2014
Bija të Besëlidhjes së Perëndisë
Nëntor 2014


Bija të Besëlidhjes së Perëndisë

Kur bijat e Perëndisë përqendrohen tek tempulli dhe te besëlidhjet e tyre të shenjta, Perëndia është në gjendje të dërgojë bekime në mënyra personale dhe të fuqishme.

Të dashura motra, ju përshëndes me kaq shumë dashuri. Pikërisht tani, kudo qofshi në botë, unë shpresoj që ju e ndieni dashurinë e Zotit për ju personalisht dhe Shpirtin t’i dëshmojë zemrës suaj mesazhin e sapokënduar nga ky kor i bukur. Zërit të tyre, unë i shtoj zërin e dëshmisë sime: e di se rron Shëlbuesi im dhe se Ai e do secilën prej nesh.

Sonte, ne mblidhemi si bija të besëlidhjes së Perëndisë. Mosha, rrethanat dhe personalitetet tona nuk mund të na ndajnë, pasi mbi të gjitha ne jemi të Tijat. Ne kemi bërë një besëlidhje për ta kujtuar gjithmonë Birin e Tij.

Fuqia e asaj besëlidhjeje vetjake u ngulit në zemrën time tri javë më parë kur mora pjesë në një shërbim pagëzimi. Atje përpara meje, tetë fëmijë të bukur ishin ulur të emocionuar plot nderim që më në fund dita e tyre e veçantë kishte mbërritur. Por teksa shihja fytyrat e tyre rrezatuese, nuk pashë thjesht një grup fëmijësh. Përkundrazi, i pashë ata në mënyrën se si mendoj se Zoti do t’i shihte ata – individualisht. Unë pashë Emën e Sofien dhe Iënin e Loganin dhe Eidënin e Uilliamin dhe Sofinë e Majkën. Secila besëlidhje pagëzimi është bërë një e nga një. Gjithsecili i veshur me të bardha, ata ishin aty – gati dhe të gatshëm me gjithë zemrën e tyre tetëvjeçare që të bënin besëlidhjen e tyre të parë me Perëndinë.

Silleni ndërmend dhe përfytyrojeni ditën e pagëzimit tuaj. Qoftë nëse kujtoni shumë apo vetëm pak hollësi, përpiquni ta ndieni tani domethënien e besëlidhjes që bëtë individualisht. Pasi u thirrët në emër, ju u zhytët në ujë dhe dolët si bijë e Perëndisë – një bijë e besëlidhjes, e gatshme të thirrej në emrin e Birit të Tij dhe duke premtuar se do ta ndiqte Atë dhe do të mbante urdhërimet e Tij.

Besëlidhjet me Perëndinë na ndihmojnë të dimë se cilat jemi në të vërtetë. Ato na lidhin me Të në një mënyrë vetjake nëpërmjet së cilës ne arrijmë të ndiejmë vlerën tonë në sytë e Tij dhe vendin tonë në mbretërinë e Tij. Në një mënyrë që nuk mund ta kuptojmë plotësisht, [Ai] na njeh dhe do ne individualisht. Merreni me mend – secila prej nesh zë një vend të tillë në zemrën e Tij. Dëshira e Tij është që ne të zgjedhim shtegun që do të na çojë në shtëpi tek Ai.

Aq sa është thelbësore dhe domethënëse besëlidhja e pagëzimit, ajo përbën vetëm fillimin – portën që na fut në shtegun për te jeta e përjetshme. Përpara, në udhëtimin tonë [drejt jetës së përjetshme], janë besëlidhjet e tempullit për t’u bërë dhe ordinancat e priftërisë për t’u marrë. Ashtu si na kujton Plaku Dejvid A. Bednar: “Kur qëndrojmë në ujërat e pagëzimit, ne shohim drejt tempullit”1.

Nuk është vetëm përmes bërjes së besëlidhjeve, por edhe përmes mbajtjes me besnikëri të këtyre besëlidhjeve që ne përgatitemi të marrim jetën e përjetshme. Ajo është shpresa jonë, qëllimi ynë dhe gëzimi ynë.

Unë isha dëshmitare okulare e fuqisë së besëlidhjeve ndërsa shihja prindërit e mi të drejtë, të cilët e donin dhe e jetonin ungjillin. Te nëna ime e dashur pata privilegjin të shihja qartësisht vendimet e përditshme të një bije të besëlidhjes së Perëndisë. Edhe kur ishte vajzë, zgjedhjet e saj pasqyronin përparësitë e saj dhe e paraqitnin atë si një dishepulle të vërtetë të Jezu Krishtit. Kam parë paqen, fuqinë dhe mbrojtjen që erdhën në jetën e saj ndërsa bëri dhe mbajti besëlidhje të shenjta gjatë udhëtimit të saj. Jeta e saj në këtë tokë pasqyroi dashurinë e saj për Shpëtimtarin dhe dëshirën e saj për ta ndjekur Atë. Oh, sa dëshiroj të ndjek shembullin e saj.

Jeta e prindërve të mi së bashku filloi në një mënyrë të pazakontë. Ishte viti 1936. Ata po dilnin në takime serioze dhe ishin duke planifikuar të martoheshin kur babai im mori një letër që e ftonte atë të shërbente si misionar kohëplotë në Afrikën e Jugut. Letra thoshte se, nëse ishte i denjë dhe i gatshëm për të shërbyer, ai duhej të takohej me peshkopin e tij. Mund ta shihni menjëherë se procesi i të thirrurit misionar ishte mjaft ndryshe në ato kohë! Babai ia tregoi letrën të shtrenjtës së tij, Helenës, dhe ata vendosën pa diskutim se ai do të shërbente.

Për dy javë para se të nisej, Nëna dhe Babai u takuan çdo ditë për drekë pikniku te Memori Gruv [Korija Përkujtimore] pranë qendrës së Solt-Lejk-Sitit. Gjatë njërës prej drekave të tyre, pasi kishin kërkuar udhëzim me anë të agjërimit dhe lutjes, Nëna i tha Kleronit të saj të dashur se, nëse ai kishte ende dëshirë, ajo do të martohej me të përpara se ai të nisej. Në ditët e hershme të Kishës, burrat thirreshin ndonjëherë për shërbim misionar dhe linin gratë e familjet në shtëpi. Po kështu qe me nënën dhe babanë tim. Me miratimin e udhëheqësve të tij të priftërisë, ata vendosën që të martoheshin përpara se ai të nisej për në misionin e tij.

Në Tempullin e Solt-Lejkut, Nëna mori indaumentin e saj dhe pastaj ata u martuan për kohën dhe për të gjithë përjetësinë nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei. [Fillimi i martesës] së tyre qe fillim i përulur. Nuk pati fotografi, as fustan të bukur nusërie, as lule dhe as gosti për ta festuar ngjarjen. Në qendër të vëmendjes së tyre të kthjellët ishte tempulli dhe besëlidhjet e tyre. Për ta, besëlidhjet ishin gjithçka. Pas vetëm gjashtë ditësh martese dhe me një lamtumirë të përlotur, babai im u nis për në Afrikën e Jugut.

Por martesa e tyre ishte më tepër sesa vetëm dashuria e thellë që kishin për njëri-tjetrin. Ata gjithashtu kishin dashuri për Zotin dhe dëshirë për t’i shërbyer Atij. Besëlidhjet e shenjta të tempullit që kishin bërë, u dhanë atyre forcën dhe fuqinë për të duruar gjatë dy viteve të ndarjes. Ata kishin një këndvështrim të përjetshëm për qëllimin e jetës dhe për bekimet e premtuara të cilat u vijnë atyre që janë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre. Të gjitha këto bekime e tejkalonin sakrificën dhe ndarjen e tyre afatshkurtër.

Ndërkohë që sigurisht nuk ishte mënyrë e lehtë për ta nisur jetën martesore, ajo dha prova se ishte një mënyrë e përsosur për të hedhur themelin për një familje të përjetshme. Ndërsa fëmijët u shtuan, ne e dinim atë që kishte më tepër rëndësi për prindërit tanë. Ishte dashuria e tyre për Zotin dhe zotimi i tyre i palëkundur për të mbajtur besëlidhjet që kishin bërë. Ndonëse të dy prindërit e mi kanë ndërruar jetë, modeli i tyre i drejtësisë po e bekon ende familjen tonë.

Shembulli i jetës së tyre pasqyrohet në fjalët e Motrës Linda K. Barton: “Mënyra më e mirë për ta forcuar familjen e tanishme apo të ardhshme, është të mbani besëlidhjet”2.

Periudha e tyre e vështirësisë dhe e sprovës nuk kishte mbaruar. Tri vite pasi Babai u kthye nga misioni i tij, Lufta II Botërore po vërshonte dhe si shumë të tjerë ai u rekrutua në ushtri. Ai ishte larg shtëpisë për katër vite të tjera ndërsa shërbeu në flotën ushtarake detare, në luftanije mbi Paqësor.

Ishte e vështirë për prindërit e mi që të ndaheshin sërish. Por për nënën time, ato ditë vetmie, shqetësimi dhe pasigurie u shënuan edhe nga pëshpëritje prej Shpirtit që i fliste për premtime të përjetshme, për ngushëllim dhe paqe në mes të stuhisë.

Pavarësisht nga sfidat e saj, nëna ime pati një jetë të pasur, plot me lumturi, gëzim, dashuri dhe shërbim. Dashuria e saj për Shpëtimtarin u pasqyrua në mënyrën se si ajo e jetoi jetën e saj. Ajo kishte një lidhje të mrekullueshme me qiellin dhe një dhuratë e aftësi për të dashur e bekuar këdo rreth saj. Besimi i saj te Perëndia dhe shpresa te premtimet e Tij janë pasqyruar në fjalët e Presidentit Tomas S. Monson rreth tempullit, kur ai tha: “Nuk ka sakrificë tepër të madhe, nuk ka çmim tepër të lartë, nuk ka betejë tepër të vështirë, me qëllim që [t’i] marri[m] ato bekime”3.

Në të gjitha stinët e jetës së saj, Nëna u forcua dhe u bekua nga dashuria e saj për Zotin dhe nga besëlidhjet të cilat ajo i bëri dhe i mbajti me besnikëri.

Nuk ka dyshim se hollësitë e historisë suaj do të jenë të ndryshme nga të sajat. Por parime nga jeta e saj gjejnë zbatim për ne të gjitha. Kur bijat e Perëndisë përqendrohen tek tempulli dhe te besëlidhjet e tyre të shenjta, Perëndia është në gjendje të dërgojë bekime në mënyra personale dhe të fuqishme. Ashtu si shembulli i nënës sime për mua, zgjedhja juaj për të besuar dhe për të mbajtur besëlidhje do të lërë një trashëgimi të pasur besimi për ata që do të vijnë pas jush. Kështu që, motra të dashura, si mund ta sigurojmë fuqinë dhe bekimet e besëlidhjeve të tempullit? Çfarë mund të bëjmë tani për t’u përgatitur për ato bekime?

Ndërsa kam udhëtuar, kam zbuluar se ka motra të të gjitha moshave, të të gjitha rrethanave, jetët e të cilave u japin përgjigje këtyre pyetjeve.

E takova Merin pak pas ditëlindjes së saj të tetë. Si kaq shumë të tjerë, ajo është e emocionuar për bërjen e historisë familjare dhe ka dhënë ndihmesë me mbi 1000 emra për punën në tempull. Meri po e përgatit veten tani për bekimin e hyrjes në tempull kur të bëhet 12 vjeçe.

Briana është 13 vjeçe dhe i pëlqen shumë të bëjë historinë familjare dhe punën në tempull. Ajo e ka pranuar sfidën e tempullit të Plakut Nil L. Andersen.4 Ajo ka përgatitur qindra emra për punën në tempull dhe, bashkë me veten, ajo ka përfshirë familjen dhe miqtë e saj në kryerjen e pagëzimeve. Në këtë punë të shenjtë, zemra e Brianës jo vetëm që po kthehet tek etërit e saj tokësorë, por edhe tek Ati i saj Qiellor.

Ndonëse Anfisa është një e re në moshë madhore e zënë e cila po punon dhe po shkon në shkollë të lartë, ajo ende gjen kohë për të frekuentuar tempullin çdo javë. Ajo kërkon zbulesë dhe gjen paqe ndërsa shërben në shtëpinë e Zotit.

Katia, një motër e dashur në Ukrainë, ka një dashuri të thellë për tempullin. Përpara se të ndërtohej tempulli në Kiev, ajo dhe të tjerë në degën e saj sakrifikonin për të udhëtuar 36 orë me autobus që ta frekuentonin tempullin një herë në vit në Gjermani. Këta shenjtorë të përkushtuar luteshin, studionin shkrimet e shenjta, këndonin himne dhe diskutonin rreth ungjillit ndërsa udhëtonin. Katia më tha: “Kur më në fund arrinim në tempull, ne ishim të përgatitur të merrnim atë që Zoti kishte për të na dhënë”.

Nëse [duam] t’i marrim të gjitha bekimet që Perëndia ofron kaq bujarisht, shtegu ynë tokësor duhet të çojë tek tempulli. Tempujt janë shprehje e dashurisë së Perëndisë. Ai na fton të gjithave ne që të vijmë, të mësojmë prej Tij, të ndiejmë dashurinë e Tij dhe të marrim ordinancat e priftërisë të nevojshme për jetën e përjetshme me Të. Secila besëlidhje është bërë një e nga një. Secili ndryshim i zemrës ka rëndësi për Zotin. Dhe ndryshimi i zemrës suaj do të përbëjë ndryshimin madhor për ju. Pasi ndërsa shkojmë në shtëpinë e Tij të shenjtë, ne mund “të armatos[emi] me fuqinë [e Tij,] … emri[n] [e Tij] … mbi [ne], … lavdinë [e Tij] … përreth [nesh] dhe engjëjt [e Tij] të ngark[ohen] me përgjegjësi për [ne]”5.

Unë ndaj me ju dëshminë time të sigurt se Ati ynë i dashur në Qiell jeton. Është nëpërmjet Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit, që çdo shpresë, çdo premtim dhe çdo bekim i tempullit përmbushet. Paçim besim për t’i mirëbesuar Atij dhe besëlidhjeve të Tij, unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Dejvid A. Bednar, “Me Nder do të Mbajë një Emër e Qëndrim”, Liahona, maj 2009, f. 98.

  2. Linda K. Barton, “Kërkohen: Duar dhe Zemra për Përshpejtimin e Punës”, Liahona, maj 2014, f. 123.

  3. Tomas S. Monson, “Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Liahona, maj 2011, f. 92.

  4. Shih templechallenge.lds.org.

  5. Doktrina e Besëlidhje 109:22.