2014
Ndryshime Fillojnë në Janar për Takimet Shpirtërore të Të Rinjve në Moshë Madhore
Nëntor 2014


Ndryshime Fillojnë në Janar për Takimet Shpirtërore të Të Rinjve në Moshë Madhore

Presidenca e Parë dhe Këshilli i Kishës për Arsimimin kanë shpallur ndryshime në shpeshtësinë, vendndodhjen dhe botimin e takimeve shpirtërore për të rinjtë në moshë madhore, që fillojnë në janar të vitit 2015. Ndryshimet përfshijnë:

Emri: Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore: Një Mbrëmje me (emri i folësit).

Shpeshtësia: Tri herë në vit, në të dielën e dytë të janarit, në të dielën e parë të majit dhe në të dielën e dytë të shtatorit.

Publiku: Ftohen të marrin pjesë të gjithë të rinjtë në moshë madhore, si të martuar ashtu edhe beqarë. Ftohen gjithashtu të marrin pjesë studentë që po e mbarojnë shkollën e mesme ose një shkollë të barasvlershme me të.

Vendndodhja: Takimet shpirtërore të janarit do të mbahen tek Universiteti “Brigam Jang” në Provo të Jutas; tek UBJ–Ajdaho ose tek UBJ–Havai. Takimet shpirtërore të majit do të mbahen te Qendra e Konferencave në Solt-Lejk-Siti ose në vendndodhje të tjera të zyrave drejtuese të Kishës. Takimet shpirtërore të shtatorit do të mbahen në vendndodhje të tjera në Shtetet e Bashkuara.

Botimi: Brenda pak ditësh pas secilit takim shpirtëror, bisedat në formë teksti, zanore dhe pamore do të jenë të gjindshme në anglisht te LDS.org dhe në aplikimin Gospel Library [Biblioteka Ungjillore], në një koleksion të ri për Të Rinjtë në Moshë Madhore. Variante në gjuhë të ndryshme do të pasojnë. Përmbledhjet e bisedave do të përfshihen te Liahona dhe një larmi e citateve në tekst, pjesëve fotografike (memet) dhe pjesëve të spikatura në video gjithashtu do të botohen drejtpërdrejt dhe pas takimit shpirtëror nëpërmjet kanaleve të mediave shoqërore të Kishës, duke përfshirë faqet e veçanta shoqërore të folësit.

Folësit do të vazhdojnë të zgjidhen nga Presidenca e Parë prej Autoriteteve të Përgjithshme dhe drejtuesve të përgjithshëm të Kishës.

Ndryshimet iu shpallën të rinjve në moshë madhore gjatë takimit shpirtëror të SAK-ut më 2 nëntor 2014 dhe udhëheqësve të priftërisë në një letër nga Presidenca e Parë më 28 gusht 2014, e cila përfshinte Programin e Transmetimit për vitin 2015.

Të rinj në moshë madhore duke dëgjuar një bisedë të një takimi shpirtëror në Qendrën “Mariot” tek Universiteti “Brigam Jang” në Provo të Jutas në SHBA.

Fotografi nga Scott G Winterton, Deseret News