2013
Jemi të Bashkuar
Maj 2013


Jemi të Bashkuar

Lutem që kudo që të jemi dhe cilatdo të jenë detyrat që kemi në priftërinë e Perëndisë, ne vërtet do të jemi të bashkuar në kauzën e sjelljes së ungjillit tek e gjithë bota.

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Zoti e bëri të qartë vërtet që nga fillimi i kësaj periudhe të fundit ungjillore, se ne duhej t’ia çonim ungjillin të gjithë botës. Atë që Ai ua tha disa mbajtësve të priftërisë në vitin 1831, Ai ua thotë shumë të tjerëve tani. Pavarësisht nga mosha, aftësia, thirrja në Kishë ose vendndodhja jonë, ne të bashkuar thirremi për punën që ta ndihmojmë Atë për mbledhjen e shpirtrave derisa Ai të vijë përsëri. Ai u tha atyre punëtorëve të parë në vresht:

“Dhe përsëri, unë ju them, unë ju jap një urdhërim që çdo burrë qoftë plak, prift, mësues dhe gjithashtu anëtar, të fillojë me fuqinë e tij, me punën e duarve të tij, të përgatitet dhe të plotësojë gjërat që unë kam urdhëruar.

Dhe predikimi juaj le të jetë zëri paralajmërues, çdo njeri të afërmit të tij, me qetësi dhe butësi.

Dhe largohuni nga të ligjtë. Shpëtoni vetveten. Jini të pastër që të mbani enët e Zotit.”1

Tani, ju anëtarë të Priftërisë Aarone mund ta kuptoni se urdhri i Zotit ju përfshin ju. Përderisa e dini se Zoti gjithmonë e përgatit një udhë për t’i zbatuar urdhërimet e Tij, ju mund të prisni që Ai do ta bëjë atë për secilin prej jush.

Më lejoni t’ju tregoj se si Ai e bëri atë për një djalë, i cili tani mban detyrën e priftit në Priftërinë Aarone. Ai është 16 vjeç. Jeton në një vend ku misionarët mbërritën fillimisht vetëm një vit më parë. Ata u caktuan në dy qytete, por jo në qytetin ku jeton djali.

Kur ishte shumë i vogël, prindërit e tij e sollën në Juta për siguri. Familja e tij i mori mësimet dhe u pagëzua nga misionarët. Ai nuk u pagëzua në Kishë, sepse nuk ishte ende tetë vjeç.

Prindërit e tij humbën jetën në një aksident. Kështu, gjyshja e bëri atë të kthehej në shtëpinë e tij, përtej oqeanit, përsëri në qytetin ku ishte lindur.

Vetëm një vit më parë në mars, ai po ecte në rrugë, kur ndjeu se duhej të fliste me një grua të cilin nuk e njihte. Ai foli me të me anglishten që ende i kujtohej. Ajo ishte një infermiere e dërguar nga presidenti i misionit në qytetin e tij për të parë për shtëpi dhe kujdes mjekësor për misionarët, të cilët do të caktoheshin atje së shpejti. Djali dhe gruaja u bënë miq, teksa po flisnin. Kur u kthye në zyrat qendrore të misionit, ajo u tregoi misionarëve rreth tij.

Dy misionarët e parë mbërritën në shtator të 2012–ës. Djali jetim ishte pagëzimi i parë i tyre në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në mars të këtij viti ai kishte qenë anëtar për katër muaj. Ai ishte shuguruar prift në Priftërinë Aarone dhe kështu mundi të pagëzonte në Kishë të kthyerin e dytë në besim. Ai ishte pionieri i parë i priftërisë që do të mblidhte me vete fëmijë të tjerë të Atit Qiellor për të ngritur Kishën në një qytet me afërsisht 130.000 njerëz.

Të dielën e Pashkës, më 31 mars 2013, anëtarësia e Kishës atje ishte rritur në numrin e madh të gjashtë anëtarëve në atë qytet. Ai ishte i vetmi anëtar vendor që mori pjesë në mbledhje atë të diel. Kishte vrarë gjurin një ditë më parë, por qe i vendosur të ishte atje. Ishte lutur që të ishte në gjendje për të ecur deri në kishë. Dhe kështu ai ishte atje. Ai e ndau sakramentin me katër misionarë të rinj dhe një çift misionarësh – i tërë grumbullimi.

Kjo ngjarje nuk duket mbresëlënëse, në qoftë se nuk dalloni në të modelin e dorës së Perëndisë në ndërtimin e mbretërisë së Tij. E kam parë atë shumë herë.

E pashë në Nju–Meksiko kur isha i ri. Gjatë brezave profetët na kanë thënë se ne duhet t’i ndihmojmë misionarët të gjejnë dhe t’i mësojnë të ndershmit në zemër dhe më pas t’i duam ata që vijnë në mbretëri.

E kam parë vetë atë që mund të bëjnë udhëheqës dhe anëtarë besnikë të priftërisë. Në vitin 1955 u bëra oficer në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara. Peshkopi im në lagjen ku jetoja, më dha një bekim pikërisht përpara se të largohesha për caktimin tim të parë, që ishte në Albakërki, Nju–Meksiko.

Në bekimin e tij ai tha se koha ime në forcat ajrore do të ishte shërbim misionar. Arrita në kishë të dielën time të parë në Degën e Parë të Albakërkit. M’u afrua një burrë, u prezantua si presidenti i distriktit dhe më tha se do të më thërriste të shërbeja si misionar distrikti.

I thashë atij se do të isha atje për trajnim për vetëm pak javë dhe më pas do të caktohesha diku tjetër nëpër botë. Ai tha: “Nuk di gjë për këtë, por ne duhet të të thërrasim ty të shërbesh”. Në mes të trajnimit tim ushtarak, nëpërmjet asaj që u duk si e rastit, unë u zgjodha mes qindra oficerëve që po trajnoheshin, të zija vendin në shtabin qendror të një oficeri që kishte vdekur papritur.

Kështu që, për dy vitet që isha atje, punova në thirrjen time. Në shumicën e mbrëmjeve dhe çdo fundjavë, u mësova ungjillin e Jezu Krishtit njerëzve që na sillnin anëtarët.

Shokët e mi dhe unë bëmë mesatarisht më shumë se 40 orë në muaj në shërbimin tonë misionar, pa patur asnjëherë nevojë të trokisnim në dyer që të gjenim dikë për ta mësuar. Anëtarët na e mbushën kaq shumë kohën, sa shpesh në një mbrëmje u jepnim mësim dy familjeve. E pashë vetë fuqinë dhe bekimin në thirrjen e përsëritur të profetëve që çdo anëtar të jetë një misionar.

Të dielën e fundit përpara se të largohesha nga Albakërki, u organizua kunji i parë në atë qytet. Tashmë atje gjendet një tempull i shenjtë, një shtëpi e Zotit, në një qytet ku dikur ne u takuam në një kishë të vetme me shenjtorë të cilët na sollën miq për t’i mësuar dhe për të ndier dëshminë e Shpirtit. Ata miq gjetën një shtëpi mikpritëse në Kishën e vërtetë të Zotit.

E pashë më pas ndikimin e tyre në Nju–Ingland kur shkova në shkollë. U thirra si këshilltari i një presidenti të shkëlqyer distrikti, i cili ishte ndryshuar nga mungesa e interesit për Kishën në një burrë me fuqi shpirtërore të madhërishme. Mësuesi i tij i shtëpisë e donte atë aq shumë sa të mos i kushtonte vëmendje puros së tij dhe të shihte atë që Perëndia mund të shihte tek ai. Presidenti i distriktit dhe unë shkuam me makinë përgjatë kodrave dhe bregdetit për të vizituar degët e vogla që mbushnin Masaçusetin dhe Rod–Ajllëndin, për të ngritur dhe bekuar mbretërinë e Perëndisë.

Në vitet që shërbeva me atë udhëheqës të mrekullueshëm, ne i pamë njerëzit të afrojnë miq te Kisha me anë të shembullit të tyre dhe me anë të ftesës së tyre për t’i dëgjuar misionarët. Rritja e atyre degëve mua më dukej e ngadaltë dhe ngurruese. Por të dielën që u largova, pesë vjet më vonë, dy Apostuj erdhën për ta organizuar distriktin tonë në një kunj në godinën e kishës në Parkun Longfellou në Kembrixh.

Vite më pas u ktheva atje për të drejtuar një konferencë kunji. Presidenti i kunjit më çoi të shihja një kodër shkëmbore në Belmont. Më tha se do të ishte vend i përsosur për një tempull të Perëndisë. Një tempull qëndron atje tani. Kur ia hedh vështrimin, kujtoj anëtarët e përulur me të cilët u ula në degë të vogla, fqinjët që ata ftuan dhe misionarët që po i mësonin.

Ka një dhjak të ri në këtë mbledhje këtu sonte. Unë isha me të në të njëjtën të diel Pashke që prifti, për të cilin fola më parë, hyri në mbledhjen e tij me një anëtar. Dhjaku u mbush plot gëzim kur babai i tha se ai do të ishte sonte në këtë mbledhje të priftërisë me të. Ky baba ishte një misionar i shkëlqyer në të njëjtin mision ku gjyshi i tij kishte qenë presidenti. E kam parë Manualin për Misionarë të vitit 1937 të stërgjyshit të tij. Trashëgimia e tij për të sjellë njerëz në Kishë ka rrënjë të thella.

Kështu që fola me peshkopin e atij dhjaku për të mësuar çfarë përvojash mund të presë djali që të plotësojë përgjegjësinë e priftërisë për të punuar në mbledhjen e shpirtrave për Zotin. Peshkopi ishte entuziast kur përshkroi se si udhëheqësi i misionit të lagjes e ndiqte përparimin e kërkuesve. Ai e merr atë informacion nga kontakti i vazhdueshëm me misionarët.

Peshkopi dhe këshilli i tij i lagjes diskutojnë për çdo kërkues që po përparon. Ata vendosin atë që mund të bëjnë për çdo njeri dhe për familjet e tyre për t’i ndihmuar ata të bëhen miq përpara pagëzimit, për t’i përfshirë ata në aktivitete dhe për t’i ushqyer shpirtërisht ata që pagëzohen. Ai tha se misionarët me raste kanë mjaft takime për të mësuar sa ata marrin si shoqërues mbajtës të Priftërisë Aarone.

Plani i misionit të lagjes përfshin qëllimet e kuorumeve për t’i ftuar të takohen me misionarët njerëzit që ata i njohin. Madje presidenca e kuorumit të dhjakëve ftohet që të caktojë qëllime dhe të planifikojë për anëtarët e kuorumit të tyre për t’i ndihmuar ata të sjellin kë njohin në mbretërinë e Perëndisë.

Tani, dhjaku në lagjen e fortë dhe prifti i ri – i kthyeri në besim – në grupin e vogël të anëtarëve mund të duken se kanë pak gjëra të përbashkëta me njëri–tjetrin ose me ju. Dhe ju mund të mos shihni shumë ngjashmëri midis përvojës suaj për të ngritur Kishën me atë që pashë unë si mrekulli në Nju–Meksiko dhe në Nju–Ingland.

Por ka një mënyrë sipas së cilës ne bashkohemi në përgjegjësinë tonë në priftëri. Ne e shenjtërojmë veten tonë dhe i përmbushim detyrat tona individuale ndaj urdhërimit për ta çuar ungjillin te të gjithë fëmijët e Atit tonë Qiellor.

Ne tregojmë për përvoja në mënyrën se si Zoti ndërton mbretërinë e Tij në tokë. Në Kishën e Tij, me të gjitha mjetet dhe organizimin e mrekullueshëm që na është dhënë, ende gjendet një e vërtetë themelore, e mësuar nga profetët, lidhur me mënyrën se si ne duhet ta përmbushim urdhrin tonë të priftërisë për punë misionare.

Në konferencën e përgjithshme të prillit të vitit 1959, Presidenti Dejvid O. Mek–Kei na mësoi këtë parim, siç na e kanë mësuar profetët që nga ajo kohë, duke përfshirë Presidentin Tomas S. Monson. Presidenti Mek–Kei tregoi në fjalët e tij të mbylljes se në vitin 1923 në Misionin Britanik, një udhëzim i përgjithshëm iu dërgua anëtarëve të Kishës. Atyre iu tha të mos harxhonin para që të bënin reklama për të ndryshuar ndjenjat e këqija që njerëzit e zonës kishin ndaj Kishës. Presidenti Mek–Kei tha se vendimi ishte: “Ia jepni përgjegjësinë çdo anëtari të Kishës që në vitin pasues të 1923–shit, çdo anëtar do të jetë një misionar. Çdo anëtar një misionar! Ju mund të sillni nënën tuaj në Kishë, ose mund të jetë babai juaj; ndoshta shoku me të cilin punoni bashkë. Dikush do ta dëgjojë lajmin e mirë të së vërtetës nëpërmjet jush.”

Dhe Presidenti Mek–Kei vazhdoi: “Dhe ky është mesazhi sot. Çdo anëtar – një milion e gjysmë – një misionar!2

Kur u shpall në vitin 2002 se puna misionare do të bëhej përgjegjësia e peshkopëve, vrava mendjen se si do të arrihej kjo. Unë kisha qenë një peshkop. Më dukej se ngarkesa që tashmë po mbanin në shërbimin ndaj anëtarëve dhe në drejtimin e organizatave në lagje, ishte pothuajse gjithë çka mund të bënin.

Një peshkop që e njihja, nuk e pa atë si një detyrë të shtuar, por si mundësi për ta afruar lagjen më pranë një kauze të madhe ku çdo anëtar të bëhej një misionar. Ai thirri një udhëheqës misioni të lagjes. Ai u takua vetë me misionarët çdo të shtunë për të mësuar rreth punës së tyre, për t’i inkurajuar ata dhe për të mësuar rreth përparimit të kërkuesve të tyre. Këshilli i lagjes gjeti mënyra që organizatat dhe kuorumet t’i përdornin përvojat e shërbimit si përgatitje misionare. Si gjykatës në Izrael, ai i ndihmoi të rinjtë t’i ndienin bekimet e Shlyerjes për ta mbajtur veten të dëlirë.

Kohët e fundit e pyeta atë se si e shpjegonte rritjen e shpejtë të pagëzimeve të të kthyerve në besim në lagjen e tij dhe rritjen në numër të të rinjve të gatshëm dhe të zellshëm për t’ia çuar botës ungjillin e Jezu Krishtit. Ai tha se mendonte se nuk ishte për shkak të detyrës që kreu secili, por ishte mënyra se si ata u bashkuan me entuziazëm për të sjellë njerëz në komunitetin e shenjtorëve që ua kishte sjellë atyre këtë lumturi.

Për disa, rritja ishte më shumë se entuziazëm. Si bijtë e Mosias, ata i kishin ndier pasojat e mëkatit në jetën e tyre personale dhe shërimin e mrekullueshëm të Shlyerjes brenda Kishës së Perëndisë. Për shkak të dashurisë dhe mirënjohjes për dhuratën e Shpëtimtarit për ta, ata donin ta ndihmonin këdo që mundeshin, për t’iu larguar trishtimit të mëkatit, për ta ndier gëzimin e faljes dhe për t’i mbledhur ata të sigurt në mbretërinë e Perëndisë.

Ishte dashuria e Perëndisë dhe dashuria për miqtë dhe fqinjët e tyre që i bashkuan ata për t’u shërbyer njerëzve. Ata dëshiruan t’ia çonin ungjillin çdo njeriu në pjesën e tyre të botës. Dhe i përgatitën fëmijët e tyre që të ishin të denjë për t’u thirrur nga Zoti për të dhënë mësim, për të dëshmuar dhe për të shërbyer në pjesë të tjera të vreshtit të Tij.

Qoftë në lagjen e madhe ku dhjaku i ri do të kryejë detyrën e tij për ta ndarë ungjillin dhe për ta ngritur mbretërinë, apo në grupin e vogël shumë larg ku prifti i ri shërben, ata do të jenë të bashkuar në qëllim. Dhjaku do të frymëzohet nëpërmjet dashurisë së Perëndisë për t’u drejtuar te një shok që s’është ende anëtar. Ai do ta përfshijë shokun e tij në një shërbim ose veprimtari në Kishë dhe më pas do ta ftojë atë dhe familjen e tij për të marrë mësimet nga misionarët. Për ata që pagëzohen, ai do të jetë shoku për të cilin kanë nevojë.

Prifti do të ftojë të tjerë të bashkohen me të në grupin e vogël të shenjtorëve, ku ai e ka ndier dashurinë e Perëndisë dhe paqen e bekuar të Shlyerjes.

Nëse vazhdon me besnikëri në detyrën e tij të priftërisë, ai do ta shohë grupin të bëhet degë dhe më pas një kunj i Sionit do të vijë në qytetin e tij. Do të ketë një lagje me një peshkop dashamirës. Mund të jetë një prej bijve ose nipërve të tij që një ditë do ta çojë një shërbëtor të Perëndisë te një kodër pranë dhe do të thotë: “Ky do të ishte një vend i mrekullueshëm për një tempull”.

Lutem që kudo që të jemi dhe cilatdo të jenë detyrat që kemi në priftërinë e Perëndisë, ne vërtet do të jemi të bashkuar në kauzën e sjelljes së ungjillit tek e gjithë bota dhe që ne do t’i nxisim njerëzit që i duam të pastrohen nga mëkati dhe të jenë të lumtur me ne në mbretërinë e Perëndisë. Në emrin e Jezu Krishtit, Kisha e të cilit është kjo, amen.