Mësime të Presidentëve
Kapitulli 16: Fuqia e Librit të Mormonit


Kapitulli 16

Fuqia e Librit të Mormonit

“Për një botë që po lëkundet në besimin e saj, Libri i Mormonit është [një] dëshmi e fuqishme e hyjnueshmërisë së Zotit.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Kur Gordon B. Hinkli ishte i ri, ai krijoi një model për studimin e shkrimeve të shenjta. “Kur isha misionar, çdo natë përpara se të shkoja në shtrat, lexoja disa kapituj nga Libri i Mormonit”, tha ai, “dhe më hyri në zemër një bindje që nuk është larguar kurrë prej meje: se kjo është fjala e Perëndisë, e rivendosur në tokë me anë të fuqisë së të Plotfuqishmit, e përkthyer me anë të dhuratës e fuqisë së Perëndisë për t’i bindur judenjtë dhe johebrenjtë se Jezusi është Krishti.”1

Njohuria dhe dëshmia e tij për Librin e Mormonit ndikuan te shumë njerëz pas misionit të tij, kur ai punonte si nëpunës për Komitetin e Kishës për Radion, Botimet dhe Literaturën e Misioneve. Ai mori detyrën që të shkruante skenarë për një serial radiofonik me titull A New Witness for Christ [Një Dëshmi e Re për Krishtin]. Seritë sollën në jetë fragmente të Librit të Mormonit për dëgjuesit e radios. Në atë kohë, ai i komentoi një kolegu: “Gjithmonë kam menduar se ne do të bëjmë punën tonë më të mirë kur t’i bëjmë njerëzit të interesohen për Librin e Mormonit sa të arrijnë në pikën që ta lexojnë atë. Është atëherë që Shpirti mund të dëshmojë për hyjnueshmërinë e tij.”2

Gjatë gjithë shërbesës së tij, Presidenti Hinkli theksoi rëndësinë e Librit të Mormonit. Në gusht 2005, si President i Kishës, ai i sfidoi shenjtorët e ditëve të mëvonshme që ta lexonin të gjithë librin përpara fundit të vitit. Më vonë ai njoftoi: “Është e mahnitshme [të shikosh] se sa shumë njerëz e përmbushën atë sfidë. Kushdo që e bëri këtë, u bekua për përpjekjet e tij apo të saj. Teksa u zhytën në këtë dëshmi të shtuar të Shëlbuesit tonë, zemra e tyre u gjallërua dhe shpirti i tyre u prek.”3

Pamja
një burrë duke lexuar librin

“Prova për vërtetësinë dhe vlefshmërinë e [Librit të Mormonit] qëndron brenda kapakëve të vetë librit. Të provuarit e së vërtetës së tij qëndron në leximin e tij.”

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Krah për krah me Biblën, Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin.

U tha nga të lashtët, u tha nga Shpëtimtari, se në gojën e dy ose më shumë dëshmitarëve do të vërtetohen të gjitha gjërat.4

Ashtu si Bibla është dhiata e Botës së Vjetër, Libri i Mormonit është dhiata e së Resë. Ato shkojnë krah për krah në shpalljen e Jezusit si Bir i Atit.5

Libri i Mormonit … dëshmon për Atë që u lind në Bethlehem të Judesë dhe vdiq në kodrën e Kalvarit. Për një botë që po lëkundet në besimin e saj, Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër dhe e fuqishme e hyjnueshmërisë së Zotit. Vetë parathënia e tij, e shkruar nga një profet që jetoi në kontinentin amerikan një mijëvjeçar e gjysmë më parë, thotë qartë se ai u shkrua “për bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve”6.

Nuk ka asgjë tjetër më të rëndësishme që ne mund të bëjmë, sesa të forcojmë në jetën tonë vetjake një bindje të palëkundur se Jezusi është Krishti. … Dhe, vëllezërit e motrat e mia, ky është qëllimi i ardhjes së këtij libri të mahnitshëm dhe të mrekullueshëm.7

2

Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ne mund të marrim një dëshmi të origjinës hyjnore të Librit të Mormonit.

Unë e kam lexuar Librin e Mormonit, të cilin [Jozef Smithi] e përktheu me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, unë kam marrë një dëshmi dhe një dëshmim të origjinës hyjnore të këtij anali të shenjtë.8

Origjina e tij është e mbinatyrshme; kur historia e asaj origjine i tregohet më së pari një njeriu që nuk e njeh atë, ajo është pothuaj e pabesueshme. Por libri është këtu për t’u ndier dhe për t’u marrë në dorë, dhe për t’u lexuar. Askush nuk mund ta vërë në dyshim praninë e tij. Të gjitha përpjekjet për ta shpjeguar origjinën e tij, përveç shpjegimit të dhënë nga Jozef Smithi, kanë treguar se u mungon thelbi.9

Prova për vërtetësinë e tij, për vlefshmërinë e tij në një botë që priret të kërkojë prova, nuk qëndron në arkeologji ose antropologji, megjithëse këto mund të jenë të dobishme për disa njerëz. Nuk qëndron në studimin e fjalëve ose analizave historike, megjithëse këto mund të shërbejnë si vërtetuese. Prova për vërtetësinë dhe vlefshmërinë e tij qëndron brenda kapakëve të vetë librit. Të provuarit e së vërtetës së tij qëndron në leximin e tij. Ai është një libër i Perëndisë. Njerëzit e arsyeshëm mund ta vënë sinqerisht në dyshim origjinën e tij; por ata që e kanë lexuar me lutje, kanë arritur të dinë, nëpërmjet një fuqie përtej shqisave të tyre të natyrshme, se ai është i vërtetë, se ai përmban fjalën e Perëndisë, se ai përvijon të vërtetat shpëtuese të ungjillit të përjetshëm, se ai “[erdhi] në dritë nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë … për bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti”.10

[Moroni] e shkroi dëshminë e tij të fundit në librin që mban emrin e tij dhe i cili përmbyll analin nefit. Ai shkroi si një njeri me një njohuri të sigurt se anali i tij përfundimisht do të dilte në dritë. …

Në kapitullin e fundit të vetë veprës së tij, ai dha dëshmi për analin e popullit të tij dhe premtoi në mënyrë të qartë se ata që do ta lexonin atë, do të mund të dinin nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë për vërtetësinë e tij [shih Moroni 10:3–5].

Asnjë libër tjetër nuk përmban një premtim të tillë. Edhe sikur Moroni të mos kishte shkruar asgjë tjetër, ky premtim në dëshminë e tij përmbyllëse, do ta shenjonte atë përgjithmonë si një dëshmitar gojëtar të së vërtetës së përjetshme. Sepse, tha ai, “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5).11

3

Një dëshmi e Librit të Mormonit çon në bindje për të vërtetat e tjera.

Sa herë që i nxitim të tjerët ta lexojnë Librin e Mormonit, ne u bëjmë atyre një nder. Nëse do ta lexojnë me lutje dhe me një dëshirë të sinqertë për të ditur të vërtetën, ata do ta dinë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se libri është i vërtetë.

Nga ajo njohuri do të rrjedhë bindja për të vërtetën e shumë gjërave të tjera. Sepse, nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, atëherë Perëndia jeton. Dëshmi pas dëshmie rrjedh nëpër faqet e tij fakti solemn se Ati ynë është i vërtetë, se ai është personal, se ai i do fëmijët e tij dhe kërkon lumturinë e tyre.

Nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, atëherë Jezusi është Biri i Perëndisë, i Vetëmlinduri i Atit në mish, i lindur nga Maria, “një virgjëreshë, më e bukura … mbi të gjitha virgjëreshat e tjera” (shih 1 Nefi 11:13–21), sepse kështu dëshmon libri me një përshkrim të pakrahasueshëm në gjithë literaturën.

Nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, atëherë Jezusi është vërtet Shëlbuesi ynë, Shpëtimtari i botës. …

Nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, Jozef Smithi ishte një Profet i Perëndisë, pasi ai ishte mjeti në duart e Perëndisë për nxjerrjen në dritë të kësaj dëshmie për hyjnueshmërinë e Zotit tonë.

Nëse ky libër është i vërtetë, [Presidenti i Kishës] është një profet, sepse ai mban të gjithë çelësat, dhuratat, fuqitë dhe autoritetin e mbajtur nga Profeti Jozef Smith, i cili themeloi këtë punë të ditëve të mëvonshme.

Nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, Kisha është e vërtetë, pasi i njëjti autoritet, nga i cili doli në dritë ky anal i shenjtë, është i pranishëm dhe shpaloset mes nesh sot. Është një rivendosje e Kishës së ngritur nga Shpëtimtari në Palestinë. Është një rivendosje e Kishës së ngritur nga Shpëtimtari kur Ai e vizitoi kontinentin [amerikan] ashtu siç përshkruhet në këtë anal të shenjtë.

Nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, Bibla është e vërtetë. Bibla është Dhiata e Botës së Vjetër; Libri i Mormonit është Dhiata e së Resë. Njëri është anali i Judës; tjetri është anali i Jozefit dhe ata kanë ardhur së bashku në dorën e Zotit në përmbushje të profecisë së Ezekielit. (Shih Ezekieli 37:19.) Së bashku ata dëshmojnë për Mbretërimin e Shëlbuesit të botës dhe vërtetësinë e mbretërisë së tij.12

4

Libri i Mormonit jep mësime që mund të na ndihmojnë të gjejmë zgjidhje për problemet e shoqërisë së sotme.

Tregimi i [Librit të Mormonit] është një kronikë e kombeve që janë zhdukur me kohë. Por në përshkrimin e tij të problemeve të shoqërisë së sotme, ai është po aq aktual sa edhe gazeta e mëngjesit dhe shumë më tepër përcaktues, i frymëzuar dhe frymëzues lidhur me zgjidhjet e atyre problemeve.13

I hap faqet e tij e lexoj, dhe ka një gjuhë si të bukur, ashtu edhe frymëzuese. Anali i lashtë, nga i cili u përkthye, erdhi nga toka si një zë që flet nga pluhuri. Erdhi si dëshmia e brezave të burrave e grave që e jetuan jetën e tyre mbi tokë, që u ndeshën me fatkeqësi, që u grindën e luftuan, që herë pas here e jetuan ligjin hyjnor dhe përparuan dhe që herë të tjera e braktisën Perëndinë e tyre dhe shkuan drejt shkatërrimit.14

Unë nuk njoh ndonjë shkrim tjetër që i shpreh me kaq qartësi pasojat tragjike për shoqëritë, të cilat ndjekin drejtime që janë në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë. Faqet e tij gjurmojnë historitë e dy qytetërimeve të veçanta që lulëzuan në hemisferën perëndimore. Secili prej tyre filloi si një komb i vogël, njerëzit e të cilit ecën në druajtjen e Zotit. Secili përparoi por, bashkë me përparimin, erdhën edhe të ligat në rritje. Njerëzit iu dorëzuan dredhive të udhëheqësve ambiciozë dhe intrigantë, që i shtypnin me taksa të rënda, që i nanurisnin me premtime boshe, që mbështetnin dhe madje nxitnin një jetesë të shthurur dhe epshndjellëse, që i çonin drejt luftërave të tmerrshme, të cilat rezultuan në vdekjen e miliona njerëzve dhe shuarjen përfundimtare të dy qytetërimeve të mëdha në dy epoka të ndryshme.

Nuk ka asnjë dëshmi tjetër të shkruar që të ilustrojë kaq qartë faktin se, kur njerëzit dhe kombet ecin në druajtjen e Perëndisë dhe në bindje ndaj urdhërimeve të tij, ata përparojnë dhe zhvillohen, por, kur ata e shpërfillin atë dhe fjalën e tij, vjen një kalbje e cila, po të mos ndalet nga drejtësia, çon në pafuqi dhe vdekje. Libri i Mormonit është një vërtetim i fjalës së urtë në Dhiatën e Vjetër: “Drejtësia e larton një komb, por mëkati është turpi i popujve”. (Fjalët e Urta 14:34.)15

5

Libri i Mormonit ka fuqinë për ta ndryshuar jetën dhe këndvështrimin tonë.

Në gusht 1830, si një predikues pa organizim fetar, Parli Parker Prati po udhëtonte nga Ohajoja për në Nju-Jorkun lindor. Në Njuark, përgjatë Kanalit Erie, ai u largua nga barka dhe eci 16 kilometra drejt fshatit, ku ai takoi një dhjak baptist me emrin Hamlin, i cili i tregoi “për një libër, një LIBËR TË ÇUDITSHËM, një LIBËR SHUMË TË ÇUDITSHËM! … Ky libër, tha ai, pretendon se ka qenë shkruar fillimisht në fletë prej ari ose tunxhi, nga një degë e fiseve të Izraelit; dhe se janë zbuluar e përkthyer nga një i ri pranë Palmirës, në shtetin e Nju-Jorkut, me ndihmën e vegimeve apo të shërbesës së engjëjve. E pyeta atë se si ose ku mund të merrej libri. Ai më premtoi se mund ta shihja në shtëpinë e tij të nesërmen. … Mëngjesin vijues shkova në shtëpinë e tij, ku, për herë të parë, sytë e mi panë ‘LIBRIN E MORMONIT’ – atë libër të librave … i cili ishte mjeti kryesor, në duart e Perëndisë, për drejtimin e gjithë rrjedhës së jetës sime të ardhshme.”

Pamja
Parli P. Prat duke lexuar

Libri i Mormonit pati një ndikim të thellë te Parli P. Prati, i cili më vonë u bë një Apostull.

“E hapa me padurim dhe lexova faqen e titullit të tij. Pastaj lexova dëshminë e disa dëshmitarëve lidhur me mënyrën se si u gjet dhe u përkthye ai. Pas kësaj fillova me përmbajtjen e tij me radhë. Lexova gjithë ditën; të haja ishte një barrë, nuk kisha dëshirë për ushqim; kur erdhi nata, gjumi ishte një barrë, sepse parapëlqeva të lexoja në vend që të flija.

Ndërsa lexoja, shpirti i Zotit ishte mbi mua dhe e dija dhe e kuptova se libri ishte i vërtetë, po aq qartë dhe haptazi sa një njeri kupton dhe e di se ai ekziston.” (Autobiography of Parley P. Pratt, bot. i 3-të, Salt Lake City: Deseret Book Co., 1938, f. 36–37.)

Në atë kohë Parli Prati ishte njëzet e tre vjeç. Leximi i Librit të Mormonit ndikoi kaq thellësisht tek ai saqë ai u pagëzua shpejt në Kishë dhe u bë një prej mbrojtësve më të efektshëm e të fuqishëm të saj. …

Përvoja e Parli Pratit me Librin e Mormonit nuk ishte e vetme. Ndërkohë që vëllimet e botimit të parë qarkullonin dhe lexoheshin, qindra burra e gra të forta u prekën kaq shumë saqë hoqën dorë nga gjithçka që zotëronin, dhe, në vitet që pasuan, jo pak veta dhanë jetën e tyre për dëshminë që kishin në zemrën e tyre për të vërtetën e këtij vëllimi të mrekullueshëm.

Sot … ai lexohet më gjerësisht sesa në çfarëdo kohe tjetër në historinë e tij. … Thirrja e tij është po aq e përjetshme sa e vërteta, po aq e përbotshme sa dhe njerëzimi.16

[Libri i Mormonit] ka prekur për mirë jetën e miliona njerëzve, të cilët e kanë lexuar atë plot lutje dhe kanë përsiatur mbi gjuhën e tij. Më lejoni t’ju tregoj për një njeri të tillë. …

Ai ishte një sipërmarrës, i suksesshëm në ndërmarrjet e tij. Gjatë udhëtimeve të tij, ai takoi dy nga misionarët tanë. Ata u përpoqën që të caktonin një takim për t’i dhënë mësim. Ai i largonte, por më në fund ra dakord që t’i dëgjonte. E pranoi disi pa u interesuar atë çka ata kishin për të thënë. Atij iu mbush mendja se ata thoshin të vërtetën, por nuk u prek në zemrën e tij.

Vendosi që do ta lexonte Librin e Mormonit. Ai tha se kishte qenë një njeri i shëtitur, që nuk kishte qarë kurrë. Por, ndërsa lexonte librin, i rrodhën lot në faqe. Libri i shkaktoi diçka. Ai e lexoi sërish dhe ndjeu të njëjtat emocione. Çka kishte qenë kthim në besim i mendjes, u bë kthim në besim i zemrës.

Mënyra e tij e jetesës u tjetërsua, këndvështrimi i tij ndryshoi. Ai e zhyti veten e tij në punën e Zotit. Sot, ai përmbush një thirrje të lartë dhe të shenjtë në kauzën që ai ka arritur ta dojë.17

Më lejoni t’ju tregoj një histori [tjetër] rreth Librit të Mormonit. E dëgjova një njeri që ishte bankier në Kaliforni, ta tregonte këtë histori. Ai tha se sekretarja e tij pinte duhan, pinte vazhdimisht duhan. Ishte e varur prej duhanit. Thoshte se nuk mund ta linte atë. Një ditë ajo i tha atij: “Si mund ta lë duhanin?”

Ai u ul në tryezën e tij dhe nxori një kopje të Librit të Mormonit, dhe ia dha asaj. Ai i tha: “Tani, lexoje këtë”.

Ajo tha: “Dakord, do ta lexoj”.

Ajo u kthye disa ditë më vonë dhe tha: “Kam lexuar 200 faqe dhe nuk i pashë askund fjalët pirja e duhanit. Nuk e pashë askund fjalën duhan. Nuk pashë asgjë që i referohej kësaj.”

Ai tha: “Vazhdo të lexosh”.

Kështu ajo u kthye nja dy ditë të tjera më vonë dhe tha: “Kam lexuar 200 faqe të tjera – nuk përmendet pirja e duhanit, nuk përmendet nikotina, nuk përmendet ndonjë gjë që lidhet me duhanin”.

Ai tha: “Vazhdo të lexosh”.

Ajo u kthye tre ose katër ditë më vonë. Ajo tha: “E lexova të gjithë librin. Nuk e pashë askund [fjalën] duhan; nuk i pashë askund [fjalët] pirja e duhanit. Por”, tha ajo, “si rrjedhojë e leximit të librit, në zemrën time ka hyrë një lloj ndikimi, një lloj fuqie, që e ka larguar prej meje dëshirën për të pirë duhan dhe kjo është e mrekullueshme.”18

Më lejoni t’ju tregoj për një letër që ne morëm. … Një burrë shkroi, duke thënë: “Jam në një burg federal. Kohët e fundit gjeta një kopje të Librit të Mormonit në bibliotekën e burgut. E kam lexuar atë dhe, kur lexova vajtimin e Mormonit për rënien e popullit të tij – ‘O, ju krijesa të këndshme, si mundët të largoheshit nga udhët e Zotit! O ju të këndshëm, si mundët të hidhni poshtë atë Jezus që qëndroi krahëhapur për t’ju pranuar ju? Vini re, po të mos e kishit bërë këtë gjë, ju nuk do të kishit rënë’ (Mormoni 6:17–18) – ndjeva se Mormoni po më fliste mua. A mund të marr një kopje të atij libri?”

Ne i dërguam një kopje. Disa kohë më vonë, ai hyri në zyrën time si një njeri i ndryshuar. Ai u prek nga shpirti i Librit të Mormonit dhe sot është një njeri i suksesshëm, i riaftësuar, që e nxjerr jetesën me ndershmëri për veten dhe familjen e tij.

E tillë është fuqia e këtij libri të mrekullueshëm në jetën e atyre që e lexojnë atë me lutje.

Vëllezër e motra, unë ju premtoj pa asnjë rezervë se, nëse ju do ta lexoni me lutje Librin e Mormonit, pavarësisht se sa herë e keni lexuar atë më parë, në zemrat tuaja do të vijë një masë e shtuar e Shpirtit të Zotit. Do të vijë një vendosmëri e përforcuar për të ecur në bindje ndaj urdhërimeve të tij dhe do të vijë një dëshmi më e fortë për realitetin e gjallë të Birit të Perëndisë.19

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përse na nevojitet Libri i Mormonit? Cilat janë disa fragmente në Librin e Mormonit që e kanë forcuar dëshminë tuaj për Jezu Krishtin? Çfarë shembujsh keni parë të asaj se si Libri i Mormonit dhe Bibla shkojnë “krah për krah” për të dëshmuar për Shpëtimtarin? (Shih pjesën 1.)

  • Si mendoni ju, përse premtimi te Moroni 10:3–5 është më i rëndësishëm sesa një provë fizike e Librit të Mormonit? (Shih pjesën 2.) Çfarë përvojash keni pasur me këtë premtim?

  • Ndërsa e rishikoni pjesën 3, vini re të vërtetat që mund të dimë kur kemi një dëshmi të Librit të Mormonit. Si dëshmon Libri i Mormonit për këto të vërteta?

  • Mendoni për disa nga “problemet e shoqërisë së sotme” (pjesa 4). Në ç’mënyra mund të na ndihmojë Libri i Mormonit që të gjejmë zgjidhje për këto probleme? Cilat janë disa fragmente në Librin e Mormonit që ju kanë ndihmuar në rastet e sfidave vetjake?

  • Përsiatni historitë në pjesën 5. Nëse dikush do t’ju pyeste rreth Librit të Mormonit, çfarë do të mund të thoshit rreth mënyrës se si ka ndikuar në jetën tuaj?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Isaia 29:9–18; 1 Nefi 13:35–41; 2 Nefi 29:6–9; Moroni 10:27–29; DeB 20:8–12; 42:12–13

Ndihmë për Studimin

“Jam mirënjohës për theksimin e leximit të shkrimeve të shenjta. Shpresoj që për ju kjo do të bëhet diçka shumë më e këndshme se një detyrë; që, përkundrazi, do t’ju ndihmojë të krijoni një dashuri të thellë për fjalën e Perëndisë. Ju premtoj se, ndërsa lexoni, mendja juaj do të ndriçohet dhe shpirti juaj do të lartësohet. Në fillim, ai mund të duket i mërzitshëm, por do të shndërrohet në një përvojë të mrekullueshme me mendime dhe fjalë të gjërave hyjnore” (Gordon B. Hinckley, “The Light within You”, Ensign, maj 1995, f. 99).

Shënime

  1. “Gifts to Bring Home from the Mission Field”, New Era, mars 2007, f. 2.

  2. Në Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 100.

  3. “Let Virtue Garnish Thy Thoughts Unceasingly”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 116.

  4. “Inspirational Thoughts”, Ensign, korrik 1998, f. 2.

  5. “The Great Things Which God Has Revealed”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 82.

  6. “The Symbol of Our Faith”, Ensign, prill 2005, f. 4; duke cituar faqen e titullit të Librit të Mormonit.

  7. “Excerpts from Recent Addresses of President Gordon B. Hinckley”, Ensign, korrik 1997, f. 72.

  8. “Believe His Prophets”, Ensign, maj 1992, f. 51.

  9. “An Angel from on High, the Long, Long Silence Broke”, Ensign, nëntor 1979, f. 7.

  10. “Four Cornerstones of Faith”, Ensign, shkurt 2004, f. 6; duke cituar faqen e titullit të Librit të Mormonit.

  11. Heroes from the Book of Mormon (1995), f. 198.

  12. “The Power of the Book of Mormon”, Ensign, qershor 1988, f. 6.

  13. “The Power of the Book of Mormon”, f. 4.

  14. “Four Cornerstones of Faith”, f. 5.

  15. “The Power of the Book of Mormon”, f. 5.

  16. “The Power of the Book of Mormon”, f. 2, 4.

  17. Mormon Should Mean ‘More Good’”, Ensign, nëntor 1990, f. 52.

  18. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 2: 2000–2004 (2005), f. 402–403.

  19. “The Power of the Book of Mormon”, f. 6.