2014
Jozef Smithi
Nëntor 2014


Jozef Smithi

Jezu Krishti zgjodhi një njeri të shenjtë, një njeri të drejtë që të udhëhiqte Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Tij. Ai zgjodhi Jozef Smithin.

Në vizitën e tij të parë për Profetin Jozef Smith në moshën 17 vjeç, një engjëll e thirri Jozefin në emër dhe i tha se ai, Moroni, ishte një lajmëtar i dërguar nga prania e Perëndisë dhe se Perëndia kishte një punë për të për të bërë. Përfytyroni se çfarë duhet të ketë menduar Jozefi kur engjëlli më pas i tha se emri i tij do të “mbahej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve, fiseve dhe gjuhëve”1. Ndoshta habia në sytë e Jozefit e bëri Moronin që ta përsëriste sërish se për të do të flitej si për mirë edhe për keq mes të gjithë popujve.2

Të mirat që u thanë për Jozef Smithin, erdhën ngadalë; të folurit e ligë filloi menjëherë. Jozefi shkroi: “Sa e çuditshme ishte që një djalë i panjohur … duhej të mendohej … mjaft i rëndësishëm për të tërhequr … përndjekje[n] … më të hidhur”3.

Ndërkohë që dashuria për Jozefin u rrit, po kështu u rrit edhe armiqësia. Në moshën 38 vjeç, ai u vra nga një turmë prej 150 burrash me fytyra të lyera me bojë.4 Ndërsa jeta e Profetit u ndërpre në mënyrë të befasishme, të mirat dhe të ligat e thëna për Jozefin sapo kishin filluar.

A duhet të habitemi me të keqen e thënë kundër tij? Apostulli Pal u quajt i shkalluar dhe i marrë.5 Shpëtimtari ynë i Dashur, Biri i Perëndisë, u quajt grykës, pijanec dhe i pushtuar nga një djall.6

Zoti i tregoi Jozefit për fatin e tij:

“Skajet e tokës do të pyesin për emrin tënd dhe të marrët do të të përqeshin e ferri do të tërbohet kundër teje;

Ndërsa të pastrit në zemër … të urtët … dhe të virtytshmit do të kërkojnë … bekime vazhdimisht prej dorës tënde”7.

Përse e lejon Zoti që të folurit e ligë të ndodhë bashkë me të folurin për mirë? Një arsye është që kundërshtimi ndaj gjërave të Perëndisë i bën kërkuesit e së vërtetës të gjunjëzohen në lutje për përgjigje.8

Jozef Smithi është Profeti i Rivendosjes. Puna e tij shpirtërore filloi me shfaqjen e Atit dhe Birit, pasuar nga vizita të shumta qiellore. Ai ishte mjeti në duart e Perëndisë për nxjerrjen në dritë të shkrimeve të shenjta të shenjtëruara, të doktrinës së humbur dhe për rivendosjen e priftërisë. Rëndësia e punës së Jozefit kërkon më shumë sesa shqyrtim intelektual; ajo kërkon që ne, ashtu si Jozefi, të “kërkoj[më] nga Perëndia”9. Pyetjet shpirtërore meritojnë përgjigje shpirtërore nga Perëndia.

Shumë nga ata që nuk e pranojnë punën e Rivendosjes, thjesht nuk besojnë se qenie qiellore u flasin njerëzve në tokë. E pamundur, thonë ata, që fletët e arta të jenë dorëzuar nga një engjëll dhe të jenë përkthyer nga fuqia e Perëndisë. Prej atij mosbesimi, ata e hedhin poshtë me ngut dëshminë e Jozefit dhe disa fatkeqësisht zhyten më tej deri në zhvlerësim të jetës së Profetit dhe përgojim të karakterit të tij.

Ne jemi veçanërisht të trishtuar kur dikush që dikur e nderonte Jozefin, tërhiqet nga bindja e tij apo e saj dhe më pas e merr nëpër gojë Profetin.10

“Ta studiosh Kishën …përmes syve të braktisësve të saj”, tha një herë Plaku Nil A. Maksuell, është “njësoj si të intervistosh Judën për të kuptuar Jezusin. Braktisësit përherë na tregojnë më shumë për veten sesa për atë nga e cila janë larguar.”11

Jezusi tha: “Bekoni ata që ju mallkojnë, … dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”12. Le t’u falim mirësi atyre që e kritikojnë Jozef Smithin, duke e ditur në vetë zemrat tona se ai ishte një profet i Perëndisë dhe duke u ngushëlluar nga fakti se e gjitha kjo u paratha shumë kohë më parë nga Moroni.

Si duhet t’i përgjigjemi një kërkuesi të sinqertë, që është i shqetësuar rreth komenteve negative që ai apo ajo ka dëgjuar ose lexuar për Profetin Jozef Smith? Sigurisht, ne përherë i mirëpresim pyetjet e ndershme dhe të sinqerta.

Pyetjeve rreth karakterit të Jozefit, ne mund t’u tregojmë fjalët e mijëra vetave të cilët e njihnin atë personalisht dhe të cilët dhanë jetën e tyre për punën që ai ndihmoi të ngrihej. Xhon Tejlori, i cili u qëllua katër herë nga turma që vrau Jozefin, më vonë, do të shpallte: “Unë dëshmoj para Perëndisë, engjëjve dhe njerëzve se [Jozefi] ishte një burrë i mirë, i nderuar, [dhe] i virtytshëm – … [dhe] se karakteri i tij privat dhe publik ishte shembullor – dhe ai jetoi dhe vdiq si një njeri i Perëndisë”13.

Ne mund t’i kujtojmë kërkuesit të sinqertë se informacioni në internet nuk ka një filtër të së “vërtetës”. Disa informacione, pavarësisht se sa bindëse duken, thjesht nuk janë të vërteta.

Vite më parë, lexova një artikull në revistën Time [Koha] që njoftonte zbulimin e një letre, gjoja të shkruar nga Martin Herrisi, që binte ndesh me rrëfimin e Jozef Smithit për gjetjen e fletëve të Librit të Mormonit.14

Disa anëtarë u larguan nga Kisha për shkak të dokumentit.15

Mjerisht, ata u larguan shumë shpejt. Muaj më vonë, ekspertët zbuluan (dhe falsifikuesi u rrëfye) se letra ishte një mashtrim absolut.16 Ju, në mënyrë të kuptueshme, mund ta vini në dyshim atë që dëgjoni në lajme, por ju kurrë nuk duhet të dyshoni te dëshmia e profetëve të Perëndisë.

Ne mund t’i kujtojmë kërkuesit se disa informacione rreth Jozefit, ndonëse të vërteta, mund të paraqiten tërësisht jashtë kontekstit të kohës dhe rrethanave të tij.

Plaku Rasëll M. Nelson e ilustroi këtë pikë. Ai tha: “Po shërbeja si këshilltar për qeverinë e Shteteve të Bashkuara në Qendrën e saj Kombëtare të Kontrollit të Sëmundjeve në Atlanta të Xhorxhës. Një herë, ndërsa po prisja një taksi për të më çuar në aeroport, pasi mbledhjet tona kishin mbaruar, u shtriva jashtë në lëndinë për të marrë ca rreze të ngrohta dielli përpara se të kthehesha në motin dimëror të Jutës. … Më vonë, mora me postë një fotografi të bërë nga një fotograf me aparat fotografik me lente për larg, që kishte kapur çastin tim të çlodhjes në lëndinë. Nën të ishte një titull: ‘Këshilltari Qeveritar në Qendrën Kombëtare’. Fotografia ishte e vërtetë, titulli ishte i vërtetë, por e vërteta u përdor për të dhënë një përshtypje të pavërtetë.”17 Ne nuk e flakim diçka që e dimë se është e vërtetë, për shkak të diçkaje që nuk e kuptojmë ende.

Ne mund t’ia kujtojmë kërkuesit se Jozefi nuk ishte i vetëm në vizitat e engjëjve.

Dëshmitarët e Librit të Mormonit shkruan: “Ne deklarojmë me fjalë solemne, se një engjëll i Perëndisë zbriti nga qielli dhe … ne vështruam dhe pamë fletët”18. Ne mund të citojmë edhe shumë të tjerë.19

Një kërkues i sinqertë duhet ta shikojë përhapjen e ungjillit të rivendosur si frytin e punës së Zotit nëpërmjet Profetit.

Tanimë ka mbi 29.000 bashkësi dhe 88.000 misionarë që e japin mësim ungjillin në mbarë botën. Miliona shenjtorë të ditëve të mëvonshme po përpiqen të ndjekin Jezu Krishtin, të bëjnë jetë të respektueshme, të kujdesen për të varfrit dhe t’ia kushtojnë kohën dhe talentet e tyre të ndihmuarit të të tjerëve.

Jezusi tha:

“Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira. …

Ju, pra, do t’i njihni … nga frytet e tyre.”20

Këto shpjegime janë bindëse, por kërkuesi i sinqertë nuk duhet të mbështetet vetëm tek ato për të vendosur lidhur me kërkimin e tij apo të saj për të vërtetën.

Çdo besimtar ka nevojë për një pohim shpirtëror për misionin dhe karakterin hyjnor të Profetit Jozef Smith. Kjo është e vërtetë për çdo brez. Pyetjet shpirtërore meritojnë përgjigje shpirtërore nga Perëndia.

Kohët e fundit, ndërsa isha në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara, një misionar i kthyer më foli për një shok që ishte zhgënjyer nga informacioni që kishte marrë për Profetin Jozef Smith. Ata kishin biseduar disa herë dhe misionari i kthyer dukej se kishte vetë disa dyshime për shkak të [atyre] bisedave.

Ndonëse shpresoja se ai do ta forconte shokun e tij, u ndjeva i shqetësuar për vetë dëshminë e tij. Vëllezër dhe motra, më lini t’ju jap një paralajmërim: ju nuk do të jeni aq të dobishëm për të tjerët nëse vetë besimi juaj nuk është i vendosur në mënyrë të qëndrueshme.

Disa javë më parë hipa në një avion për në Amerikën e Jugut. Shoqëruesi i fluturimit e drejtoi vëmendjen tonë te një video sigurie. “Nuk ka të ngjarë”, u paralajmëruam ne, “por nëse presioni në kabinë ndryshon, pllakëzat mbi ndenjësen tuaj do të hapen, duke nxjerrë maska oksigjeni. Në qoftë se kjo ndodh, zgjatuni dhe tërhiqeni një maskë drejt vetes. Vendoseni maskën në hundën dhe gojën tuaj. Kalojeni rripin elastik mbi kokë dhe rregullojeni maskën nëse është e nevojshme.” Më pas, [vijoi] ky paralajmërim: “Sigurohuni që të rregulloni vetë maskën tuaj përpara se të ndihmoni të tjerët”.

Komentet negative rreth Profetit Jozef Smith do të shtohen teksa lëvizim drejt Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Gjysmë-të-vërtetat dhe mashtrimet e holla nuk do të pakësohen. Do të ketë anëtarë të familjes dhe miq të cilët do të kenë nevojë për ndihmën tuaj. Tani është koha që ta rregulloni vetë maskën tuaj shpirtërore të oksigjenit që të jeni të përgatitur për t’i ndihmuar të tjerët që po e kërkojnë të vërtetën.21

Një dëshmi për Profetin Jozef Smith mund t’i vijë në mënyrë të ndryshme secilit prej nesh. Ajo mund të vijë kur gjunjëzoheni në lutje, duke i kërkuar Perëndisë t’ju konfirmojë që ai ishte një profet i vërtetë. Mund të vijë kur lexoni rrëfimin e Profetit për Vegimin e Parë. Një dëshmi mund të pikojë në shpirtin tuaj kur e lexoni Librin e Mormonit në mënyrë të vazhdueshme. Ajo mund të vijë kur jepni dëshminë tuaj për Profetin ose kur qëndroni në tempull dhe e kuptoni se fuqia e shenjtë e vulosjes u rivendos në tokë nëpërmjet Jozef Smithit.22 Me besim dhe qëllim të vërtetë, dëshmia juaj për Profetin Jozef Smith do të forcohet. Me raste, goditjet e vazhdueshme me tullumbace të mbushura me ujë nga vijat anësore mund t’ju lagin, por ato kurrën e kurrës nuk duhet ta shuajnë zjarrin flakërues të besimit tuaj.

Të rinjve që po dëgjojnë sot ose që i lexojnë këto fjalë në ditët në të ardhmen, unë u jap një sfidë të veçantë: Fitoni një dëshmi vetjake për Profetin Jozef Smith. Lëreni zërin tuaj të ndihmojë për përmbushjen e fjalëve profetike të Moronit duke folur mirë për Profetin. Ja ku janë dy ide: Së pari, gjeni shkrime të shenjta në Librin e Mormonit që ju e ndieni dhe e dini se janë absolutisht të vërteta. Pastaj, tregojuani ato familjes dhe miqve tuaj në mbrëmjen familjare, në seminar dhe në klasat tuaja të Të Rinjve dhe të Të Rejave, duke e pranuar se Jozefi ishte një mjet në duart e Perëndisë. Pastaj, lexoni dëshminë e Profetit Jozef Smith te Perla me Vlerë të Madhe ose në këtë broshurë, tanimë në 158 gjuhë. Ju mund ta gjeni atë në internet te LDS.org ose nga misionarët. Kjo është dëshmia vetjake e Jozefit lidhur me atë që ndodhi në të vërtetë. Lexojeni shpesh. Merrni parasysh ta incizoni dëshminë e Jozef Smithit me zërin tuaj, duke e dëgjuar rregullisht atë dhe duke ua treguar miqve. Të dëgjuarit e dëshmisë së Profetit në vetë zërin tuaj do t’ju ndihmojë të merrni dëshminë që kërkoni.

Pamja
Photos of Joseph Smith pamphlet for Elder Andersen's talk in Nov. 2014

Dëshmia e Profetit Jozef Smith gjendet tani në 158 gjuhë.

Ditë të mrekullueshme dhe të jashtëzakonshme na presin. Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “Kjo kauzë e madhe … do të vazhdojë të shkojë përpara, duke ndryshuar dhe bekuar jetë. … Asnjë forcë në të gjithë botën nuk mund ta ndalojë punën e Perëndisë. Pavarësisht se çfarë ndodh, kjo kauzë e madhe do të shkojë përpara.”23

Ju jap dëshminë time që Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai zgjodhi një njeri të shenjtë, një njeri të drejtë që të udhëhiqte Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Tij. Ai zgjodhi Jozef Smithin.

Dëshmoj se Jozef Smithi ishte një burrë i ndershëm dhe i virtytshëm, një dishepull i Zotit Jezu Krisht. Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën atij. Ai vërtet e përktheu Librin e Mormonit nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.

Në shoqërimin tonë përtej velit të vdekjes, ne do ta kuptojmë qartazi thirrjen e shenjtë dhe misionin hyjnor të Profetit Jozef Smith. Në atë ditë jo shumë të largët, unë dhe ju dhe miliona njerëz më shumë “‘Vëlla’n Jozef’ [do] ta njohin anemban’”24. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Joseph Smith – Historia 1:33.

  2. Shih Joseph Smith – Historia 1:29–46.

  3. Joseph Smith – Historia 1:23.

  4. Shih Doktrina e Besëlidhje 135:1.

  5. Shih Veprat e Apostujve 26:24.

  6. Shih Mateu 11:19; Gjoni 10:20.

  7. Doktrina e Besëlidhje 122:1–2.

  8. Presidenti Diter F. Uhtdorf tha: “Së pari kini dyshim te dyshimet tuaja përpara se të keni dyshim te besimi juaj. Ne kurrë nuk duhet ta lejojmë dyshimin që të na mbajë të burgosur dhe të na largojë nga dashuria hyjnore, paqja dhe dhuratat që vijnë nëpërmjet besimit te Zoti Jezu Krisht” (“Ejani, Bashkohuni me Ne”, Liahona, nëntor 2013, f. 23). Plaku Xhefri R. Holland tha: “Kjo është një punë hyjnore në vazhdim, me shfaqjet dhe bekimet e shumta të saj duke u shtuar në çdo drejtim, prandaj mos u merakosni nëse, herë pas here, dalin shqetësime të cilat kanë nevojë të shqyrtohen, kuptohen dhe zgjidhen. Ato dalin dhe do të dalin. Në këtë Kishë, ajo që dimë gjithmonë do ta kapërcejë atë që nuk e dimë” (“Unë Besoj, o Zot”, Liahona, maj 2013, f. 94).

  9. Jakobit [Bibël] 1:5; shih edhe Joseph Smith – Historia 1:11–13.

  10. Daniel Tajlëri kujtoi: “Vëllai Isak Behunin dhe unë [e vizituam Profetin] në banesën e tij. Përndjekjet ndaj tij qenë tema e bisedimit. Ai përsëriti shumë pohime të rreme, të papajtueshme dhe kontradiktore të bëra prej braktisësve. … Ai tregoi gjithashtu se si shumë prej oficerëve që … do t’i kishin marrë jetën [me gatishmëri] kur u arrestua, u kthyen në favor të tij [kur e njohën më mirë atë]. …

    … Vëllai Behunin vërejti: ‘Nëse do të më duhet ta lë këtë Kishë unë nuk do të veproj si vepruan këta burra: Unë do të shkoja në ndonjë vend të largët ku nuk është dëgjuar ndonjëherë për Mormonizmin, do të zija vend dhe askush nuk do ta merrte vesh ndonjëherë që unë dija diçka për të.’

    [Jozefi] u përgjigj menjëherë: ‘Vëllai Behunin, ti nuk e di se çfarë do të bëje. Pa dyshim që këta burra dikur menduan ashtu si ti. Përpara se të bashkoheshe me këtë Kishë ti qëndroje në tokë asnjanëse. … Kur u bashkove me këtë Kishë, ti zgjodhe t’i shërbeje Perëndisë. Kur e bëre atë, ti le tokën asnjanëse dhe nuk mund të kthehesh më kurrë në të. Nëse do ta braktisësh Mësuesin të cilit zgjodhe t’i shërbeje, kjo do të bëhet nëpërmjet nxitjes së të ligut dhe ti do të ndjekësh urdhrin e tij dhe do të jesh shërbëtori i tij’” (te Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 345–346).

  11. Neal A. Maxwell, “All Hell Is Moved” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 8 nëntor 1977), f. 3; speeches.byu.edu.

  12. Mateu 5:44.

  13. Teachings of Presidents of the Church: John Taylor (2001), f. 83; shih edhe Doktrina e Besëlidhje135:3.

  14. Shih Richard N. Ostling, “Challenging Mormonism’s Roots”, Time, 20 maj 1985, f. 44.

  15. Shih Ostling, “Challenging Mormonism’s Roots”, f. 44; shih edhe Gordon B. Hinckley, “Lord, Increase Our Faith”, Ensign, nëntor 1987, f. 52; Nil L. Andersen, “Prova e Besimit Tuaj”, Liahona, nëntor 2012, f. 41.

  16. Shih Richard E. Turley Jr., Victims: The LDS Church and the Mark Hofmann Case (1992).

  17. Russell M. Nelson, “Truth—and More”, Ensign, janar 1986, f. 71.

  18. “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve”, [f. vii,] Libri i Mormonit.

  19. Shih Joseph Smith – Historia 1:71, shënim; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 76:23.

  20. Mateu 7:18, 20.

  21. Presidenti Henri B. Ajring, duke folur për njerëzit me dyshime, tha: “Për shkak të dashurisë tuaj për ta, ju mund të vendosni t’u jepni atyre atë që kërkojnë. Ju mund të tundoheni t’i shqyrtoni me ta dyshimet e tyre, me shpresën se mund të gjeni një fakt ose shpjegime për të davaritur dyshimet e tyre. Njerëzit me dyshime shpesh dëshirojnë të flasin rreth asaj që ata mendojnë se janë faktet apo argumentet që kanë shkaktuar dyshimet e tyre dhe rreth asaj se sa shumë i trondit. …

    Unë dhe ju bëjmë më mirë nëse nuk qëndrojmë gjatë në atë që studentët tanë e shohin si burimin e dyshimeve të tyre. … Problemi i tyre nuk qëndron tek ajo që ata mendojnë se shohin; ai qëndron tek ajo që ata ende nuk mund ta shohin. … Do të bëjmë më mirë nëse shpejt e kthejmë bisedën te gjërat e zemrës, ato ndryshime të zemrës që i hapin sytë shpirtërorë” (“‘And Thus We See’: Helping a Student in a Moment of Doubt” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë të Sistemit Arsimor të Kishës, 5 shkurt 1993], f. 3, 4; si.lds.org).

  22. Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Shumë vite më parë, kur në moshën dymbëdhjetë vjeçare u shugurova dhjak, babai im, i cili ishte president i kunjit tonë, më mori në mbledhjen time të parë të priftërisë të kunjit. … [Himni i hapjes qe ‘Lavdi Njeriut’.] Ata po këndonin për Profetin Jozef Smith dhe, ndërsa po e bënin atë, në zemër më erdhi një valë e madhe dashurie dhe besimi për Profetin e fuqishëm të kësaj periudhe ungjillore. … E dija atëherë, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, se Jozef Smithi ishte vërtet një profet i Perëndisë” (“Praise to the Man”, Tambuli, janar 1984, f. 1, 2).

  23. Tomas S. Monson, “Ndërsa Mblidhemi Përsëri”, Liahona, maj 2012, f. 4.

  24. “Lavdi Njeriut”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 50.