Kapitulli 15
Alma Jep Mësim dhe Pagëzon
Alma u pendua për mëkatet e tij dhe shkoi te nefitët në fshehtësi, duke u mësuar atyre mesazhin e Abinadit. Alma u tha njerëzve të kishin besim në Jezu Krisht dhe të pendoheshin.
Gjatë ditës, Alma fshihej në një zabel të dendur pemësh të vogla, pranë një burimi të quajtur Ujërat e Mormonit.
Ata që i besuan mësimet e Almës, shkuan tek Ujërat e Mormonit dhe u pagëzuan. Alma pagëzoi 204 njerëz në Kishën e Krishtit.
Alma shuguroi priftërinj për t’i dhënë mësim popullit. Ai u tha priftërinjve të jepnin mësim pendimin dhe besimin në Jezu Krisht. Ai gjithashtu tha që ata nuk duhet të grindeshin por të ishin të bashkuar.
Njerëzit e Almës e donin dhe i shërbenin njëri‑tjetrit. Ata e ndanin gjithçka kishin dhe ishin mirënjohës që kishin mësuar rreth Jezu Krishtit, Shëlbuesit të tyre.
Shërbëtorët e mbretit Noe panë që Alma po i jepte mësim popullit. Mbreti tha që Alma po i kthente nefitët kundër tij, kështu që ai dërgoi një ushtri për t’i vrarë ata.
Perëndia e paralajmëroi Almën që ushtria e mbretit Noe po vinte. Njerëzit mblodhën familjet, bagëtinë dhe gjëra të tjera që u përkisnin atyre, dhe shkuan në vendin e shkretë.
Perëndia i forcoi njerëzit e Almës që ata të mund të shpëtonin nga ushtria e mbretit Noe. Ushtria i kërkoi por nuk i gjeti ata kurrë.
Pasi udhëtuan në vendin e shkretë për tetë ditë, populli i Almës arriti në një zonë shumë të bukur që kishte ujë të kulluar që rridhte nëpër të. Këtu njerëzit mbollën drithëra dhe ndërtuan ndërtesa.
Njerëzit donin që Alma të bëhej mbreti i tyre, por Alma u tha atyre se Perëndia nuk donte që ata të kishin një mbret. Perëndia donte që ata të ishin të lirë.