Mësime të Presidentëve
Kapitulli 24: Shlyerja e Jezu Krishtit: e Gjerë në Shtrirjen e Saj, Thelbësore në Ndikimin e Saj


Kapitulli 24

Shlyerja e Jezu Krishtit: e Gjerë në Shtrirjen e Saj, Thelbësore në Ndikimin e Saj

“Unë jap dëshmi [për] Shlyerjen e Zotit Jezu Krisht. Pa të jeta është e pakuptimtë. Ajo është guri kyç në harkun e ekzistencës sonë.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Më 1 janar 2000, Presidenti Gordon B. Hinkli e udhëhoqi Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve në botimin e dëshmisë së tyre të bashkuar për Shpëtimtarin. Në këtë mesazh, të titulluar “Krishti i Gjallë”, ata shpallën: “Ne japim dëshminë tonë për vërtetësinë e jetës së Tij të pashoqe dhe virtytit të pafund të sakrificës së Tij madhështore e shlyese. Asnjë tjetër nuk ka pasur një ndikim kaq të thellë mbi të gjithë njerëzit që kanë jetuar dhe që ende do të jetojnë në tokë.”1

Në një fjalim në një konferencë të përgjithshme tre muaj më vonë, Presidenti Hinkli dëshmoi për ndikimin e thellë që Shpëtimtari pati në vetë jetën e tij. Ai foli dhembshurisht dhe personalisht, herë pas here duke iu marrë zëri nga emocioni:

“Nga të gjitha gjërat, për të cilat ndihem mirënjohës këtë mëngjes, njëra shfaqet në mënyrë parësore. Ajo është një dëshmi e gjallë për Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë së Plotfuqishëm, Princin e Paqes, të Shenjtin. …

Jezusi është miku im. Askush tjetër nuk më ka dhënë kaq shumë. ‘Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij’ (Gjoni 15:13). Ai e dha jetën e Tij për mua. Ai hapi udhën drejt jetës së përjetshme. Vetëm një Perëndi mund ta bënte këtë. Unë shpresoj të konsiderohem i denjë për të qenë një mik për Të.

Ai është shembulli im. Mënyra e Tij e jetesës, sjellja e Tij tërësisht vetëmohuese, ndihma e Tij për njerëzit nevojtarë, flijimi i Tij përfundimtar, që të gjitha qëndrojnë si një shembull për mua. Unë nuk mund të matem me Të tërësisht, por mund të përpiqem. …

Ai është shëruesi im. Qëndroj plot habi përpara mrekullive të Tij mahnitëse. Dhe prapëseprapë e di se ato ndodhën. E pranoj të vërtetën e këtyre gjërave, sepse unë e di që Ai është Zotëruesi i jetës dhe i vdekjes. Mrekullitë e shërbesës së Tij shprehin dhembshuri, dashuri dhe një ndjenjë njerëzie të mahnitshme për ta parë.

Ai është udhëheqësi im. Jam i nderuar të jem njëri në varganin e gjatë të atyre të cilët e duan Atë dhe të cilët e kanë ndjekur Atë gjatë dy mijëvjeçarëve që kanë kaluar që nga lindja e Tij. …

Ai është Shpëtimtari im dhe Shëlbuesi im. Nëpërmjet dhënies së jetës së Tij me dhimbje dhe vuajtje të papërshkrueshme, Ai është zgjatur poshtë për të më ngritur mua, çdonjërin prej nesh dhe të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë nga humnera e errësirës së përjetshme që e pason vdekjen. Ai ka siguruar diçka më të mirë – një sferë drite dhe kuptueshmërie, rritjeje dhe bukurie ku ne mund të ecim përpara në udhën që çon drejt jetës së përjetshme. Mirënjohja ime nuk njeh kufij. Falënderimi im ndaj Zotit tim nuk ka përfundim.

Ai është Perëndia im dhe Mbreti im. Nga përjetësia në përjetësi, Ai do të mbretërojë e sundojë si Mbret i Mbretërve dhe Zot i Zotërve. Për sundimin e Tij nuk do të ketë mbarim. Për lavdinë e Tij nuk do të ketë natë.

Askush tjetër nuk mund ta zërë vendin e Tij. Askush tjetër nuk do ta zërë ndonjëherë. I panjollë dhe pa asnjë lloj faji, Ai është Qengji i Perëndisë, të cilit i përkulem dhe nëpërmjet të cilit unë i afrohem Atit tim në Qiell. …

Plot mirënjohje dhe me dashuri të pareshtur, unë jap dëshmi për këto gjëra në emrin e Tij të Shenjtë.”2

Pamja
Krishti duke u lutur në Gjetseman

“Gjithçka varej nga Ai – nga flijimi i Tij shlyes. … Ai ishte guri kyç në harkun e planit të madhërishëm [të] Atit.”

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Dashuria e Atit tonë Qiellor shprehet në dhuratën e Birit të Tij të Vetëmlindur.

Zemra ime nënshtrohet kur mendoj për dashurinë e madhe të Atit tim Qiellor. Sa mirënjohës jam të di se Perëndia na do. Thellësia e pamundur të kuptohet e asaj dashurie gjeti shprehje në dhuratën e Birit të Tij të Vetëmlindur që të vinte në botë për të sjellë shpresë në zemrat tona, për të sjellë mirësi e mirësjellje në marrëdhëniet tona dhe, mbi të gjitha, për të na shpëtuar nga mëkatet tona e për të na rrëfyer udhën që çon drejt jetës së përjetshme.3

Shërbesa e Shpëtimtarit para lindjes

Ati i ne të gjithëve, me dashuri për ne, fëmijët e Tij, ofroi një … plan sipas të cilit ne do të kishim liri për ta zgjedhur drejtimin e jetës sonë. Biri i Tij i Parëlindur, Vëllai ynë Më i Madh, ishte kyçi i atij plani. Njeriu do të kishte lirinë e tij të zgjedhjes dhe me atë liri të zgjedhjes do të vinte përgjegjshmëria. Njeriu do të ecte sipas mënyrave të botës dhe do të mëkatonte e do të pengohej. Por Biri i Perëndisë do të merrte mish mbi Veten e Tij dhe do ta ofronte Veten e Tij si një flijim që të shlyente për mëkatet e të gjithë njerëzve. Përmes vuajtjes së papërshkrueshme Ai do të bëhej Shëlbuesi i madh, Shpëtimtari i të gjithë njerëzimit.4

Shërbesa tokësore e Shpëtimtarit

Gjatë gjithë historisë nuk ka pasur madhështi si madhështia e Tij. Ai, Jehova i fuqishëm, denjoi të lindej në jetën e vdekshme në një stallë në Bethlehem. Ai u rrit si një djalë në Nazaret dhe “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52).

Ai u pagëzua nga Gjoni në ujërat e Jordanit “dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të;

dhe ja një zë nga qielli që tha: ‘Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur’” (Mateu 3:16–17).

Gjatë tri viteve të shërbesës së Tij tokësore, Ai bëri atë që askush tjetër nuk e kishte bërë më parë; Ai dha mësim si askush tjetër nuk e kishte dhënë mësim më parë.

Më pas erdhi koha e Tij për t’u ofruar. Ishte darka në Dhomën e Sipërme, darka e Tij e fundit me Të Dymbëdhjetët në vdekshmëri. Teksa ua lau këmbët, Ai u dha një mësim për përulësinë dhe shërbimin që ata nuk do ta harronin kurrë.5

Vuajtja në Kopshtin e Gjetsemanit

Atje pasoi vuajtja e Gjetsemanit, “vuajtje që”, tha Ai, “më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt” (DeB 19:18).6

Në Kopshtin e Gjetsemanit, Ai vuajti kaq shumë, saqë i dolën pika gjaku nga çdo por teksa i lutej Atit të Tij. Por kjo e gjitha ishte pjesë e flijimit të Tij të madhërishëm shlyes.7

[Dikur u ula] në hijen e një peme të vjetër ulliri [në Kopshtin e Gjetsemanit] dhe lexova për atë ndeshje të tmerrshme të Birit të Perëndisë, ndërkohë që Ai përballej me të ardhmen e sigurt, duke djersitur pika gjaku dhe duke iu lutur Atit të Tij që, nëse ishte e mundur, ta lejonte kupën të largohej – por duke thënë: ‘Megjithatë, u bëftë vullneti Yt, jo imi’. … Pata një ndjenjë mbisunduese që Ai nuk po e bënte përgjërimin e Tij, Ai nuk po përballej me atë sprovë në kuptimin e dhembjes fizike me të cilën do të përballej, kryqëzimin e tmerrshëm, të egër në kryq. Ajo ishte pjesë e saj, jam i sigurt. Por në përmasë të madhe ajo ishte, mendoj unë, një ndjesi nga ana e Tij për rolin e Tij në mirëqenien e përjetshme të të gjithë bijve dhe bijave të Perëndisë, të të gjithë brezave të kohës.

Gjithçka varej nga Ai – nga flijimi i Tij shlyes. Ai ishte çelësi. Ai ishte guri kyç në harkun e planit të madhërishëm, të cilin Ati e kishte sjellë në dritë për jetën e përjetshme të bijve dhe bijave të Tij. E tmerrshme sikurse ishte përballja me të dhe peshërëndë sikurse ishte ta kuptonte atë, Ai u përball me të, e përmbushi atë dhe ajo ishte një gjë e mrekullueshme dhe e mahnitshme. Është përtej të kuptuarit tonë, besoj. Megjithatë, ne e vështrojmë atë në një pjesë të vogël dhe duhet të mësojmë ta vlerësojmë atë gjithnjë e më shumë.8

Arrestimi, kryqëzimi dhe vdekja

Ai u mor nga duar të ashpra e të egra dhe, nëpër natë, në kundërshtim me ligjin, u soll përpara Anës dhe më pas Kajafës, udhëheqësit dinak dhe të lig të sinedrit. Atje pasoi herët të nesërmen në mëngjes shfaqja e dytë përpara këtij burri hakmarrës, të egër. Më pas Ai u çua te Pilati, guvernatori romak, të cilit bashkëshortja e tij i tha si paralajmërim: “Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti” (Mateu 27:19). Romaku, duke menduar t’i shmangej përgjegjësisë, e dërgoi Atë te Herodi, tetrarku i korruptuar, i shthurur dhe i lig i Galilesë. Krishti u keqtrajtua dhe u godit. Koka e Tij u kurorëzua me gjemba të mprehtë dhe të ndërthurur; një mantel i purpurt tallës u hodh mbi shpinën e Tij të gjakosur. Sërish Ai u çua përpara Pilatit, të cilit turma i bërtiti: “Kryqëzoje[, kryqëzoje]” (Lluka 23:21).

Me hapa të penguar, Ai eci në udhën drejt Golgotës, ku trupi i Tij i plaguar u gozhdua në kryq me metodën më çnjerëzore dhe më dhembjeshkaktuese të ekzekutimit që mendjet sadiste mund ta përfytyronin.

Prapëseprapë, Ai u lut: “Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Lluka 23:34).9

Nuk ka pamje më prekëse në të gjithë historinë sesa ajo e Jezusit në Gjetseman dhe në kryq, i vetmuar: Shëlbuesi i njerëzimit, Shpëtimtari i botës, duke bërë të ndodhte Shlyerja.

Më kujtohet të isha me Presidentin Harold B. Li … në Kopshtin e Gjetsemanit në Jerusalem. Ne mund ta ndjenim, veçse në një shkallë shumë të vogël, ndeshjen e tmerrshme që ndodhi atje, një ndeshje kaq e fuqishme, ndërkohë që Jezusi ndeshej i vetëm në shpirt, sa gjak doli nga çdo por (shih Lluka 22:44; DeB 19:18). Na erdhi ndër mend tradhtia prej njërit që ishte thirrur në një pozitë mirëbesimi. Na erdhi ndër mend që burra të ligj vunë dorë me egërsi mbi Birin e Perëndisë. Na erdhi ndër mend ai njeri i vetmuar në kryq, duke thirrur në agoni: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46). Prapëseprapë, me guxim, Shpëtimtari i botës eci përpara që të bënte të ndodhte Shlyerja për hirin tonë.10

Orët kalonin ndërkohë që jeta e Tij shuhej me dhimbje. Toka u drodh; perdja e tempullit u nda në mes. Prej buzëve të Tij të përcëlluara dolën fjalët: “‘O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim[e]!’ Dhe, si tha këto, dha frym[ën]” (Lluka 23:46).

Mbaroi. Jeta e Tij në vdekshmëri kishte përfunduar. Ai e kishte ofruar atë si një shpërblesë për të gjithë. Të humbura ishin shpresat e atyre që e deshën Atë. Të harruara ishin premtimet që i kishte bërë Ai. Trupi i tij me të shpejtë, por me dhembshuri, u vendos në një varr të marrë hua në vigjiljen e Shabatit judeas.11

Ringjallja

Herët në mëngjesin e së dielës, Maria Magdalena dhe gra të tjera erdhën te varri. Ato pyesnin veten teksa nxitonin, se si guri mund të rrokullisej nga hyrja e varrit. Kur mbërritën, ato panë një engjëll që u foli: “Unë e di se ju kërkoni Jezusin, që u kryqëzua.

Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, sikurse kishte thënë” (Mateu 28:5–6).

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Varri i zbrazët ishte përgjigjja ndaj pyetjes së epokave. Mirë e tha Pali: “O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?” (1 Korintasve 15:55).12

Pamja
varri i zbrazët

“Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, sikurse kishte thënë” (Mateu 28:6).

2

Përmes sakrificës shlyese të Shpëtimtarit, të gjithë njerëzit do të ngrihen nga varri.

Mrekullia e atij mëngjesi të ringjalljes … është një mrekulli për të gjithë njerëzimin. Është mrekullia e fuqisë së Perëndisë, Biri i Dashur i të cilit dha jetën e Tij për të shlyer për mëkatet e gjithë njerëzve, një flijim dashurie për çdo bir dhe bijë të Perëndisë. Duke e bërë këtë, Ai i theu vulat e vdekjes.13

Nuk ka asgjë më të gjithësishme sesa vdekja dhe asgjë më të shkëlqyeshme me shpresë e besim sesa siguria e pavdekësisë. Hidhërimi fatkeq që vjen me vdekjen, ndjenja e humbjes së madhe që e pason ndërrimin e jetës nga një njeri i dashur, zbuten vetëm nga siguria e Ringjalljes së Birit të Perëndisë. …

Kurdoherë që godet dora e ftohtë e vdekjes, atje shndrin përmes zymtësisë dhe errësirës së asaj ore figura ngadhënjimtare e Zotit Jezu Krisht, Atij, Birit të Perëndisë, i cili e mposhti vdekjen nëpërmjet fuqisë së Tij të pakrahasueshme dhe të përjetshme. Ai është Shëlbuesi i botës. Ai e dha jetën e Tij për secilin prej nesh. Ai e mori atë sërish dhe u bë fryti i parë i atyre që fjetën. Ai, si Mbret i Mbretërve, qëndron ngadhënjimtar mbi të gjithë mbretërit e tjerë. Ai, si i Plotfuqishmi, qëndron mbi të gjithë sundimtarët. Ai është ngushëllimi ynë, i vetmi ngushëllim i vërtetë për ne, kur veli i zymtë i natës tokësore mbyllet përreth nesh ndërkohë që shpirti largohet nga forma njerëzore.

Madhështor mbi të gjithë njerëzimin qëndron Jezusi, Krishti.14

Më kujtohet që fola në shërbesën e varrimit të një burri të mirë, një miku, mirësia e të cilit më shkaktoi që të bëhesha pak më i mirë. Përgjatë viteve i kisha njohur buzëqeshjet e tij, fjalët e tij dashamirëse, mënyrën e veprimit të mendjes së tij të shkëlqyer, gjerësinë e madhe të shërbimit të tij ndaj të tjerëve. Dhe më pas ai që kishte qenë kaq i mençur e i mirë, vdiq papritur. E hodha vështrimin mbi trupin e tij të pajetë. Nuk kishte as dallim, as lëvizje, as fjalë të ndonjë lloji. …

Hodha vështrimin te bashkëshortja dhe fëmijët e tij duke vajtuar. Ata e dinin, sikurse e dija unë, se kurrë më në vdekshmëri nuk do ta dëgjonin zërin e tij. Por një ëmbëlsi e butë, e papërshkrueshme në natyrë, solli paqe dhe siguri sërish. Dukej se thoshte: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi” (Psalmeve 46:10).

Më tej dukej se thoshte: “Mos u shqetësoni. E gjitha kjo është pjesë e planit Tim. Askush nuk mund t’i shpëtojë vdekjes. Edhe Biri im i Dashur vdiq në kryq. Por, duke e bërë këtë, Ai u bë fryti i parë, i lavdishëm i Ringjalljes. Ai e largoi nga vdekja gjembin e saj dhe nga varri fitoren e tij.”

Mund të dëgjoja në mendjen time Zotin duke i thënë Martës së hidhëruar: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë” (Gjoni 11:25–26).15

3

Nëpërmjet flijimit shlyes të Shpëtimtarit, neve na ofrohet mundësia për ekzaltim dhe jetë të përjetshme.

Lëvduar qoftë i Plotfuqishmi. Biri i Tij i përlëvduar i theu prangat e vdekjes, më e madhja e të gjitha fitoreve. … Ai është Zoti ynë ngadhënjimtar. Ai është Shëlbuesi ynë, i cili shleu për mëkatet tona. Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, të gjithë njerëzit do të ngrihen nga varri. Ai ka hapur udhën me anë të së cilës ne mund të fitojmë jo vetëm pavdekësi, por edhe jetë të përjetshme.16

Unë e ndiej në njëfarë mase domethënien e Shlyerjes së Tij. Nuk mund ta kuptoj atë të gjithën. Është kaq e gjerë në arritjen e saj dhe prapëseprapë kaq thelbësore në ndikimin e saj sa e sfidon kuptueshmërinë.17

Madhështia e Shlyerjes është përtej aftësisë sonë për të kuptuar plotësisht. Unë vetëm e di që ndodhi dhe që ishte për mua dhe për ju. Vuajtja ishte aq e madhe, agonia aq e thellë, sa asnjëri prej nesh nuk mund ta kuptojë, kur Shpëtimtari ofroi Veten si një shpërblesë për mëkatet e mbarë njerëzimit.

Është nëpërmjet Tij që ne fitojmë falje. Është nëpërmjet Tij që vjen premtimi i sigurt se të gjithë njerëzimit do t’i jepen bekimet e shpëtimit, së bashku me ringjalljen prej së vdekuri. Është nëpërmjet Tij dhe flijimit të Tij të madhërishëm, gjithëpërfshirës, që neve na ofrohet mundësia, nëpërmjet bindjes, për ekzaltim dhe jetë të përjetshme.18

A nuk jemi ne të gjithë bij dhe bija plëngprishëse, që kemi nevojë të pendohemi dhe të marrim mëshirën falëse të Atit tonë Qiellor dhe më pas ta ndjekim shembullin e Tij?

Biri i Tij i Dashur, Shëlbuesi ynë, na afrohet me falje e mëshirë, por duke e bërë këtë ai urdhëron pendimin. … Tha Zoti – dhe unë citoj nga një zbulesë e dhënë Profetit Jozef:

“Prandaj unë të urdhëroj të pendohesh – pendohu, përndryshe unë të godas me shufrën e gojës sime dhe me zemërimin tim, dhe me indinjatën time, dhe vuajtjet e tua do të jenë të ashpra – sa të ashpra ti s’e di, sa therëse ti s’e di, po, sa të vështira për t’u duruar ti s’e di.

Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë;

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt. …

Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua.” (DeB 19:15–18, 23.)19

Kur gjithçka të thuhet e bëhet, kur e gjithë historia të shqyrtohet, kur thellësitë më të thella të mendjes njerëzore të jenë shqyrtuar, asgjë nuk është kaq e mrekullueshme, kaq madhështore, kaq e jashtëzakonshme sa ky veprim i hirit kur Biri i të Plotfuqishmit, Princi i vatrës mbretërore të Atit të Tij, Ai që dikur kishte folur si Jehova, Ai që kishte denjuar të vinte në tokë si një foshnjë e lindur në Bethlehem, e dha jetën e Tij në poshtërim e dhembje me qëllim që të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë të të gjitha brezave të kohës, çdonjëri prej të cilëve që duhet të vdesë, të mund të ecë sërish dhe të jetojë përjetësisht. Ai bëri për ne atë që askush prej nesh nuk mund ta bënte për veten tonë. …

Shpalli profeti Isaia:

“Megjithatë, ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona. …

… Ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen, është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij, ne jemi shëruar” (Isaia 53:4–5).

Kjo është historia mahnitëse dhe e vërtetë e Krishtlindjes. Lindja e Jezusit në Bethlehem të Judesë është parathënia. Shërbesa trivjeçare e Mësuesit është prologu. Thelbi i madhërishëm i historisë është flijimi i Tij, veprimi tërësisht vetëmohues i vdekjes plot dhembje në kryqin e Kalvarit për të shlyer për mëkatet e ne të gjithëve.

Epilogu është mrekullia e Ringjalljes, duke sjellë sigurinë që “ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin” (1 Korintasve 15:22).

Nuk do të kishte Krishtlindje, në qoftë se nuk do të kishte pasur Pashkë. Foshnja Jezus nga Bethlehemi do të ishte veçse një foshnjë tjetër pa Krishtin shëlbues të Gjetsemanit e Kalvarit dhe faktin ngadhënjimtar të Ringjalljes.

Unë besoj në Zotin Jezu Krisht, Birin e Perëndisë së Amshuar, të Gjallë. Askush kaq i madhërishëm nuk ka ecur ndonjëherë në tokë. Askush tjetër nuk ka bërë një flijim të krahasueshëm apo ka dhënë një bekim të krahasueshëm. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Unë besoj tek Ai. E shpall hyjnueshmërinë e Tij pa mëdyshje ose pa cenim. Unë e dua Atë. E them emrin e Tij me nderim dhe mrekullim. E adhuroj Atë sikurse adhuroj Atin e Tij, në frymë e në të vërtetë. E falënderoj Atë dhe bie në gjunjë përpara Birit të Tij të Dashur, i cili na u drejtua shumë kohë më parë dhe i tha secilit prej nesh: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje” (Mateu 11:28).

… Dëshiroj për secilin prej jush për një kohë, ndoshta vetëm një orë, që ta kaloni në meditim të heshtur dhe reflektim të qetë mbi mrekullinë dhe madhështinë e këtij, Birit të Perëndisë.20

Unë jap dëshmi [për] Shlyerjen e Zotit Jezu Krisht. Pa të jeta është e pakuptimtë. Ajo është guri kyç në harkun e ekzistencës sonë. Ajo pohon se ne jetuam para se të lindeshim në vdekshmëri. Vdekshmëria është veçse një shkallare ngjitjeje drejt një ekzistence më të lavdishme në të ardhmen. Hidhërimi i vdekjes zbutet me premtimin e Ringjalljes.21

Jezusi është Krishti, Biri i parashuguruar i Perëndisë, i cili denjoi të vinte në tokë, i cili u lind në një grazhd, në një komb të sunduar, mes një populli të nënshtruar, Biri i Perëndisë, i Vetëmlinduri i Atit në mish, i Parëlinduri i Atit dhe Vepronjësi i shpëtimit tonë. Ai është Shëlbuesi ynë, Shpëtimtari ynë, nëpërmjet Shlyerjes së të Cilit jeta e përjetshme bëhet e mundur për të gjithë ata që do të ecin me bindje ndaj mësimeve të Tij.22

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përse na e dha Ati Qiellor “dhuratën e Birit të Tij të Vetëmlindur”? (Shih pjesën 1.) Çfarë mund të bëni që të tregoni mirënjohje për këtë dhuratë? Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja kur e lexoni përmbledhjen e Presidentit Hinkli për atë që Shpëtimtari ka bërë për ne?

  • Në pjesën 2, krahasojini fjalët që i përdor Presidenti Hinkli për të përshkruar vdekjen, me fjalët që i përdor për të përshkruar ringjalljen. Çfarë mësoni nga ndryshimet në këto fjalë? Si ndikon në jetën tuaj dëshmia juaj për Ringjalljen e Shpëtimtarit?

  • Çfarë mësoni nga dëshmia e Presidentit Hinkli për Shlyerjen e Jezu Krishtit? (Shih pjesën 3.) Si ju ka bekuar Shlyerja ju personalisht? Cilat janë ndjenjat tuaja kur e përsiatni flijimin e Shpëtimtarit për ju? Planifikoni një kohë që të keni “meditim të heshtur dhe reflektim të qetë” rreth Shpëtimtarit.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Isaia 53; Gjoni 3:16; 11:25; 2 Nefi 9:6–13; Alma 7:11–13; 34:8–10; Helamani 14:13–19; DeB 18:10–12

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kur përgatiteni plot lutje për të dhënë mësim, ju mund të udhëhiqeni për të theksuar disa parime. Ju mund të arrini një kuptueshmëri se si të paraqitni sa më mirë disa ide. Ju mund të zbuloni shembuj, mësime të pazakonta dhe histori frymëzuese në veprimtaritë e thjeshta të jetës. Ju mund të ndiheni të nxitur për të ftuar një person të veçantë për t’ju ndihmuar me mësimin. Juve mund t’ju kujtohet një përvojë vetjake që mund ta tregoni” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 48).

Shënime

  1. “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Ensign, prill 2000, f. 2.

  2. “My Testimony”, Ensign, maj 2000, f. 69, 71.

  3. “The Wondrous and True Story of Christmas”, Ensign, dhjetor 2000, f. 2.

  4. “We Look to Christ”, Ensign, maj 2002, f. 90.

  5. “The Victory over Death”, Ensign, prill 1997, f. 2.

  6. “The Victory over Death”, f. 2.

  7. “The Things of Which I Know”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 83–84.

  8. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 29–30.

  9. “The Victory over Death”, f. 2, 4.

  10. “Living with Our Convictions”, Ensign, shtator 2001, f. 2.

  11. “The Victory over Death”, f. 4.

  12. “The Victory over Death”, f. 4.

  13. “The Victory over Death”, f. 4.

  14. “This Glorious Easter Morn”, Ensign, maj 1996, f. 67.

  15. “The Wondrous and True Story of Christmas”, f. 2, 4.

  16. “He Is Not Here, but Is Risen”, Ensign, maj 1999, f. 72.

  17. “The Wondrous and True Story of Christmas”, f. 2.

  18. “Forgiveness”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 84.

  19. “Of You It Is Required to Forgive”, Ensign, qershor 1991, f. 5.

  20. “The Wondrous and True Story of Christmas”, f. 4–5.

  21. “The Things of Which I Know”, f. 84.

  22. Në Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 560.