2014
Zoti Ka një Plan për Ne!
Nëntor 2014


Zoti Ka një Plan për Ne!

Nëse ne vazhdojmë të jetojmë në mënyrën si po jetojmë, a do të përmbushen bekimet e premtuara?

Ç’privilegj të jesh pjesë e këtij çasti historik kur folës në konferencën e përgjithshme kanë mundësinë të flasin në gjuhën e tyre amtare. Herën e fundit që fola në këtë podium, isha i shqetësuar për theksin tim në gjuhën angleze. Tani jam i shqetësuar për shpejtësinë e portugalishtes sime. Nuk dua të flas më shpejt sesa titrat.

Të gjithë ne kemi përjetuar ose ende do të përjetojmë çaste vendimi madhor në jetën tonë. A duhet të vazhdoj me këtë karrierë apo me atë tjetrën? A duhet të shërbej në një mision? A është ky/kjo personi i duhur për mua me të cilin/të cilën të martohem?

Ka situata në fusha të ndryshme të jetës sonë në të cilat një ndryshim i vogël në drejtim mund të ketë pasoja të ardhshme domethënëse. Në fjalët e Presidentit Diter F. Uhtdorf: “Ndër vite në shërbim të Zotit … , unë kam mësuar se diferenca midis lumturisë dhe mjerimit tek individët, te martesat dhe familjet shpesh vjen nga një gabim prej vetëm pak gradësh” (“Një Çështje Pak Gradësh”, Liahona, maj 2008, f. 58).

Si mund t’i shmangim këto gabime të vogla në llogaritje?

Do të përdor një përvojë vetjake për ta ilustruar mesazhin tim.

Në fund të viteve 1980-të, familja jonë e re përbëhej nga unë, gruaja ime, Monika, dhe dy prej katër fëmijëve tanë. Ne jetonim në San-Paolo të Brazilit, unë punoja për një firmë të mirë, kisha mbaruar studimet e mia universitare dhe isha liruar së fundmi nga thirrja si peshkop i lagjes ku kishim jetuar. Jeta ishte mirë dhe çdo gjë dukej ashtu siç duhej të ishte – derisa një ditë, një mik i vjetër erdhi për të na vizituar.

Në përfundim të vizitës së tij, ai bëri një vërejtje dhe bëri një pyetje, e cila i trazoi bindjet e mia. Ai tha: “Karlos, çdo gjë duket se po shkon mirë për ty, familjen tënde, karrierën tënde dhe shërbimin tënd në Kishë, por – ” dhe atëherë erdhi pyetja, “nëse vazhdoni të jetoni në mënyrën si po jetoni, a do të përmbushen bekimet e premtuara në bekimin tënd patriarkal?”

Nuk kisha menduar kurrë në këtë mënyrë për bekimin tim patriarkal. E lexoja atë herë pas here, por kurrë me qëllimin për të parë bekimet e premtuara në të ardhmen dhe për të vlerësuar mënyrën se si po jetoja në të tashmen.

Pas vizitës së tij, e drejtova vëmendjen time nga bekimi im patriarkal, duke pyetur veten: “Nëse ne vazhdojmë të jetojmë në mënyrën si po jetojmë, a do të përmbushen bekimet e premtuara?” Pas një farë përsiatjeje, pata ndjenjën që disa ndryshime ishin të nevojshme, veçanërisht në lidhje me arsimimin dhe profesionin tim.

Nuk ishte një vendim ndërmjet asaj që ishte e drejtë dhe e gabuar, por midis asaj që ishte e mirë dhe asaj që ishte më e mirë, siç na mësoi Plaku Dallin H. Ouks kur tha: “Ndërsa marrim parasysh zgjedhje të ndryshme, duhet të kujtohemi se nuk mjafton që diçka të jetë e mirë. Zgjedhje të tjera janë më të mira dhe ende disa të tjera janë më të mirat” (“Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Liahona, nëntor 2007, f. 105).

Atëherë si mund të sigurohemi që po marrim vendimin më të mirë?

Këtu janë disa parime që kam mësuar.

Parimi Numër Një: Ne Duhet t’i Marrim Parasysh Alternativat Tona Duke Pasur në Mendje Qëllimin Përfundimtar

Marrja e vendimeve, që mund të ndikojnë në jetën tonë dhe tek ata që duam, pa pasur largpamësi më të madhe të pasojave të tyre, mund të sjellë disa rreziqe. Sidoqoftë, nëse marrim parasysh pasojat e mundshme të këtyre vendimeve në të ardhmen, ne mund ta shohim me qartësi më të madhe shtegun më të mirë për ta ndjekur në të sotmen.

Të kuptuarit e asaj se cilët jemi, se përse jemi këtu dhe të asaj që Zoti pret nga ne në këtë jetë, do të ndihmojë që të na japë largpamësinë më të madhe që na nevojitet.

Ne mund të gjejmë në shkrimet e shenjta shembuj në të cilët të pasurit e një largpamësie më të madhe, siguroi qartësi lidhur me shtegun që duhej marrë.

Moisiu foli me Zotin ballë për ballë, mësoi për planin e shpëtimit dhe si rrjedhim e kuptoi më mirë rolin e tij si profeti i mbledhjes së Izraelit.

“Dhe Perëndia i foli Moisiut, duke thënë: Vër re, unë jam Zoti, Perëndia i Plotfuqishëm. …

… Dhe unë do të të tregoj punën e duarve të mia. …

Dhe unë kam një punë për ty, Moisi, biri im” (Moisiu 1:3–4, 6).

Me këtë kuptueshmëri, Moisiu ishte në gjendje që të duronte shumë vite vuajtjeje në shkretëtirë dhe që ta udhëhiqte Izraelin sërish në shtëpinë e vet.

Lehi, profeti i madh i Librit të Mormonit, pa një ëndërr dhe në vegimet e tij ai mësoi për misionin e tij për ta udhëhequr familjen e tij për në një tokë të premtuar.

“Dhe ndodhi që Zoti urdhëroi atin tim, madje në një ëndërr, që ai duhej të merrte familjen e tij dhe të nisej për në vendin e shkretë.

… Dhe ai la shtëpinë e tij dhe tokën e trashëgimit dhe arin e tij, dhe argjendin e tij, dhe gjërat e tij të çmueshme” (1 Nefi 2:2, 4).

Lehi i qëndroi besnik vegimit të tij pavarësisht nga vështirësitë e udhëtimit dhe të qenit i detyruar për të lënë pas një jetë të rehatshme në Jerusalem.

Profeti Jozef Smith është një shembull tjetër i madh. Nëpërmjet shumë zbulesave, duke filluar me Vegimin e Parë, ai qe në gjendje ta përmbushte misionin e tij të rivendosjes së të gjitha gjërave (shih Joseph Smith – Historia 1:1–26).

Dhe, po ne? Çfarë pret Zoti nga secili prej nesh?

Ne nuk kemi nevojë të shohim një engjëll për të marrë kuptueshmëri. Ne kemi shkrimet e shenjta, tempullin, profetë të gjallë, bekimet tona patriarkale, udhëheqës të frymëzuar dhe, mbi të gjitha, të drejtën për të marrë zbulesë vetjake për të udhërrëfyer vendimet tona.

Parimi Numër Dy: Ne Duhet të Jemi të Përgatitur për Sfidat që do të Vijnë

Shtigjet më të mira në jetë rrallë janë më të lehtat. Shpesh, është pikërisht e kundërta. Ne mund të shohim shembujt e profetëve që sapo kam përmendur.

Moisiu, Lehi dhe Jozef Smithi nuk patën udhëtime të lehta pavarësisht nga fakti që vendimet e tyre ishin të sakta.

A jemi të gatshëm ta paguajmë çmimin e vendimeve tona? A jemi të përgatitur ta lëmë rehatinë tonë për të arritur te një vend më i mirë?

Për t’iu kthyer përvojës me bekimin tim patriarkal, unë arrita në përfundimin se në atë kohë duhej të kërkoja arsimim shtesë dhe të bëja kërkesë për një bursë studimi nga një universitet amerikan. Nëse do të përzgjidhesha, do të më duhej ta lija punën time, të shitnim gjithçka kishim dhe të vija për të jetuar në Shtetet e Bashkuara si student me bursë për dy vite.

Provime të tilla si TOEFL-i [Testi i Anglishtes si Gjuhë e Huaj] dhe GMAT-i [Testi për Pranim në Programin e Masterit] u bënë sfidat e para për t’u kapërcyer. U deshën tri vite të gjata përgatitjeje, shumë përgjigje negative dhe disa përgjigje të tipit “mbase”, përpara se të pranohesha në universitet. Ende më kujtohet telefonata që mora në fund të vitit të tretë nga personi përgjegjës për bursat.

Ai tha: “Karlos, kam disa lajme të mira dhe disa lajme të këqija për ty. Lajmi i mirë është se ti je mes tre finalistëve këtë vit.” Në atë kohë kishte vetëm një vend të lirë. “Lajmet e këqija janë që një prej kandidatëve të tjerë është i biri i një personi të rëndësishëm, tjetri është i biri i një personi tjetër të rëndësishëm dhe pastaj vjen ti.”

Unë u përgjigja me shpejtësi: “Edhe unë … unë jam një bir i Perëndisë”.

Fatmirësisht, prindërit tokësorë nuk qenë faktor vendimtar dhe, atë vit, në vitin 1992, unë u pranova.

Ne jemi fëmijë të Perëndisë së Plotfuqishëm. Ai është Ati ynë, Ai na do dhe ka një plan për ne. Ne nuk jemi këtu në këtë jetë vetëm që të harxhojmë kohën tonë, të plakemi dhe të vdesim. Perëndia dëshiron që ne të rritemi dhe të arrijmë potencialin tonë.

Në fjalët e Presidentit Tomas S. Monson: “Secili prej jush, beqar apo i martuar, pavarësisht nga mosha, ka mundësinë të mësojë dhe të rritet. Rriteni njohurinë tuaj, si intelektuale ashtu edhe shpirtërore, në shtatin e plotë të potencialit tuaj hyjnor” (“The Mighty Strength of the Relief Society”, Ensign, nëntor 1997, f. 95).

Parimi Numër Tre: Ne Duhet t’ua Tregojmë Këtë Largpamësi Njerëzve që Duam

Lehi bëri më shumë se disa përpjekje për ta ndihmuar Lamanin dhe Lemuelin të kuptonin rëndësinë e ndryshimit që po bënin. Fakti që nuk gëzonin largpamësinë e të atit, bëri që ata të mërmëritnin gjatë udhëtimit të tyre. Nefi, nga ana tjetër, i kërkoi Zotit që të shihte atë që i ati i tij kishte parë.

“Dhe ndodhi që pasi unë, Nefi, i kisha dëgjuar të gjitha fjalët e atit tim në lidhje me gjërat që ai pa në një vegim … unë … gjithashtu kisha dëshirë që të mund të shihja dhe të dëgjoja dhe të dija për këto gjëra, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (1 Nefi 10:17).

Me këtë vegim, Nefi qe në gjendje jo vetëm të kapërcente sfidat e udhëtimit, por edhe ta udhëhiqte familjen e tij kur u bë e nevojshme.

Ka shumë të ngjarë që, kur vendosim të ndërmarrim një shteg të caktuar, njerëzit që duam do të preken dhe disa madje do të marrin pjesë me ne në pasojat e kësaj zgjedhjeje. Në mënyrë ideale, ata duhet të jenë në gjendje që të shohin atë që ne shohim dhe do të gëzojnë të njëjtat bindje si tonat. Kjo nuk është përherë e mundur por, kur ndodh, udhëtimi është mjaft më i lehtë.

Në përvojën vetjake që e kam përdorur si ilustrim, unë pa dyshim kisha nevojë për përkrahjen e gruas sime. Fëmijët ishin ende të vegjël dhe nuk kishin shumë për të thënë, por përkrahja e gruas sime ishte thelbësore. Më kujtohet që, në fillim, mua dhe Monikës na u desh të diskutonim me kujdes mbi ndryshimin e planeve derisa ajo u ndje rehat dhe madje u bë e vendosur. Kjo largpamësi e përbashkët e bëri atë që jo vetëm ta përkrahte ndryshimin, por edhe të bëhej një pjesë thelbësore në suksesin e tij.

Unë e di se Zoti ka një plan për ne në këtë jetë. Ai na njeh. Ai e di se ç’është më e mira për ne. Vetëm ngaqë gjërat po shkojnë mirë nuk do të thotë se nuk duhet që herë pas here të marrim parasysh nëse mund të ketë diçka më të mirë. Nëse ne vazhdojmë të jetojmë në mënyrën si po jetojmë, a do të përmbushen bekimet e premtuara?

Perëndia jeton. Ai është Ati ynë. Shpëtimtari Jezu Krisht jeton dhe unë e di se, nëpërmjet sakrificës së Tij shlyese, ne mund të gjejmë forcë për të mposhtur sfidat tona të përditshme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.