2016
Ndihma për Refugjatët: ‘Isha i Huaj’
Maj 2016


Ndihma për Refugjatët: “Isha i Huaj”

Me miratimin e Presidencës së Parë, presidencat e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe Fillores po i ftojnë gratë e të gjitha moshave që të japin shërbim për refugjatët në lagjet dhe komunitetet e tyre vendore nëpërmjet nismës ndihmuese të titulluar “Isha i Huaj” (shih Levitiku 19:34; Mateu 25:35).

“Ka shumë gra midis nesh që mund të bekohen nga miqësia, këshillimi dhe dashuria e shërbimi si i Krishtit për të tjerët”, tha Motra Linda K. Barton, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës. “Dhënia e një shërbimi të tillë është një parim themelor i ungjillit.

Më kujtohet shkrimi i shenjtë që thotë se ne nuk duhet ta ‘harro[jmë] mikpritjen, sepse disa duke e praktikuar pritën pa ditur engjëj’ [Hebrenjve 13:2]”, tha motra Barton. “Ne i nxitim motrat që të kërkojnë plot lutje mundësi për të shërbyer dhe të shqyrtojnë gjetjen e mënyrave për t’i mbështetur organizatat e besueshme vendore të komunitetit dhe ato civile. Ju mund të gjeni disa ide të dobishme në IWasAStranger.lds.org, dhe mund të tregoni përvoja duke dërguar një mesazh elektronik te IWasAStranger@ldschurch.org.”

Një letër nga Presidenca e Parë lidhur me nismën “Isha i Huaj” iu dërgua këshillave të kunjeve, lagjeve dhe degëve në fund të marsit. Letra u shoqërua nga udhëzime për udhëheqësit. “Motrat mund të marrin pjesë në këtë nismë kur ua lejon koha dhe rrethanat”, këshillon letra, “duke u siguruar se nga askush nuk pritet të ‘vrapojë më shpejt sesa a[jo] ka fuqi’ dhe se të gjitha këto ‘gjëra të … bë[hen] në urtësi dhe rregull’ (Mosia 4:27)”. Një letër e Presidencës së Parë që daton më 27 tetor 2015, i nxiti po ashtu të gjithë anëtarët që të japin shërbim si të Krishtit ndaj njerëzve në nevojë.

Një letër nga presidentet e Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe Fillores që jep më shumë informacion rreth nismës “Isha i Huaj”, u shpërnda së fundmi në mbledhjet e atyre organizatave.