2014
Kur Prapë të Takohemi
Nëntor 2014


Kur Prapë të Takohemi

I përsiatshim të gjitha të vërtetat që kemi dëgjuar, dhe na ndihmofshin ato që të bëhemi dishepuj më të guximshëm.

Vëllezërit dhe motrat e mia, kemi përjetuar dy ditë të lavdishme me mesazhe të frymëzuara. Zemrat tona janë prekur dhe besimi ynë është forcuar ndërsa kemi marrë nga shpirti që ka qenë i pranishëm gjatë sesioneve të kësaj konference. Ndërsa e mbyllim [konferencën], ne e falënderojmë Atin tonë Qiellor për bekimet e Tij të shumta për ne.

Jemi lartësuar dhe frymëzuar nga muzika e bukur që na është ofruar gjatë sesioneve. Lutjet që janë dhënë, na kanë çuar më pranë qiellit.

Më lejoni të shpreh falënderimet e përzemërta të mbarë Kishës për Vëllezërit tanë që janë liruar nga thirrjet në këtë konferencë. Do të na marrë malli për ta. Ndihmesa e tyre në veprën e Zotit ka qenë e pamasë dhe do të ndihet nëpër brezat që do të vijnë.

U kthefshim në shtëpi me një vendosmëri në zemrat tona që të jemi pak më të mirë nga sa kemi qenë në të shkuarën. Qofshim pak më të sjellshëm dhe më të matur. U drejtofshim me ndihmesë jo vetëm ndaj bashkanëtarëve tanë, por edhe ndaj atyre që nuk janë të besimit tonë. Ndërsa shoqërohemi me ta, e tregofshim respektin tonë për ta.

Ka nga ata që ndeshen çdo ditë me sfida. Le t’u drejtojmë atyre shqetësimin tonë, si edhe një dorë ndihmëtare. Teksa kujdesemi për njëri-tjetrin, ne do të bekohemi.

I kujtofshim të moshuarit dhe ata që nuk lëvizin dot jashtë shtëpisë. Teksa gjejmë kohë që t’i vizitojmë, ata do ta dinë se i duan dhe i çmojnë. E ndjekshim porosinë që të “ndihmo[jmë] të dobëtit, ngr[emë] duart që varen poshtë dhe forco[jmë] gjunjët e këputur”1.

Qofshim ne njerëz me ndershmëri dhe integritet moral, duke u përpjekur të bëjmë gjënë e drejtë në të gjitha kohët dhe në të gjitha rrethanat. Qofshim ne pasues besnikë të Krishtit, shembuj drejtësie, duke u bërë kështu “pishtarë në botë”2.

Vëllezërit dhe motrat e mia, ju falënderoj për lutjet tuaja në emrin tim. Ato më forcojnë dhe më lartësojnë teksa përpiqem fort me gjithë zemër e forcë që të bëj vullnetin e Perëndisë dhe t’i shërbej Atij e t’ju shërbej juve.

Ndërsa largohemi nga kjo konferencë, i kërkoj bekimet e qiellit mbi secilin prej jush. Ju që jeni larg shtëpisë, u kthefshi të sigurt atje dhe e gjetshi gjithçka në rregull. I përsiatshim të gjitha të vërtetat që kemi dëgjuar, dhe na ndihmofshin ato që të bëhemi dishepuj më të guximshëm nga sa ishim kur filloi kjo konferencë.

Derisa të takohemi sërish pas gjashtë muajsh, kërkoj që bekimet e Zotit të jenë mbi ju dhe, madje, mbi të gjithë ne, dhe e bëj këtë në emrin e Tij të shenjtë – madje Jezu Krishtit, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë – amen.