Mësime të Presidentëve
Kapitulli 18: Virtyti – një Gur Themeli mbi të Cilin Duhet ta Ndërtojmë Jetën Tonë


Kapitulli 18

Virtyti – një Gur Themeli mbi të Cilin Duhet ta Ndërtojmë Jetën Tonë

“Ju jeni, secili prej jush, fëmijë të një Ati hyjnor në Qiell. Ju u krijuat sipas modelit të Tij në shëmbëlltyrën e Krijuesit tuaj. Trupi juaj është i shenjtë. Ai është tempulli i shpirtit tuaj. Mos e ndotni me mëkat.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Duke u folur studentëve në Universitetin “Brigam Jang” në vitin 2007, Presidenti Gordon B. Hinkli tha:

“Para ca kohësh vura re një gjë shumë interesante. Në Solt-Lejk-Siti, herët një mëngjes të shtune, ndërtesa e Bankës Key [Ki] u shkatërrua me një seri lëndësh plasëse të vendosura mirë. Gjithçka ndodhi në tri ose katër sekonda, me një re të madhe pluhuri që u shtri deri në veriperëndim. Procesi quhet brendashpërthim, në dallim nga shpërthimi.

Ndërtesa qe ndërtuar pothuaj 30 vjet më parë. Mendoj se ndërtimi zgjati për një periudhë të paktën një, ndoshta dyvjeçare. Tani ajo u zhduk brenda pak sekondash.

Kjo, miqtë e mi, është historia e shumë njerëzve. Ne i rritim ata me shumë kujdes për një periudhë kohe. Pastaj ne e gjejmë veten tonë në rrethana shumë të vështira. Bëhen gabime. Dëlirësia rrezikohet. Ka një brendashpërthim dhe gjithçka që mbetet është një sasi pluhuri.

M’u kujtua kjo gjë kur më erdhën ndër mend një i ri dhe e re që erdhën në zyrën time. Ai ishte një djalë i pashëm dhe ajo ishte një vajzë e bukur. Ata ishin studentë universiteti. E ardhmja e tyre dukej e shndritshme dhe e bukur. Por ata iu dorëzuan tundimit. …

Sytë e tyre u mbushën me lot ndërsa biseduan me mua. Por nuk mund t’ia mbathnin nga realiteti që ishte përballë tyre. Jeta e tyre kishte përjetuar një brendashpërthim dhe një kullë ëndrrash ishte shkallmuar.

Mos lejoni që kjo t’ju ndodhë edhe juve. Mos dështoni për të arritur potencialin tuaj duke vënë në rrezik zotimin tuaj ndaj moralshmërisë. Ju jeni, secili prej jush, fëmijë të një Ati hyjnor në Qiell. Ju u krijuat sipas modelit të Tij në shëmbëlltyrën e Krijuesit tuaj. Trupi juaj është i shenjtë. Ai është tempulli i shpirtit tuaj. Mos e ndotni me mëkat.

Tani, duke iu referuar ilustrimit të kullës që u shemb, unë ju kujtoj se në vend të saj do të ndërtohet një ndërtesë e re dhe e bukur. Në mënyrë të ngjashme, ata që kanë bërë shkelje, mund të kthehen te Shëlbuesi i tyre, te Shpëtimtari ynë Jezu Krishti, dhe, nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Tij, të bëhen të pastër dhe të përtëritur sërish.”1

Pamja
Presidenti Hinkli në foltore

Presidenti Gordon B. Hinkli këshilloi: “Le të jetë virtyti një gur themeli mbi të cilin duhet ta ndërtoni jetën tuaj”.

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Të jetuarit në mënyrë të virtytshme sjell bekime të mrekullueshme dhe të jashtëzakonshme.

Nuk ka gjë më të mahnitshme në gjithë këtë botë sesa virtyti. Ai ndriçon pa e humbur shkëlqimin. Është i çmuar dhe i bukur. Nuk ka çmim për të. Nuk mund të blihet apo të shitet. Është fryt i vetëkontrollit.

… Zoti na ka dhënë një urdhër të mrekullueshëm. Ai tha: “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim” (DeB 121:45). Ky bëhet një urdhërim që duhet respektuar me zell dhe disiplinë. Dhe atij i bashkëngjitet premtimi i bekimeve të mrekullueshme dhe të jashtëzakonshme. Ai u ka thënë atyre që jetojnë virtytshëm:

“Atëherë do të forcohet vetëbesimi yt në prani të Perëndisë. …

Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm dhe skeptri yt një skeptër i pandryshueshëm i drejtësisë dhe së vërtetës; dhe sundimi yt do të jetë një sundim i përjetshëm dhe, pa mënyra detyruese, ai do të rrjedhë tek ty përherë e përgjithmonë” (DeB 121:45–46).

A mund të ketë premtim më të madh ose më të bukur se ky?2

A ka një arsye të vlefshme për virtytin? Ai është e vetmja mënyrë për t’u çliruar nga keqardhja. Paqja e ndërgjegjes, e cila rrjedh prej kësaj, është e vetmja paqe vetjake që nuk është e rreme.

Dhe përtej gjithë kësaj është premtimi i pandryshueshëm i Perëndisë ndaj atyre që ecin në virtyt. Duke folur në mal, Jezusi i Nazaretit shpalli: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë” (Mateu 5:8). Ajo është një besëlidhje, e bërë nga Ai që ka fuqinë për ta përmbushur.3

Ju duhet ta pranoni, ju duhet ta pranoni se, që të dyja, përvoja dhe urtësia hyjnore, e diktojnë virtytin dhe pastërtinë morale si mënyra që të çon drejt forcës së karakterit, paqes në zemër dhe lumturisë në jetë.4

Le të jetë virtyti një gur themeli mbi të cilin duhet ta ndërtoni jetën tuaj.5

2

Kur ngrihemi mbi ndyrësinë dhe pamoralshmërinë e botës, ne gëzojmë lumturi, siguri dhe paqe më të madhe të mendjes.

Teksa hedhim vështrimin kudo në botë, duket se morali në përgjithësi është flakur tutje. Dhunimi i standardeve të vjetra është bërë i zakonshëm. Studimet, njëri pas tjetrit, tregojnë se ka ndodhur një braktisje e atyre parimeve që kanë dhënë prova me kalimin e kohës. Disiplinimi i vetes është harruar dhe kënaqësia në shthurjen morale është bërë tepër e përhapur.

Por, miqtë e mi të dashur, ne nuk mund ta pranojmë atë që është bërë e zakonshme në botë. Standardi juaj, si anëtarë të kësaj Kishe, është një standard më i lartë dhe më kërkues. Ai shpall si një zë nga Sinai që ti nuk do të përfshihesh në këtë gjë. Ju duhet t’i kontrolloni dëshirat tuaja.6

Fjalët e Palit drejtuar shenjtorëve korintas janë po aq të zbatueshme për ne sot siç ishin për ata të cilëve ai u shkroi. Tha ai:

“A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?

Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë” (1 Korintasve 3:16–17).7

Sërish këshilla e Palit për Timoteun: “Ruaje veten të pastër” (1 Timoteut 5:22).

Ato janë fjalë të thjeshta. Por janë gjithmonë shumë të rëndësishme. Në fakt, Pali po thotë që t’u rrini larg atyre gjërave që do t’ju shembnin dhe shkatërronin shpirtërisht. Qëndroni larg shfaqjeve televizive që ju çojnë në mendime të papastra dhe fjalor të papastër. Qëndroni larg materialeve filmike që do t’ju çojnë në mendime të liga. Ato nuk do t’ju ndihmojnë. Ato vetëm sa do t’ju lëndojnë. Qëndroni larg librave dhe revistave që janë të fëlliqura dhe të ndyra në atë që thonë dhe portretizojnë. Ruajeni veten të pastër.8

Pamja
një burrë dhe një grua

Dëlirësia është “mënyra për të qenë i lumtur në jetë”.

Martesa është e shuguruar nga Perëndia, martesa midis një burri dhe një gruaje. Është institucioni sipas të cilit Ai përcaktoi se fëmijët duhej të vinin në botë. Marrëdhëniet seksuale në çfarëdo rrethanë tjetër bëhen shkelje dhe janë plotësisht në kundërshtim me mësimet e ungjillit të Jezu Krishtit.9

Ne besojmë në dëlirësi para martesës dhe besnikëri të plotë pas martesës. Kjo e përmbledh të gjithën. Kjo është mënyra për të qenë i lumtur në jetë. Kjo është mënyra drejt kënaqësisë. Ajo sjell paqe për zemrën dhe paqe për shtëpinë.10

Asnjë familje nuk mund të ketë paqe, asnjë jetë nuk mund të jetë e lirë nga stuhitë e kundërshtisë nëse ajo familje dhe ajo shtëpi nuk janë ndërtuar mbi themelet e moralshmërisë, besnikërisë dhe respektit të ndërsjellë. Nuk mund të ketë paqe atje ku nuk ka mirëbesim; nuk mund të ketë liri atje ku nuk ka besnikëri. Drita e ngrohtë e diellit të dashurisë nuk do të lindë nga moçali i shthurjes.11

Besoj se duhet të jetë bekimi i çdo fëmije që të lindë në një shtëpi ku ai fëmijë mirëpritet, edukohet, e duan dhe bekohet me prindër, një baba dhe një nënë, të cilët jetojnë me besnikëri ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj fëmijëve të tyre. … Qëndroni të fortë kundër dinakërisë së botës. Krijuesit e argëtimit tonë, furnizuesit e shumë prej literaturës sonë, duan që ju të besoni tjetër gjë. Urtësia e mbledhur e shekujve shpall me qartësi e siguri se lumturia më e madhe, siguria më e madhe, paqja më e madhe e mendjes, rezervuarët më të thellë të dashurisë provohen vetëm nga ata që ecin sipas standardeve të provuara nga koha, të virtytit përpara martese dhe besnikërisë së plotë gjatë martesës.12

Ne jetojmë në një botë me ndyrësi dhe pamoralshmëri, dhe telashe. Ngrihuni mbi të, qëndroni më lart, lëreni botën prapa jush dhe ecni ashtu si Zoti do që ju të ecni.13

3

Pornografia krijon varësi dhe të shkatërron, por ne mund të ngrihemi mbi të.

Ngurroj të flas për një temë të cilën e kam trajtuar më parë. E bëj në frymën e fjalëve të Almës, i cili tha: “Kjo është lavdia ime se ndoshta unë mund të jem një mjet në duart e Perëndisë, që të sjell ndonjë shpirt në pendim dhe ky është gëzimi im” (Alma 29:9).

… Flas për pornografinë në të gjitha mënyrat se si shfaqet ajo. … Ajo është djallëzore. Ajo është plotësisht në mospërputhje me frymën e ungjillit, me dëshminë vetjake të gjërave të Perëndisë. …

… Të gjithë ata që përfshihen, bëhen viktima. Fëmijët shfrytëzohen dhe jeta e tyre dëmtohet rëndë. Mendja e të rinjve çoroditet nga konceptet e rreme. Ekspozimi i vazhdueshëm çon në varësi, që është pothuaj e pamundur për t’u ndërprerë. … Kaq shumë njerëz … zbulojnë se nuk mund ta lënë atë vetë. Energjitë e tyre dhe interesat e tyre harxhohen në kërkimin e tyre të kotë për këto materiale të rëndomta dhe të fëlliqura.

Jepet shfajësimi se është e vështirë ta shmangësh, se e kemi pikërisht në majë të gishtave dhe se nuk ka ikje [prej saj].

Le të hamendësojmë se furtuna tërbohet dhe era vërshëllen, dhe bora ngrihet vorbull përreth jush. E gjeni veten të paaftë për ta ndaluar atë. Por ju mund të visheni në mënyrë të përshtatshme dhe të kërkoni strehim, dhe stuhia nuk do të ketë ndikim te ju.

Në mënyrë të ngjashme, edhe pse interneti është i ngopur me materiale të ndyra, ju nuk keni pse t’i shikoni ato. Ju mund të tërhiqeni në strehën e ungjillit dhe të mësimeve të tij mbi pastërtinë dhe virtytin, dhe dëlirësinë e jetës.

E di se po flas në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qartë. E bëj këtë sepse interneti e ka bërë pornografinë më gjerësisht të arritshme, duke shtuar atë që është në dispozicion në DVD dhe materiale filmike, në televizion dhe stendat e revistave. Ajo çon në fantazira që janë shkatërruese për respektin ndaj vetes. Ajo çon në marrëdhënie të ndaluara, shpesh në sëmundje dhe veprimtari abuzuese kriminale.14

Ju jetoni në një botë me tundime të tmerrshme. Pornografia, me fëlliqësinë e saj të ndyrë, derdhet mbi botën si një valë e tmerrshme gllabëruese. Është helm. Mos e shikoni apo lexoni atë. Do t’ju shkatërrojë nëse e bëni. Do t’ju heqë respektin për veten. Do t’ju grabisë ndjesitë e bukurive të jetës. Do t’ju shembë e do t’ju tërheqë në një batak mendimesh të liga dhe ndoshta në veprime të liga. Qëndroni larg saj. Shmangeni ashtu siç do të bënit me një sëmundje molepsëse, sepse është po aq vdekjeprurëse. Jini të virtytshëm në mendime dhe veprime.15

Ka shumë ndyrësi dhe epsh, dhe pornografi në këtë botë. Ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme duhet të ngrihemi mbi të dhe të jemi të vendosur kundër saj. Nuk mund ta përballoni që të përfshiheni në të. Ju thjesht nuk mund ta përballoni që të përfshiheni në të. Ju duhet ta mbani jashtë zemrës suaj. Ashtu si duhani, ajo krijon varësi dhe do t’i shkatërrojë ata që ngatërrohen me të. “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim” [DeB 121:45].16

4

Me disiplinë dhe përpjekje, ne mund t’i kontrollojmë mendimet dhe veprimet tona.

Jini të pastër në mendje dhe atëherë ju do të keni kontroll më të madh mbi trupin tuaj. U tha nga të lashtët: “Ashtu si [një njeri] mendon në zemër të tij, ashtu është ai” (Fjalët e Urta 23:7). Mendime të papastra çojnë në veprime të papastra.17

Kur tundohemi, ne mund t’i zëvendësojmë mendimet e liga me mendime për [Shpëtimtarin] dhe mësimet e Tij. Ai ka thënë: “Dhe nëse syri juaj drejtohet te lavdia ime, tërë trupat tuaj do të mbushen me dritë dhe nuk do të ketë errësirë në ju; dhe ai trup që mbushet me dritë, kupton gjithçka.

Si rrjedhim, shenjtërojeni veten tuaj, që mendjet tuaja t’i përkushtohen tërësisht Perëndisë dhe ditët do të vijnë që ju do ta shihni atë; sepse ai do t’jua zbulojë juve fytyrën e tij” (DeB 88:67–68).18

Jezusi dha një urdhërim për t’i kontrolluar mendimet tona si edhe veprimet tona. Ai tha: “Kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet” (Mateu 5:28). …

Kontrolli mendor duhet të jetë më i fortë se orekset fizike apo dëshirat e mishit. Kur mendimet sillen në harmoni të plotë me të vërtetën e zbuluar, atëherë do të bëhen veprimet e duhura. … Secili prej nesh, me disiplinë dhe përpjekje, e ka kapacitetin për t’i kontrolluar mendimet dhe veprimet e veta. Kjo është pjesë e procesit të zhvillimit të pjekurisë shpirtërore, fizike dhe emocionale. …

Ne u lutemi njerëzve kudo që janë, që të jetojmë në përputhje me mësimet e Krijuesit tonë dhe të ngrihemi mbi tërheqjet mishtore të cilat shpesh rezultojnë në tragjedi që pasojnë shkeljen morale.19

5

Ata që janë përfshirë në sjellje të pamoralshme, mund të falen dhe të ngrihen mbi të kaluarën.

Nuk dua të jem negativ. Nga natyra jam optimist. Por në çështje të tilla si këto [pornografia dhe pamoralshmëria], unë jam realist. Nëse jeni përfshirë në sjellje të tilla, tani është koha për të ndryshuar. Le të jetë ky çasti i vendimit tonë. Le të ndryshojmë për një drejtim më të mirë.20

Nëse e shikoni veten tuaj t’i nënshtrohet trysnisë së rrethanave, disiplinojeni veten tuaj. Ndaloni përpara se të jetë tepër vonë. Ju do të jeni përgjithmonë mirënjohës që e bëtë këtë.

Jini të vërtetë ndaj vetes suaj dhe më të mirës që keni brenda jush.21

Më lejoni … t’ju siguroj se, nëse keni bërë një gabim, nëse jeni përfshirë në një sjellje të pamoralshme, nuk është shkatërruar gjithçka. Kujtimi i atij gabimi ka gjasa se do të zgjatë, por veprimi mund të falet dhe ju mund të ngriheni mbi të shkuarën për të jetuar një jetë të pranueshme plotësisht nga Zoti aty ku ka pasur pendim. Ai ka premtuar se do t’i falë mëkatet tuaja dhe nuk do t’i kujtojë më kundër jush (shih DeB 58:42).

… Udhëheqësit e Kishës [mund] t’ju ndihmojnë në vështirësinë tuaj. Ju mund ta hidhni pas çdo të ligë në të cilën jeni përfshirë. Ju mund të shkoni përpara me një përtëritje të shpresës dhe pranueshmërisë për një mënyrë shumë më të mirë jetese.22

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Hinkli dha mësim se ka një “arsye të vlefshme për virtytin” (pjesa 1). Si mund t’i përgjigjeni dikujt që argumenton se nuk ka një arsye të vlefshme për virtytin?

  • Përse është dëlirësia “mënyra për të qenë i lumtur në jetë”? Përse dëlirësia sjell “paqe për zemrën dhe paqe për shtëpinë”? (Shih pjesët 1 dhe 2.)

  • Presidenti Hinkli tha: “Ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme duhet të ngrihemi mbi [pornografinë] dhe të jemi të vendosur kundër saj” (pjesa 3). Çfarë mund të bëjmë për t’u ngritur mbi të? Si mund t’i ndihmojmë të tjerët të ngrihen mbi të? Si mendoni ju, çfarë do të thotë të jesh i vendosur kundër saj?

  • Ndërsa lexoni këshillat e Presidentit Hinkli në pjesën 4, çfarë mësoni rreth kontrollimit të mendimeve tuaja? Cilat janë disa gjëra praktike që mund të bëjmë për t’i ruajtur mendimet tona të pastra?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Psalmeve 24:3–4; Mateu 5:27–28; Filipianëve 4:6–8; Jakobi [LiM] 3:2; DeB 46:31–33; 59:6; Nenet e Besimit 1:13

Ndihmë për Studimin

Ndërsa lexoni, “nënvizoni dhe shënoni fjalët ose shprehjet që të mund të dalloni ndryshimet ndërmjet ideve në një [paragraf] të vetëm. … Në anë të fletës shkruani referencat e shkrimeve të shenjta që qartësojnë paragrafët që po studioni” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 23).

Shënime

  1. “True to the Faith” (Takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 18 shtator 2007), f. 2–3, speeches.byu.edu.

  2. “How Can I Become the Woman of Whom I Dream?” Ensign, maj 2001, f. 95.

  3. “Words of the Prophet: Blessed Are the Pure in Heart”, New Era, korrik 1999, f. 4.

  4. “Reverence and Morality”, Ensign, maj 1987, f. 48.

  5. Në Conference Report, tetor 1964, f. 118.

  6. “Stay on the High Road”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 114.

  7. “In These Three I Believe”, Ensign, korrik 2006, f. 4.

  8. “Converts and Young Men”, Ensign, maj 1997, f. 49.

  9. “True to the Faith”, Ensign, qershor 1996, f. 5.

  10. “This Thing Was Not Done in a Corner”, Ensign, nëntor 1996, f. 49.

  11. “In Search of Peace and Freedom”, Ensign, gusht 1989, f. 5.

  12. “Stand Strong Against the Wiles of the World”, Ensign, nëntor 1995, f. 99.

  13. “Inspirational Thoughts”, Ensign, shkurt 2007, f. 7.

  14. “A Tragic Evil among Us”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 59–62.

  15. “Some Thoughts on Temples, Retention of Converts, and Missionary Service”, Ensign, nëntor 1997, f. 51.

  16. “Inspirational Thoughts”, Ensign, gusht 1997, f. 6–7.

  17. “Be Ye Clean”, Ensign, maj 1996, f. 48.

  18. “A Tragic Evil among Us”, f. 62.

  19. “Reverence and Morality”, f. 47.

  20. “A Tragic Evil among Us”, f. 62.

  21. “Stand True and Faithful”, Ensign, maj 1996, f. 92.

  22. “How Can I Become the Woman of Whom I Dream?” f. 95.