Mësime të Presidentëve
Kapitulli 9: Dhurata e Çmuar e Dëshmisë


Kapitulli 9

Dhurata e Çmuar e Dëshmisë

“Ne flasim gjuhë të ndryshme. Ne jetojmë në një larmi rrethanash. Por në zemrën e secilit prej nesh rreh një dëshmi e përbashkët.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

“Shembulli më i hershëm për të cilin kam kujtime për ndjenjat shpirtërore”, tha Presidenti Gordon B. Hinkli, “ishte kur isha rreth pesë vjeç, një djalë shumë i vogël. Po qaja nga dhembja e veshit. … Mamaja ime përgatiti një qese me kripë kuzhine dhe e vendosi në stufë për t’u ngrohur. Babai im vendosi butësisht duart e tij mbi kokën time dhe më dha një bekim, duke e qortuar dhembjen dhe sëmundjen me anë të autoritetit të priftërisë së shenjtë dhe në emrin e Jezu Krishtit. Më pas më mori butësisht në krahët e tij dhe e vendosi qesen me kripë të ngrohtë në veshin tim. Dhembja u ul dhe u largua. Rashë në gjumë në përqafimin e sigurt të babait tim. Teksa po bija në gjumë, fjalët e administrimit prej tij rrodhën në mendjen time. Ky është kujtimi më i hershëm që kam për ushtrimin e autoritetit të priftërisë në emrin e Zotit.

Më vonë gjatë rinisë time, vëllai im dhe unë flinim në një dhomë gjumi pa ngrohje në dimër. … Përpara se të binim në një shtrat të ngrohtë, ne gjunjëzoheshim për të thënë lutjet tona. Kishte shprehje të mirënjohjes së thjeshtë. … Më kujtohet që u hodha në shtratin tim pasi kisha thënë amen, i tërhoqa jorganët lart rreth qafës sime dhe po mendoja për atë që sapo kisha bërë duke folur me Atin tim në Qiell në emrin e Birit të Tij. Nuk kisha njohuri të mëdha për ungjillin. Por kishte një lloj paqeje dhe sigurie të qëndrueshme gjatë komunikimit me qiejt në dhe nëpërmjet Zotit Jezus. …

Ajo dëshmi u rrit në zemrën time si një misionar kur lexova Dhiatën e Re dhe Librin e Mormonit, të cilët dhanë dëshmi më tej për Të. Ajo njohuri u bë themeli i jetës sime mbështetur në lutjet [që morën] përgjigje të fëmijërisë sime. Që nga ajo kohë besimi im është rritur shumë më tepër. Jam bërë Apostulli i Tij, i caktuar për të bërë vullnetin e Tij dhe për të dhënë mësim fjalën e Tij. Jam bërë dëshmitar i Tij për botën.”1

Pamja
Zoti Jezu Krisht

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne jemi të bashkuar në dëshminë tonë për Jezu Krishtin.

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Dëshmia është forca e madhe e Kishës dhe burimi i besimit dhe i aktivizimit.

Ne jemi bërë si një familje e madhe e përhapur nëpër këtë botë të madhe. Ne flasim gjuhë të ndryshme. Ne jetojmë në një larmi rrethanash. Por në zemrën e secilit prej nesh rreh një dëshmi e përbashkët: Ju dhe unë e dimë se Perëndia jeton dhe e drejton këtë punë të Tij të shenjtë. Ne e dimë se Jezusi është Shëlbuesi ynë, i cili qëndron në krye të kësaj Kishe, e cila mban emrin e Tij. Ne e dimë se Jozef Smithi ishte një profet dhe ka një profet që qëndron në krye të kësaj periudhe ungjillore të plotësisë së kohëve. Ne e dimë se priftëria u rivendos mbi kokën e tij dhe se ajo zbriti te ne në këtë kohë në një linjë të pandërprerë. Ne e dimë se Libri i Mormonit është një dëshmi e vërtetë e realitetit dhe hyjnueshmërisë së Zotit Jezu Krisht.2

Kjo gjë që ne e quajmë dëshmi, është forca e madhe e Kishës. Ajo është burimi i besimit dhe i aktivizimit. … Ajo është po aq e vërtetë dhe e fuqishme sa cilado forcë tjetër në tokë. Zoti e përshkroi atë kur i foli Nikodemit dhe i tha: “Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma” (Gjoni 3:8). Kjo gjë që ne e quajmë dëshmi, është e vështirë për t’u përkufizuar, por frytet e saj janë qartësisht të dukshme. Është Shpirti i Shenjtë duke dëshmuar nëpërmjet nesh.3

2

Dëshmia është një zë i qetë, nxitës që na mbështet ndërsa ecim me besim dhe na shtyn në veprim.

Dëshmia vetjake është faktori i cili ndryshon mënyrën se si jetojnë njerëzit ndërsa ata vijnë në këtë Kishë. Ky është elementi i cili e shtyn anëtarësinë të braktisë gjithçka në shërbim të Zotit. Ky është zëri i qetë, nxitës që i mbështet pa ndalur ata të cilët ecin me besim deri në ditët e fundit të jetës së tyre.

Ajo është një gjë e mistershme dhe e mrekullueshme, një dhuratë nga Perëndia për njeriun. Ajo nuk e merr parasysh pasurinë ose varfërinë kur një person thirret për të shërbyer. Kjo dëshmi, e cila mbahet në zemrat e njerëzve tanë, jep shtysë drejt një detyre nxitëse. Ajo gjendet tek të rinjtë dhe të moshuarit. Ajo gjendet te studenti i seminarit, te misionari, te peshkopi dhe presidenti i kunjit, te presidenti i misionit, te motra e Shoqatës së Ndihmës, te çdo Autoritet i Përgjithshëm. Ajo dëgjohet nga ata të cilët nuk mbajnë detyrë tjetër përveç asaj të anëtarësisë. Ajo është pikërisht thelbi i kësaj pune. Është ajo që po e çon përpara punën e Zotit anekënd botës. Ajo të shtyn në veprim. Ajo kërkon me ngulm që ne të bëjmë atë çfarë na kërkohet për të bërë. Ajo sjell me vete sigurinë se jeta është plot qëllime, se disa gjëra janë me rëndësi shumë më të madhe se disa të tjera, se ne jemi në një udhëtim të përjetshëm, se ne jemi përgjegjës përpara Perëndisë. …

Është ky element, i dobët dhe disi i mekur në fillim, i cili e çon çdo kërkues në drejtimin e kthimit në besim. Ajo e shtyn çdo të kthyer në besim drejt sigurisë në besim. …

Kudo ku Kisha është organizuar, fuqia e saj ndihet. Ne qëndrojmë në këmbë dhe themi atë që dimë. … Fakti i thjeshtë është se ne vërtet e dimë se Perëndia jeton, se Jezusi është Krishti dhe se kjo është kauza e tyre dhe mbretëria e tyre. Fjalët janë të thjeshta; shprehja [e tyre] vjen nga zemra. Ajo është në veprim kudo ku Kisha organizohet, kudo ku ka misionarë që japin mësim ungjillin, kudo ku ka anëtarë që e përhapin besimin e tyre.

Ajo është diçka që nuk mund të hidhet poshtë. Kundërshtarët mund të citojnë shkrime të shenjta dhe të argumentojnë pafundësisht për doktrinën. Ata mund të jenë të zgjuar dhe bindës. Por, kur një person thotë: “Unë e di”, nuk mund të ketë argument të mëtejshëm. Mund të mos ketë pranim, por kush mund ta hedhë poshtë ose ta mohojë zërin e qetë të shpirtit të brendshëm që flet me bindje vetjake?4

“Dritë në jetën tonë”

[Dejvid Kastanjeda], bashkëshortja e tij, Tomasa, dhe fëmijët e tyre jetuan në një fermë me tokë të thatë, të vogël e të varfër afër Torreonit [në Meksikë]. Ata kishin 30 pula, 2 derra dhe 1 kalë të dobët. Pulat u siguronin disa vezë që t’i mbështetnin dhe mjetet përmes të cilave të fitonin pak më shumë para. Ata jetuan në varfëri. Pastaj misionarët shkuan tek ta. Motra Kastanjeda tha: “Pleqtë e hoqën verbërinë nga sytë tanë dhe i sollën dritë jetës sonë. Ne nuk dinim asgjë për Jezu Krishtin. Ne nuk dinim asgjë për Perëndinë derisa erdhën ata.”

Ajo kishte dy vite shkollë, bashkëshorti i saj asnjë. Pleqtë u dhanë atyre mësimet dhe ata përfundimisht u pagëzuan. … Gradualisht ndërtuan një biznes të suksesshëm në të cilin punuan babai dhe pesë djemtë e tij. Me besim të thjeshtë ata e paguan të dhjetën e tyre. Ata e vendosën mirëbesimin e tyre në Zot. Ata e jetuan ungjillin. Ata shërbyen kudo që u thirrën për të shërbyer. Katër nga djemtë e tyre dhe tre nga vajzat e tyre shkuan në misione. … Ata u përqeshën nga kritikuesit e tyre. Përgjigjja e tyre është një dëshmi për fuqinë e Zotit në jetën e tyre.

Afërsisht 200 prej pjesëtarëve të familjes dhe miqve të tyre u bashkuan me Kishën për shkak të ndikimit të tyre. Mbi 30 djem dhe vajza të familjes dhe miq kanë shërbyer në misione. Ata dhuruan tokën në të cilën tani qëndron një godinë kishtare.

Fëmijët, tani të rritur, dhe prindërit me radhë shkojnë në Meksiko-Siti çdo muaj, për të punuar në tempull atje. Ata qëndrojnë si një dëshmi e gjallë e fuqisë së madhe të kësaj pune të Zotit për të ngritur dhe ndryshuar njerëzit. Ata janë shembulli tipik i mijëra e mijëra njerëzve në të gjithë botën që përjetojnë mrekullinë e mormonizmit si një dëshmi e hyjnueshmërisë së veprës që vjen në jetën e tyre.5

“Është i vërtetë, apo jo? Atëherë, çfarë tjetër ka rëndësi?”

Takova një oficer marine nga një komb i largët, një i ri i mrekullueshëm të cilin e kishin sjellë në Shtetet e Bashkuara për trajnim të përparuar. Disa nga kolegët e tij në Marinën e Shteteve të Bashkuara, sjellja e të cilëve e kishte tërhequr atë, ndanë me të, me kërkesë të tij, bindjet e tyre fetare. Ai nuk ishte i krishterë, por ishte i interesuar. Ata i treguan atij për Shpëtimtarin e botës, Jezu Krishtin, të lindur në Bethlehem, i cili dha jetën e tij për të gjithë njerëzimin. Ata i treguan atij për shfaqjen e Perëndisë, Atit të Amshuar, dhe Zotit të ringjallur ndaj djaloshit Jozef Smith. Ata folën për profetët bashkëkohorë. Ata i mësuan atij ungjillin e Mësuesit. Shpirti e preku zemrën e tij dhe ai u pagëzua.

Mua ma prezantuan atë pikërisht përpara se të kthehej në vendlindjen e tij. Ne folëm për këto gjëra dhe pastaj unë thashë: “Njerëzit e tu nuk janë të krishterë. Çfarë do të ndodhë kur ti të kthehesh në shtëpi i krishterë dhe, më në veçanti, i krishterë mormon?”

Ai u vrenjt në fytyrë dhe u përgjigj: “Familja ime do të zhgënjehet. Ata mund të më dëbojnë dhe të më quajnë të vdekur. Sa për të ardhmen dhe karrierën time, mund të më mbyllen të gjitha dyert.”

E pyeta: “A je i gatshëm të paguash një çmim kaq të madh për ungjillin?”

Sytë e tij të zinj, të lagur nga lotët, shkëlqyen në fytyrën e tij brune e të pashme ndërsa u përgjigj: “Është i vërtetë, apo jo?”

I turpëruar që ia bëra pyetjen, iu përgjigja: “Po, është i vërtetë”.

Të cilës iu përgjigj: “Atëherë, çfarë tjetër ka rëndësi?”

Këto janë pyetjet që do të doja të lija me ju: “Është i vërtetë, apo jo? Atëherë, çfarë tjetër ka rëndësi?”6

Një botëkuptim i ri për jetën

Një herë dëgjova përvojën e një inxhinieri i cili ishte bashkuar me Kishën së fundmi. Misionarët kishin shkuar në shtëpinë e tij dhe bashkëshortja e tij i kishte ftuar brenda. Ajo me padurim i ishte përgjigjur mesazhit të tyre, ndërsa ai u ndje i shtyrë kundër vullnetit të tij. Një mbrëmje ajo tregoi se dëshironte të pagëzohej. Atij i hipi inati. A e dinte ajo se çfarë do të thoshte kjo? Kjo do të thoshte kohë. Kjo do të thoshte të paguaje të dhjetën. Kjo do të thoshte të hiqje dorë nga miqtë e tu. Kjo do të thoshte të mos pije më duhan. Ai veshi pallton dhe doli nëpër natë, duke përplasur derën pas vetes. Ai eci nëpër rrugë, duke sharë bashkëshorten e vet, duke sharë misionarët, duke sharë veten që u dha leje atyre t’u jepnin mësime. Ndërsa u lodh, i ra inati dhe shpirti i lutjes erdhi disi në zemrën e tij. Ai u lut teksa ecte. Ai iu lut Perëndisë për një përgjigje për pyetjet e tij. Dhe pastaj një mbresë, e qartë dhe e pakundërshtueshme, erdhi thuajse sikur një zë t’i kishte thënë fjalët: “Është i vërtetë”.

“Është i vërtetë”, i tha ai vetes sërish e sërish. “Është i vërtetë.” Paqja erdhi në zemrën e tij. Ndërsa eci drejt shtëpisë, kufizimet, kërkesat, kriteret për të cilat ai kishte qenë kaq i zemëruar, filluan të shfaqeshin si mundësi. Kur e hapi derën, ai e gjeti gruan e vet në gjunjë duke u lutur.

… Përpara bashkësisë së cilës ia tregoi këtë, ai foli për gëzimin që kishte ardhur në jetën e tyre. E dhjeta nuk ishte një problem. Ndarja e asaj çfarë kishin me Perëndinë, i cili u kishte dhënë atyre gjithçka, dukej gjë e vogël. Koha për shërbim nuk ishte një problem. Kjo kërkonte vetëm pak planifikim të kujdesshëm të orëve të javës. Përgjegjësia nuk ishte një problem. Nga kjo erdhi rritje dhe një botëkuptim i ri për jetën. Dhe atëherë ky burrë me intelekt dhe i arsimuar, ky inxhinier i mësuar që të merrej me faktet e botës fizike në të cilën ne jetojmë, dha dëshmi solemne me sytë e përlotur për mrekullinë që erdhi në jetën e tij.7

Pamja
burrë duke u lutur

“Kush mund ta hedhë poshtë ose ta mohojë zërin e qetë të shpirtit të brendshëm që flet me bindje vetjake?”

“Gjëja më e çmuar në jetën time”

Shumë vite më parë, një e re e shkëlqyer dhe tepër e arsimuar foli në Berqtesgaden, Gjermani, në një konferencë për trupën ushtarake, të cilët ishin anëtarë të Kishës. Unë isha atje dhe e dëgjova atë. Ajo ishte majore në ushtri, me titull doktoreshë në mjekësi, një specialiste tepër e respektuar në fushën e saj. Ajo tha:

“Më shumë se çdo gjë tjetër në botë, dëshiroja t’i shërbeja Perëndisë. Por pavarësisht se sa shumë u përpoqa nuk munda ta gjeja atë. Mrekullia më e madhe është se ai më gjeti mua. Një pasdite të shtune në shtatorin e vitit 1969, isha në shtëpi në Bërkli, Kaliforni dhe dëgjova të binte zilja e derës. Atje kishte dy të rinj, të veshur me kostume, me këmisha të bardha dhe kollare. Flokët e tyre qenë të krehura me kujdes. Më lanë shumë mbresa saqë u thashë: ‘Nuk e di se ç’po shitni, por do ta blej’. Një nga të rinjtë tha: ‘Ne nuk shesim asgjë. Ne jemi misionarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe do të donim të flisnim me ju.’ Unë i ftova të hynin brenda dhe ata folën për besimin e tyre.

Ky ishte fillimi i dëshmisë sime. Jam mirënjohëse përtej fjalëve për privilegjin dhe nderin e të qenit një anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kënaqësia dhe paqja që ky ungjill i gëzueshëm ka sjellë në zemrën time, është parajsa mbi tokë. Dëshmia ime për këtë punë është gjëja më e çmuar në jetën time, një dhuratë nga Ati im Qiellor, për të cilën do të jem përjetësisht mirënjohëse.”8

Po kështu ndodh me qindra mijëra njerëz në shumë vende – burra dhe gra me aftësi dhe arsimim, punëtorë dhe profesionistë, [njerëz] të zakonshëm, këmbëngulës të cilët kryejnë gjëra në punët e botës, në zemrat e të cilëve digjet një dëshmi e heshtur se Perëndia jeton, se Jezusi është Krishti, se kjo punë është hyjnore, se ajo u rivendos në tokë për bekimin e të gjithë atyre që do të marrin nga mundësitë e saj.9

3

Secili prej nesh mund të marrë një dëshmi për realitetin e Perëndisë dhe Birit të Tij të Dashur dhe për rivendosjen e punës së Tyre.

Ky dëshmim, kjo dëshmi, mund të jetë dhurata më e çmuara nga të gjitha dhuratat e Perëndisë. Ai është një dhurim nga qielli kur ka përpjekje të duhur. Është mundësia, është përgjegjësia e çdo burri dhe gruaje në këtë Kishë që ta marrë brenda vetes një bindje për të vërtetën e kësaj pune të madhe të ditëve të mëvonshme dhe për ata që qëndrojnë në krye të saj, madje Perëndisë së gjallë dhe Zotit Jezu Krisht.

Jezusi tregoi rrugën për përvetësimin e një dëshmie të tillë kur Ai tha: “Doktrina ime nuk është e imja, por e atij që më ka dërguar.

Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:16–17).

Ne rritemi në besim dhe njohuri ndërsa shërbejmë, ndërsa studiojmë, ndërsa lutemi.

Kur Jezusi ushqeu 5.000 veta, ata e njohën dhe u mahnitën nga mrekullia që Ai kreu. Disa u kthyen sërish. Këtyre Ai u mësoi doktrinën për hyjninë e Tij, për Veten si Buka e Jetës. Ai i akuzoi ata se nuk ishin të interesuar për doktrinën por përkundrazi vetëm për kënaqjen e urisë së trupave të tyre. Disa njerëz, duke e dëgjuar Atë dhe doktrinën e Tij, thanë: “Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?” (Gjoni 6:60). Kush mund ta besojë atë që po jep mësim ky burrë?

“Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.

Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve [mendoj me njëfarë ndjenje shkurajimi]: ‘A doni edhe ju të largoheni?’.

Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: ‘Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.

Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë’” (Gjoni 6:66–69).

Kjo është pyetja e madhe dhe përgjigjja për të, me të cilën të gjithë duhet të përballemi. Nëse jo tek Ti, atëherë “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme. Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”

Është kjo bindje, kjo siguri e qetë, e brendshme e realitetit të Perëndisë së gjallë, e hyjnueshmërisë së Birit të Tij të Dashur, e rivendosjes së punës së tyre në këtë kohë dhe e shfaqjeve të lavdishme që kanë pasuar, të cilat bëhen për secilin prej nesh themeli i besimit tonë. Kjo bëhet dëshmia jonë.

… Kohët e fundit kam qenë në Palmira, Nju-Jork [afër vendit ku Jozef Smithi mori Vegimin e Parë]. Nga ngjarjet që ndodhën në atë zonë, njeriu priret të thotë: “Ato ose ndodhën ose nuk ndodhën. Nuk mund të ketë zonë gri, as pozitë të ndërmjetme.”

Dhe më pas zëri i besimit pëshpërit: “Gjithçka ndodhi. Ndodhi ashtu siç tha ai që ndodhi.”

Këtu afër është kodra Kumorah. Prej andej erdhi anali i lashtë nga i cili u përkthye Libri i Mormonit. Një njeri duhet ta pranojë ose ta hedhë poshtë origjinën e tij hyjnore. Peshimi i provës duhet ta prijë çdo burrë dhe grua që ka lexuar me besim, të thotë: “Është i vërtetë”.

Dhe kështu ndodh me elementet e tjera të kësaj gjëje të mrekullueshme, të cilën ne e quajmë rivendosja e ungjillit të lashtësisë, priftërisë së lashtësisë dhe Kishës së lashtësisë.

Kjo dëshmi është tani, siç ka qenë përherë, një shpallje, një pohim i drejtpërdrejtë i së vërtetës siç ne e dimë.10

4

Ne duhet të jetojmë sipas dëshmisë sonë dhe ta ndajmë atë me të tjerët.

I tha Pali Timoteut: “Ruaje veten tënde” – dëgjojeni këtë – “dhe mësimin, qëndro në këto gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë” (1 Timoteut 4:16). Çfarë drejtimi të mrekullueshëm i dha Pali Timoteut të ri!

Ai vazhdoi duke thënë këtë: “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie” (2 Timoteut 1:7). Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force – forcën e mesazhit dhe të dashurisë – dashurisë për njerëzit, dashurisë për atë që kemi për të dhënë, një mendje të shëndoshë – parimet e thjeshta, të kuptueshme të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.

“Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë” (2 Timoteut 1:8). Asnjëherë, vëllezërit dhe motrat e mia, mos kini turp të dëshmoni për Zotin tonë. … Ajo është një detyrë e madhe, një urdhër që na jepet neve: “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie. Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë.”11

Kjo është puna e shenjtë e Perëndisë. Kjo është Kisha dhe mbretëria e Tij. Vegimi që ndodhi në Korijen e Shenjtë, ishte pikërisht siç tha Jozefi se ishte. Në zemrën time ka një kuptueshmëri të vërtetë të rëndësisë së asaj që ndodhi atje. Libri i Mormonit është i vërtetë. Ai dëshmon për Zotin Jezu Krisht. Priftëria e Tij është rivendosur dhe është midis nesh. Çelësat e asaj priftërie që kanë ardhur nga qenie qiellore, janë ushtruar për bekimin tonë të përjetshëm. E tillë është dëshmia jonë – e juaja dhe e imja – një dëshmi sipas të cilës duhet të jetojmë dhe të cilën duhet ta ndajmë me të tjerët. E lë këtë dëshmi, bekimin tim dhe dashurinë time me secilin prej jush dhe ftesën time që të vazhdojmë të jemi pjesë e kësaj mrekullie të madhe të ditëve të mëvonshme që është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.12

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Në çfarë mënyrash dëshmia juaj vetjake jep ndihmesë në forcën e Kishës? (Shih pjesën 1.)

  • Presidenti Hinkli thekson se dëshmia na mbështet dhe “[na] shtyn në veprim” (pjesa 2). Si ju ka mbështetur juve dëshmia juaj? Si ka ndikuar dëshmia juaj në veprimet tuaja? Çfarë zbatimesh vetjake mund të bëni nga historitë në pjesën 2?

  • Çfarë mund të mësojmë nga mësimet e Presidentit Hinkli rreth marrjes së një dëshmie? (Shih pjesën 3.) Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar ta fitoni dëshminë tuaj? Çfarë mund të bëjmë ne për t’i forcuar dëshmitë tona?

  • Përse mendoni se dëshmitë tona bëhen më të forta kur i japim ato? Si i keni mposhtur ndjenjat e frikës për ta dhënë dëshminë tuaj? Si jeni bekuar nga dëshmitë e të tjerëve? (Shih pjesën 4.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse

1 Korintasve 12:3; 1 Pjetër 3:15; Alma 5:43–46; 32:26–30; Moroni 10:3–5; DeB 8:2–3; 80:3–5

Ndihmë për Mësimdhënien

“Ndërsa arrini ta njihni dhe ta kuptoni çdo person, ju do të jeni më të përgatitur për të dhënë mësime që vlejnë për situatat e tyre vetjake. Kjo kuptueshmëri do t’ju ndihmojë të gjeni mënyra për ta ndihmuar çdo person që të marrë pjesë në diskutime dhe veprimtari të tjera të të nxënit” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 34).

Shënime

  1. “My Testimony”, Ensign, maj 2000, f. 70–71.

  2. “Listen by the Power of the Spirit”, Ensign, nëntor 1996, f. 5.

  3. “Testimony”, Ensign, maj 1998, f. 69.

  4. “Testimony”, f. 69–70.

  5. “Testimony”, f. 70.

  6. “It’s True, Isn’t It?” Ensign, korrik 1993, f. 2.

  7. “It’s True, Isn’t It?” f. 5.

  8. “It’s True, Isn’t It?” f. 6.

  9. “It’s True, Isn’t It?” f. 5.

  10. “Testimony”, f. 70–71.

  11. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 2: 2000–2004 (2005), f. 369.

  12. “A Perfect Brightness of Hope: To New Members of the Church”, Ensign, tetor 2006, f. 5.