2014
Prindërit: Mësuesit Kryesorë të Ungjillit për Fëmijët e Tyre
Nëntor 2014


Prindërit: Mësuesit Kryesorë të Ungjillit për Fëmijët e Tyre

Në fund të fundit, shtëpia është mjedisi i përkryer për mësimdhënien e ungjillit të Jezu Krishtit.

Ben Karsoni tha për veten: “Unë isha nxënësi më i keq në të gjithë klasën e pestë”. Një ditë, Beni bëri një provim matematike me 30 problema. Nxënësi prapa tij e korrigjoi dhe ia ktheu. Mësuesja, znj. Uilliamson, filloi të thërriste emrin e secilit nxënës për rezultatin. Më në fund, ajo arriti te Beni. Prej turpit, ai e tha mbyturazi përgjigjen. Znj. Uilliamson, duke menduar se ai kishte thënë “9”, u përgjigj se ishte një përmirësim i mrekullueshëm për Benin të gjente 9 nga 30 problemat. Atëherë, nxënësi mbrapa Benit bërtiti: “Jo nëntë! … Ai nuk zgjidhi asnjë … saktë.” Beni tha se donte të zhdukej nga faqja e dheut.

Në të njëjtën kohë, nëna e Benit, Sonja, përballej me pengesa të vetat. Ajo vinte nga një familje me 24 fëmijë, kishte vetëm tri klasë shkollë dhe nuk mund të lexonte. Ajo ishte martuar në moshën 13 vjeçe, ishte e ndarë, kishte dy bij dhe po i rriste ata në lagjet e skamura të Detroitit. Megjithatë, ajo mbështetej fort te vetja dhe kishte besim të paepur se Perëndia do ta ndihmonte atë dhe bijtë e saj nëse ata e bënin pjesën e tyre.

Një ditë, një pikë kthese erdhi në jetën e saj dhe atë të bijve të saj. Iu bë e qartë se njerëzit e suksesshëm për të cilët pastronte shtëpitë, kishin biblioteka – ata lexonin. Pas pune, shkoi në shtëpi dhe e fiku televizorin që po shikonin Beni dhe vëllai i tij. Ajo në thelb tha: “Ju, djema, po shihni tepër shumë televizor. Që tani e tutje mund të shihni tri programe në javë. Në kohën tuaj të lirë, do të shkoni në bibliotekë – lexoni dy libra në javë dhe më jepni një përmbledhje.”

Djemtë u tronditën. Beni tha se nuk kishte lexuar kurrë asnjë libër gjatë gjithë jetës së tij përveçse kur i kërkohej në shkollë që ta bënte atë. Ata kundërshtuan, u ankuan, bënë fjalë, por nuk pati asnjë dobi. Më pas, Beni reflektoi: “Ajo diktoi ligjin. Nuk më pëlqeu rregulli, por vendosmëria e saj për të na parë të përmirësoheshim, e ndryshoi drejtimin e jetës sime.”

Dhe çfarë ndryshimi solli! Që në klasën e shtatë ai ishte ndër të parët e klasës së tij. Ai vijoi të ndiqte Universitetin e Jeillit me bursë studimi, pastaj shkollën mjekësore “Xhon Hopkins”, ku në moshën 33 vjeç u bë shefi i neurokirurgjisë pediatrike të saj dhe një kirurg me famë botërore. Si qe e mundur ajo? Kryesisht nga një nënë e cila, pa [pasur] shumë prej epërsive të jetës, e lartësoi thirrjen e saj si prind.1

Shkrimet e shenjta flasin për rolin e prindërve – se është detyra e tyre për t’u mësuar fëmijëve të tyre “doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë” (DeB 68:25).

Si prindër, ne duhet të jemi mësuesit dhe shembujt kryesorë të ungjillit për fëmijët tanë – jo peshkopi, Shkolla e së Dielës, Të Rejat apo Të Rinjtë, por prindërit. Si mësuesit e tyre kryesorë të ungjillit, ne mund t’u mësojmë atyre për fuqinë dhe realitetin e Shlyerjes – për identitetin e tyre dhe fatin e tyre hyjnor – dhe duke vepruar kështu, t’u japim një themel prej shkëmbi mbi të cilin të ndërtojnë. Në fund të fundit, shtëpia është mjedisi i përkryer për mësimdhënien e ungjillit të Jezu Krishtit.

Rreth një vit më parë, isha me detyrë në Bejrut të Libanit. Ndërsa isha atje, mësova për një vajzë 12-vjeçare, Sarën. Prindërit e saj dhe dy fëmijë të tjerë më të mëdhenj ishin kthyer në besim te Kisha në Rumani, por pastaj iu kërkua të ktheheshin në atdheun e tyre kur Sara ishte vetëm 7 vjeçe. Në atdheun e tyre, nuk kishte asnjë prani të Kishës, asnjë njësi të organizuar, asnjë Shkollë të së Dielës apo program të Të Rejave. Pas pesë vitesh, kjo familje mësoi për një degë në Bejrut dhe, pak përpara se të mbërrija unë, e dërguan të bijën e tyre 12-vjeçare, Sarën, të shoqëruar nga vëllezër e motra më të mëdhenj, që të pagëzohej. Ndërsa isha atje, fola në një takim shpirtëror mbi planin e shpëtimit. Me një farë shpeshtësie, Sara e ngriti dorën dhe iu përgjigj pyetjeve.

Pas mbledhjes, dhe duke e ditur se ajo nuk kishte pothuaj asnjë kontakt me Kishën, iu afrova dhe e pyeta: “Sara, nga i dije përgjigjet e atyre pyetjeve?” Ajo menjëherë u përgjigj: “Mami im më mësoi”. Ata nuk e kishin Kishën në komunitetin e tyre, por ata vërtet e kishin ungjillin në shtëpinë e tyre. Nëna e saj ishte mësuesja e saj kryesore e ungjillit.

Ishte Enosi ai që tha: “Fjalët që kisha dëgjuar shpesh atin tim të fliste në lidhje me jetën e përjetshme dhe me gëzimin e shenjtorëve, më hynë thellë në zemrën time” (Enosi 1:3). Nuk ka dyshim se cili ishte mësuesi kryesor i ungjillit për Enosin.

Më kujtohet im atë, i shtrirë pranë vatrës së zjarrit, duke lexuar shkrimet e shenjta dhe libra të tjerë të mirë, dhe unë që do të shtrihesha pranë tij. Më kujtohen kartat, që e kishte zakon t’i mbante në xhepin e këmishës së tij, me citime nga shkrimet e shenjta dhe Shekspiri e fjalë të reja që ai do t’i mësonte përmendsh e studionte. Më kujtohen pyetjet dhe diskutimet për ungjillin gjatë darkës në tavolinë. Më kujtohen herët e shumta që im atë më mori për të vizituar të moshuarit – se si ai do të ndalonte në udhë e sipër për të blerë akullore për njërin ose një darkë me mish pule për një tjetër, apo shtrëngimin e dorës [me dikë], me ca para në të, para largimit. Më kujtohet ndjenja e mirë dhe dëshira për të qenë si ai.

Më kujtohet nëna ime, në moshën pak a shumë 90 vjeçe, duke gatuar në kuzhinën e banesës së saj dhe pastaj duke dalë me një tabaka me ushqime. E pyeta se ku po shkonte. Ajo u përgjigj: “Oh, po çoj ca ushqime tek të moshuarit”. Mendova me vete: “Nënë, ti je [vetë] e moshuar”. Nuk mund të shpreh kurrë mirënjohje të mjaftueshme për prindërit e mi, të cilët ishin mësuesit e mi kryesorë të ungjillit.

Një nga gjërat më kuptimplote që mund të bëjmë si prindër, është t’u mësojmë fëmijëve tanë fuqinë e lutjes, jo thjesht zakonin e lutjes. Kur isha rreth 17 vjeç, isha gjunjëzuar pranë shtratit tim duke bërë lutjet e mia të mbrëmjes. Pa dijeninë time, nëna ime po qëndronte te pragu i derës. Kur mbarova, ajo tha: “Ted, a po i kërkon Zotit të të ndihmojë të gjesh një bashkëshorte të mirë?”

Pyetja e saj më kapi tërësisht në befasi. Ajo ishte gjëja më e largët në mendjen time. Unë po mendoja për basketbollin dhe shkollën. Dhe kështu që u përgjigja: “Jo”, të cilës ajo iu përgjigj: “Epo mirë bir, duhet ta bësh; do të jetë vendimi më i rëndësishëm që do të marrësh ndonjëherë”. Ato fjalë u zhytën thellë në zemrën time dhe kështu, për gjashtë vitet në vijim, u luta që Perëndia të më ndihmonte të gjeja një bashkëshorte të mirë. Dhe, oh, si iu përgjigj Ai asaj lutjeje!

Si prindër, ne mund t’u mësojmë fëmijëve tanë që të luten për gjëra me pasoja të përjetshme – të luten për forcën që të jenë moralisht të pastër në një botë tepër sfiduese, të jenë të bindur dhe të kenë kurajën për të qëndruar për të drejtën.

Nuk kam dyshim që shumica e të rinjve tanë i bëjnë lutjet e tyre të mbrëmjes, por ndoshta shumë prej tyre hasin vështirësi me zakonin e lutjes vetjake të mëngjesit. Si prindër, si mësuesit e tyre kryesorë të ungjillit, ne mund ta ndreqim këtë. Cili prind në kohët e Librit të Mormonit do t’i kishte lënë bijtë e vet të dilnin në ballë të betejës pa një parzmore dhe mburojë e shpatë për t’i mbrojtur nga goditjet potencialisht vdekjeprurëse të armikut? Por sa nga ne i lëmë fëmijët tanë të dalin jashtë pragut të shtëpisë çdo mëngjes drejt fushëbetejave më të rrezikshme nga të gjithat, që të përballen me Satanin dhe morinë e tundimeve të tij, pa parzmoren e mburojën e shpatën e tyre shpirtërore që vijnë nga fuqia mbrojtëse e lutjes? Zoti tha: “Lutu gjithmonë …, që ti të mund të mposhtësh Satanin” (DeB 10:5). Si prindër, ne mund të ndihmojmë për të rrënjosur te fëmijët tanë zakonin dhe fuqinë e lutjes së mëngjesit.

Ne gjithashtu mund t’u mësojmë fëmijëve tanë që ta përdorin kohën e tyre me mençuri. Me raste, ashtu si Sonja Karsoni, ne do të na duhet të këmbëngulim me dashuri, por me vendosmëri për ta kufizuar kohën e fëmijëve tanë me televizorin dhe mjete të tjera elektronike që në shumë raste po e sundojnë jetën e tyre. Në vend të kësaj, ne mund të na duhet ta ridrejtojmë kohën e tyre në përpjekje më frytdhënëse të përqendruara tek ungjilli. Mund të ketë ca kundërshtim fillestar, ca ankesë, por ashtu si Sonja Karsoni, ne duhet të kemi largpamësinë dhe vullnetin për t’iu përmbajtur asaj. Një ditë, fëmijët tanë do ta kuptojnë dhe vlerësojnë atë që kemi bërë. Nëse nuk e bëjmë ne këtë, kush do ta bëjë?

Ne të gjithë mund ta pyesim veten: a marrin fëmijët tanë përpjekjet tona më të mira shpirtërore, intelektuale dhe krijuese apo marrin ata kohën dhe talentet që na ngelen, pasi i kemi dhënë gjithçka mundemi thirrjes sonë në Kishë apo interesave tona profesionale? Në jetën që do të vijë, nuk e di nëse do të mbijetojnë tituj të tillë si peshkop ose presidente e Shoqatës së Ndihmës, por unë vërtet e di se titujt e bashkëshortit dhe bashkëshortes, atit dhe nënës do të vazhdojnë dhe do të nderohen, në botë pa fund. Kjo është një arsye përse është aq e rëndësishme t’i nderojmë përgjegjësitë tona si prindër këtu në tokë, në mënyrë që të mund të përgatitemi për ato përgjegjësi edhe më të mëdha, por të ngjashme, në jetën që do të vijë.

Si prindër, ne mund të ecim përpara me sigurinë se Perëndia nuk do të na lërë kurrë vetëm. Perëndia kurrë nuk na e jep një përgjegjësi pa dhënë ndihmë hyjnore – për këtë unë mund të dëshmoj. U bëfshim ne, në rolin tonë hyjnor si prindër dhe në bashkëpunim me Perëndinë, mësuesit dhe shembujt kryesorë të ungjillit për fëmijët tanë, unë lutem për këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim

  1. Shih Ben Carson, Gifted Hands: The Ben Carson Story (1990).