Mësime të Presidentëve
Kapitulli 22: Përfshirja me Dashuri e të Kthyerve të Rinj në Besim dhe e Anëtarëve më Pak Aktivë


Kapitulli 22

Përfshirja me Dashuri e të Kthyerve të Rinj në Besim dhe e Anëtarëve më Pak Aktivë

“Ne vazhdimisht duhet [të jemi] të vëmendshëm ndaj detyrimit të jashtëzakonshëm për t’u shoqëruar … me ata që vijnë në Kishë si të kthyer në besim, dhe për t’i përfshirë me dashuri ata që … ecin nën hijet e mungesës së aktivitetit.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Një temë që Presidenti Hinkli e theksoi gjatë gjithë shërbimit të tij si President i Kishës, ishte rëndësia e përfshirjes së të kthyerve të rinj në besim dhe të atyre që nuk janë aktivë në Kishë. Ai tregoi shumë shembuj të përpjekjeve të tij vetjake lidhur me këtë gjë, njërën prej të cilave ai me trishtim e përshkroi si “një prej dështimeve të mia”. Ai shpjegoi:

“Kur po shërbeja si misionar në Ishujt Britanikë, shoku im dhe unë i dhamë mësim një të riu dhe ishte kënaqësia ime ta pagëzoja atë. Ishte i arsimuar mirë. Ishte i kulturuar. Ishte studiues. Isha shumë krenar për këtë të ri të talentuar që ishte bashkuar me Kishën. Ndjeva se i kishte të gjitha cilësitë që një ditë të bëhej një udhëheqës mes njerëzve tanë.

Ai ishte në udhën e bërjes së ndryshimit të madh nga i kthyer në besim në anëtar. Për një periudhë të shkurtër përpara se të lirohesha [nga misioni], e imja ishte mundësia për të qenë miku i tij. Pastaj u lirova dhe u ktheva në shtëpi. Atij iu dha një përgjegjësi e vogël në degën në Londër. Nuk dinte asgjë për atë që pritej prej tij. Bëri një gabim. Drejtuesi i organizatës ku ai shërbente, ishte një burrë që mund ta përshkruaj më mirë se kishte pak dashuri dhe shumë kritikë. Në një mënyrë disi të pamëshirshme, ai e qortoi mikun tim që kishte bërë një gabim të thjeshtë.

I riu u largua i nevrikosur dhe i lënduar atë natë nga salla jonë e marrë me qira. … Tha me vete: ‘Nëse ata janë njerëz të tillë, atëherë unë nuk do të kthehem më’.

Ai u bë joaktiv. Vitet kaluan. … Kur isha në Angli [përsëri], u përpoqa me dëshpërim ta gjeja atë. … U ktheva në shtëpi dhe më së fundi, pas një kërkimi të gjatë, isha në gjendje ta gjeja atë.

I shkrova një letër. Ai u përgjigj, por pa e përmendur ungjillin.

Kur isha sërish në Londër, përsëri e kërkova atë. Ditën që do të largohesha, e gjeta. E mora në telefon dhe ne u takuam te stacioni i metrosë. Ai m’i hodhi duart në qafë, sikurse ia hodha edhe unë. Kisha shumë pak kohë përpara se të më duhej të arrija avionin, por folëm shkurtimisht dhe me atë që e mendoj se ishte një respekt i vërtetë për njëri-tjetrin. Ai më dha një përqafim tjetër përpara se të largohesha. Isha i vendosur që kurrë nuk do ta humbisja lidhjen me të përsëri. …

Vitet kaluan. Unë u plaka sikurse u plak edhe ai. Doli në pension nga puna e tij dhe u vendos në Zvicër. Në një rast kur isha në Zvicër, e ndryshova rrugën time që të gjeja fshatin ku jetonte ai. E kaluam pjesën më të madhe të ditës së bashku – ai, gruaja e tij, gruaja ime dhe unë. Patëm një kohë të mrekullueshme, por ishte e dukshme që zjarri i besimit ishte shuar prej kohësh. U përpoqa në çdo mënyrë që dija, por nuk munda të gjeja një mënyrë për ta rindezur atë. E vazhdova letërkëmbimin tim. I dërgova libra, revista, regjistrime të Tabernacle Choir [Korit të Tabernakullit] dhe gjëra të tjera, për të cilat shprehu vlerësim.

Ai vdiq pak muaj më parë. Bashkëshortja e tij më shkroi që të më informonte për këtë. Ajo tha: ‘Ti ishte miku më i ngushtë që pati ndonjëherë’.

Lot m’u derdhën nëpër faqe kur e lexova atë letër. E dija se kisha dështuar. Ndoshta po të kisha qenë atje për ta ngritur kur ishte rrëzuar përtokë herën e parë, ai mund të kishte bërë diçka të ndryshme me jetën e tij. Mendoj se mund ta kisha ndihmuar atë në atë kohë. Mendoj se mund ta kisha mjekuar plagën që ai e vuajti. Kam vetëm një ngushëllim: u përpoqa. Kam vetëm një hidhërim: dështova.

Sfida tani është më e madhe sesa ka qenë ndonjëherë, sepse numri i të kthyerve në besim është më i madh sesa e kemi njohur ndonjëherë më parë. … Çdo i kthyer në besim është i çmuar. Çdo i kthyer në besim është një bir ose bijë e Perëndisë. Çdo i kthyer në besim është një përgjegjësi e madhe dhe serioze.”1

Shqetësimi i Presidentit Hinkli për të kthyerit e rinj në besim dhe për anëtarët më pak aktivë ishte rrjedhojë e përvojës së tij tek shihte se si ungjilli e bekon jetën. Një reporter lajmesh dikur e pyeti: “Çfarë ju sjell kënaqësinë më të madhe teksa e shihni punën e Kishës sot?” Presidenti Hinkli u përgjigj:

“Përvoja më e kënaqshme që kam, është të shoh se çfarë bën ky ungjill për njerëzit. U jep atyre një pikëpamje të re mbi jetën. U jep atyre një këndvështrim që nuk e kanë ndier kurrë më parë. I ngre vështrimet e tyre drejt gjërave fisnike dhe hyjnore. Diçka u ndodh atyre që është e mrekullueshme të shihet. Ata shohin te Krishti dhe bëhen të gjallë.”2

Pamja
Krishti me qengjin

“Zoti i la të nëntëdhjetë e nëntat për të gjetur delen e humbur.”

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Ne kemi përgjegjësi të madhe për t’i shërbyer individit.

Ne duhet të kujdesemi për individin. Krishti gjithmonë foli për individët. Ai i shëroi të sëmurët, individualisht. Ai foli në shëmbëlltyrat e Tij për individët. Kjo Kishë shqetësohet për individët, pavarësisht nga numri i anëtarëve tanë. Qoftë ky numër 6 apo 10, apo 12, apo 50 milionë, ne kurrë nuk duhet të harrojmë faktin që individi është gjëja e rëndësishme.3

Ne po bëhemi një shoqëri e madhe mbarëbotërore. Por interesi dhe shqetësimi ynë gjithmonë duhet të jenë me individin. Çdo anëtar i kësaj Kishe është një burrë ose një grua, një djalë ose një vajzë individuale. Përgjegjësia jonë e madhe është të kujdesemi që secili të “kujtohe[t] dhe të ushqehe[t] nga fjala e mirë e Perëndisë” (Moroni 6:4), që secili të ketë mundësi për rritje, shprehje dhe trajnim në punën dhe mënyrat e Zotit, që asnjërit të mos i mungojnë gjërat e nevojshme të jetës, që nevojat e të varfërve të plotësohen, që çdo anëtar të ketë nxitje, trajnim dhe mundësi për të ecur përpara në udhën e pavdekësisë dhe të jetës së përjetshme. …

Kjo punë lidhet me njerëzit, secili një bir ose një bijë e Perëndisë. Duke i përshkruar arritjet e saj ne flasim në lidhje me numrat, por të gjitha përpjekjet tona duhet të përkushtohen ndaj zhvillimit të individit.4

Dua të theksoj se ka një rritje shumë pozitive dhe të mrekullueshme neto në Kishë. … Ne kemi çdo arsye që të ndihemi plot kurajë. Por çdo i kthyer në besim, të cilit i ftohet besimi, është një tragjedi. Çdo anëtar i cili bëhet joaktiv, është një çështje për shqetësim serioz. Zoti i la të nëntëdhjetë e nëntat për të gjetur delen e humbur. Shqetësimi i Tij për [njërin] ishte kaq serioz sa Ai e bëri atë temën e njërit prej mësimeve të Tij më të mëdha [shih Lluka 15:1–7]. Nuk mund të jemi më pak të shqetësuar. Ne vazhdimisht duhet t’i mbajmë drejtuesit dhe anëtarësinë e Kishës të vëmendshëm ndaj detyrimit të jashtëzakonshëm për t’u dhënë shoqërim në një mënyrë shumë të vërtetë, të ngrohtë dhe të mrekullueshme atyre që vijnë në Kishë si të kthyer në besim, dhe për t’i ndihmuar me dashuri ata që për një arsye ose një tjetër ecin nën hijet e mungesës së aktivitetit. Ka prova të mjaftueshme që kjo mund të bëhet atje ku gjendet vullnet për ta bërë atë.5

2

Çdo i kthyer në besim është një përgjegjësi e madhe dhe serioze.

Kam arritur të ndiej që tragjedia më e madhe në Kishë është humbja e atyre që bashkohen me Kishën dhe më pas largohen prej saj. Me shumë pak përjashtime kjo nuk nevojitet të ndodhë. Jam i bindur se pothuajse përgjithësisht atyre që pagëzohen nga misionarët, u është mësuar mjaftueshëm që të kenë marrë dituri e dëshmi të mjaftueshme për ta garantuar pagëzimin e tyre. Por nuk është një gjë e lehtë ta bësh rastin e kalimit drejt bashkimit me këtë Kishë. Do të thotë t’i shkëputësh lidhjet e mëparshme. Do të thotë t’i lësh shoqëritë. Mund të thotë të lësh mënjanë bindje të pëlqyera. Mund të kërkojë një ndryshim të zakoneve dhe një nënshtrim të orekseve. Në kaq shumë raste do të thotë vetmi dhe madje frikë nga e panjohura. Duhet të ketë ushqim shpirtëror dhe forcim gjatë kësaj stine të vështirë të jetës së një të kthyeri në besim. Një çmim i jashtëzakonshëm është paguar për praninë e tij ose të saj në Kishë. Përpjekjet kohëgjata të misionarëve dhe çmimi i shërbimit të tyre, veçimi nga marrëdhëniet e mëparshme dhe tronditja e shoqëruar me gjithë këtë, e bëjnë jetike që këta shpirtra të çmuar të mirëpriten, të risigurohen, të ndihmohen në kohët e tyre të dobësisë, t’u jepet përgjegjësi brenda së cilës të mund të rriten të fortë dhe të nxiten e falënderohen për gjithçka që bëjnë.6

Pamja
burra duke punuar te një motoçikletë

“E ftoj çdo anëtar që të përfshihet në miqësi e dashuri me ata që vijnë në Kishë si të kthyer në besim.”

Nuk ka tërësisht asnjë domethënie në kryerjen e punës misionare nëse ne nuk do t’i ruajmë frytet e asaj përpjekjeje. Të dyja këto duhet të jenë të pandashme. Këta të kthyer në besim janë të çmuar. … Çdo i kthyer në besim është një përgjegjësi e madhe dhe serioze. Është një domosdoshmëri tërësore që ne të kujdesemi për ata që janë bërë një pjesë prej nesh. …

Para ca ditësh mora një letër tepër interesante. Ishte shkruar nga një grua që u bashkua me Kishën një vit më parë. Ajo shkruan:

“Udhëtimi im për në Kishë ishte i pashoq dhe mjaft sfidues. Ky vit që shkoi, ka qenë viti më i vështirë që kam jetuar ndonjëherë në jetën time. Ka qenë gjithashtu edhe më shpërblyesi. Si anëtare e re, unë vazhdoj të sfidohem çdo ditë.” …

Ajo tha që “anëtarët e Kishës nuk e dinë se çfarë do të thotë të jesh një anëtar i ri i Kishës. Si rrjedhim, është pothuajse e pamundur për ta që të dinë se si të na përkrahin.”

Ju drejtoj sfidën, vëllezërit dhe motrat e mia, që, nëse nuk e dini se si është, përpiquni ta përfytyroni se si është. Mund të jetë tmerrësisht e vetmuar. Mund të jetë zhgënjyese. Mund të jetë frikësuese. Ne të kësaj Kishe jemi shumë më të ndryshëm nga bota sesa jemi të prirur të mendojmë që jemi. Kjo grua vazhdon:

“Kur nga kërkues bëhemi anëtarë të Kishës, ne befasohemi të zbulojmë se kemi hyrë në një botë tërësisht të huaj, një botë që ka traditat, kulturën dhe të folurën e vet. Ne zbulojmë se nuk ka asnjë njeri ose asnjë vend referimi ku mund të kthehemi për udhërrëfim në udhëtimin tonë në këtë botë të re. Në fillim udhëtimi është emocionues, gabimet tona madje argëtuese, më pas bëhet irritues dhe më së fundi irritimi kthehet në zemërim. Dhe është në këto faza të irritimit dhe zemërimit që ne largohemi. Ne kthehemi te bota nga e cila erdhëm, ku e dinim se kush ishim, ku luanim rol dhe ku mund ta flisnim gjuhën e saj.”7

Disa individë vetëm janë pagëzuar, ata nuk i kanë shoqëruar dhe në dy ose tre muaj thonë lamtumirë. Është kaq e rëndësishme, vëllezërit dhe motrat e mia, të kujdesemi që [anëtarët e sapopagëzuar] të kthehen në besim, që ata të kenë në zemrat e tyre një bindje për sa i përket kësaj pune të madhe. Kjo nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me mendjen. Është një çështje e zemrës dhe e prekjes nga Shpirti i Shenjtë derisa ata të dinë se kjo punë është e vërtetë, se Jozef Smithi ishte me të vërtetë një profet i Perëndisë, se Perëndia jeton, se Jezu Krishti jeton dhe se Ata iu shfaqën djaloshit Jozef Smith, se Libri i Mormonit është i vërtetë, se priftëria është këtu me të gjitha dhuratat dhe bekimet e saj. Thjesht nuk mund ta theksoj këtë tepër fuqishëm.8

3

Çdo i kthyer në besim ka nevojë për miqësi, një përgjegjësi dhe të ushqyerin me fjalën e Perëndisë.

Me numrin gjithnjë në rritje të të kthyerve në besim, ne duhet të bëjmë një përpjekje gjithnjë e më thelbësore për t’i ndihmuar ata ndërsa e gjejnë udhën e tyre. Secili prej tyre ka nevojë për tri gjëra: një mik, një përgjegjësi dhe ushqimin me ‘fjal[ën] e mirë [të] Perëndisë’ (Moroni 6:4). Është detyra dhe mundësia jonë që t’i sigurojmë këto gjëra.9

Miqësia

[Të kthyerit në besim] vijnë në Kishë me entuziazëm për atë që kanë gjetur. Ne duhet të ndërtojmë menjëherë mbi atë entuziazëm. … Dëgjojini ata, udhërrëfejini ata, jepuni përgjigje pyetjeve të tyre dhe jini atje për të ndihmuar në të gjitha rrethanat dhe në të gjitha kushtet. … E ftoj çdo anëtar që të përfshihet me miqësi e dashuri për ata që vijnë në Kishë si të kthyer në besim.10

Ne kemi një detyrim të madh ndaj atyre që pagëzohen në Kishë. Nuk mund t’i lëmë pas dore. Nuk mund t’i lëmë të qëndrojnë të vetëm. Ata kanë nevojë për ndihmë ndërkohë që fillojnë të mësohen me udhët dhe kulturën e kësaj Kishe. Dhe është bekimi dhe mundësia jonë e madhe për t’ua dhënë atë ndihmë. … Një buzëqeshje e ngrohtë, një shtrëngim dore me miqësi, një fjalë kurajëdhënëse do të bëjnë mrekulli.11

Le t’i përfshijmë këta njerëz! Le të shoqërohemi me ta! Le të jemi mirëdashës ndaj tyre! Le t’u japim kurajë! Le t’i shtojmë besimit të tyre dhe njohurisë së tyre për këtë, veprën e Zotit.12

Ju lutem juve … që t’ua hidhni krahun atyre që vijnë në Kishë, të jeni miq me ta, t’i bëni të ndihen të mirëpritur e t’i ngushëlloni dhe ne do të shohim vërtet përfundime të mrekullueshme. Zoti do t’ju bekojë që të jepni ndihmesë në këtë proces të madhërishëm të mbajtjes në aktivitet të të kthyerve në besim.13

Përgjegjësia

Kjo Kishë pret diçka nga njerëzit. Ajo ka standarde të larta. Ka doktrinë të fortë. Kërkon shërbim të madh nga njerëzit. Ata nuk rrinë thjesht duarkryq. Ne presim që ata të bëjnë gjëra. Njerëzit i përgjigjen kësaj. Ata e mirëpresin mundësinë për të dhënë shërbim dhe, ndërsa e bëjnë këtë, rriten në aftësinë e tyre, në kuptueshmërinë e tyre dhe në aftësitë e tyre për të bërë gjëra dhe për t’i kryer mirë ato.14

Jepuni [anëtarëve të rinj] diçka për të bërë. Ata, pa ushtrim, nuk do të bëhen të fortë në besim. Besimi dhe dëshmia janë si muskujt e krahut tim. Nëse i përdor ata muskuj dhe i ushqej ata, do të rriten më të fortë. Por, nëse e vendos krahun tim brenda një fashe dhe e lë atje, ai do të dobësohet e bëhet i padobishëm dhe kështu është me dëshmitë.

Tani, disa prej jush thonë që nuk janë gati të marrin përgjegjësi. Por askush prej nesh nuk ishte gati kur erdhi thirrja. Mund ta them këtë për veten time. A mendoni se isha gati për këtë thirrje të madhërishme dhe të shenjtë? U ndjeva i tronditur tej mase. U ndjeva i papërshtatshëm. Ende ndihem i pushtuar tej mase. Ende ndihem i papërshtatshëm. Por po përpiqem të eci përpara, duke kërkuar bekimin e Zotit, duke u përpjekur të bëj vullnetin e Tij dhe duke shpresuar e duke u lutur që shërbimi im të jetë i pranueshëm për Të. Përgjegjësia e parë që e pata në këtë Kishë, ishte këshilltar për presidentin e një kuorumi të dhjakëve kur isha dymbëdhjetë vjeç. Nuk u ndjeva i përshtatshëm. U ndjeva i tronditur tej mase. Por u përpoqa, sikurse bëni ju, dhe pas asaj erdhën përgjegjësi të tjera. Asnjëherë një ndjenjë përshtatshmërie, por gjithmonë një ndjenjë mirënjohjeje dhe një gatishmëri për t’u përpjekur.15

Çdo i kthyer në besim që bashkohet me këtë Kishë, duhet të ketë një përgjegjësi të menjëhershme. Mund të jetë kaq shumë e vogël, por do të sjellë një ndryshim të madh në jetën e tij.16

Sigurisht i kthyeri i ri në besim nuk do të dijë gjithçka. Ai ka të ngjarë të bëjë disa gabime. E çfarë pastaj? Ne të gjithë bëjmë gabime. Gjëja e rëndësishme është rritja që do të vijë nga aktiviteti.17

Pamja
gra në klasë

Presidenti Hinkli dha mësim se të kthyerit e rinj në besim kanë nevojë për të marrë mundësi që të shërbejnë në Kishë.

Të ushqyerit me fjalën e mirë të Perëndisë

Unë besoj … se këta të kthyer në besim kanë një dëshmi për ungjillin. Besoj se ata kanë besim në Zotin Jezu Krisht dhe dinë për realitetin e Tij hyjnor. Besoj se ata janë penduar me të vërtetë për mëkatet e tyre dhe kanë vendosmëri për t’i shërbyer Zotit.

Moroni [thotë] lidhur me ta pasi të pagëzohen: “Dhe pasi u pranuan në pagëzim dhe u ndikuan dhe u pastruan nga fuqia e Frymës së Shenjtë, ata u numëruan mes njerëzve të kishës së Krishtit; dhe emrat e tyre u morën kështu që ata të mund të kujtoheshin dhe të ushqeheshin nga fjala e mirë e Perëndisë, për t’i mbajtur në udhën e drejtë, për t’i mbajtur përherë të kujdesshëm në lutje, duke u mbështetur vetëm në meritat e Krishtit që ishte autori dhe plotësuesi i besimit të tyre” (Moroni 6:4).

Në këto kohë sikurse në ato kohë, të kthyerit në besim “numër[ohen] mes njerëzve të kishës … [që të] kujtohe[n] dhe të ushqehe[n] nga fjala e mirë e Perëndisë, për t’i mbajtur në udhën e drejtë, për t’i mbajtur përherë të kujdesshëm në lutje”. … Le t’i ndihmojmë teksa hedhin hapat e parë si anëtarë.18

Është jetike që [çdo i kthyer i ri në besim] të shoqërohet me një kuorum të priftërisë ose Shoqatën e Ndihmës, Të Rejat, Të Rinjtë, Shkollën e së Dielës ose Filloren. Ai ose ajo duhet të nxitet që të vijë në mbledhjen e sakramentit për ta marrë sakramentin, për t’i ripërtërirë besëlidhjet e bëra në kohën e pagëzimit.19

4

Fitohet gjithçka dhe nuk humbet asgjë nga kthimi sërish në aktivitetin në Kishë.

Ka mijëra njerëz anembanë botës … të cilët janë anëtarë të Kishës në emër, por që janë larguar dhe që tani, në zemrat e tyre, kanë dëshirë të kthehen, por nuk e dinë se si dhe janë shumë të ndrojtur që të përpiqen. …

Për ju, vëllezër dhe motra të mia, që e keni marrë trashëgiminë tuaj shpirtërore e jeni larguar, dhe tani gjeni një zbrazëti në jetën tuaj, udha është e hapur për kthimin tuaj. … Nëse do ta bëni hapin e parë të ndrojtur për t’u kthyer, ju do të gjeni krahë të hapur për t’ju përshëndetur dhe miq të dashur për t’ju bërë të mirëpritur.

Mendoj se e di përse disa prej jush u larguan. Ata u fyen nga një individ i pamend, i cili ju lëndoi, dhe ju i keqkuptuat veprimet e tij si përfaqësues për Kishën. Ose ju mund të jeni transferuar nga një zonë ku njiheshit, në një zonë ku ishit kryesisht i vetëm dhe atje u rritët me vetëm pak njohuri për Kishën.

Ose mund të jeni tërhequr drejt një shoqërie apo zakonesh të tjera, të cilat i ndiet se ishin të papërputhshme me shoqërimin në Kishë. Ose mund të jeni ndier më të urtë në urtësinë e botës sesa ata njerëz nga bashkëshoqëruesit tuaj në Kishë dhe, me njëfarë përçmimi, e larguat vetveten nga shoqërimi i tyre.

Nuk jam këtu që të ngelem tek arsyet. Shpresoj që ju nuk do të ngeleni. Vëreni të shkuarën mënjanë. … Fitohet gjithçka dhe nuk humbet asgjë. Kthehuni sërish, miqtë e mi. Ka më shumë paqe që mund të gjendet në Kishë, sesa e keni ditur për shumë kohë. Ka shumë njerëz miqësinë e të cilëve do të arrini ta gëzoni.20

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura që mund … të jeni larguar, Kisha ka nevojë për ju dhe ju keni nevojë për Kishën. Do të gjeni shumë njerëz që do t’ju dëgjojnë duke kuptuar. Do të ketë shumë duar që do t’ju ndihmojnë ta gjeni rrugën tuaj të kthimit. Do të ketë zemra që ta ngrohin zemrën tuaj. Do të ketë lot, jo të hidhësisë por të gëzimit.21

5

Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme që kthehen në aktivitet në Kishë, do të ndiheni mirë që të jeni sërish në shtëpi.

Një të diel u gjenda në një qytet në Kaliforni për një konferencë kunji. Emri dhe fotografia ime kishin qenë në gazetën vendore. Telefoni ra në qendrën e kunjit ndërkohë që presidenti i kunjit dhe unë hymë në godinë atë mëngjes. Telefonata ishte për mua dhe telefonuesi na e dha emrin e tij. Ai dëshironte të takohej me mua. U kërkova falje që po largohesha nga mbledhja që po mbahej atë mëngjes herët, dhe i kërkova presidentit të kunjit që të vazhdonte me të. Kisha diçka më të rëndësishme për të bërë.

Ai erdhi, ky mik i imi, me druajtje dhe disi me frikë. Kishte qenë i larguar për një kohë të gjatë. U përqafuam si vëllezër të ndarë prej kohësh. Në fillim bashkëbisedimi ishte me siklet, por shpejt u ngroh teksa diskutonim së bashku kohët e kaluara në Angli shumë vite më parë. Pati lot në sytë e këtij burri të fortë teksa fliste për Kishën, në të cilën dikur kishte qenë një pjesë kaq e efektshme, dhe më pas tregoi për vitet e gjata, të zbrazëta që kishin pasuar. Ai foli për to sikurse një njeri flet për ëndrra të këqija. Pasi i kishte përshkruar ato vite të harxhuara kot, ne folëm për rikthimin e tij. Mendoi se do të ishte i vështirë, do të ishte turpërues, por ra dakord të përpiqej.

Unë [mora] një letër prej tij jo shumë kohë më parë. Ai tha: “Jam kthyer. Jam kthyer dhe sa mrekullueshëm ndihem që të jem në shtëpi sërish.”

Dhe prandaj ju, miq të mi, të cilët, si ai, keni dëshirë të ktheheni, por jeni ngurrues ta bëni hapin e parë, përpiquni. Na lejoni të takohemi me ju atje ku qëndroni tani dhe t’ju marrim për dore dhe t’ju ndihmojmë. Ju premtoj se do të ndiheni mirë që të jeni në shtëpi sërish.22

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përse duhet që “interesi dhe shqetësimi ynë gjithmonë … të jenë me individin”, edhe në një kishë mbarëbotërore? (Shih pjesën 1.) Kur jeni bekuar nga dikush që tregoi interesim vetjak për ju? Cilat janë disa mënyra se si mund të jemi më të ndjeshëm kur kujdesemi për çdo individ?

  • Çfarë mund të mësojmë dhe vëmë në jetë nga letra që tregon Presidenti Hinkli në pjesën 2? Përsiateni atë që mund të bëni për t’i forcuar ata që po punojnë për ta ndërtuar besimin e tyre.

  • Përse çdo i kthyer në besim ka nevojë për miqësi, përgjegjësi dhe ushqimin me fjalën e Perëndisë? (Shih pjesën 3.) Cilat janë disa mënyra se si mund të bëhemi miq me të kthyerit e rinj në besim? Si mund t’i përkrahim të kthyerit e rinj në besim me përgjegjësitë e tyre në Kishë? Si mund t’i ndihmojmë të kthyerit e rinj në besim që të “ushqehe[n] nga fjala e mirë e Perëndisë”?

  • Përse është nganjëherë e vështirë për anëtarët që të kthehen në aktivitet në Kishë? (Shih pjesën 4.) Si mund t’i ndihmojmë njerëzit të kthehen? Kur e keni përjetuar ose dëshmuar gëzimin që e shoqëron një kthim në aktivitetin në Kishë?

  • Çfarë mësoni nga rrëfimi që Presidenti Hinkli e tregoi në pjesën 5? Merreni parasysh se si mund të afroheni për ta ndihmuar dikë që nuk është aktiv në Kishë, që të “vijë në shtëpi përsëri”.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Lluka 15; Gjoni 10:1–16, 26–28; 13:34–35; Mosia 18:8–10; Helamani 6:3; 3 Nefi 18:32; Moroni 6:4–6; DeB 38:24

Ndihmë për Studimin

“Shumë njerëzve u duket se koha më e mirë për të studiuar është në mëngjes pas pushimit të natës. … Të tjerë parapëlqejnë të studiojnë në orët e qeta pasi puna dhe shqetësimet e ditës kanë mbaruar. … Ndoshta ajo që është më e rëndësishme sesa ora e ditës, është që të veçohet një kohë e rregullt për studim” (Howard W. Hunter, “Reading the Scriptures”, Ensign, nëntor 1979, f. 64).

Shënime

  1. “Converts and Young Men”, Ensign, maj 1997, f. 47–48.

  2. “Converts and Young Men”, f. 48.

  3. “Inspirational Thoughts”, Ensign, tetor 2003, f. 5.

  4. “This Work Is Concerned with People”, Ensign, maj 1995, f. 52–53.

  5. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 537–538.

  6. “There Must Be Messengers”, Ensign, tetor 1987, f. 5.

  7. “Find the Lambs, Feed the Sheep”, Ensign, maj 1999, f. 108.

  8. “Messages of Inspiration from President Hinckley”, Church News, 5 prill 1997, f. 2; shih edhe “Inspirational Thoughts”, f. 3.

  9. “Converts and Young Men”, f. 47.

  10. “Some Thoughts on Temples, Retention of Converts, and Missionary Service”, Ensign, nëntor 1997, f. 51.

  11. “Inspirational Thoughts”, f. 4.

  12. “Latter-day Counsel: Excerpts from Recent Addresses of President Gordon B. Hinckley”, Ensign, korrik 1999, f. 73.

  13. “Words of the Prophet: Reach Out”, New Era, shkurt 2003, f. 7.

  14. “Inspirational Thoughts”, f. 3–4.

  15. Teachings of Gordon B. Hinckley, f. 538.

  16. “Inspirational Thoughts”, Ensign, korrik 1998, f. 4.

  17. “Find the Lambs, Feed the Sheep”, f. 108.

  18. “Converts and Young Men”, f. 48.

  19. “Find the Lambs, Feed the Sheep”, f. 108.

  20. “Everything to Gain—Nothing to Lose”, Ensign, nëntor 1976, f. 95–96.

  21. “And Peter Went Out and Wept Bitterly”, Ensign, maj 1979, f. 67.

  22. “Everything to Gain—Nothing to Lose”, f. 97.