2014
Mos Luani me Gjëra të Shenjta
Nëntor 2014


Mos Luani me Gjëra të Shenjta

Shqyrtojini zgjedhjet tuaja duke i bërë vetes pyetjen: “A janë vendimet e mia të mbjella në mënyrë të qëndrueshme në tokën e pasur të ungjillit të Jezu Krishtit?”

Vëllezër e motra, vendimet që marrim në këtë jetë, e ndikojnë shumë drejtimin e jetës sonë të përjetshme. Ka forca si të dukshme ashtu edhe të padukshme që ndikojnë në zgjedhjet tona. E mësova domethënien e këtij parimi rreth pesë vjet më parë, në një mënyrë që pothuajse më kushtoi shtrenjtë.

Po udhëtonim me familjen dhe miqtë në jug të Omanit. Vendosëm të çlodheshim në plazhin përgjatë bregdetit të Oqeanit Indian. Shpejt pas mbërritjes, vajza jonë 16-vjeçare, Nelli, pyeti nëse mund të notonte në atë që ajo e mendoi se ishte një breg ranor. Duke e vënë re ujin e trazuar, i thashë se do të hyja unë i pari, duke menduar se mund të kishte rryma të rrezikshme.

Pasi notova për pak kohë, i thirra bashkëshortes sime për ta pyetur nëse isha afër me bregun ranor. Përgjigjja e saj ishte: “E ke kaluar goxha”. Pa e kuptuar isha zënë në kurth në një rrymë bregu1 dhe po tërhiqesha me shpejtësi drejt detit.

Nuk isha i sigurt se çfarë të bëja. E vetmja gjë që mund të mendoja, ishte të kthehesha dhe të notoja sërish drejt bregut. Ajo ishte pikërisht gjëja e gabuar për të bërë. U ndjeva i pashpresë. Forca përtej kontrollit tim po më tërhiqnin më tej drejt detit. Çfarë i përkeqësoi gjërat edhe më shumë ishte se bashkëshortja ime, duke i mirëbesuar vendimit tim, më kishte ndjekur mua.

Vëllezër e motra, mendova se kishte shumë të ngjarë që nuk do të mbijetoja dhe se unë, për shkak të vendimit tim, do të shkaktoja edhe vdekjen e bashkëshortes sime. Pas përpjekjesh të mëdha dhe asaj që besoj se ishte ndërhyrje hyjnore, këmbët tona prekën disi fundin ranor dhe ne ishim në gjendje të ktheheshim të sigurt te miqtë dhe vajza jonë.

Ka shumë rryma në këtë jetë tokësore – disa të sigurta dhe të tjera jo. Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim se ka forca të fuqishme në vetë jetën tonë, shumë të ngjashme me rrymat e padukshme të oqeanit.2 Këto forca janë të vërteta. Nuk duhet t’i shpërfillim kurrë ato.

Më lejoni t’ju tregoj për një rrymë tjetër, një rrymë hyjnore, që është bërë një bekim i madh në jetën time. Unë jam një i kthyer në besim në Kishë. Përpara kthimit tim në besim, ambicia e jetës sime ishte të bëja ski dhe, prandaj, pas shkollës së mesme u vendosa në Europë për ta përmbushur atë dëshirë. Pas disa muajsh të asaj që dukej një jetë ideale, ndjeva se duhej të largohesha. Në atë kohë nuk e kuptova burimin e asaj ndjenje, por zgjodha ta ndiqja atë. Përfundova në Provo të Jutës, me pak miq të mirë që, si edhe unë, ishin anëtarë të një besimi të ndryshëm.

Ndërkohë që isha në Provo, takova njerëz të cilët po jetonin një jetë shumë të ndryshme nga sa po jetoja unë. U ndjeva i tërhequr prej tyre, megjithëse nuk e dija arsyen. Fillimisht, u bëra ballë këtyre ndjenjave, por shpejt gjeta një paqe dhe ngushëllim që nuk i kisha njohur kurrë. Fillova të përqafoja një rrymë të ndryshme – një rrymë që më solli te një kuptim për një Atë të dashur Qiellor dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti.

U pagëzova me miqtë e mi në vitin 1972. Kjo rrymë e re që zgjodha të ndiqja, ungjilli i Jezu Krishtit, i dha drejtim dhe kuptim jetës sime. Megjithatë, nuk ishte pa sfidat e saj. Çdo gjë ishte e re për mua. Me raste, u ndjeva i humbur dhe i pështjelluar. Pyetjet dhe sfidat ngriheshin si nga miqtë ashtu edhe nga familja.

Më duhej të bëja një zgjedhje. Disa nga pyetjet e tyre krijuan dyshim dhe pasiguri. Zgjedhja ishte e rëndësishme. Ku do të drejtohesha për përgjigje? Kishte shumë njerëz që donin të më bindnin për gabimin e udhës sime – “rryma bregu” të vendosura për të më larguar nga rryma e qetë që ishte bërë një burim i mrekullueshëm lumturie. E mësova shumë qartë parimin se ka “kundërshtim në të gjitha gjërat” dhe rëndësinë e të vepruarit për vete dhe për të mos ua dhënë lirinë time të zgjedhjes të tjerëve.3

E pyeta veten: “Përse duhet të largohem nga ajo e cila më ka sjellë ngushëllim kaq të madh?” Ashtu si Zoti ia kujtoi Oliver Kaudrit: “A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen?”4 Përvoja ime kishte qenë e ngjashme. Prandaj, u ktheva, me akoma më tepër zotim, te një Atë i dashur Qiellor, te shkrimet e shenjta dhe te miq të besuar.

Prapëseprapë, kishte shumë pyetje që nuk mund t’u përgjigjesha. Si mund ta trajtoja pasigurinë që më krijonin? Në vend që t’i lejoja të më shkatërronin paqen dhe lumturinë që kishte ardhur në jetën time, zgjodha t’i lija mënjanë për njëfarë kohe, duke mirëbesuar se në kohën e Zotit, Ai do t’i zbulonte të gjitha gjërat. Gjeta lehtësim në deklaratën e Tij drejtuar Profetit Jozef: “Vini re, ju jeni fëmijë të vegjël dhe nuk mund t’i mbani të gjitha gjërat tani; ju duhet të rriteni në hir dhe në diturinë e së vërtetës”5. Zgjodha të mos e braktisja atë që e dija se ishte e vërtetë, duke ndjekur një rrymë të panjohur dhe të pasigurt – një “rrymë bregu” të fuqishme. Nga ç’na mësoi Presidenti N. Eldon Taner, unë mësova “sa shumë më e mençur dhe sa më e mirë është për njeriun t’i pranojë të vërtetat e thjeshta të ungjillit … dhe t’i pranojë me anë të besimit ato gjëra që ai … nuk mund t’i kuptojë”6.

A do të thotë kjo se nuk ka hapësirë për hulumtim të ndershëm? Pyeteni djalin e ri që kërkoi shpëtim në një korije të shenjtë, duke dashur të dinte se me cilën nga të gjitha kishat duhej të bashkohej. Mbajeni Doktrinën e Besëlidhjet në dorën tuaj dhe dijeni se shumë nga ajo që është zbuluar në këtë anal të frymëzuar, ka qenë rrjedhimi i një hulumtimi të përulur për të vërtetën. Ashtu si Jozefi zbuloi: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, [i cili] u jep të gjithëve pa kursim, … dhe atij do t’i jepet”7. Duke bërë pyetje të sinqerta dhe duke kërkuar përgjigje hyjnore, ne mësojmë “rresht pas rreshti, parim pas parimi”8, teksa rritemi në dituri dhe urtësi.

Pyetja nuk është: “A ka vend për hulumtim të ndershëm, të sinqertë?” por përkundrazi, “Ku të drejtohem për të vërtetën kur ngrihen pyetje?” “A do të jem mjaft i mençur për t’u mbajtur fort tek ajo që e di se është e vërtetë, pavarësisht nga disa pyetje që mund të kem?” Unë dëshmoj se ka një burim hyjnor – Një që i di të gjitha gjërat, fundin që nga fillimi. Të gjitha gjërat janë të pranishme përpara Tij.9 Shkrimet e shenjta dëshmojnë se Ai “nuk ecën në shtigje të tërthorta, … as nuk ndryshon nga ajo që ka thënë”10.

Në këtë udhëtim në vdekshmëri ne kurrë nuk duhet të mendojmë se zgjedhjet tona ndikojnë vetëm te ne. Kohët e fundit, një i ri vizitoi shtëpinë time. Kishte një ndjesi të mirë rreth tij, por ndjeva se nuk po merrte pjesë me aktivizim të plotë në Kishë. Më tha se ishte rritur në një shtëpi të përqendruar tek ungjilli, derisa babai i tij nuk i qëndroi besnik nënës së tij, duke përfunduar në divorc dhe duke ndikuar tek të gjithë vëllezërit e motrat e tij që ta vinin në dyshim Kishën dhe të largoheshin. Më theri zemra ndërsa fola me këtë baba të ri i cili tani, i ndikuar nga zgjedhjet e babait të tij, po i rriste këta shpirtra të çmuar jashtë bekimeve të ungjillit të Jezu Krishtit.

Një tjetër burrë që njoh, dikur anëtar besnik i Kishës, kishte pyetje lidhur me një doktrinë të caktuar. Në vend që t’i kërkonte përgjigje Atit Qiellor, ai zgjodhi të mbështetej vetëm te burimet laike për udhërrëfim. Zemra e tij u kthye në drejtimin e gabuar, ndërsa kërkonte ato që dukej se ishin nderet e njerëzve. Krenaria e tij mund të ishte kënaqur, të paktën përkohësisht, por ai u përjashtua nga fuqitë e qiellit.11 Në vend që ta gjente të vërtetën, ai e humbi dëshminë e tij dhe tërhoqi me vete shumë anëtarë të familjes.

Këta dy burra u zunë në kurth në rryma bregu të padukshme dhe morën shumë njerëz me vete.

Nga ana tjetër, mendoj se Lëru dhe Luiz Milleri, prindërit e bashkëshortes sime, të cilët pavarësisht se kurrë nuk kanë pasur shumë nga ana e zotërimeve materiale, zgjodhën t’u mësonin doktrinën e kulluar të ungjillit të rivendosur fëmijëve të tyre dhe ta jetonin atë çdo ditë të jetës së tyre. Duke bërë kështu ata i kanë bekuar pasardhësit e tyre me frytet e ungjillit dhe të shpresës për jetë të përjetshme.

Në shtëpinë e tyre ata vendosën një model ku priftëria respektohej, ku dashuria dhe harmonia ishin me bollëk dhe ku parimet e ungjillit e drejtonin jetën e tyre. Luiza dhe Lëruja, krah për krah, treguan atë që do të thoshte të jetosh jetë të modeluar sipas Jezu Krishtit. Fëmijët e tyre mund të shihnin me qartësi se cila nga rrymat e jetës do të sillte paqe dhe lumturi. Dhe ata zgjodhën në përputhje me të. Siç dha mësim Presidenti Kimball: “Nëse mund të krijojmë … një rrymë të fortë, të qëndrueshme që rrjedh drejt qëllimit tonë për një jetë të drejtë, ne dhe fëmijët tanë mund të çohemi përpara pavarësisht nga erërat e kundërta të vështirësive, zhgënjimit [dhe] tundimeve”12.

A kanë rëndësi zgjedhjet tona? A ndikojnë vetëm te ne? A e kemi vendosur jetën tonë në mënyrë të qëndrueshme në rrymën e përjetshme të ungjillit të rivendosur?

Nga koha në kohë, unë kam një përfytyrim që më përndjek. Po sikur atë ditë shtatori, teksa çlodheshim në plazhin e Oqeanit Indian, unë t’i kisha thënë vajzës sime, Nellit: “Po, vazhdo. Noto drejt bregut ranor.” Apo, nëse edhe ajo do të kishte ndjekur shembullin tim dhe të mos kishte qenë në gjendje të kthehej me not? Po sikur të më duhej të jetoja duke e ditur se shembulli im bëri që ajo të tërhiqej në det nga një rrymë bregu, për të mos u kthyer më kurrë?

A janë të rëndësishme rrymat që zgjedhim t’i ndjekim? A kanë rëndësi shembujt tanë?

Ati Qiellor na ka bekuar me dhuratën qiellore të Frymës së Shenjtë për t’i udhëhequr zgjedhjet tona. Ai na ka premtuar frymëzim dhe zbulesë teksa jetojmë denjësisht për t’i marrë ato. Unë ju ftoj të përfitoni nga kjo dhuratë hyjnore dhe t’i shqyrtoni zgjedhjet tuaja duke i bërë vetes pyetjen: “A janë vendimet e mia të mbjella në mënyrë të qëndrueshme në tokën e pasur të ungjillit të Jezu Krishtit?” Ju ftoj të bëni çfarëdo rregullimesh që nevojiten, qofshin të vogla apo të mëdha, për të siguruar bekimet e përjetshme të planit të Atit Qiellor për ju dhe ata që ju doni.

Dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Dëshmoj se besëlidhjet që ne bëjmë me Të, janë të shenjtëruara dhe të shenjta. Nuk duhet të luajmë kurrë me gjëra të shenjta.13 Mbetshim gjithmonë besnikë, unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.