2014
Zbulesa e Vazhdueshme
Nëntor 2014


Zbulesa e Vazhdueshme

Gjykimi njerëzor dhe të menduarit logjik nuk do të mjaftojnë për të marrë përgjigje për pyetjet që kanë më shumë rëndësi në jetë. Ne kemi nevojë për zbulesë nga Perëndia.

Shpresa ime për ne sot është që të gjithë të mund të ndiejmë dashuri dhe dritë nga Perëndia. Ka shumë njerëz duke dëgjuar sot, të cilët ndiejnë një nevojë të ngutshme për atë bekim të zbulesës vetjake nga Ati ynë i dashur Qiellor.

Për presidentët e misioneve, ajo mund të jetë një lutje përgjëruese për të ditur se si t’i japin kurajë një misionari në vështirësi. Për një atë ose një nënë në një vend në botë, të rrënuar nga lufta, ajo do të jetë një nevojë dëshpëruese për të ditur nëse duhet ta shpërngulin familjen e tyre drejt një vendi të sigurt apo të qëndrojnë atje ku janë. Qindra presidentë kunjesh dhe peshkopë po luten sot që të dinë se si ta ndihmojnë Zotin që të shpëtojë një dele të humbur. Dhe për një profet, do të jetë të dijë atë që Zoti do të donte që ai t’ia thotë Kishës dhe një bote në trazirë.

Ne të gjithë e dimë se gjykimi njerëzor dhe të menduarit logjik nuk do të mjaftojnë për të marrë përgjigje për pyetjet që kanë më shumë rëndësi në jetë. Ne kemi nevojë për zbulesë nga Perëndia. Dhe neve do të na nevojitet jo thjesht një zbulesë në një kohë shqetësimi, por na nevojitet një rrjedhë e ripërtërirë vazhdimisht. Nuk na nevojitet thjesht një çast i shkurtër i dritës dhe ngushëllimit, por na nevojitet bekimi i vazhdueshëm i komunikimit me Perëndinë.

Pikërisht ekzistenca e Kishës hedh rrënjë nga një i ri që e dinte se ajo ishte e vërtetë. I riu Jozef Smith e dinte se ai nga vetja nuk mund të dinte se me cilën kishë të bashkohej. Prandaj ai i kërkoi Perëndisë, siç i tha libri i Jakobit se mund të bënte. Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij i Dashur u shfaqën në një korije pemësh. Ata iu përgjigjën pyetjes që ishte përtej fuqisë së Jozefit për ta zgjidhur.

Jo vetëm që ai u thirr atëherë nga Perëndia që të themelonte Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit, por me të u rivendos fuqia për ta thirrur Frymën e Shenjtë kështu që zbulesa nga Perëndia të mund të ishte e vazhdueshme.

Presidenti Bojd K. Paker e përshkroi atë tipar dallues të Kishës së vërtetë në këtë mënyrë: “Zbulesa vazhdon në Kishë: profeti duke e marrë atë për Kishën; presidenti për kunjin e tij, misionin e tij apo kuorumin e tij; peshkopi për lagjen e tij; babai për familjen e tij; individi për veten e tij”1.

Ai proces i mrekullueshëm i zbulesës fillon, mbaron dhe vazhdon, kur marrim zbulesë vetjake. Le ta marrim Nefin e madhërishëm, birin e Lehit, si shembullin tonë. Ati i tij pa një ëndërr. Anëtarë të tjerë në familjen e Nefit e panë ëndrrën e Lehit si provë të pështjellimit mendor. Ëndrra përfshinte një urdhër nga Perëndia për bijë e Lehit që të ndërmerrnin rrezikun e tmerrshëm të kthimit në Jerusalem për fletët, të cilat përmbanin fjalën e Perëndisë, që të mund t’i merrnin ato në udhëtimin e tyre drejt tokës së premtuar.

Ne shpesh e citojmë deklarimin e guximshëm të Nefit kur ati i tij u kërkoi atyre të ktheheshin në Jerusalem. Ju i dini fjalët: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar”2.

Kur Lehi e dëgjoi Nefin t’i thoshte ato fjalë, shkrimi i shenjtë thotë se “ai ishte jashtëzakonisht i gëzuar”3. Ai ishte i gëzuar ngaqë e dinte se Nefi ishte bekuar me zbulesën pohuese që ëndrra e atit të tij ishte një komunikim i vërtetë nga Perëndia. Nefi nuk tha: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që më tha të bëj ati im”. Përkundrazi ai tha: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar”.

Nga përvoja juaj në vetë familjet tuaja, ju e dini gjithashtu përse Lehi ishte “jashtëzakonisht i gëzuar”. Gëzimi i tij erdhi ngaqë e dinte se Nefi kishte marrë zbulesë pohuese.

Shumë prindër kanë caktuar rregulla familjare për orën kur një fëmijë adoleshent duhet të kthehet në shtëpi natën. Por mendoni për gëzimin kur prindërit mësojnë, sikurse mësoi njëri veçse pak javë më parë, se një fëmijë që ishte larguar nga shtëpia kohët e fundit, jo vetëm që caktoi një orar kthimi për veten e saj, por edhe e mbajti Shabatin sikurse ajo ishte mësuar në shtëpi. Zbulesa e një prindi e ka ndikimin e saj afatgjatë në zbulesën vetjake që vazhdon te fëmija.

Nëna ime duhej ta kishte kuptuar atë parim të zbulesës. Kur isha i ri, do ta mbyllja derën nga prapa shtëpisë me shumë qetësi kur vija në shtëpi vonë në mbrëmje. Më duhej të kaloja pranë dhomës së gjumit të nënës sime për të shkuar drejt dhomës sime. Pavarësisht nga sa qetë ecja në majë të gishtave, sapo arrija te dera e saj gjysmë e hapur, do të dëgjoja emrin tim, gjithmonë kaq qetësisht: “Hal. Eja brenda për një çast.”

Do të hyja dhe do të ulesha në cep të krevatit të saj. Dhoma do të ishte e errët. Po të kishit dëgjuar, do të mendonit se ishte vetëm një bisedë miqësore rreth jetës. Por deri më sot, çfarë ajo më tha, më kthehet përsëri në mendje me të njëjtën fuqi që e ndiej kur lexoj kopjen e shkruar të bekimit tim patriarkal.

Nuk e di se çfarë po kërkonte ajo në lutje, ndërkohë që më priste mua ato net. Hamendësoj se pjesërisht do të ketë qenë për sigurinë time. Por jam e sigurt se ajo u lut sikurse lutet një patriark përpara se të japë një bekim. Ai lutet që fjalët e tij do të vijnë te marrësi si fjalët e Perëndisë, jo të tijat. Lutjet e nënës sime për atë bekim morën përgjigje në rastin tim. Ajo është në botën e shpirtrave dhe ka qenë për më shumë se 40 vjet. Jam i sigurt se ajo ka qenë jashtëzakonisht e gëzuar që unë u bekova, në po atë mënyrë që kërkoi ajo, për t’i dëgjuar urdhërimet e Perëndisë në këshillën e saj. Dhe jam përpjekur të shkoj e të bëj ashtu sikurse shpresoi ajo se do të bëja.

E kam parë po atë mrekulli të zbulesës së vazhdueshme te presidentët e kunjeve dhe peshkopët në Kishë. Dhe, sikurse është e vërtetë në zbulesën drejtuar udhëheqësve të familjeve, vlera e zbulesës varet nga ata që po udhëhiqen për ta marrë zbulesën pohuese.

E pashë atë mrekulli të zbulesës në pasojat e shkaktuara nga thyerja e Digës Titon në Ajdaho në vitin 1976. Shumë prej jush e dinë historinë e asaj që ndodhi. Por shembulli i zbulesës së vazhdueshme, që u mor nëpërmjet një presidenti kunji, mund të na bekojë ne të gjithëve në kohët përpara nesh.

Mijëra njerëz u shpërngulën teksa shtëpitë e tyre po shkatërroheshin. Drejtimi i përpjekjeve të ndihmave ra mbi një president vendor të kunjit, një fermer. Isha në një klasë në Kolegjin Riks vetëm pak ditë pas fatkeqësisë. Kishte arritur një udhëheqës nga agjencia federale për fatkeqësitë. Ai dhe ndihmësit e tij kryesorë u futën në dhomën e madhe ku presidenti i kunjit kishte mbledhur peshkopët dhe madje disa shërbestarë nga organizata të tjera fetare vendore. Isha atje ngaqë për shumë prej të mbijetuarve po tregohej përkujdesje dhe ata po strehoheshin në kompleksin e kolegjit ku unë isha president.

Kur filloi mbledhja, përfaqësuesi nga agjencia federale për fatkeqësitë u ngrit në këmbë dhe filloi të thoshte me zërin autoritar se çfarë duhej të bëhej. Pasi i renditi secilën prej pesë apo gjashtë detyrave që tha se ishin thelbësore, presidenti i kunjit u përgjigj qetësisht: “Tashmë i kemi bërë ato”.

Pas disa minutash, burri nga agjencia federale për fatkeqësitë tha: “Mendoj se thjesht do të ulem e do të vëzhgoj për pak kohë”. Ai dhe vartësit e tij më pas dëgjuan, ndërkohë që peshkopët dhe presidentët e kuorumeve të pleqve raportuan për ato që kishin bërë. Ata përshkruan se çfarë drejtimi kishin marrë nga udhëheqësit e tyre dhe si e kishin ndjekur atë. Ata folën edhe për atë që ishin frymëzuar të bënin, teksa zbatonin udhëzimet për të gjetur familjet dhe për t’i ndihmuar ato. U bë vonë atë ditë. Ata ishin të gjithë tepër të lodhur që të shprehnin ndonjë emocion përveç dashurisë së tyre për njerëzit.

Presidenti i kunjit u dha pak udhëzime përfundimtare peshkopëve dhe më pas shpalli një kohë për mbledhjen e ardhshme raportuese, herët në mëngjesin pasues.

Të nesërmen në mëngjes udhëheqësi i skuadrës federale mbërriti 20 minuta përpara orarit të fillimit të mbledhjes së raportimit dhe të caktimit të detyrave. Qëndrova pranë. E dëgjova t’i thoshte qetësisht presidentit të kunjit: “President, çfarë do të doje që të bënim unë dhe anëtarët e skuadrës sime?”

Atë që pa ai burrë, unë e kam parë në kohë shqetësimi dhe provimi anembanë botës. Presidenti Paker kishte të drejtë. Zbulesa e vazhdueshme u vjen presidentëve të kunjeve për t’i ngritur ata mbi vetë urtësinë dhe aftësitë e tyre. Dhe, përtej kësaj, Zoti u jep njerëzve që i udhëheq presidenti, një dëshmi pohuese se urdhrat e tij vijnë nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë te një qenie njerëzore, jo e përsosur.

Unë jam bekuar që të thirrem për të ndjekur udhëheqës të frymëzuar shumicën e jetës sime. Kur isha tepër i ri, u thirra që të isha këshilltar i një presidenti të kuorumit të pleqve. Që atëherë, unë kam qenë këshilltar i dy presidentëve të distrikteve dhe i një Peshkopi Kryesues të Kishës, anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe këshilltar i dy Presidentëve të Kishës. E kam parë zbulesën e dhënë atyre dhe më pas të pohuar pasuesve të tyre.

Ajo zbulesë vetjake e pranimit, të cilën ne të gjithë e dëshirojmë, nuk vjen me lehtësi, as nuk vjen thjesht ngaqë e kërkojmë atë. Zoti e dha këtë standard për aftësinë që t’i marrim dëshmime të tilla nga Perëndia. Ai është një udhëzues për këdo që kërkon përvojë vetjake, sikurse duhet ta kërkojmë ne të gjithë.

“Brendësia jote duhet të jetë plot dashuri hyjnore ndaj gjithë njerëzve e ndaj familjes së besimit dhe virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë; dhe doktrina e priftërisë do të pikojë mbi shpirtin tënd sikurse vesat nga qiejt.

Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm.”4

Nga kjo unë nxjerr këshillë për ne të gjithë. Mos e nënvleftësoni ndjenjën e dashurisë për profetin e Perëndisë, që ju e merrni. Kudo ku shkoj në Kishë, kushdo që është profeti në atë kohë, anëtarët do të pyesin: “Kur të ktheheni në zyrat qendrore të Kishës, ju lutemi, a do t’i thoni profetit se sa shumë e duam atë?”

Ajo është shumë më tepër se sa adhurimi i një heroi apo ndjenjat që nganjëherë i kemi lidhur me admirimin e figurave heroike. Është një dhuratë nga Perëndia. Me atë dhuratë, ju do ta merrni më me lehtësi dhuratën e zbulesës pohuese kur ai flet nga pozita e tij si profeti i Zotit. Dashuria që ndieni është dashuria që Zoti ka për këdo që është zëdhënësi i Tij.

Nuk është e lehtë ta ndieni vazhdimisht, sepse Zoti shpesh u kërkon profetëve të Tij të japin këshillë që është e vështirë për t’u pranuar nga njerëzit. Armiku i shpirtrave tanë do të përpiqet të na bëjë që të fyhemi dhe të dyshojmë te thirrja e profetit nga Perëndia.

E kam parë se si Fryma e Shenjtë mund ta prekë një zemër të zbutur për ta mbrojtur një dishepull të përulur të Jezu Krishtit me anë të zbulesës pohuese.

Profeti më dërgoi që t’i jepja fuqinë e shenjtë të vulosjes një burri në një qytet të vogël shumë larg. Vetëm profeti i Perëndisë i ka çelësat për të vendosur se kush do ta marrë fuqinë e shenjtë, e cila iu dha Pjetrit, Apostullit kryesues, nga Zoti. Unë e kisha marrë po atë fuqi vulosëse, por vetëm nën drejtimin e Presidentit të Kishës mund t’ia jepja atë dikujt tjetër.

Pra, në një dhomë në një godinë kishe larg prej Solt-Lejkut, i vura duart e mia mbi kokën e një burri të zgjedhur nga profeti për të marrë fuqinë vulosëse. Duart e tij tregonin shenjat e një jete të tërë të punimit të tokës për një jetesë të varfër. Bashkëshortja e tij e imtë u ul pranë tij. Edhe ajo tregonte shenja të viteve të punës së rëndë përkrah burrit të saj.

Unë thashë fjalët e dhëna nga profeti: “Ngaqë më është dhënë autoriteti dhe përgjegjësia nga” dhe më pas emrin e profetit, “i cili mban të gjithë çelësat e priftërisë në tokë në këtë kohë, unë e jap fuqinë vulosëse mbi” dhe thashë emrin e burrit dhe më pas emrin e tempullit ku ai do të shërbente si një vulosës.

Lot i rrodhën nëpër faqe. Pashë se edhe gruaja e tij po qante. Prita që ata ta mblidhnin veten. Ajo u ngrit në këmbë dhe hodhi hapa drejt meje. Ajo ngriti sytë dhe më pas tha me druajtje se ishte e lumtur, por edhe e trishtuar. Tha se i pëlqente kaq shumë të shkonte në tempull me burrin e saj, por tani ndiente se ajo nuk duhej të shkonte me të ngaqë Perëndia kishte zgjedhur t’i jepte atij një besim kaq të lavdishëm e të shenjtë. Më pas ajo tha që ndjenja e saj se ishte e papërshtatshme për të qenë shoqëruesja e tij në tempull, ishte ngaqë ajo nuk mund të shkruante apo të lexonte.

E sigurova që bashkëshorti i saj do të ishte i nderuar nga shoqërimi i saj në tempull për shkak të fuqisë së saj të madhe shpirtërore. Aq mirë sa mundesha, me të kuptuarin tim të paktë të gjuhës së saj, i thashë se Perëndia i kishte zbuluar asaj gjëra përtej gjithë shkollimit tokësor.

Ajo e dinte nëpërmjet dhuratës së Shpirtit se Perëndia i kishte dhënë, nëpërmjet profetit të Tij, një besim madhështor burrit që ajo e donte. Ajo e dinte vetë se çelësat për ta dhënë atë fuqi vulosëse mbaheshin nga një burrë që ajo s’e kishte parë kurrë dhe prapëseprapë e dinte vetë se ai ishte profeti i gjallë i Perëndisë. Ajo e dinte, pa qenë nevoja t’i thuhej nga ndonjë dëshmitar i gjallë, se profeti ishte lutur rreth emrit të bashkëshortit të saj. Ajo e dinte për veten e saj se Perëndia e kishte bërë thirrjen.

Ajo gjithashtu e dinte se ordinancat që do të kryente bashkëshorti i saj, do t’i lidhnin njerëzit për përjetësinë në mbretërinë çelestiale. Ajo ia kishte pohuar mendjes dhe zemrës së saj që premtimi i Zotit bërë Pjetrit ende vazhdonte në Kishë: “Gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiell”5. Ajo e dinte atë vetë, me anë të zbulesës, nga Perëndia.

Le të kthehemi te pika jonë e fillimit. “Zbulesa vazhdon në Kishë: profeti duke e marrë atë për Kishën; presidenti për kunjin e tij, misionin e tij apo kuorumin e tij; peshkopi për lagjen e tij; babai për familjen e tij; individi për veten e tij”6.

Unë ju jap dëshminë time se është e vërtetë. Ati Qiellor i dëgjon lutjet tuaja. Ai ju do. Ai e di emrin tuaj. Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe Shëlbuesi ynë. Ai ju do përtej aftësisë suaj për ta kuptuar.

Perëndia u jep zbulesë bujarisht, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, fëmijëve të Tij. Ai i flet profetit të Tij në tokë, i cili sot është Tomas S. Monsoni. Unë dëshmoj se ai i mban dhe i ushtron të gjithë çelësat e priftërisë në tokë.

Teksa i dëgjoni në këtë konferencë fjalët e atyre që Perëndia i ka thirrur të flasin për Të, unë lutem që ju do të merrni zbulesën pohuese që ju nevojitet për ta gjetur rrugën tuaj në udhëtimin përsëri drejt shtëpisë, për të banuar me Të në një familje të vulosur përgjithmonë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.