Mësime të Presidentëve
Kapitulli 10: Ushqyerja e Bashkëpjesëmarrjes së Përjetshme të Martesës


Kapitulli 10

Ushqyerja e Bashkëpjesëmarrjes së Përjetshme të Martesës

“Ndjenjat më të ëmbla të jetës, forcat shtytëse më bujare dhe më të kënaqshme të zemrës njerëzore, gjejnë shprehje në një martesë që qëndron e dëlirë dhe e panjollë mbi ligësinë e botës.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Një mbrëmje, kur Presidenti dhe Motra Hinkli ishin ulur qetësisht së bashku, Motra Hinkli tha: “Ti përherë më ke dhënë krahë të fluturoj dhe për këtë të kam dashur”1. Duke komentuar për atë shprehje nga bashkëshortja e tij, Presidenti Hinkli tha: “Jam përpjekur të njoh individualitetin [e saj], personalitetin e saj, dëshirat e saj, formimin e saj, ambiciet e saj. Lëre atë të fluturojë. Po, lëre atë të fluturojë! Lëre atë t’i zhvillojë talentet e saj. Lëre atë t’i bëjë gjërat sipas mënyrës së saj. Mos ia prit rrugën dhe mrekullohu nga çka bën ajo.”2 Motra Hinkli ishte po ashtu përkrahëse për bashkëshortin e saj – si baba, në interesat e tij personale dhe në shërbimin e tij të gjerë në Kishë.

Në pjesën më të madhe të viteve të tyre gjatë rritjes, Gordon B. Hinkli dhe Marxhëri Pei jetuan në të njëjtën lagje dhe për shumë vite jetuan përballë njëri-tjetrit në anët e ndryshme të rrugës. “E pashë atë për herë të parë në Fillore”, kujtoi më vonë Presidenti Hinkli. “Ajo po lexonte përpara klasës. Nuk e di pse më preku aq shumë, por nuk e harrova asnjëherë. Më pas u rrit si një e re e bukur dhe pata ndjesinë e mirë për t’u martuar me të.”3

Ata patën takimin e tyre të parë – një mbrëmje vallëzimi në Kishë – kur ai ishte 19 vjeç dhe ajo ishte 18 vjeçe. “Ky i ri do bëhet dikushi”, i tha Marxhëri nënës së saj më vonë.4 Marrëdhënia e tyre vazhdoi të rritej ndërsa Gordoni ndoqi Universitetin e Jutës. Më pas në 1933-shin, vitin pasi u diplomua, ai u thirr për të shërbyer një mision në Angli. Kur u kthye në vitin 1935, ata e rifilluan shoqërimin e tyre dhe në 1937-ën u martuan në Tempullin e Solt-Lejkut. Duke kujtuar pjesën e hershme të martesës së tyre, Motra Hinkli tha:

“Paratë ishin të pakta, por ne ishim plot shpresë dhe optimizëm. Ato ditë të hershme nuk ishin të gjitha të hareshme, por ishin të mbushura me vendosmëri dhe një dëshirë të madhe për të krijuar një shtëpi të lumtur. Ne e donim njëri-tjetrin, nuk kishte dyshim për këtë. Por ne gjithashtu duhej të mësoheshim me njëri-tjetrin. Mendoj se çdo çift duhet të mësohet me njëri-tjetrin.

E kuptova herët se do të ishte më mirë nëse punonim më shumë për t’u mësuar me njëri-tjetrin sesa të përpiqeshim vazhdimisht për ta ndryshuar njëri-tjetrin – gjë që zbulova se ishte e pamundur. … Duhet të jetë një raport paksa jep e merr dhe goxha elasticitet, për të pasur një shtëpi të lumtur.”5

Presidenti Hinkli u thirr si Autoritet i Përgjithshëm në 1958-ën dhe gjatë viteve të hershme të shërbimit të tij, Motra Hinkli zakonisht qëndronte në shtëpi për t’u kujdesur për pesë fëmijët e tyre ndërsa ai udhëtonte për detyrat e Kishës. Kur fëmijët e tyre ishin rritur, çifti Hinkli shpesh udhëtonte së bashku – gjë që ata e pëlqenin shumë. Në prill 1977, përvjetori i tyre i 40-të i martesës ndodhi ndërsa ata ishin në një udhëtim të gjatë për të takuar shenjtorët në Australi. Atë ditë, Presidenti Hinkli shkroi në ditarin e tij:

“Sot e gjetëm veten në Përth, Australi, vetë prania jonë ishte përfaqësim i asaj çfarë na kanë sjellë vitet. E kemi kaluar ditën duke u takuar me misionarët e Misionit të Përthit, Australi. Ishte një ditë e mrekullueshme në të cilën kemi dëgjuar dëshmi dhe udhëzime. Misionarët i dhuruan Marxhërit një tufë të vogël lulesh, diçka që nuk pata kohë ta merrja vetë për të.

Ne mund të kishim shkruar një vëllim të tërë për 40 vitet e kaluara. … Ne kemi pasur vështirësitë tona dhe problemet tona. Por në përgjithësi, jeta ka qenë e mirë. Jemi bekuar në mënyrë të mrekullueshme. Në këtë moshë, një njeri fillon të marrë vesh kuptimin e përjetësisë dhe vlerën e shoqërimit të përjetshëm. Po të ishim në shtëpi sonte, ka mundësi që të kishim një lloj darke familjare. Siç shihet, ne jemi larg shtëpisë në shërbim të Zotit dhe është një përvojë e ëmbël.”6

Njëzet e dy vite më vonë, ndërsa shërbente si President i Kishës, Presidenti Hinkli i shkroi një letër Motrës Hinkli duke i shprehur ndjenjat e tij pas më shumë se 60 vitesh martese. “Çfarë shoqe e çmuar ke qenë”, tha ai. “Tani jemi plakur së bashku dhe ka qenë një përvojë e ëmbël. … Kur në një ditë të ardhme, dora e vdekjes do të prekë butësisht njërin ose tjetrin prej nesh, do të ketë lot, po, por gjithashtu do të ketë një siguri të qetë e të padyshimtë të ribashkimit dhe shoqërimit të përjetshëm.”7

Në fillim të vitit 2004, çifti Hinkli ishte duke u kthyer për në shtëpi nga përkushtimi i Tempullit të Akrës në Ganë kur Motra Hinkli u rrënua fizikisht nga lodhja. Ajo nuk e mori më kurrë veten dhe ndërroi jetë më 6 prill 2004. Gjashtë muaj më vonë, në konferencën e përgjithshme të tetorit, Presidenti Hinkli tha:

“Ndërsa i mbaja dorën dhe pashë jetën tokësore të shterohej në gishtat e saj, pranoj se u dërrmova. Përpara se të martohesha me të, ajo kishte qenë vajza e ëndrrave të mia. … Ajo ishte shoqja ime e dashur për më shumë se dy të tretat e një shekulli, e barabarta ime përpara Zotit, në të vërtetë më e lartë se unë. Dhe tani në moshën time të shkuar, ajo është bërë sërish vajza e ëndrrave të mia.”8

Gjatë pikëllimit të tij, Presidenti Hinkli u ngushëllua nga dija se ai dhe Marxhëri ishin vulosur për përjetësinë. “Të humbasë një shoqe shumë të dashur me të cilën një person ka ecur gjatë nëpër diell dhe hije, është absolutisht shkatërruese”, tha ai. “Ka një vetmi gëlltitëse që rritet për nga fuqia. Ajo të shpon dhembshëm mu në shpirt. Por në qetësinë e natës dëgjohet një pëshpëritje e qetë që thotë: ‘Gjithçka është mirë. Gjithçka është mirë.’ Dhe ai zë nga e panjohura sjell paqe dhe siguri, dhe bindje të palëkundur se vdekja nuk është fundi, se jeta vazhdon, me punë për të bërë dhe fitore për t’u korrur. Ai zë qetësisht, madje i padëgjuar nga veshët e vdekshëm, sjell bindjen se, me aq siguri sa ka ndarje, do të ketë një ribashkim të gëzueshëm.”9

Pamja
Presidenti dhe Motra Hinkli

Presidenti dhe Motra Hinkli gëzuan një martesë të lumtur e të dashur dhe u forcuan nga “siguri[a e] qetë [dhe e] padyshimtë [e] ribashkimit dhe shoqërimit të përjetshëm”.

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Ati Qiellor e krijoi martesën që nga fillimi.

Ç’gjë e mrekullueshme është martesa sipas planit të Atit tonë të Amshuar, një plan i siguruar sipas urtësisë së Tij hyjnore për lumturinë dhe sigurinë e fëmijëve të Tij dhe për vazhdimësinë e racës.

Ai është Krijuesi ynë dhe e krijoi martesën që nga fillimi. Në kohën e krijimit të Evës, “Njeriu tha: ‘Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. … Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.’” (Zanafilla 2:23–24.)

Pali u shkroi shenjtorëve në Korint: “Gjithsesi në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin”. (1 Korintasve 11:11.)

Në zbulesën bashkëkohore, Zoti ka thënë: “Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them se kushdo që ju ndalon të martoheni, nuk është nga Perëndia, sepse martesa shugurohet nga Perëndia për njeriun”. (DeB 49:15.) …

Sigurisht, askush që i lexon shkrimet e shenjta, si të lashta edhe bashkëkohore, nuk mund të dyshojë për konceptin hyjnor të martesës. Ndjenjat më të ëmbla të jetës, forcat shtytëse më bujare dhe më të kënaqshme të zemrës njerëzore, gjejnë shprehje në një martesë që qëndron e dëlirë dhe e panjollë mbi ligësinë e botës.

Një martesë e tillë, unë besoj, është dëshira – dëshira e shpresuar, e dëshiruar dhe e kërkuar në lutje – e burrave dhe grave kudo.10

2

Në tempull, një bashkëshort dhe bashkëshorte mund të vulosen së bashku për gjithë përjetësinë.

Tempujt … ofrojnë bekime që nuk gjenden askund tjetër. Gjithçka që ndodh në këto shtëpi të shenjta, ka të bëjë me natyrën e përjetshme të njeriut. Këtu, bashkëshortët dhe bashkëshortet, dhe fëmijët vulosen së bashku si familje për gjithë përjetësinë. Martesa nuk është “derisa vdekja të na ndajë”. Ajo është përgjithmonë, nëse palët jetojnë të denja për bekimin.11

A ka pasur ndonjëherë ndonjë burrë që e donte vërtet një grua, apo një grua që e donte vërtet një burrë, që nuk u lut që marrëdhënia e tyre të mund të vazhdonte përtej varrit? A është varrosur ndonjëherë një fëmijë nga prindër që nuk u dogjën nga dëshira për sigurinë që i dashuri i tyre do të ishte përsëri i tyri në një botë që do të vijë? A mundet ndokush që beson në jetën e përjetshme, të dyshojë se Perëndia i qiellit nuk do t’u japë bijve dhe bijave të Tij atë tipar më të çmuar të jetës, dashurinë që e gjen shprehjen e saj më kuptimplote në marrëdhëniet familjare? Jo, arsyeja kërkon që marrëdhënia familjare duhet të vazhdojë edhe pas vdekjes. Zemra e njeriut digjet nga dëshira për të dhe Perëndia i qiellit ka zbuluar një mënyrë nëpërmjet së cilës një gjë e tillë të bëhet e mundur. Ordinancat e shenjta të shtëpisë së Zotit e sigurojnë këtë.12

Sa e ëmbël është siguria, sa ngushëlluese është paqja që vjen nga dija se, në qoftë se ne bëjmë martesë të drejtë dhe jetojmë me drejtësi, marrëdhënia jonë do të vazhdojë, pavarësisht nga siguria e vdekjes dhe kalimi i kohës. Burrat mund të shkruajnë këngë dashurie dhe t’i këndojnë ato. Ata mund të dëshirojnë, shpresojnë dhe ëndërrojnë. Por e gjitha kjo do të jetë veçse një dëshirë e madhe romantike po qe se nuk ka një ushtrim të autoritetit që i kapërcen fuqitë e kohës dhe të vdekjes.13

3

Bashkëshortët dhe bashkëshortet ecin krah për krah në një udhëtim të përjetshëm.

Në planin e Tij të madh, kur Perëndia fillimisht krijoi burrin, Ai krijoi një dualizëm gjinish. Shprehja fisnikëruese e atij dualizmi gjendet te martesa. Njëri individ është plotësues për tjetrin.14

Në shoqërimin martesor nuk ka as më të ulët as më të lartë. Gruaja nuk ecën përpara burrit; dhe as burri nuk ecën përpara gruas. Ata ecin krah për krah si një bir dhe bijë e Perëndisë në një udhëtim të përjetshëm.15

Martesa, në kuptimin e saj më të vërtetë, është një bashkëpjesëmarrje mes të barabartësh, ku asnjëri nuk ushtron sundim mbi tjetrin, por, përkundrazi, secili e nxit dhe e ndihmon tjetrin në çfarëdo përgjegjësish dhe aspiratash që ai ose ajo mund të ketë.16

Gra, shikojini bashkëshortët tuaj si shokët tuaj të çmuar dhe jetoni të denja për atë shoqërim. Burra, shikojeni te bashkëshortet tuaja pasurinë tuaj më me vlerë në kohë ose përjetësi, secila një bijë e Perëndisë, një shoqe me të cilën mund të ecni dorë për dorë, nëpër diell dhe stuhi, nëpër të gjitha rreziqet dhe ngadhënjimet e jetës.17

Mendoj për dy [miq] që njoha … gjatë viteve të shkollës së mesme dhe universitetit. Ai ishte një djalë nga provinca, i thjeshtë në paraqitje, pa para ose premtim të dukshëm. Ai ishte rritur në një fermë dhe, nëse kishte ndonjë cilësi që ishte tërheqëse, ajo ishte aftësia për të punuar. … Por, pavarësisht nga pamja e tij fshatarake, ai kishte një buzëqeshje dhe një personalitet që dukej se përcillte mirësi. Ajo ishte një vajzë nga qyteti që ishte rritur në një shtëpi të rehatshme. …

Diçka magjike ndodhi midis tyre. Ata ranë në dashuri. … [Ata] qeshën dhe kërcyen, dhe studiuan së bashku nëpër ato vite. Ata u martuan kur njerëzit pyetnin veten se si ata mund të fitonin ndonjëherë mjaftueshëm sa për të mbijetuar. Ai u përpoq shumë gjatë shkollës së tij profesionale dhe doli gati i pari i klasës. Ai kurseu shumë dhe ruajti, dhe punoi, dhe u lut. Ajo e nxiti dhe e mbështeti dhe, kur gjërat ishin vërtet të vështira, ajo thoshte me qetësi: “Në njëfarë mënyre do t’ia dalim”. I forcuar nga besimi i saj tek ai, ai vazhdoi gjatë atyre viteve të vështira. Fëmijët e tyre erdhën [në jetë] dhe së bashku ata i deshën dhe i ushqyen ata, dhe u dhanë atyre sigurinë që erdhi nga vetë shembulli i dashurisë dhe besnikërisë ndaj njëri-tjetrit. Tani dyzet e pesë vite dhe më shumë kanë kaluar. Fëmijët e tyre janë rritur dhe i nderojnë ata, Kishën dhe komunitetet në të cilat jetojnë.

Kohët e fundit, teksa po udhëtoja me avion nga Nju-Jorku, eca nëpër korridor në gjysmerrësirën e kabinës dhe pashë një grua, me flokë të thinjur, me kokën në shpatullën e të shoqit ndërsa ajo dremiste dhe dora e tij kishte shtrënguar ngrohtësisht të sajën. Ai ishte zgjuar dhe më njohu. Ajo u zgjua kur ne nisëm të flisnim. Ata, gjithashtu, po ktheheshin nga Nju-Jorku, ku ai kishte mbajtur një kumtesë përpara njërës prej shoqërive me nivel më të lartë shkencor të vendit. Ai tregoi pak për këtë, por ajo me krenari foli për titujt e nderit të dhëna atij. …

Mendova për atë ndërsa u ktheva në ndenjësen time në avion. Dhe i thashë vetes, miqtë e tyre në ato kohë panë vetëm një djalë ferme nga provinca dhe një vajzë të qeshur me quka në hundë. Por këta të dy panë te njëri-tjetri dashuri, besnikëri, paqe, besim dhe të ardhme. Quajeni tërheqje fizike nëse doni; ndoshta pati pak nga ajo, por kishte shumë më tepër. Pati më tepër një lulëzim të diçkaje hyjnore, të mbjellë atje nga ai Atë që është Perëndia ynë. Në ditët e tyre të arsimimit ata kishin jetuar të denjë për atë lulëzim. Ata kishin jetuar me virtyt dhe besim, me vlerësim dhe respekt për veten dhe njëri-tjetrin. Në vitet e përpjekjeve të tyre të vështira profesionale dhe ekonomike, ata e kishin gjetur forcën e tyre më të madhe tokësore në shoqërimin e tyre. Tani në moshë, ata po gjenin paqen e tyre, kënaqësinë e tyre të qetë së bashku. Dhe përtej kësaj, ata ishin të sigurt për përjetësinë e shoqërimit të gëzueshëm sipas besëlidhjeve të bëra kohë më parë dhe premtimeve të dhëna kohë më parë në shtëpinë e Zotit.18

4

Perëndia nuk do ta ndalë ndonjë bekim nga individët e denjë që nuk janë të martuar.

Në njëfarë mënyre ne i kemi vënë një shenjë dalluese një grupi shumë të rëndësishëm në Kishë. Aty thuhet “Beqarët”. Uroj që të mos e bëjmë atë. Ju jeni individë, burra dhe gra, bij dhe bija të Perëndisë, jo një grup njerëzish “që ngjajnë” ose “veprojnë njëlloj”. Për shkak se nuk ka ndodhur që të jeni të martuar, kjo nuk ju bën në thelb të ndryshëm nga të tjerët. Të gjithë ne jemi pak a shumë të njëjtë në pamje dhe përgjigje ndaj emocioneve, në aftësinë tonë për të menduar, për të arsyetuar, për të qenë të trishtuar, për të qenë të lumtur, për të dashur dhe për të na dashur.

Ju jeni po aq të rëndësishëm sa cilido tjetër në skemën e Atit tonë në Qiell dhe, sipas mëshirës së Tij, asnjë bekim për të cilin përndryshe mund të kishit të drejtën për ta marrë, nuk do të mbahet prej jush përgjithmonë.19

Tani më lejoni të them një fjalë për ata të cilët nuk e patën kurrë mundësinë për t’u martuar. Unë ju siguroj ju se ne jemi të ndjeshëm ndaj vetmisë që shumë prej jush ndiejnë. Vetmia është një gjë e hidhur dhe e dhembshme. Mendoj se të gjithë njerëzit e kanë ndier atë në një kohë apo tjetër. Zemrat tona zgjaten drejt jush me mirëkuptim dhe dashuri. …

… Kjo periudhë e jetës suaj mund të jetë e mrekullueshme. Ju keni pjekuri. Ju keni gjykim. Shumë prej jush kanë përgatitje dhe përvojë. Ju keni forcën fizike, mendore dhe shpirtërore për të ngritur, ndihmuar dhe nxitur.

Ka shumë njerëz atje jashtë që kanë nevojë për ju. … Mbajini bateritë tuaja shpirtërore me ngarkesë të plotë dhe ndriçojini llambat e të tjerëve.20

Juve që nuk jeni të martuar, … Perëndia ju ka dhënë talente të një lloji apo tjetri. Ai ju ka dhënë juve aftësinë për t’u shërbyer nevojave të të tjerëve dhe për ta bekuar jetën e tyre me mirësinë dhe interesimin tuaj. Shkoni te dikush në nevojë. …

Shtojini njohuri njohurisë. Përpunojini mendjen dhe aftësitë tuaja në një fushë të zgjedhur të disiplinës. Ka mundësi të jashtëzakonshme për ju nëse jeni të përgatitur për të përfituar prej tyre. … Mos mendoni se, ngaqë jeni beqarë, Perëndia ju ka braktisur. Bota ka nevojë për ju. Kisha ka nevojë për ju. Kaq shumë njerëz dhe kauza kanë nevojë për forcën, urtësinë dhe talentet tuaja.

Jini plot lutje dhe mos e humbni shpresën. … Jetoni jetën më të mirë që jeni në gjendje të jetoni, dhe Zoti me urtësinë e tij më të madhe dhe në periudhën e tij të përjetshme do t’u japë juve përgjigje për lutjet tuaja.21

Juve që jeni të shkurorëzuar, ju lutem dijeni se ne nuk ju shohim juve si dështakë, për shkak të prishjes së martesës. … I yni është detyrimi për të mos dënuar, por për të falur dhe për të harruar, për të ngritur dhe për të ndihmuar. Në orët tuaja të rrënimit kthehuni nga Zoti, i cili tha: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. … Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.” (Mateu 11:28, 30.)

Zoti nuk do t’ju mohojë, as nuk do t’ju largojë. Përgjigjet ndaj lutjeve tuaja mund të mos jenë dramatike; ato mund të mos kuptohen lehtë ose madje të vlerësohen. Por do të vijë koha kur ju do ta dini se jeni bekuar.22

5

Lumturia në martesë vjen nga të treguarit e një interesimi të dashur për mirëqenien e shokut apo shoqes.

Ushqejeni dhe kultivojeni martesën tuaj. Ruajeni atë dhe punoni për ta mbajtur të fortë dhe të bukur. … Martesa është një kontratë, ajo është një marrëveshje, është një bashkim midis një burri dhe një gruaje sipas planit të të Plotfuqishmit. Mund të jetë e brishtë. Ajo kërkon ushqim dhe shumë përpjekje.23

Pas marrjes me qindra situata shkurorëzimi nëpër vite, jam i sigurt që zbatimi i një praktike të vetme do të bënte më shumë se gjithçka tjetër për ta zgjidhur këtë problem të rëndë.

Nëse çdo bashkëshort dhe bashkëshorte do të bënte çfarëdo [gjëje] që mund të ishte e mundur për të siguruar ngushëllim dhe lumturi për shokun e tij ose të saj, do të kishte shumë pak shkurorëzime, nëse do të kishte. Nuk do të dëgjohej kurrë debat. Nuk do të ngriheshin kurrë akuza. Shpërthimet e zemërimit nuk do të ndodhnin. Përkundrazi, dashuria dhe interesimi do ta zëvendësonin keqtrajtimin dhe keqdashjen. …

Shërimi për pjesën më të madhe të telasheve martesore nuk qëndron te shkurorëzimi. Ai qëndron te pendimi dhe falja, te shprehjet e mirësisë dhe interesimit. Ai duhet të gjendet te zbatimi i Rregullës së Artë.

Ajo është një skenë me bukuri të madhe kur një ri dhe e re bashkojnë duart në altar në një besëlidhje përpara Perëndisë që ata do ta nderojnë dhe duan njëri-tjetrin. Pastaj, sa e zymtë [është] tabloja kur disa muaj më vonë, ose disa vite më vonë, ka vërejtje fyese, fjalë të ulëta dhe therëse, zëra të ngritur, akuza të hidhura.

Kjo nuk ka përse të ndodhë, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura. Ne mund të ngrihemi mbi këto elemente të dobëta dhe të varfra në jetën tonë (shih Galatasve 4:9). Ne mund ta kërkojmë dhe ta njohim natyrën hyjnore te njëri-tjetri, e cila na vjen si fëmijë të Atit tonë në Qiell. Ne mund të jetojmë së bashku sipas modelit të dhënë nga Perëndia për martesën, për të përmbushur atë për të cilën jemi të aftë, nëse do të ushtrojmë disiplinë të vetes dhe të përmbahemi për të mos u përpjekur ta disiplinojmë shokun ose shoqen tonë.24

Pamja
grua dhe burrë

“Ushqejeni dhe kultivojeni martesën tuaj. Ruajeni atë dhe punoni për ta mbajtur të fortë dhe të bukur.”

Çdo martesë i nënshtrohet herë pas here motit të stuhishëm. Por me durim, respekt të ndërsjellë dhe një shpirt vetëpërmbajtjeje, ne mund t’i kalojmë këto stuhi. Atje ku janë bërë gabime, mund të ketë kërkesë për ndjesë, pendim dhe falje. Por duhet të ketë gatishmëri për ta bërë këtë nga ana e të dyja palëve. …

Kam mësuar se thelbi i vërtetë i lumturisë në martesë qëndron … te shqetësimi i madh për ngushëllimin dhe mirëqenien e shoqes apo shokut. Të menduarit vetëm për veten dhe për plotësimin e dëshirave vetjake nuk do të ndërtojë as mirëbesim, as dashuri, as lumturi. Vetëm kur ka bujari dashuria, me cilësitë e saj shoqëruese, do të lulëzojë dhe zhvillohet.25

Shumë prej nesh duhet të reshtin së kërkuari fajet dhe të fillojnë të kërkojnë virtytet. … Për fat të keq, disa gra dëshirojnë t’i rimodelojnë bashkëshortët e tyre sipas vetë skicës të tyre. Disa bashkëshortë e konsiderojnë si të drejtën e tyre të posaçme që t’i detyrojnë bashkëshortet t’u përshtaten standardeve të tyre për atë që ata mendojnë se është idealja. Kjo nuk funksionon kurrë. Ajo çon vetëm në grindje, keqkuptim dhe hidhërim.

Duhet të ketë respekt për interesat e njëri-tjetrit. Duhet të ketë mundësi dhe nxitje për zhvillimin dhe shprehjen e talentit vetjak.26

Jini absolutisht të vërtetë dhe besnikë ndaj shokut tuaj apo shoqes tuaj të zgjedhur. Për sa i përket kohës dhe përjetësisë, ajo ose ai do të jetë pasuria më e madhe që do të keni ndonjëherë. Ajo ose ai do të meritojë më të mirën që është brenda jush.27

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Hinkli dha mësim se Ati Qiellor e krijoi martesën midis një burri dhe një gruaje “për lumturinë dhe sigurinë e fëmijëve të Tij” (pjesa 1). Si mund të ndikojë kjo njohuri në marrëdhënien midis një burri dhe gruaje? Si munden një bashkëshort dhe bashkëshorte ta mbajnë martesën e tyre “[të] dëlirë dhe [të] panjollë mbi ligësinë e botës”?

  • Cilat janë bekimet e një martese të përjetshme në këtë jetë dhe në përjetësinë? (Shih pjesën 2.) Cilat përvoja ju kanë dhënë vlerësim më të madh për marrëdhëniet e përjetshme? Si mund t’ua mësojmë fëmijëve rëndësinë e martesës së përjetshme?

  • Përse martesa duhet të jetë “një bashkëpjesëmarrje mes të barabartësh”? (Shih pjesën 3.) Çfarë mësoni nga historia në pjesën 3? Si munden një bashkëshort dhe bashkëshorte ta kultivojnë këtë lloj force në martesën e tyre?

  • Si mund t’i ndihmojnë individët që nuk janë të martuar, premtimet dhe këshilla e Presidentit Hinkli në pjesën 4? Si gjejnë zbatim tek të gjithë njerëzit mësimet në këtë pjesë? Përse është kaq e rëndësishme t’i përdorim talentet dhe aftësitë tona për t’u shërbyer të tjerëve?

  • Cilat janë disa mënyra se si një bashkëshort dhe bashkëshorte mund ta “ushqej[në] dhe kultivoj[në]” martesën e tyre? (Shih pjesën 5.) Çfarë keni mësuar rreth mënyrës se si një bashkëshort dhe bashkëshorte mund t’i mposhtin sfidat dhe të gjejnë lumturi më të madhe së bashku? Çfarë shembujsh keni parë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

1 Korintasve 11:11; Mateu 19:3–6; DeB 42:22; 132:18–19; Moisiu 2:27–28; 3:18, 21–24

Ndihmë për Studimin

“Kur i përkushtoni kohë çdo ditë, për veten tuaj dhe me familjen tuaj, studimit të fjalës së Perëndisë, paqja do të mbizotërojë në jetën tuaj. Ajo paqe nuk do të vijë nga bota e jashtme. Do të vijë nga brenda shtëpisë suaj, nga brenda familjes suaj, nga brenda vetë zemrës suaj” (Riçard G. Skot, “Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 93).

Shënime

  1. Në “The Women in Our Lives”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 85.

  2. Në “At Home with the Hinckleys”, Ensign, tetor 2003, f. 22.

  3. Në Jeffrey R. Holland, “President Gordon B. Hinckley: Stalwart and Brave He Stands”, Ensign, qershor 1995, f. 10–11.

  4. Glimpses into the Life and Heart of Marjorie Pay Hinckley, red. Virginia H. Pearce (1999), f. x.

  5. Glimpses, f. 184.

  6. Ditari i Gordon B. Hinklit, 29 prill 1977.

  7. Në Gerry Avant, “A Tender Farewell to an Elect Lady”, Church News, 17 prill 2004, f. 4.

  8. “The Women in Our Lives”, f. 82.

  9. Në Marjorie Pay Hinckley, Letters (2004), f. 264; shih edhe R. Scott Lloyd, “Apostle’s Work Continues beyond Veil”, Church News, 31 korrik 2004, f. 3.

  10. “What God Hath Joined Together”, Ensign, maj 1991, f. 71.

  11. “The Things of Which I Know”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 85.

  12. “Why These Temples?” Ensign, tetor 2010, f. 24; shih edhe Ensign, gusht 1974, f. 39–40.

  13. “The Marriage That Endures”, Ensign, korrik 2003, f. 6–7; shih edhe Ensign, maj 1974, f. 24.

  14. “The Women in Our Lives”, f. 84.

  15. “Personal Worthiness to Exercise the Priesthood”, Ensign, maj 2002, f. 54.

  16. “I Believe”, Ensign, gusht 1992, f. 6.

  17. “What God Hath Joined Together”, f. 74.

  18. “And the Greatest of These Is Love” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 14 shkurt 1978), f. 2–3, speeches.byu.edu.

  19. “To Single Adults”, Ensign, qershor 1989, f. 72.

  20. “To Single Adults”, f. 72–73.

  21. “Live Up to Your Inheritance”, Ensign, nëntor 1983, f. 82–83.

  22. “To Single Adults”, f. 74.

  23. “Walking in the Light of the Lord”, Ensign, nëntor 1998, f. 99.

  24. “The Women in Our Lives”, f. 84.

  25. “I Believe”, f. 5–6.

  26. Cornerstones of a Happy Home (broshurë, 1984), f. 5–6.

  27. “Thou Shalt Not Covet”, Ensign, mars 1990, f. 6.