi të atin të futej në ujë gjer në mes dhe duke ngritur krahun e djathtë në kënd të drejtë, përsëriti ato fjalë të shenjta: “Frederik Çarls Sudbëri, duke qenë i autorizuar nga Jezu Krishti, unë të pagëzoj ty në emër të Atit dhe të Birit dhe të Frymës së Shenjtë”.

Dashuria kishte arritur fitoren e saj. Shërbejini Zotit me dashuri.

Vëllezër, secili prej nesh i kërkoftë me zell shkrimet e shenjta, e planifikoftë jetën e vet me pikësynim, e dhëntë mësim të vërtetën me dëshmi dhe i shërbeftë Zotit me dashuri.

Bariu i përsosur i shpirtrave tanë, misionari që shëlbeu njerëzimin, na dha sigurimin e Tij hyjnor:

“Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!

Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt që keni sjellë tek unë në mbretërinë e Atit tim, sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!”7

Unë shpall dëshminë time për Atë që i tha këto fjalë: “Ai është biri i Perëndisë, Shëlbuesi ynë dhe Shpëtimtari ynë”.

Unë lutem që të mund t’i përgjigjemi përherë ftesës së Tij të dashur: “Ti ndiqmë”8. Në emrin e Tij të shenjtë – madje të Jezu Krishtit, Zotit – amen.