2016
Plaku Piter Mërs
Maj 2016


Plaku Piter F. Mërs

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Kur ishte i vogël, Piter Mërsi dhe familja e tij jetonin pranë një fqinji që drejtonte një dyqan “gjithçkandreqës” për pajisje ferme. Piteri dhe shoku i tij i ngushtë kalonin shumë kohë në dyqan duke i kallajisur pajisjet e fermës dhe duke ndërtuar biçikleta të vogla dhe makina garash go-kart. Piteri më vonë studioi për inxhinieri mekanike në Universitetin Monash në Melburn, Australi.

Ndërsa vazhdonte studimet në moshën 18-vjeçare, ai e vuri në dijeni universitetin se i duhej një pushim dyvjeçar për të shërbyer në një mision për Kishën. Atij iu tha se mund ta shtynte afatin vetëm për një vit; shtyrja për më gjatë nënkuptonte se ai do ta humbiste vendin në programin e tij. Ai vendosi të mos shërbente.

Megjithatë, pas një kohe të shkurtër, ai e dëgjoi Presidentin Spenser W. Kimball (1895–1985) të shpallte gjatë konferencës së përgjithshme se çdo i ri duhej të shërbente në një mision (shih “Planning for a Full and Abundant Life”, Ensign, maj 1974, f. 87).

“Ishte sikur ai po më fliste mua. Ajo më depërtoi në zemër”, kujton Plaku Mërs. Ai vendosi të shërbente, pas së gjithash. Një javë përpara se të largohej, mori një letër nga universiteti që e lejonte ta shtynte afatin për dy vjet.

Piteri u kthye në shkollë pas misionit të tij, por shërbimi i tij misionar, thotë ai, ishte “arsimimi më i mirë që kam pasur”. Ungjilli i mësoi atij se “t’i ndihmosh njerëzit të jenë të suksesshëm është parimi më i rëndësishëm i udhëheqjes”.

Pasi e përfundoi diplomimin e tij të shkallës së parë për inxhinieri mekanike, Plaku Mërs punoi si inxhinier projekti për shoqërinë Esso Australia dhe si ortak themelues i shoqërisë WorleyParsons Limited. Kohët e fundit ai shërbeu si drejtor zhvillimi për Fortescue Metals Group.

Pas misionit të tij, ai u martua me një grua që e quan shoqen e tij më të mirë, Maksin Evelin Thaçerin, më 2 janar 1979, në Tempullin e Hamiltonit në Zelandën e Re. Ata kanë katër fëmijë dhe nëntë nipër e mbesa.

Plaku Mërs – që u lind më 21 dhjetor 1956 nga Frederik dhe Luizë Xhons Mërsi në Uarnambul, Viktoria, Australi – ka shërbyer në shumë thirrje, përfshirë si president i kuorumit të pleqve, organist i lagjes, president i Të Rinjve të lagjes dhe të kunjit, drejtor i çështjeve publike, president dege dhe distrikti, peshkop, president kunji dhe I Shtatëdhjetë Zonal.