2016
Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë
Maj 2016


Ata na Folën Neve

Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë

Mbajeni parasysh që t’i përdorni disa nga këto veprimtari dhe pyetje si pikënisje për diskutimet familjare apo përsiatjen vetjake.

Për Fëmijët

  • Faqe 86: Presidenti Tomas S. Monson foli rreth një skene nga Liza në Botën e Çudirave për të treguar se vendimet janë të rëndësishme. Ai na nxiti të zgjedhim të drejtën, edhe nëse është shtegu më i vështirë. Si familje, flisni rreth vendimeve të vështira me të cilat përballeni. Çfarë mund të bëni që ta ndihmoni njëri-tjetrin për të zgjedhur të drejtën? Për një veprimtari, vizatoni një mburojë ZTD në një afishe dhe shkruajini idetë tuaja mbi të. Pastaj vareni diku ku familja juaj mund ta shohë atë shpesh.

  • Faqe 101: Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, përshkroi një qytet në Gjermani që ishte i shkatërruar nga lufta, por më pas u rindërtua dhe bë sërish i bukur. Presidenti Uhtdorf dha mësim se kur ndihemi të rrënuar, Shpëtimtari dhe Ati Qiellor mund të na rindërtojnë. Çfarë shembujsh ka parë familja juaj të diçkaje të rrënuar që u bë e bukur dhe e fortë sërish? Merreni parasysh t’u jepni fëmijëve tuaj dëshminë tuaj për Shlyerjen e Jezu Krishtit.

  • Faqe 53: Plaku Mervin B. Arnold, i Të Shtatëdhjetëve, na nxiti që të “shkojmë për të shpëtuar” duke iu afruar anëtarëve tanë më pak aktivë ose miqve joanëtarë. Si familje, mendoni rreth mënyrës se si mund t’iu afroheni atyre që nuk kanë qenë në Kishë për ca kohë ose atyre që nuk janë anëtarë. Çfarë mund të bëni për ta ndarë ungjillin me të tjerët? Mendoni për një mënyrë zbavitëse për të krijuar një plan misionar për familjen me synime të thjeshta e të realizueshme.

  • Faqe 13: Motra Linda K. Barton, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, na ftoi ta marrim parasysh me lutje se si mund t’i ndihmojmë refugjatët në komunitetin tonë. Si familje vizitojeni faqen IWasAStranger.lds.org dhe shikojeni materialin filmik të titulluar “Isha i Huaj: Doni Njëri-Tjetrin”. Cilat janë disa gjëra që mund të bëjë familja juaj për t’u shërbyer fqinjëve në nevojë?

Për Rininë

  • Faqe 86: Presidenti Tomas S. Monson tha: “Dera e historisë varet nga mentesha të vogla dhe po kështu ndodh me jetën e njerëzve”. Ai tha gjithashtu: “Rruga që ndjekim në këtë jetë, na çon te vendmbërritja jonë në jetën tjetër”. Mendoni për zgjedhjet më të rëndësishme që do të vijnë në jetën tuaj. Përfytyrojeni se ku mund t’ju çojnë ju ato zgjedhje dhe shkruani një listë me idetë dhe përshtypjet që ju vijnë.

  • Faqe 46: Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Rivendosja e ungjillit nisi me të riun, Jozef Smithin, që bëri një pyetje”. Plaku Rasband tha se pyetjet tregojnë dëshirën për të mësuar, për t’i shtuar të vërteta dëshmive tona dhe për të “shk[uar] përpara me një vendosmëri në Krisht” (2 Nefi 31:20). Çojani pyetjet tuaja Perëndisë në lutje, hetojini shkrimet e shenjta dhe bisedat nga konferenca e përgjithshme dhe shikoni e dëgjoni nga afër për përgjigje.

  • Faqe 10: A jeni ndier ndonjëherë të frikësuara apo të vetmuara? Motra Nill F. Mariot, këshilltare e dytë në presidencën e përgjithshme të Të Rejave, tregoi atë që ndodhi pikërisht përpara dasmës së saj. Ajo ishte larg nga shtëpia dhe do të qëndronte te një e afërme e bashkëshortit të saj të ardhshëm të cilën nuk e kishte takuar kurrë. Kur mbërriti në shtëpinë e së afërmes, Motra Mariot tha: “Dera u hap … dhe hallë Karola, pa thënë një fjalë, zgjati dorën dhe më mori në krahët e saj”. Ai çast, ia shkriu çdo frikë. “Dashuria është të bësh vend në jetën tënde për dikë tjetër”, tha ajo. A gjendet dikush për të cilin mund të bëni vend?

  • Faqe 70: Vëllai Stiven W. Ouen, president i përgjithshëm i Të Rinjve, dha mësim se ne jemi të gjithë edhe udhëheqës edhe ndjekës. Ai tregoi një përvojë që pati kur takoi një grup të rinjsh që e përkrahnin dhe e nxitnin njëri-tjetrin në kuorumet e tyre. Ai tha: “Udhëheqja është një shprehje dishepullimi – ajo është thjesht një çështje e të ndihmuarit të të tjerëve të vijnë në Krisht”. Zgjidheni dikë që mund ta ndihmoni të vijë në Krisht këtë javë.

Për Të Rinjtë në Moshë Madhore

  • Faqe 101: A dëshironi ta mbani besimin tuaj larg shuarjes? Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, dha mësim se përgjigjja është bindja! “Bindja është gjaku jetësjellës i besimit”, tha ai. “Është nëpërmjet bindjes që ne mbledhim dritë brenda shpirtrave tanë.” Mendoni rreth një kohe kur ju zgjodhët t’i bindeshit fjalës së Zotit, edhe pse ishte e vështirë. Si e forcoi bindja juaj besimin tuaj dhe si ju ndihmoi të zbuloni nga se jeni krijuar?

  • Faqet 23, 59 dhe 105: Motra Meri R. Durham, liruar së fundi nga thirrja si këshilltare e dytë e presidencës së përgjithshme të Fillores, iu referua Frymës së Shenjtë si një “burim hyjnor force”. Lexojeni bisedën e saj dhe bisedat nga Pleqtë Dejvid A. Bednar dhe Robert D. Hejls, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Merrini shënim rolet e shumta që luan Fryma e Shenjtë dhe mënyrat në të cilat Ai mund t’ju bekojë. Bëjeni synim që të ndryshoni diçka në jetën tuaj në mënyrë që të jeni më të denjë për ndikimin e Tij.

  • Faqet 26 dhe 124: Gjeni kohë për t’i bërë vetes suaj pyetjet që bëri Plaku Donald L. Hallstrom, i Presidencës së të Shtatëdhjetëve: “Kur ndodhin gjëra të vështira në jetën tonë, cili është reagimi ynë i menjëhershëm? Është pështjellim apo dyshim apo tërheqje shpirtërore? Është një goditje për besimin tonë? A fajësojmë Perëndinë apo të tjerët për rrethanat tona? Apo është reagimi ynë i parë të kujtojmë se … ne jemi fëmijë të një Perëndie të dashur?” Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “E vërteta e parë e madhe e gjithë përjetësisë është se Perëndia na do ne me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij ”. Si mund t’ju ndihmojë t’i duroni gjërat e vështira forcimi i dëshmisë suaj rreth dashurisë së Perëndisë për ju?

Për të Rriturit

  • Faqe 86: Presidenti Tomas S. Monson tha se kur mendojmë për vendimet tona të përditshme “nëse zgjedhim Krishtin, do të kemi bërë zgjedhjen e saktë”. Çfarë praktikash të përditshme fetare mund të zhvillonit ose forconit në jetën tuaj dhe në familjen tuaj në mënyrë që Krishti të mbetet në qendër të vendimeve tuaja?

  • Faqet 81 dhe 93: Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, dhe Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i nxitën etërit që të bëjnë ndryshimet e nevojshme në mënyrë që t’i udhëheqin familjet e tyre për në mbretërinë çelestiale. Si baba, çfarë mund të bëni, me fjalët e Plakut Kristoferson, për “të treg[uar më mirë] se si duket besnikëria ndaj Perëndisë në të jetuarin e përditshëm”?

  • Faqe 77: Duke e përqafuar dashurinë hyjnore, edhe familjet me sfida të mëdha mund t’ia dalin mbanë, tha Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë. “Çfarëdo problemesh që po i has familja juaj, çfarëdo që duhet të bëni për t’i zgjidhur ato”, shtoi ai, “fillimi dhe fundi i zgjidhjes është dashuria hyjnore”. Në familjen tuaj, merreni parasysh këshillën nga shkrimi i shenjtë që t’i “lut[eni] Atit … që të mbusheni me këtë dashuri” (Moroni 7:48).

  • Faqe 63: Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se këshillat e rregullta të familjeve “do ta pakësojnë ndikimin e teknologjisë bashkëkohore që shpesh na e largon vëmendjen prej të shpenzuarit të kohës cilësore me njëri-tjetrin dhe gjithashtu ka prirje të sjellë ligësi drejtpërsëdrejti brenda në shtëpitë tona”. Merreni parasysh vënien në zbatim në familjen tuaj të katër llojeve të këshillave të familjes që Plaku Ballard sugjeron se “do të na ndihmojnë që të jemi më të suksesshëm dhe më të gëzuar në marrëdhëniet tona të çmuara”.