2014
LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM] Siguron Ndihma
Nëntor 2014


LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM] Siguron Ndihma

Që nga ditët e hershme të Rivendosjes, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë njohur për vendosmërinë e tyre që të ndihmojnë e lartësojnë shpirtërisht ata që po vuajnë.

Në vitet e fundit, anëtarë të Kishës dhe njerëz të tjerë, nëpërmjet kontributeve bujare, kanë siguruar mjetet që programet e Shërbimeve Humanitare të Kishës të bekojnë jetët e njerëzve anembanë botës. Vetëm në vitin 2013, programet humanitare shdm ndihmuan më shumë se 10,5 milionë njerëz në 130 vende.

Kjo përpjekje shtrihet nga sigurimi i mallrave lehtësuese dhe mbështetëse për jetën deri te mundësimi i ujit të pastër; trajnimi i mamive dhe mjekëve për të shpëtuar jetën e mijëra foshnjave të sapolindura; sigurimi i karrocave për njerëzit me paaftësi. Përveç këtyre, Kisha ndihmon për kujdes e trajnim për të shikuarin, vaksinime dhe të ndihmuarin e komuniteteve për të rritur ushqime të shëndetshme.

Ndihma për Refugjatët

Kisha ka bërë përpjekje të vazhdueshme dhe të konsiderueshme për të ndihmuar refugjatët, si edhe njerëz të tjerë që po vuajnë nga konfliktet dhe mungesat e ushqimeve. Kohët e fundit:

  • Kisha dhuroi mijëra çadra dhe furnizime bazë ushqimore për familjet në Çad dhe ndërtoi puse me pompa dore, tualete dhe godina dushesh në kampet e refugjatëve në Burkina-Faso.

  • Në Jordani, Siri, Liban, Irak dhe krahinën e Kurdistanit, LDS Charities po shpërndan paketa ushqimore, batanije, pajisje mjekësore, paketa higjienike, shtresa e mbulesa dhe veshmbathje dimërore. Në Irak dhe krahinën e Kurdistanit, karroca për njerëzit me paaftësi dhe pajisje të tjera për lëvizje u janë shpërndarë njerëzve të plagosur në konflikte.

  • Në Gaza, furnizime farmaceutike, mjekësore dhe qumësht pluhur iu dhuruan spitalit qendror.

  • Në Izrael, pajisje me ultratinguj iu dhuruan një godine mjekësore.

  • Në Ukrainë dhe Rusi, Kisha ka bashkëpunuar me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara [PNUD] për të siguruar ushqime, shtresa e mbulesa, veshmbathje dhe artikuj higjienikë vetjakë për 30.000 njerëz të zhvendosur gjatë trazirave civile.

LDS Charities funksionon që të qëndrojë asnjanëse politikisht dhe që të ndihmojë njerëz të çfarëdo besimi.

Përpjekjet e Ndihmës

Kisha gjithashtu përgjigjet kur ndodhin fatkeqësi natyrore.

  • Në Sierra-Leone dhe Liberi, Kisha ka përfshirë 1.600 vullnetarë vendorë që të japin trajnim lidhur me mënyrën se si të shmanget ebola dhe siguroi ushqime dhe furnizime bazë sanitare e mjekësore.

  • Pas përmbytjeve të shkaktuara nga një muson i rëndë në Pakistan dhe Indi, Kisha siguroi ushqime, paketa higjienike dhe furnizime mjekësore.

  • Në Tonga, një ciklon shkatërroi qindra shtëpi, duke përfshirë shtëpitë e 116 familjeve anëtare. Anëtarët do të ndihmojnë për rindërtimin e shtëpive të tyre. Ata marrin trajnim rreth mënyrës se si t’i ndërtojnë strehimet e veta dhe më pas u kërkohet që të ndihmojnë të paktën katër njerëz të tjerë për ndërtimin e shtëpive të tyre. Kisha gjithashtu po i rivendos të korrat dhe po siguron trajnim në ngritjen e kopshteve shtëpiake.

  • Në Meksikë, kur një uragan i la të dëmtuara ose të shkatërruara mijëra shtëpi, udhëheqësit vendorë të Kishës siguruan ushqime dhe ujë për anëtarët e ndikuar dhe Kisha bashkëpunoi me qeverinë shtetërore që të shpërndante paketa ushqimore.

Çfarë Mund të Bëni Ju

Dhurimet për Fondin e Ndihmës Humanitare bëjnë të mundur që Kisha t’u përgjigjet menjëherë krizave. Përveç këtyre, kudo ku jetojnë, anëtarët mund të tregojnë dashuri si e Krishtit, të japin shërbim dhe të ngrenë respekt për të gjithë njerëzit. Të vënit re të refugjatëve dhe emigrantëve në vetë komunitetet tona, apo të atyre që po mundohen nga një fatkeqësi vetjake, dhe të ofruarit atyre të miqësisë, interesimit dhe një mjedisi mikpritës është një veprim si i Krishtit që nuk do të jetë kurrë më kot.

Nëpërmjet degës së saj humanitare, Kisha përpiqet të vërë në jetë këshillën e Presidentit Tomas S. Monson që “ne mund ta forcojmë njëri-tjetrin; ne kemi aftësinë për ta vënë re atë që nuk shihet. Kur kemi sy që shohin, veshë që dëgjojnë dhe zemra që dinë e ndiejnë, ne mund të ndihmojmë dhe të shpëtojmë” (“The Call to Serve”, Liahona, janar 2001, f. 58).

Presidenti i Distriktit të Amanit në Jordani dhe e bija e tij takojnë refugjatë.

SARAH JANE WEAVER, CHURCH NEWS