2014
Ndihmë u Mundësohet Atyre që Ndikohen nga Varësia e një Njeriu të Dashur
Nëntor 2014


Ndihmë u Mundësohet Atyre që Ndikohen nga Varësia e një Njeriu të Dashur

Bashkëshortët/et dhe familjet e ndikuara nga sjelljet varësuese të një njeriu të dashur mund t’i drejtohen një udhëzuesi të ri në internet për të gjetur ndihmë, shpresë e shërim.

Udhëzuesi Mbështetës për Bashkëshortin/en dhe Familjen që gjendet tek AddictionRecovery.lds.org, ka për qëllim t’i ndihmojë bashkëshortët/et dhe anëtarët e familjeve që të shërohen nga sfidat që përjetojnë për shkak të sjelljeve varësuese të njerëzve të tyre të dashur, të përfshirë me drogat, alkoolin, pornografinë apo lëndë ose praktika të tjera të dëmshme. Përveç anglishtes, ai do të jetë i mundësuar së shpejti në gjuhët spanjolle, portugeze, frënge, italiane, gjermane, ruse, kineze, japoneze dhe koreane.

Udhëzuesi ndahet në 12 seksione të përqendruara në shërimin, rritjen e shpresës dhe gjetjen e forcës nëpërmjet Jezu Krishtit.

Shumë sugjerime praktike përfshihen, të tilla si: mënyra se si të vendosen kufij dhe rregulla, se si të diskutohet varësia dhe shërimi me një njeri të dashur dhe se si t’i përgjigjemi siç duhet një kthimi përsëri te varësia.

Udhëzuesi përdoret për diskutim në mbledhjet e grupeve mbështetëse e konfidenciale të bashkëshortëve/eve dhe familjeve, të ofruara nga Shërbimet e Familjes SHDM. Ai mund të përdoret gjithashtu për studim vetjak ose të përdoret nga udhëheqësit e Kishës kur bëjnë intervista dhe japin këshillim.