2014
Sheshoje Shtegun e Këmbëve të Tua
Nëntor 2014


Sheshoje Shtegun e Këmbëve të Tua

Ndërsa shohim te Jezusi si Shembulli ynë dhe ndërsa i ndjekim gjurmët e hapave të Tij, ne mund të kthehemi të sigurt tek Ati ynë Qiellor.

Të dashur vëllezër e motra, ndihem i përulur teksa qëndroj përpara jush këtë mëngjes. Kërkoj besimin dhe lutjet tuaja për mua ndërsa e ndaj me ju mesazhin tim.

Të gjithë ne filluam një udhëtim të mrekullueshëm dhe thelbësor kur u larguam nga bota e shpirtrave dhe hymë në këtë gjendje shpesh sfiduese të quajtur vdekshmëri. Qëllimet kryesore të ekzistencës sonë në tokë janë të marrim një trup prej mishi e kockash, të fitojmë përvojën që mund të vinte vetëm nëpërmjet ndarjes nga prindërit tanë qiellorë dhe të shohim nëse do t’i zbatojmë urdhërimet. Në librin e Abrahamit, kapitulli tre, lexojmë: “Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë”1.

Kur erdhëm në tokë, ne sollëm me vete atë dhuratë të madhërishme nga Perëndia – madje lirinë tonë të zgjedhjes. Ne jemi të privilegjuar në mijëra mënyra për të zgjedhur për veten tonë. Këtu ne mësojmë nga mësuesi i rreptë i përvojës. Ne dallojmë të mirën nga e liga. Ne bëjmë dallimin mes të hidhurës e të ëmblës. Ne mësojmë se vendimet përcaktojnë fatin.

Jam i sigurt se e lamë Atin tonë Qiellor me një dëshirë mbizotëruese për t’u kthyer tek Ai, që të mund të fitonim ekzaltimin që Ai planifikoi për ne, dhe të cilin ne, vetë, e dëshironim kaq shumë. Megjithëse na mbetet ta gjejmë dhe ta ndjekim atë shteg që do të na drejtojë të kthehemi tek Ati ynë në Qiell, Ai nuk na dërgon këtu pa drejtim dhe udhërrëfim. Përkundrazi, Ai na i ka dhënë mjetet që na nevojiten, dhe do të na vijë në ndihmë kur e kërkojmë ndihmën e Tij dhe përpiqemi që të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të duruar deri në fund dhe për të marrë jetë të përjetshme.

Për të na ndihmuar në udhërrëfim, ne kemi fjalët e Perëndisë dhe të Birit të Tij që gjenden në shkrimet tona të shenjta. Ne kemi këshillën dhe mësimet e profetëve të Perëndisë. Me një rëndësi të pashoqe, neve na është dhënë një shembull i përsosur për ta ndjekur – madje shembulli i Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit – dhe jemi udhëzuar ta ndjekim atë shembull. Tha Shpëtimtari Vetë: “Eja e më ndiq”2. “Pasi atë që më keni parë të bëj, madje atë duhet të bëni ju.”3 Ai shtroi pyetjen: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” Dhe pastaj Ai u përgjigj: “Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë”4. “Ai udhën neve na shënoi, andej përher’ na prin.”5

Ndërsa shohim te Jezusi si Shembulli ynë dhe ndërsa i ndjekim gjurmët e hapave të Tij, ne mund të kthehemi të sigurt tek Ati ynë Qiellor që të jetojmë me Të përgjithmonë. Tha profeti Nefi: “Në qoftë se një njeri nuk duron deri në fund, duke ndjekur shembullin e Birit të Perëndisë së gjallë, ai nuk mund të shpëtohet”6.

Një grua, sa herë që rrëfente përvojat që i pati gjatë një vizite në Tokën e Shenjtë, do të thërriste: “Eca aty ku eci Jezusi!”

Ajo kishte qenë në afërsi të vendit ku Jezusi jetoi e dha mësim. Ndoshta ajo qëndroi mbi një shkëmb mbi të cilin Ai qëndroi dikur ose pa vargmalet mbi të cilat Ai i kishte ngulur sytë dikur. Përvojat, në vetvete, ishin ngazëllyese për të; por të ecurit fizikisht atje ku Jezusi eci, është më pak e rëndësishme sesa të ecurit sikurse Ai eci. Përngjasimi i veprimeve të Tij dhe ndjekja e shembullit të Tij janë shumë më të rëndësishme sesa përpjekja për të rigjurmuar pjesët e mbetura të shtigjeve që Ai përshkoi në vdekshmëri.

Kur Jezusi i bëri një të riu pasanik ftesën: “Eja e më ndiq”7, Ai nuk kishte për qëllim thjesht që i riu pasanik ta ndiqte Atë lart e poshtë kodrave dhe luginave të vendit.

Ne nuk kemi nevojë të ecim përgjatë brigjeve të Galilesë apo mes kodrave të Judesë për të ecur atje ku eci Jezusi. Të gjithë ne mund të ecim në shtegun ku eci Ai kur, me fjalët e Tij duke na kumbuar në veshë, me shpirtin e Tij duke na i mbushur zemrat dhe mësimet e Tij duke na e udhërrëfyer jetën, ne zgjedhim ta ndjekim Atë teksa udhëtojmë nëpër vdekshmëri. Shembulli i Tij e ndriçon udhën. Tha Ai: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”8.

Teksa e shqyrtojmë shtegun ku eci Jezusi, ne do të shohim se shtegu e çoi Atë nëpër shumë prej sfidave të njëjta që ne vetë do të hasim në jetë.

Për shembull, Jezusi eci në shtegun e zhgënjimit. Edhe pse Ai përjetoi shumë zhgënjime, një nga zhgënjimet më prekëse u përshkrua në vajtimin e Tij për Jerusalemin, ndërsa i dha fund shërbesës së Tij publike. Fëmijët e Izraelit e kishin hedhur poshtë sigurinë e krahut mbrojtës që Ai u kishte ofruar. Ndërsa vështronte mbi qytetin që shpejt do të braktisej në shkatërrim, Ai u pushtua nga emocionet e hidhërimit të thellë. Në ankth Ai thirri: “Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë desha t’i mbledh bijtë e tu sikurse klloçka i mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ju nuk deshët!”9

Jezusi eci në shtegun e tundimit. Luciferi, i ligu, duke mbledhur forcën e tij më të madhe, sofizmin e tij më ndjellës, e tundoi Atë që kishte agjëruar për 40 ditë e 40 net. Jezusi nuk u dorëzua; përkundrazi, Ai i bëri ballë secilit tundim. Fjalët e tij të largimit ishin: “Shporru, Satan”10.

Jezusi eci në shtegun e dhembjes. Mbani parasysh Gjetsemanin, ku Ai ishte “në agoni … dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë”11. Dhe askush nuk mund ta harrojë vuajtjen e Tij në kryqin mizor.

Secili prej nesh do të ecë në shtegun e zhgënjimit, ndoshta për shkak të një mundësie të humbur, një fuqie të keqpërdorur, zgjedhjeve të një njeriu të dashur apo një zgjedhjeje që ne vetë bëjmë. Shtegu i tundimit do të jetë gjithashtu shtegu i secilit. Ne lexojmë në seksionin e 29-të të Doktrinës e Besëlidhjeve: “Dhe do të duhej që djalli t’i tundonte fëmijët e njerëzve ose ata nuk mund të ishin vetëveprues”12.

Po ashtu do të ecim ne në shtegun e dhembjes. Ne, si shërbëtorë, nuk mund të presim më shumë se Mësuesi, i cili u largua nga vdekshmëria vetëm pas dhembjesh e vuajtjesh të mëdha.

Sidoqoftë, ndërkohë që do ta gjejmë shtegun tonë plot keqardhje të hidhur, ne mund të gjejmë edhe lumturi të madhe.

Ne, me Jezusin, mund të ecim në shtegun e bindjes. Nuk do të jetë gjithnjë e lehtë, por le të jetë motoja jonë trashëgimia që na u la nga Samueli: “Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve”13. Le të kujtojmë se rrjedhoja përfundimtare e mosbindjes është robëria dhe vdekja, ndërkohë që shpërblimi për bindjen është liria dhe jeta e përjetshme.

Ne, si Jezusi, mund të ecim në shtegun e shërbimit. Si një projektor shkëlqyes i mirësisë është jeta e Jezusit ndërsa Ai kryente shërbesë mes njerëzve. Ai u solli forcë gjymtyrëve të të paralizuarit, dritë syve të të verbrit, dëgjim veshëve të të shurdhit.

Jezusi eci në shtegun e lutjes. Ai na mësoi si të lutemi duke na dhënë lutjen e bukur, që ne e njohim si lutja e Zotit. Dhe kush mund ta harroje lutjen e Tij në Gjetseman: “Mos u bëftë vullneti im, por yti”14?

Udhëzime të tjera, të dhëna nga Shpëtimtari, i njohim në majë të gishtave, siç gjenden në shkrimet e shenjta. Në Predikimin e Tij në Mal, Ai na thotë të jemi të mëshirshëm, të jemi të përulur, të jemi të drejtë, të jemi të pastër në zemër, të jemi paqebërës. Ai na udhëzon t’i mbrojmë trimërisht bindjet tona, edhe kur përqeshemi e përndiqemi. Ai na kërkon t’i lejojmë dritat tonë të shkëlqejnë në mënyrë që të tjerët të mund t’i shohin e të mund të dëshirojnë ta lëvdojnë Atin tonë në Qiell. Ai na mëson të jemi moralisht të pastër si në mendimet tona ashtu edhe në veprimet tona. Ai na thotë se është shumë më e rëndësishme të grumbullojmë thesare në qiell sesa në tokë.15

Shëmbëlltyrat e Tij mësojnë me fuqi dhe autoritet. Me tregimin e Samaritanit të mirë, Ai na mëson t’i duam të afërmit tanë dhe t’u shërbejmë atyre.16 Në shëmbëlltyrën e Tij të talenteve, Ai na mëson ta përmirësojmë vetveten dhe të përpiqemi për përsosmëri.17 Me shëmbëlltyrën e deles së humbur, Ai na udhëzon të shkojmë për t’i shpëtuar ata që janë larguar nga shtegu dhe e kanë humbur udhën e tyre.18

Teksa përpiqemi ta vëmë Krishtin në qendër të jetës sonë duke i mësuar fjalët e Tij, duke i ndjekur mësimet e Tij dhe duke ecur në shtegun e Tij, Ai ka premtuar se do ta ndajë me ne jetën e përjetshme të cilën Ai vdiq për ta fituar. Nuk ka qëllim më të lartë se ky, që ne duhet të zgjedhim t’i pranojmë mësimet e Tij dhe të bëhemi dishepujt e Tij e ta bëjmë punën e Tij gjatë gjithë jetës sonë. Asgjë tjetër, asnjë zgjedhje tjetër që bëjmë, nuk mund të na bëjë ata që mund të na bëjë Ai.

Ndërsa mendoj për ata që janë përpjekur vërtet ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit dhe që kanë ecur në shtegun e Tij, më vijnë lehtësisht në mendje emrat e Gustav dhe Margarita Vakerit – dy prej individëve më të ngjashëm me Krishtin që kam njohur ndonjëherë. Ata ishin gjermanë me origjinë që kishin imigruar në Kanadanë lindore dhe i takova kur shërbeva si president misioni atje. Vëllai Vaker e fitonte jetesën si berber. Megjithëse të ardhurat e tyre ishin të kufizuara, ata e ndanin me të tjerët gjithçka kishin. Ata nuk ishin bekuar me fëmijë, por i ushqenin shpirtërisht të gjithë ata që hynin në shtëpinë e tyre. Burra dhe gra të arsimuara e të ngritura i kërkonin këta shërbëtorë të përulur, të pashkolluar të Perëndisë dhe e quanin veten me fat nëse mund të kalonin një orë në praninë e tyre.

Pamja e tyre ishte e zakonshme, anglishtja e tyre e çalë dhe disi e vështirë për ta kuptuar, shtëpia e tyre e thjeshtë. Ata nuk zotëronin një makinë apo televizor, nuk kishin as ndonjë prej gjërave të cilave bota zakonisht u kushton vëmendje. Prapëseprapë, njerëzit besnikë e shkelën shpesh shtegun për te dera e tyre në mënyrë që të merrnin nga shpirti që ishte atje. Shtëpia e tyre qe një parajsë në tokë dhe shpirti që ata rrezatonin, ishte me paqe e mirësi të pastër.

Edhe ne mund ta kemi atë shpirt dhe ta ndajmë atë me botën, teksa ecim në shtegun e Shpëtimtarit tonë dhe ndjekim shembullin e Tij të përkryer.

Ne lexojmë te Fjalët e Urta paralajmërimin: “Sheshoje shtegun e këmbëve të tua”19. Teksa e bëjmë, ne do të kemi besimin, madje dëshirën, për të ecur në shtegun ku eci Jezusi. Ne nuk do të kemi asnjë dyshim që jemi në një shteg, të cilin Ati ynë do të donte ta ndiqnim. Shembulli i Shpëtimtarit jep një model për gjithçka që bëjmë dhe fjalët e Tij japin një udhërrëfim të pagabueshëm. Shtegu i Tij do të na çojë të sigurt në shtëpi. Qoftë ky bekimi ynë, unë lutem, në emrin e Jezu Krishtit, të cilin e dua, të cilit i shërbej dhe për të cilin dëshmoj, amen.