Mësime të Presidentëve
Kapitulli 4: Trashëgimia Pioniere e Besimit dhe e Sakrificës


Kapitulli 4

Trashëgimia Pioniere e Besimit dhe e Sakrificës

“Qoftë nëse keni prejardhje pioniere apo erdhët në Kishë vetëm dje, ju jeni pjesë e tërë kësaj tabloje madhështore për të cilën ata burra e gra ëndërruan. … Ata hodhën themelin. Neve na takon të ndërtojmë mbi të.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Në përkushtimin e Tempullit të Kolumbusit në Ohajo, Presidenti Gordon B. Hinkli reflektoi mbi paraardhësit e tij pionierë. Më vonë, ai kujtoi:

“Ndërsa qëndroja i ulur në dhomën çelestiale, mendova rreth stërgjyshit tim. … Kohët e fundit, unë kisha vizituar vendin e tij të varrimit në Kanada vetëm pak në veri të vijës kufitare të Nju-Jorkut. … Ai vdiq në moshën e re 38-vjeçare.”

Kur stërgjyshi i Presidentit Hinkli vdiq, i biri, Ajra, i cili do të bëhej gjyshi i Presidentit Hinkli, nuk ishte as tre vjeç. Nëna e Ajrës shpejt u rimartua dhe brenda pak vitesh u zhvendos në Ohajo, pastaj në Ilinois. Ajo vdiq në vitin 1842, duke e lënë Ajrën jetim në moshën 13-vjeçare. Duke vazhduar këtë histori, Presidenti Hinkli tha:

“Gjyshi im [Ajra Hinkli] u pagëzua në Navu dhe … më pas kapërceu rrafshinat në shtegtimin e [pionierëve]”. Gjatë atij udhëtimi në vitin 1850, “gruaja e re [e Ajrës] dhe [vëllai i tij nga nëna] vdiqën të dy në të njëjtën ditë. Ai bëri arkivole të thjeshta dhe i varrosi ata, dhe e mori fëmijën e tij foshnjë, dhe e mbarti atë deri në luginën [e Solt-Lejkut].

Me kërkesën e Brigam Jangut ai ndërtoi Kouv Fortin [Fortesën e Limanit], qe presidenti i parë i kunjit në Fillmor, [Juta], dhe bëri një mijë gjëra të tjera për ta çuar përpara këtë punë.

Pastaj erdhi babai im. … Ai u bë presidenti i kunjit më të madh në Kishë me më shumë se 15.000 anëtarë.”

Mendimet e Presidentit Hinkli shpejt u kthyen nga paraardhësit e tij te pasardhësit e tij. Ai vazhdoi:

“Duke reflektuar mbi jetën e këtyre tre burrave, ndërsa isha ulur në tempull, unë ktheva shikimin nga vajza ime, vajza e saj, e cila është mbesa ime, dhe fëmijët e saj, stërnipërit e stërmbesat e mia. Unë papritmas kuptova se qëndroja pikërisht në mes të këtyre shtatë brezave – tre para meje dhe tre pas meje.

Në atë shtëpi të shenjtë dhe të shenjtëruar më kaloi nëpër mendje një ndjenjë e detyrimit të pamasë që më takonte mua t’ua kaloja të gjitha ato që kisha marrë si trashëgimi nga paraardhësit e mi, brezave që tani kanë ardhur pas meje.”1

Përveç shprehjes së mirënjohjes për vetë paraardhësit e tij pionierë dhe trashëgiminë e pionierëve të hershëm të ditëve të mëvonshme, Presidenti Hinkli shpesh theksoi se anëtarët e Kishës nëpër botë janë pionierë sot. Në vitin 1997, ai u tha shenjtorëve të Guatemalës: “Këtë vit ne jemi duke përkujtuar 150-vjetorin e mbërritjes së pionierëve mormonë në Luginën e Solt-Lejkut. Ata bënë një rrugë të gjatë me karro dhe karroca dore. Ata ishin pionierë. Por puna pioniere vazhdon të bëjë përpara. Në të gjithë botën ne kemi pionierë dhe ju jeni mes atyre pionierëve.”2 Shenjtorëve në Tajlandë, ai u shpalli: “Ju jeni pionierë në çuarjen përpara të punës së Zotit në këtë komb të madh”3. Ndërsa vizitoi Ukrainën në vitin 2002, ai tha fjalë të ngjashme: “Kisha ka pasur pionierët e saj në ditët e hershme dhe ju jeni tani pionierë në këtë kohë”4.

Kur Presidenti Hinkli foli për pionierët e hershëm, qëllimi i tij ishte shumë më i madh sesa përqendrimi tek ata që kanë jetuar në të kaluarën. Ai shikonte nga e ardhmja, duke shpresuar se besimi dhe sakrificat e këtyre shenjtorëve “do të bëheshin një shtysë detyruese për të gjithë ne, pasi secili prej nesh është një pionier në vetë jetën e tij, shpesh në vetë familjen e tij”5.

Pamja
pionierët duke u larguar nga Navuja

“Fuqia që i nxiti paraardhësit tanë ungjillorë, ishte fuqia e besimit te Perëndia.”

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Me largpamësi, punë dhe mirëbesim në fuqinë e Perëndisë, duke punuar nëpërmjet tyre, pionierët e hershëm të ditëve të mëvonshme e bënë besimin e tyre realitet.

Qe me anë të besimit që një grup i vogël i të kthyerve të hershëm në besim [në lindje të Shteteve të Bashkuara] u shpërngulën nga Nju-Jorku për në Ohajo dhe nga Ohajo për në Misuri, dhe nga Misuri për në Ilinois në kërkimin e tyre për paqen dhe lirinë që ta adhuronin Perëndinë në përputhje me zërin e ndërgjegjes.

Qe me sytë e besimit që ata panë një qytet të bukur [Navunë] kur ecën për herë të parë nëpër kënetat e Komersit të Ilinoisit. Me bindjen se besimi pa vepra është i vdekur, ata e thanë atë moçalishte, ata projektuan një qytet, ata ngritën ndërtesa e shtëpi të shumta për adhurim e edukim dhe, duke i kurorëzuar të gjitha, një tempull të mrekullueshëm, në atë kohë godina më e shkëlqyer në të gjithë Ilinoisin.

… Përndjekja [shpejt pasoi], me turma përdhosëse dhe vrastare. Profeti i tyre u vra. Ëndrrat e tyre u shkatërruan. Përsëri qe me anë të besimit që ata u mblodhën tok sipas modelit që ai kishte përpiluar më parë, dhe u organizuan për një shpërngulje tjetër.

Me lot dhe zemra të brengosura ata lanë shtëpitë e tyre të rehatshme dhe vendet e tyre të punës. Ata hodhën shikimin pas nga tempulli i tyre i shenjtë dhe pastaj me besim i kthyen sytë drejt Perëndimit, të panjohur e të paeksploruar, dhe, ndërsa dëborat e dimrit ranë mbi ta, ata kaluan [lumin] Misisipi atë shkurt të vitit 1846 dhe çanë rrugën e tyre baltake mbi stepën e Ajouas.

Me besim ata krijuan Lagjet Dimërore në [lumin] Misuri. Qindra vdiqën ndërsa murtaja, dizenteria dhe difteria i pakësuan në numër. Por besimi i përforcoi ata që mbijetuan. Ata varrosën të dashurit e tyre atje në një breg të rrëpirët mbi lumë dhe në pranverën e vitit 1847 ata u nisën … drejt maleve të Perëndimit.

Qe me anë të besimit që Brigam Jangu e vëzhgoi luginën e [Solt-Lejkut], në atë kohë e nxehtë e jopjellore, dhe tha: “Ky është vendi”. Përsëri me anë të besimit, katër ditë më vonë, ai preku tokën me bastunin e tij … dhe tha: “Këtu do të jetë tempulli i Perëndisë tonë”. [Tempulli i Solt-Lejkut], madhështor dhe i shenjtë, është një dëshmi e besimit, jo vetëm e besimit të atyre që e ndërtuan atë, por e besimit të atyre që tani e përdorin atë në një punë të madhe vetëmohuese dashurie.

U shkroi Pali hebrenjve: “Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen”. (Hebrenjve 11:1.) Të gjitha arritjet e mëdha për të cilat kam folur dikur ishin vetëm “siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen”. Por me largpamësi, me punë dhe mirëbesim në fuqinë e Perëndisë, duke punuar nëpërmjet tyre, ata e bënë besimin e tyre realitet.6

Fuqia që i nxiti paraardhësit tanë ungjillorë, ishte fuqia e besimit në Perëndi. Ishte e njëjta fuqi që bëri të mundur eksodin nga Egjipti, kalimin përmes Detit të Kuq, udhëtimin e gjatë përmes shkretëtirës dhe themelimin e Izraelit në Tokën e Premtuar. …

Ne kemi nevojë kaq shumë për zjarrin e fortë të atij besimi në Perëndinë e gjallë dhe në Birin e tij të gjallë, të ringjallur, pasi ky ishte besimi i madh, shtytës i paraardhësve tanë ungjillorë.

Një largpamje kishin ata, të jashtëzakonshme dhe më thelbësore nga të gjitha konsideratat e tjera. Kur arritën në perëndim, ata ishin një mijë milje, një mijë milje të lodhshme [1.600 kilometra] larg vendbanimeve më të afërta në lindje dhe tetëqind milje [1.300 kilometra] nga ato në perëndim. Një njohje personale dhe individuale e Perëndisë, Atit të tyre të Amshuar, tek i cili ata mund të shikonin me besim, ishte thelbi i vërtetë i fuqisë së tyre. Ata besonin në atë urdhër të madhërishëm të shkrimeve të shenjta: “Shiko te Perëndia dhe jeto”. (Alma 37:47.) Me besim ata u përpoqën të bënin vullnetin e tij. Me besim ata lexuan dhe pranuan mësime hyjnore. Me besim ata punuan derisa u rrëzuan, gjithmonë me një bindje se do të kishte një raportim para atij që ishte Ati i tyre dhe Perëndia i tyre.7

Prapa nesh është një histori e lavdishme. Ajo është e stolisur me heroizëm, këmbëngulje në parim dhe besnikëri të paepur. Ajo është rezultat i besimit. Para nesh është një e ardhme e madhërishme. Ajo fillon sot. Ne nuk mund të pushojmë. Ne nuk mund ta ngadalësojmë shpejtësinë. Ne nuk mund ta ulim ritmin tonë apo zvogëlojmë hapin tonë.8

2

Pionierët e hershëm shenjtorë të ditëve të mëvonshme e shikonin të ardhmen me një ëndërr madhështore për Sionin.

Është me vend që ne të ndalemi për t’u kushtuar respekt nderues atyre që hodhën themelin e kësaj vepre të madhe. … Qëllimi i tyre madhështor ishte Sioni [shih DeB 97:21; Moisiu 7:18]. Ata kënduan për atë. Ata ëndërruan rreth tij. Ai ishte shpresa e tyre e madhe. Udhëtimi i tyre epik duhet të qëndrojë përgjithmonë si një ndërmarrje e pashoqe. Lëvizja e dhjetëra mijërave për në Perëndim ishte e mbushur me çdo kërcënim të përfytyrueshëm, përfshirë vdekjen, realiteti i zymtë i së cilës ishte i njohur për çdo varg karrosh dhe për çdo kompani karrocash dore.

Unë qëndroj me respekt nderues për Brigam Jangun. Ai e pa Luginën e Solt-Lejkut në vegim shumë kohë para se ta shikonte me sytë e tij natyrorë. Përndryshe, dyshoj se do të kishte ndaluar ndonjëherë këtu. Kishte toka më të gjelbra në Kaliforni dhe në Oregon. Kishte tokë më të thellë dhe më pjellore gjetkë. Kishte rrafshe të mëdha të pyllëzuara në vende të tjera, shumë më shumë ujë dhe klimë më të butë e të këndshme.

Kishte përrenj malorë këtu, është e vërtetë, por asnjëri prej tyre nuk ishte shumë i madh. Toka ishte krejtësisht e paprovuar. Asnjë parmendë nuk e kishte thyer ndonjëherë sipërfaqen e saj mjaft të ngurtë. Unë çuditem, unë thjesht çuditem, që Presidenti Jang do ta udhëhiqte një kompani të madhe … për në një vend ku kurrë më parë nuk kishte pasur një mbjellje dhe një korrje. …

Ata ishin të rraskapitur nga udhëtimi, këta pionierë. Ishin dashur 111 ditë për t’i sjellë ata nga Lagjet Dimërore për në Luginën e Solt-Lejkut. Ata ishin të lodhur. Rrobat e tyre ishin grisur. Kafshët e tyre ishin kapitur. Moti ishte i nxehtë dhe i thatë – moti i nxehtë i korrikut. Por ja ku ishin ata, duke shikuar nga e ardhmja dhe duke ëndërruar për një ëndërr të mijëvjeçarit, një ëndërr madhështore të Sionit.9

Një ditë më parë, unë qëndrova në doket e vjetra të Liverpulit të Anglisë. Nuk kishte praktikisht asnjë veprimtari mëngjesin e së premtes kur ne qemë atje. Por dikur ky ishte një zgjua i vërtetë bletësh. Gjatë viteve 1800, dhjetëra mijëra nga njerëzit tanë ecën mbi të njëjtin kalldrëm me gur në të cilin ecëm ne. Ata erdhën nga anembanë Ishujve Britanikë dhe nga tokat e Europës, njerëz të kthyer në besim në Kishë. Ata erdhën me dëshmi në buzët e tyre dhe besim në zemrat e tyre. A ishte e vështirë t’i linin shtëpitë e tyre dhe të hidhnin hapin drejt së panjohurës së një bote të re? Sigurisht që ishte. Por ata e bënë atë me optimizëm dhe entuziazëm. Ata hipën në anije lundruese. Ata e dinin se kalimi i Atlantikut në rastin më të mirë do të ishte me rrezik. Ata shpejt zbuluan se, për pjesën më të madhe, ai qe i mjerueshëm. Ata jetuan në lagje të mbipopulluara javë pas jave. Ata duruan stuhi, lëngatë, sëmundje. Shumë vdiqën rrugës dhe u varrosën në det. Ai ishte një udhëtim i mundimshëm dhe i frikshëm. Ata kishin dyshime, po kishin. Por besimi i tyre u ngrit përmbi këto dyshime. Optimizmi i tyre u ngrit përmbi druajtjet e tyre. Ata kishin ëndrrën e tyre të Sionit dhe ata ishin në udhë e sipër për ta përmbushur atë.10

3

Shpëtimi i pionierëve të karrocave të dorës të Uillit dhe Martinit flet për vetë thelbin e ungjillit të Jezu Krishtit.

Unë ju çoj mbrapa në kohë në … tetor të vitit 1856. Të shtunën [më 4 tetor], Frenklin D. Riçards dhe një grusht bashkudhëtarësh mbërritën në luginën [e Solt-Lejkut]. Ata kishin udhëtuar nga Lagjet Dimërore me kuaj të fortë e karro të lehta dhe kishin qenë në gjendje t’ia dilnin për një kohë të shkurtër. Vëllai Riçards menjëherë kërkoi Presidentin Jang. Ai raportoi se kishte qindra burra, gra e fëmijë të shpërndarë nëpër shtegun e gjatë … për në luginën [e Solt-Lejkut]. Shumica e tyre ishin duke tërhequr karroca dore. … Përpara tyre shtrihej një shteg që ishte i përpjetë gjatë gjithë gjatësisë deri në Kontinental Divaid [pika më e lartë mesndarëse e kontinentit] me shumë e shumë milje përtej saj. Ata ishin në vështirësi të skajshme. … Të gjithë ata do të mbaronin, nëse nuk do të shpëtoheshin.

Unë mendoj se Presidenti Jang nuk fjeti atë natë. Mendoj që imazhe të atyre njerëzve … të mjerë parakaluan nëpër mendjen e tij.

Mëngjesin tjetër ai … i tha popullit:

“Unë tani do t’i jap këtij populli çështjen dhe parathënien për pleqtë që mund të flasin. … Është kjo. … Shumë prej vëllezërve e motrave tona janë në rrafshina me karroca dore dhe ndoshta shumë prej tyre tani janë rreth shtatëqind milje [1.100 kilometra] larg nga ky vend, dhe ata duhet të sillen këtu, ne duhet t’u dërgojmë ndihmë atyre. Parathënia do të jetë, ‘për t’i marrë ata këtu’.

Kjo është feja ime; ky është urdhri i Frymës së Shenjtë që unë zotëroj. Është që t’i shpëtojmë njerëzit.

Unë do t’u bëj thirrje Peshkopëve në këtë ditë. Unë nuk do të pres deri nesër, as deri të pasnesërmen, për 60 pendë të mira mushkash dhe 12 apo 15 karro. Unë nuk dëshiroj të dërgoj qé. Unë dëshiroj kuaj e mushka të mira. Ato janë në këtë Territor dhe ne duhet t’i përdorim. Gjithashtu 12 ton miell dhe 40 karrocierë të mirë, përveç atyre që do të drejtojnë pendët [e mushkave].

Unë do t’ju them të gjithëve ju se besimi, feja dhe shprehja e fesë suaj, kurrë nuk do të shpëtojnë asnjë shpirt prej jush në Mbretërinë Çelestiale të Perëndisë sonë, përveç nëse zbatoni pikërisht parime të tilla si ato që po ju mësoj tani. Shkoni dhe sillini këtu këta njerëz tani në rrafshina” (te LeRoy R. Hafen dhe Ann W. Hafen, Handcarts to Zion [1960], f. 120–121).

Atë pasdite, ushqime, shtresa dhe veshje në sasi të mëdha u mblodhën nga gratë.

Mëngjesin tjetër, kuajve u ishin mbathur patkonjtë dhe karrot ishin riparuar e ngarkuar.

Mëngjesin vijues, të martën, 16 pendë mushkash u nisën dhe u drejtuan për nga lindja. Deri në fund të tetorit 250 pendë morën udhën për të dhënë ndihmë.11

Kur shpëtuesit takuan shenjtorët e rraskapitur, ata dukeshin si engjëj nga qielli. Njerëzit qanë me lot mirënjohjeje. Njerëzit e karrocave të dorës u çuan te karrocat me kuaj, në mënyrë që të udhëtonin më shpejt për në komunitetin e Solt-Lejkut.

Rreth dyqind vetë vdiqën, por një mijë u shpëtuan.12

Pamja
shpëtimi i karrocave të dorës

“Kur shpëtuesit takuan shenjtorët e rraskapitur, ata dukeshin si engjëj nga qielli.”

Tregimet e [atyre] shenjtorëve të rraskapitur dhe të vuajtjes e vdekjes së tyre do të përsëriten sërish. … Tregimet e shpëtimit të tyre duhet të përsëriten sërish dhe sërish. Ato flasin për vetë thelbin e ungjillit të Jezu Krishtit.

… Unë jam mirënjohës që ne nuk kemi vëllezër e motra të ngecur në dëborë, duke ngrirë së ftohti e duke vdekur, ndërsa përpiqen për të arritur në … Sionin e tyre në male. Por ka njerëz, jo pak, rrethanat e të cilëve janë të dëshpëruara dhe të cilët bëjnë thirrje për ndihmë e lehtësim.

Ka kaq shumë njerëz që janë të uritur e të varfër anembanë kësaj bote, të cilët kanë nevojë për ndihmë. Unë jam mirënjohës që jam në gjendje të them se ne jemi duke ndihmuar shumë njerëz që nuk janë të besimit tonë, por nevojat e të cilëve janë serioze dhe për të cilët ne kemi burime për t’i ndihmuar. Por ne nuk duhet t’i hedhim sytë shumë larg [njerëzve tanë]. Ne kemi disa nga vetë njerëzit tanë që klithin në dhembje dhe vuajtje, dhe vetmi, dhe frikë. Është detyra jonë e madhërishme dhe solemne që t’u zgjatim dorën dhe t’i ndihmojmë, t’i lartësojmë, t’i ushqejmë nëse janë të uritur, të kujdesemi për shpirtin e tyre nëse janë të etur për të vërtetën dhe drejtësinë.

Ka kaq shumë të rinj që enden pa qëllim dhe përfshihen në udhën tragjike të drogës, bandave, imoralitetit dhe të gjitha llojeve të telasheve që i shoqërojnë këto gjëra. Ka të veja që presin me ëndje zëra miqësorë dhe atë frymë shqetësimi plot merak që tregon dashuri. Ka nga ata që dikur ishin të ngrohtë në besim, por besimi i të cilëve është ftohur. Shumë prej tyre dëshirojnë të kthehen, por nuk dinë saktësisht se si ta bëjnë atë. Ata kanë nevojë për duar miqësore që zgjaten drejt tyre. Me pak përpjekje, shumë prej tyre mund të sillen për t’u ushqyer sërish me bollëk në tryezën e Zotit.

Vëllezërit e motrat e mia, do të shpresoja, do të lutesha, që secili prej nesh … t’ia dalë në kërkimin e atyre që kanë nevojë për ndihmë, që janë në rrethana të dëshpëruara e të vështira, dhe t’i ngrenë ata lart me shpirtin e dashurisë drejt përqafimit të Kishës, ku duar të forta e zemra të dashura do t’i ngrohin, ngushëllojnë, mbështetin e vënë në udhën e jetës së lumtur e frytdhënëse.13

4

Secili prej nesh është një pionier.

Është gjë e mirë të shikojmë nga e kaluara për të fituar vlerësim për të tashmen dhe perspektivë për të ardhmen. Është gjë e mirë të shikojmë virtytet e atyre që kanë jetuar më parë, për të fituar forcë për çfarëdo që shtrihet përpara. Është gjë e mirë të reflektojmë për punën e atyre që kanë punuar aq shumë e fituar aq pak në këtë botë, por nga ëndrrat dhe planet e hershme të të cilëve, të ushqyera aq mirë, ka ardhur një korrje e madhe, përfitues të së cilës jemi ne. Shembulli i tyre i madh mund të bëhet një shtysë detyruese për të gjithë ne, pasi secili prej nesh është një pionier në vetë jetën e tij, shpesh në vetë familjen e tij dhe shumë prej nesh veprojnë si pionierë përditë në përpjekjen për të krijuar rrënjë të ungjillit në pjesë të largëta të botës.14

Ne jemi ende duke vepruar si pionierë. Ne kurrë nuk kemi pushuar së vepruari si pionierë që nga koha … kur populli ynë u largua nga Navuja dhe erdhi … përfundimisht në luginën e Solt-Lejkut të Madh. Pati aventurë në të. Por qëllimi i saj ishte të gjendej një vend ku ata të mund të vendoseshin e ta adhuronin Perëndinë sipas diktatit të ndërgjegjes. …

Tani, ne jemi ende duke u shtrirë anembanë botës në vende ku [dikur] mezi dukej se mund të hyhej. … Unë e kam dëshmuar personalisht rritjen e Kishës në Filipine. Qe privilegji im të hapja punën misionare atje në vitin 1961, kur ne qemë në gjendje të gjenim një anëtar vendas filipinas të Kishës në një takim që e mbajtëm në maj të vitit 1961. [Në vitin 1996] ne qemë në Manila dhe patëm një grumbullim … me rreth 35.000 veta në atë Araneta Koliseum të madhe. … Për mua është një mrekulli [që nga koha] kur e hapëm punën në atë tokë të madhe të Filipineve [shih faqen 30 për më shumë në lidhje me këtë përvojë].

Ne jemi duke u shtrirë gjithkund dhe kjo kërkon të veprosh si pionier. Misionarët tanë nuk jetojnë nën rrethanat më të mira kur shkojnë në disa nga këto zona, por ata shkojnë përpara dhe e bëjnë punën e tyre, dhe ajo jep fryt. Shpejt ne kemi një numër të vogël anëtarësh, pastaj njëqind anëtarë dhe pastaj pesëqind anëtarë, dhe pastaj njëmijë anëtarë.15

Ditët e të vepruarit si pionierë në Kishë janë ende me ne; ato nuk mbaruan me karro të mbuluara e karroca dore. … Pionierët gjenden mes misionarëve që japin mësim ungjillin, dhe ata gjenden mes të kthyerve në besim që vijnë në Kishë. Zakonisht është e vështirë për secilin prej tyre. Ajo përherë përfshin sakrificë. Ajo mund të përfshijë përndjekje. Por këto janë kosto që shlyhen me dëshirë, dhe çmimi që paguhet, është po aq i vërtetë sa ishte çmimi i atyre që kapërcyen rrafshinat në përpjekjen e madhe pioniere më shumë se një shekull më parë.16

Qoftë nëse keni prejardhje pioniere apo erdhët në Kishë vetëm dje, ju jeni pjesë e tërë kësaj tabloje madhështore për të cilën ata burra e gra ëndërruan. Ajo e tyrja qe një ndërmarrje e madhërishme. Kjo e jona është një përgjegjësi e madhe, e vazhdueshme. Ata hodhën themelin. Neve na takon detyra të ndërtojmë mbi të.

Ata shënuan shtegun dhe udhëhoqën rrugën. Neve na takon detyra ta zmadhojmë dhe zgjerojmë, dhe forcojmë atë shteg derisa të përfshijë të tërë tokën. … Besimi qe parimi udhëheqës në ato ditë të vështira. Besimi është parimi udhëheqës të cilit ne duhet t’i bindemi sot.17

Pamja
Presidenti Hinkli me gra, fëmijë afrikanë

“Qoftë nëse keni prejardhje pioniere apo erdhët në Kishë vetëm dje, ju jeni pjesë e tërë kësaj tabloje madhështore për të cilën ata burra e gra ëndërruan.”

5

Ne i nderojmë sakrificat dhe trashëgiminë e pionierëve duke ndjekur shembullin e tyre dhe duke ndërtuar mbi themelin e tyre.

Sa gjë e mrekullueshme është që të kemi një trashëgimi të madhe, vëllezërit dhe motrat e mia. Sa gjë madhështore të dimë se kemi ata që kanë jetuar para nesh dhe kanë shënuar udhën ku ne duhet të ecim, duke dhënë mësim ato parime të mëdha e të përjetshme që duhet të jenë yjet udhëheqës të jetës sonë dhe të atyre që do të vijnë pas nesh. Ne sot mund ta ndjekim shembullin e tyre. Pionierët ishin njerëz me besim të madh, me besnikëri të jashtëzakonshme, zell të paimagjinueshëm dhe me integritet moral absolutisht të fortë dhe të paepur.18

Ne qëndrojmë sot si marrësit e përpjekjes së madhërishme të [pionierëve]. Shpresoj të jemi falënderues. Shpresoj se ne mbartim në zemrat tona një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për të gjitha gjërat që ata kanë bërë për ne.

… Ashtu si gjëra të mëdha priteshin prej tyre, po kështu priten nga ne. Ne vëmë re atë që bënë ata me atë që kishin. Ne kemi shumë më tepër, me një sfidë mbizotëruese për të bërë përpara dhe për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. Ka kaq shumë për të bërë. Ne kemi një urdhër hyjnor për t’ia çuar ungjillin çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli. Ne kemi një detyrë për të dhënë mësim e për të pagëzuar në emrin e Zotit Jezu Krisht. Tha Shpëtimtari i ringjallur: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” [Marku 16:15]. …

Stërgjyshërit tanë hodhën një themel të fortë dhe të mahnitshëm. Tani, e jona është mundësia e madhërishme për të ndërtuar një strukturë mbi tokë, e gjitha e lidhur mirë si një e tërë me Krishtin si gurin kryesor të qoshes.19

Ju jeni fryti i të gjithë planifikimit [të pionierëve] dhe të gjithë punës së tyre. … Sa popull i mrekullueshëm ishin ata. Nuk ka asgjë të ngjashme me përpjekjen e tyre të jashtëzakonshme në të gjithë historinë. … Zoti e bekoftë kujtimin e tyre për të mirën tonë. Kur udha duket e vështirë, kur jemi të shkurajuar duke menduar se gjithçka ka humbur, ne mund të kthehemi nga ata dhe të shohim se sa më e keqe ishte gjendja e tyre. Kur e pyesim veten për të ardhmen, ne mund të shikojmë nga ata dhe shembulli i tyre i madh i besimit. …

Me një trashëgimi kaq të madhe, ne duhet të bëjmë përpara. Ne kurrë nuk duhet të reshtim. Ne duhet t’i mbajmë kokat tona lart. Ne duhet të ecim me integritet moral. Ne duhet të “bëj[më] ç’ësht’ e drejt’ [dhe] pasojat le t’vazhdojnë” (“Bëj Ç’Ësht’ e Drejt’”, Himne, 1985, nr. 149).20

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përse besimi ishte thelbësor për pionierët që dëshironin të mblidheshin në Luginën e Solt-Lejkut? (Shih pjesën 1.) Si e vunë ata besimin e tyre në veprim? Si mund ta vëmë ne besimin tonë në veprim për të bërë të ndodhë e “ardhm[ja] e madhërishme” përpara nesh?

  • Presidenti Hinkli na mësoi se pionierët e hershëm shikonin nga e ardhmja, me Sionin si “qëllimi[n e] tyre madhështor”, “shpres[ën] e tyre [të] madhe” dhe “ënd[rrën]” e tyre (pjesa 2). Përse mendoni se kjo ishte një forcë kaq e fuqishme shtytëse për pionierët e hershëm? Çfarë shpresash të ngjashme na japin shtysë ne sot?

  • Çfarë ju bën përshtypje te historia e Presidentit Hinkli për shpëtimin e pionierëve të karrocave të dorës të Uillit dhe Martinit? (Shih pjesën 3.) Si e tregon thirrja për shpëtim e Brigam Jangut frymëzimin e tij profetik? Çfarë mund të mësojmë ne nga ata që iu përgjigjën thirrjes së tij? Çfarë mund të bëjmë ne për të shpëtuar dhe për të ngritur ata që janë në nevojë sot?

  • Si ju ndihmon të shikuarit nga e kaluara “për të fituar vlerësim për të tashmen dhe perspektivë për të ardhmen”? (Shih pjesën 4.) Në cilat mënyra është secili prej nesh një pionier?

  • Përse është gjë e mirë për ne që t’i nderojmë pionierët e hershëm? (Shih pjesën 5.) Në ç’kuptim janë të gjithë anëtarët e Kishës të bekuar nga besimi dhe sakrificat e atyre pionierëve? Si mund të na ndihmojnë shembujt e pionierëve të hershëm ndërsa përballemi me sfida?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 25:40; Ethëri 12:6–9; DeB 64:33–34; 81:5; 97:8–9; 98:1–3

Ndihmë për Mësimdhënien

“Diskutimet kuptimplote janë thelbësore për pjesën më të madhe të mësimdhënies së ungjillit. … Nëpërmjet diskutimeve të udhëhequra mirë, interesi dhe vëmendja e nxënësve rritet. Çdo person i pranishëm mund të nxitet që të përfshihet aktivisht në procesin e të mësuarit. … Bëni pyetje që nxitin komente të menduara, dhe ndihmojini individët që të përsiatin me të vërtetë për ungjillin” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 63).

Shënime

  1. “The BYU Experience” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 30 nëntor 1999), f. 2, speeches.byu.edu.

  2. Fjalim i dhënë në Konferencën Rajonale të Veriut dhe të Jugut të Qytetit të Guatemalës, 26 janar 1997, f. 2; Church History Library [Biblioteka e Historisë së Kishës], Solt-Lejk-Siti.

  3. Fjalim i dhënë në një takim me anëtarë në Bangkok të Tajlandës, 13 qershor 2000, f. 2; Church History Library [Biblioteka e Historisë së Kishës], Solt-Lejk-Siti.

  4. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 2: 2000–2004 (2005), f. 360–361.

  5. “The Faith of the Pioneers”, Ensign, korrik 1984, f. 3.

  6. “God Grant Us Faith”, Ensign, nëntor 1983, f. 52–53.

  7. “The Faith of the Pioneers”, f. 5–6.

  8. “God Grant Us Faith”, f. 53.

  9. “These Noble Pioneers” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 2 shkurt 1997), f. 1–2, speeches.byu.edu.

  10. “Stay the Course—Keep the Faith”, Ensign, nëntor 1995, f. 72.

  11. “Reach with a Rescuing Hand”, Ensign, nëntor 1996, f. 85–86.

  12. “The Faith to Move Mountains”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 84; [“Besimi për të Zhvendosur Male”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006 (nr. i artikullit 01637 101), f. 113].

  13. “Reach with a Rescuing Hand”, f. 86.

  14. “The Faith of the Pioneers”, f. 3.

  15. Te Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 592.

  16. Te Gerry Avant, “Present-Day Pioneers: Many Are Still Blazing Gospel Trails”, Church News, 24 korrik 1993, f. 6.

  17. “These Noble Pioneers”, f. 2, 4.

  18. “These Noble Pioneers”, f. 2.

  19. “True to the Faith”, Ensign, maj 1997, f. 66–67.

  20. “These Noble Pioneers”, f. 2, 6.