Mësime të Presidentëve
Kapitulli 23: Bekimet e Tempullit të Shenjtë


Kapitulli 23

Bekimet e Tempullit të Shenjtë

“Ordinancat e tempullit bëhen bekimet kurorëzuese që Kisha i ka për t’i ofruar.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

“Besoj se asnjë anëtar i Kishës nuk e ka marrë gjënë më të lartë që kjo Kishë ka për të dhënë, derisa ai ose ajo t’i ketë marrë bekimet e tij ose të saj të tempullit në shtëpinë e Zotit”, tha Presidenti Gordon B. Hinkli në sesionin e priftërisë të konferencës së përgjithshme të tetorit 1997. “Për këtë arsye, ne po bëjmë gjithçka që e dimë se si ta bëjmë, për ta përshpejtuar ndërtimin e këtyre godinave të shenjta dhe për t’i bërë bekimet e marra atje përgjithësisht më të mundshme.”1 Ai përmendi disa tempuj që ishin në faza të ndryshme të planifikimit e ndërtimit dhe më pas bëri një shpallje që do ta ndryshonte jetën e njerëzve anembanë botës:

“Ka shumë zona të Kishës që janë të largëta, ku anëtarësia është e vogël dhe pa mundësi për t’u rritur shumë në të ardhmen e afërt. A do t’ju mohohen përgjithmonë njerëzve që jetojnë në këto vende, bekimet e ordinancave të tempullit? Ndërkohë që po vizitonim një zonë të tillë disa muaj më parë, ne me lutje e përsiatëm këtë pyetje. Përgjigjja, ne besojmë, erdhi e kthjellët dhe e qartë.

Ne do të ndërtojmë tempuj të vegjël në disa prej këtyre zonave. … Ata [do të] ndërtohen me standardet e tempullit, të cilat janë shumë më të larta sesa standardet e shtëpive të mbledhjeve. Ata [do të] jenë në dispozicion për pagëzimet për të vdekurit, shërbesën e dhurimit [indaumentit], vulosjet dhe të gjitha ordinancat e tjera që merren në shtëpinë e Zotit si për të gjallët edhe për të vdekurit.”2

Frymëzimi për këtë plan kishte filluar më shumë se 20 vjet më parë, kur Presidenti Hinkli po shërbente si kryetar i Komitetit të Kishës për Tempujt. I shqetësuar që shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme nuk kishin mundësi të lehtë të marrjes së bekimeve të tempullit, ai shkroi në ditarin e tij: “Kisha mund të ndërtojë [shumë] tempuj [më të vegjël] me koston e Tempullit të Uashingtonit [në atë kohë në ndërtim e sipër]. Kjo do t’i çonte tempujt te njerëzit në vend që t’iu duhej njerëzve të udhëtonin në largësi të mëdha për të shkuar tek ata.”3

Në vitin 1997, një zbulesë nga Zoti e solli në jetë këtë ide. Presidenti Hinkli tregoi diçka rreth asaj zbulese kur ai ofroi lutjen përkushtuese për Tempullin e Kolonia-Huarezit, Çiuaua, Meksikë. “Ishte këtu në Meksikën Veriore”, u lut ai, “që Ti na e zbulove idenë dhe planin e një tempulli më të vogël, të plotë në çdo hollësi të nevojshme, por të përshtatur në madhësi ndaj nevojave dhe rrethanave të anëtarësisë së Kishës në këtë zonë të vreshtit Tënd. Ajo zbulesë erdhi nga një dëshirë dhe lutje për t’i ndihmuar njerëzit e Tu të këtyre kolonive, të cilët kanë qenë të vërtetë e besnikë.”4

Gjashtë muaj pasi shpalli planin për të ndërtuar tempuj më të vegjël, Presidenti Hinkli bëri një shpallje tjetër të rëndësishme:

“Kemi udhëtuar larg mes anëtarësisë së Kishës. Kam qenë me shumë njerëz, të cilët kanë shumë pak nga të mirat materiale të kësaj bote. Por ata kanë në zemrat e tyre një besim të madh, të zjarrtë, lidhur me këtë vepër të ditëve të mëvonshme. Ata e duan Kishën. Ata e duan ungjillin. Ata e duan Zotin dhe dëshirojnë ta bëjnë vullnetin e Tij. Po e paguajnë të dhjetën e tyre, edhe pse është e paktë. Ata bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme për t’i vizituar tempujt. Udhëtojnë për ditë të tëra, në autobusë që kushtojnë pak, dhe në barka të vjetra. I kursejnë paratë e tyre dhe ia dalin mbanë pa gjërat që do të donin, për ta bërë gjithçka të mundur.

Ata kanë nevojë për tempuj pranë tyre – tempuj të vegjël, të bukur, ku të kryhet shërbim. Për këtë arsye, e përdor këtë mundësi që t’i shpall të gjithë Kishës një program për të ndërtuar rreth 30 tempuj më të vegjël menjëherë. …

Kjo do të jetë një orvatje e jashtëzakonshme. Asgjë madje as e përafërt me të nuk është orvatur më parë. … Kjo do të bëjë një total prej 47 tempujsh të rinj përveç 51 tempujve tashmë në funksionim. Mendoj se do të kishte qenë më mirë të shtonim 2 më shumë për ta bërë 100 rrumbullak deri në fund të këtij shekulli, duke qenë 2.000 vjet ‘që nga ardhja e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht në mish’ (DeB 20:1). Në këtë program ne po lëvizim në një shkallë, përngjasimin e të cilës nuk e kemi parë kurrë më parë.”5

Më 1 tetor 2000, Presidenti Hinkli përkushtoi Tempullin e Bostonit në Masaçusets, tempullin e 100-të në funksionim. Përpara fundit të vitit, ai përkushtoi dy tempuj në Brazil. Dhe kur ai vdiq më 27 janar 2008, Kisha kishte 124 tempuj në funksionim, me 13 më shumë të njoftuar. Nga të 124 tempujt në funksionim, Presidenti Hinkli kishte marrë pjesë në planifikimin dhe ndërtimin e shumicës së tyre dhe personalisht kishte përkushtuar 85 prej tyre.

Edhe pse Presidenti Hinkli shpalli një numër të madh tempujsh të rinj dhe madje teksa mahnitej nga bukuria e tyre, ai u kujtoi shenjtorëve të ditëve të mëvonshme qëllimin e atyre godinave të shenjta: për t’i bekuar individët dhe familjet, një e nga një. Duke folur për Tempullin e San-Diegos në Kaliforni, ai tha: “Ç’godinë madhërisht e bukur është ajo! Por me gjithë bukurinë e asaj godine, ajo strukturë është vetëm një mjet për një qëllim dhe jo një qëllim në vetvete. Ajo godinë u ngrit dhe u përkushtua për kryerjen e ordinancave të shenjta, të cilat Zoti i ka zbuluar në këtë kohë.”6

Në një rast tjetër ai tha: “Asnjë njeri nuk e ka të gjithë ungjillin derisa ai të jetë në gjendje të marrë [ordinancat e tempullit]. Dhe përgjegjësia mbetet mbi ne për t’u kujdesur që godinat të jenë në dispozicion. Nuk e di dhe për sa kohë do të jem ende gjallë, por shpresoj t’i përfundoj ditët e mia duke ndërtuar tempuj të Zotit, duke i çuar tempujt te njerëzit kështu që ata të mund t’i kenë bekimet e mrekullueshme që duhet të fitohen [atje].”7

Pamja
Tempulli i Kolonia-Huarezit, Çiuaua, Meksikë

Tempulli i Kolonia-Huarezit, Çiuaua, Meksikë

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Tempujt janë shprehje të dëshmisë sonë dhe përfaqësojnë formën më të lartë në adhurimin tonë.

Çdo tempull i ndërtuar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme qëndron si një shprehje e dëshmisë së këtij populli që Perëndia, Ati ynë i Amshuar, jeton, që Ai ka një plan për bekimin e bijve dhe bijave të Tij të të gjitha brezave, që Biri i Tij i Dashur, Jezusi, Krishti, i cili u lind në Bethlehem të Judesë dhe u kryqëzua në kryqin në Golgota, është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës, flijimi shlyes i të cilit bën të mundur përmbushjen e atij plani në jetën e përjetshme të çdo njeriu që e pranon dhe e jeton ungjillin.8

Çdo gjë që ndodh në tempull, është e një natyre lartësuese dhe fisnikëruese. Ajo flet për jetën këtu dhe jetën përtej varrit. Flet për rëndësinë e individit si një fëmijë i Perëndisë. Flet për rëndësinë e familjes si një krijim i të Plotfuqishmit. Flet për përjetësinë e marrëdhënies martesore. Flet për vazhdimësinë drejt një lavdie më të madhe. Është një vend drite, një vend paqeje, një vend dashurie, ku ne marrim udhëzim lidhur me gjërat e përjetësisë.9

Çdo tempull … në fakt ka qëndruar si një monument i besimit tonë në pavdekësinë e qenies njerëzore, që kjo fazë e jetës së vdekshme përmes së cilës kalojmë, është pjesë e një ngjitjeje të vazhdueshme lart, për ta shprehur kështu, dhe që po aq e sigurt sa është që ka jetë këtu, do të ketë jetë atje. Ky është besimi ynë i qëndrueshëm. Ai vjen nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe tempulli bëhet, sikurse e kam treguar, ura nga kjo jetë në jetën e ardhshme. Tempulli lidhet me gjëra të pavdekësisë.10

Këto ndërtesa të pashoqe e të mrekullueshme dhe ordinancat e administruara brenda tyre, përfaqësojnë formën më të lartë të adhurimit tonë. Këto ordinanca bëhen shprehjet më të thella të teologjisë sonë.11

Çështje të shenjta meritojnë vëmendje të shenjtë. … Kur largoheni nga dyert e Shtëpisë së Zotit, jini të vërtetë ndaj një mirëbesimi të shenjtë për të mos folur për atë që është e shenjtë dhe e shenjtëruar.

Tha Zoti: “Kujtoni se ajo që vjen nga lart, është e shenjtë dhe duhet të flitet me kujdes e me detyrimin e Shpirtit”. (DeB 63:64.) Dhe përsëri: “Mos lua[ni] me gjëra të shenjta”. (DeB 6:12.)12

2

Nëpërmjet ordinancave të tempullit, ne marrim bekimet kurorëzuese të ungjillit.

Këta tempuj që tani e kanë mbushur tokën, janë të nevojshëm për plotësimin tërësor të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Këtu, nën autoritetin e Priftërisë së Shenjtë, do të administrohen ato ordinanca që çojnë jo vetëm drejt shpëtimit, por edhe drejt ekzaltimit të përjetshëm.13

Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, e dha jetën e Tij në kryqin e Kalvarit si një shlyerje për mëkatet e njerëzimit. Ky ishte një flijim mëkëmbës për secilin prej nesh. Nëpërmjet atij flijimi erdhi premtimi i ringjalljes për të gjithë. Kjo ka ardhur nëpërmjet hirit të Perëndisë, pa përpjekje nga ana e njerëzve. Dhe përtej kësaj, nëpërmjet çelësave të priftërisë së shenjtë, të dhëna mbi Të Dymbëdhjetët nga Zoti kur Ai eci mes tyre, çelësa të cilët u rivendosën në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore nga ata që i mbajtën në lashtësi – nëpërmjet këtyre kanë ardhur bekime të mëdha, të shtuara, përfshirë ato ordinanca të pashoqe dhe mbresëlënëse, të administruara në shtëpinë e Zotit. Vetëm në ato ordinanca atje kryhet ushtrimi i “plotësi[së së] priftërisë”. (DeB 124:28.)14

Ordinancat e tempullit [janë] bekimet kurorëzuese që Kisha i ka për t’i ofruar.15

Bekimet e tempullit si për burrat ashtu edhe për gratë që janë të denja për të hyrë brenda tyre, … përfshijnë larjet dhe vajosjet tona, që ne të mund të jemi të pastër përpara Zotit. Ato përfshijnë shërbimin e udhëzimit në të cilin na jepet një dhurim [indaument] i detyrimeve dhe bekimeve që na nxitin të sillemi në përputhje me parimet e ungjillit. Ato përfshijnë ordinancat vulosëse me anë të të cilave ajo që lidhet në tokë, lidhet në qiell, duke bërë të mundur vazhdueshmërinë e familjes.16

[Dikur] u thirra në spital pranë shtratit të një nëne që ishte në fazat e fundit nga një sëmundje e rëndë. Ajo vdiq pak kohë më vonë, duke lënë pas bashkëshortin dhe katër fëmijët e saj, përfshirë një djalë të vogël gjashtëvjeçar. Atje pati dhembje të thellë, therëse dhe tragjike. Por duke shkëlqyer përmes lotëve ishte një besim i mrekullueshëm dhe i veçantë që, po aq e sigurt sa kishte tani një ndarje të dhimbshme, do të kishte një ditë një ribashkim të gëzueshëm, sepse ajo martesë kishte filluar me një vulosje për kohën dhe përjetësinë në shtëpinë e Zotit, nën autoritetin e priftërisë së shenjtë. …

Shumë kanë udhëtuar [në largësi të mëdha] për të marrë bekimet e martesës në tempull. Kam parë një grup shenjtorësh të ditëve të mëvonshme nga Japonia, të cilët – përpara ndërtimit të një tempulli në atdheun e tyre – i kishin mohuar vetvetes ushqim, për të bërë të mundur udhëtimin e gjatë për në Tempullin e Laies në Havai. Përpara se të kishim një tempull në Johanesburg, ne takuam ata që kishin jetuar pa gjërat e nevojshme materiale, që të paguanin fluturimin 11.000 kilometërsh nga Afrika e Jugut për në tempullin e Sërit në Angli. Kishte një dritë në sytë e tyre, buzëqeshje në fytyrat e tyre dhe dëshmi nga buzët e tyre, që ishte pafundësisht e vlefshme më shumë se çfarë kishte kushtuar.

Dhe më kujtohet që dëgjova shumë vjet më parë në Zelandën e Re dëshminë e një burri nga ana e largët e Australisë, i cili, duke qenë i vulosur më parë nga autoriteti civil dhe më pas u bashkua me Kishën me gruan dhe fëmijët e tij, kishte udhëtuar gjithë rrugën përmes atij kontinenti të madh, pastaj përmes detit të Tasmanisë për në Okland dhe drejt tempullit në luginën e bukur të Uaikatos. Siç më kujtohen fjalët e tij, ai tha: “Ne nuk mund të paguanim për ardhjen. Zotërimet tona materiale përbëheshin nga një makinë e vjetër, mobiliet tona dhe enët tona. I thashë familjes sime: ‘Ne nuk mund ta paguajmë dot që të shkojmë’. Atëherë i vështrova fytyrat e bashkëshortes sime të bukur dhe të fëmijëve tanë të bukur dhe thashë: ‘Ne nuk mund t’ia lejojmë dot vetes që të mos shkojmë. Në qoftë se Zoti do të më japë forcë, unë do të punoj dhe do të fitoj mjaft para për një makinë, mobilie dhe enë të tjera, por në qoftë se do t’i humbas këta të dashurit e mi, unë do të jem vërtetë i varfër si në këtë jetë ashtu edhe në përjetësi.’”17

S’është çudi, vëllezërit dhe motrat e mia, që me hapjen e … tempujve unë kam parë lotët e burrave të fortë, të cilët i kanë përqafuar bashkëshortet e tyre tek altarët në këto shtëpi të shenjta. I kam parë lotët e etërve dhe të nënave teksa i kanë përqafuar fëmijët e tyre te po të njëjtët altarë. Nëpërmjet fuqisë së ushtruar këtu, ata kanë arritur të dinë se as koha, as vdekja nuk mund t’i shkatërrojnë lidhjet që i lidhin ata së bashku.18

3

Tempulli është një shenjtërore e shërbimit, ku ne marrim ordinancat shpëtuese në emër të atyre që kanë vdekur pa e marrë ungjillin.

Ka miliona të panumërta njerëzish që kanë ecur në tokë dhe që nuk e kanë pasur kurrë mundësinë për ta dëgjuar ungjillin. A do t’u mohohen atyre bekime të tilla si ato që ofrohen në tempujt e Kishës?

Me anë të mëkëmbësve të gjallë, të cilët qëndrojnë në emër të të vdekurve, të njëjtat ordinanca janë në dispozicion të atyre që janë larguar nga vdekshmëria. Në botën e shpirtrave, ata atëherë janë të lirë t’i pranojnë ose jo ato ordinanca tokësore të kryera për ata, duke përfshirë pagëzimin, martesën dhe vulosjen e marrëdhënieve familjare. Nuk duhet të ketë detyrim në punën e Zotit, por duhet të ketë mundësi.19

Kjo është një shenjtërore shërbimi. Shumica e punës së bërë në këtë shtëpi të shenjtë kryhet në mënyrë mëkëmbëse, në emër të atyre që kanë shkuar përtej velit të vdekjes. Nuk njoh ndonjë punë tjetër që ta krahasoj me të. Ajo i afrohet më pranë flijimit mëkëmbës të Birit të Perëndisë në emër të të gjithë njerëzimit sesa cilado punë tjetër për të cilën kam dijeni. Falënderim nuk pritet nga ata që në botën përtej bëhen përfituesit e këtij shërbimi të përkushtuar. Është një shërbim i të gjallëve në emër të të vdekurve. Është një shërbim që është nga vetë thelbi i vetëmohimit.20

Djemve dhe vajzave në numër të madh iu është … kujtuar që këta tempuj nuk janë vetëm për prindërit e tyre, por edhe për ta. Kur janë 12-vjeçarë, ata mund të hyjnë në shtëpinë e Zotit dhe të veprojnë si mëkëmbës në pagëzime për ata që janë përtej velit të vdekjes. Ç’shërbim i madh dhe vetëmohues është ky. Ç’gjë e mrekullueshme për rininë tonë që të përfshihet në këtë veprim tërësisht vetëmohues në emër të atyre që janë të pafuqishëm për ta ndihmuar veten e tyre.

E lidhur ngushtë me … veprimtarinë e shtuar në tempull është një rritje në punën tonë për historinë familjare. Kompjuteri në shtrirjet e tij të ndryshme po e përshpejton punën dhe njerëzit po përfitojnë nga teknikat e reja që po u ofrohen atyre. Si mund të mos arrijë dikush në përfundimin që Zoti është në të gjithë këtë? Ndërkohë që përdorimet e kompjuterit përmirësohen, numri i tempujve rritet për t’iu përshtatur punës së përshpejtuar të historisë familjare.21

Ne jemi përgjegjës për bekimin, bekimin e përjetshëm, të të gjithë atyre që kanë jetuar në tokë, brezat e panumërt, e panumëruar të burrave e grave që kanë jetuar në tokë, të gjithë atyre që sot jetojnë në tokë dhe të gjithë atyre që ende do të jetojnë në tokë. Sa e madhe është përgjegjësia jonë. Ne duhet të qëndrojmë pak më lart dhe të punojmë pak më shumë për ta plotësuar atë.22

Njerëzit në anën tjetër, që nuk janë të vdekur por janë të gjallë për sa i përket shpirtit, do të gëzohen dhe do të bëhen të lumtur teksa gjallërohen dhe ecin përpara në udhën e tyre për te “pavdekësia dhe jeta e përjetshme” (Moisiu 1:39).23

4

Bekime të mëdha na presin teksa e mbajmë veten të denjë dhe shkojmë shpesh në tempull.

E drejtoj … një sfidë për secilin prej jush këtë ditë që ta vendosni në rregull jetën tuaj, të jini të denjë për të shkuar në shtëpinë e Zotit dhe atje të merrni bekimet që janë veçanërisht tuajat. … Të mëdha janë kërkesat, por ende më të mëdha janë bekimet.24

Unë i nxit njerëzit tanë kudo, me gjithë forcën bindëse për të cilën jam i aftë, që të jetojnë të denjë për të mbajtur një rekomandim tempulli, ta sigurojnë një rekomandim dhe ta konsiderojnë atë si një pasuri të çmuar dhe të bëjnë një përpjekje më të madhe për të shkuar te shtëpia e Zotit dhe për të marrë nga shpirti dhe bekimet që gjenden vetëm atje.25

Qoftë nëse mund të shkoni [në tempull] shpesh ose jo, kualifikohuni për një rekomandim tempulli dhe mbajeni një rekomandim në xhep. Do të jetë një kujtues për ju i asaj që pritet nga ju si shenjtor i ditëve të mëvonshme.26

Jam i sigurt që çdo burrë ose grua që shkon në tempull me një shpirt çiltërsie dhe besimi, largohet nga shtëpia e Zotit një burrë më i mirë ose grua më e mirë. Ka nevojë për përmirësim të vazhdueshëm në të gjithë jetën tonë. Nevojitet me raste që ta lëmë zhurmën dhe trazirën e botës dhe të hyjmë brenda mureve të një shtëpie të shenjtë të Perëndisë, që të ndiejmë atje Shpirtin e Tij në një mjedis të shenjtërisë e paqes.27

Kjo godinë e shenjtë bëhet një shkollë udhëzimi për gjërat e ëmbla dhe të shenjta të Perëndisë. Këtu ne kemi të përvijuar planin e një Ati të dashur në emër të bijve dhe bijave të Tij të të gjithë brezave. Këtu kemi të skicuar përpara nesh odisenë e udhëtimit të përjetshëm të njeriut nga ekzistenca para lindjes, përmes kësaj jete deri në jetën pas kësaj. Të vërteta të mëdha themelore dhe thelbësore jepen mësim me qartësi dhe thjeshtësi, pikërisht brenda kuptueshmërisë së të gjithë njerëzve që dëgjojnë. …

Tempulli është gjithashtu një vend i frymëzimit dhe zbulesës vetjake. Të shumtë janë ata të cilët në kohët e stresit, kur vendimet e vështira duhet të merren dhe problemet e ndërlikuara duhet të zgjidhen, kanë ardhur në tempull me një shpirt agjërimi e lutjeje për të kërkuar udhëzim hyjnor. Shumë kanë dëshmuar se, ndërkohë që zërat e zbulesës nuk u dëgjuan, mbresa lidhur me një drejtim për ta ndjekur u përjetuan në atë kohë ose më vonë, të cilat u bënë përgjigje ndaj lutjeve të tyre.

Pamja
Presidenti Hinkli te guri i qoshes së tempullit

“Shkoni në Shtëpinë e Zotit dhe atje ndieni nga Shpirti i Tij dhe bisedoni me Të dhe do të njihni një paqe që nuk do ta gjeni askund tjetër.”

Ky tempull është një burim i së vërtetës së përjetshme. “Kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë.” (Gjoni 4:14.) Këtu jepen mësim ato të vërteta që janë hyjnore në thelbin e tyre dhe të përjetshme në rrjedhojat e tyre.

Për ata që hyjnë brenda këtyre mureve, kjo shtëpi bëhet një shtëpi e besëlidhjeve. Këtu ne premtojmë, solemnisht dhe shenjtërisht, që ta jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit në shprehjen e tij më të mirë. Ne besëlidhim me Perëndinë, Atin tonë të Amshuar, që t’i jetojmë ato parime që janë themeli i të gjithë fesë së vërtetë.28

A është e mbushur jeta me gjëra për të cilat shqetësoheni? A keni probleme, shqetësime dhe halle? A dëshironi të keni paqe në zemrën tuaj dhe një mundësi për të biseduar me Zotin dhe për të medituar rreth udhës së Tij? Shkoni në Shtëpinë e Zotit dhe atje ndieni nga Shpirti i Tij, dhe bisedoni me Të, dhe do të njihni një paqe që nuk do ta gjeni askund tjetër.29

Në kohët e zymtësisë, përpiquni të shkoni te shtëpia e Zotit dhe atje mbylleni jashtë botën. Merrini ordinancat e Tij të shenjta dhe ua shtrini ato paraardhësve tuaj. Në përfundimin e një sesioni në tempull, uluni në heshtje në dhomën çelestiale dhe përsiatni bekimet që i keni marrë për veten tuaj ose që ua keni shtrirë atyre që kanë shkuar përtej velit. Zemra juaj do të mbushet me mirënjohje dhe mendimet e të vërtetave të përjetshme të planit të madhërishëm të Zotit për lumturinë do ta mbushin qenien tuaj.30

Në këtë botë të zhurmshme, të ngutshme, konkurruese, çfarë privilegji është të kemi një shtëpi të shenjtë ku mund ta përjetojmë ndikimin shenjtërues të Shpirtit të Zotit. Elementi i egoizmit përpiqet të na ndikojë vazhdimisht. Na duhet ta kapërcejmë atë dhe nuk ka mënyrë më të mirë sesa të shkojmë në shtëpinë e Zotit dhe atje të shërbejmë në një marrëdhënie mëkëmbëse në emër të atyre që janë përtej velit të vdekjes. …

… Ju nxit të përfitoni edhe më shumë nga ky privilegj i bekuar. Do ta përpunojë natyrën tuaj. Do ta zhveshë guaskën egoiste brenda së cilës jeton shumica prej nesh. Do të sjellë në mënyrë të mirëfilltë një element kënaqësie në jetën tonë dhe do të na bëjë burra më të mirë e gra më të mira.31

E di se jeta juaj është e zënë me punë. E di që keni shumë për të bërë. Por ju bëj një premtim që, në qoftë se do të shkoni në Shtëpinë e Zotit, ju do të bekoheni; jeta do të jetë më e mirë për ju. Tani, ju lutem, ju lutem, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, vëreni veten tuaj në dispozicion të mundësisë së madhërishme për të shkuar në shtëpinë e Zotit dhe si rrjedhim për të marrë pjesë në të gjitha bekimet e mrekullueshme që janë tuajat për t’u marrë atje.32

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Hinkli tha se ordinancat e tempullit janë “shprehjet më të thella të teologjisë sonë” (pjesa 1) dhe “bekimet kurorëzuese që Kisha i ka për t’i ofruar” (pjesa 2). Cilat janë disa bekime që i keni marrë nëpërmjet këtyre ordinancave?

  • Presidenti Hinkli foli për burra e gra duke derdhur lot gëzimi në tempuj (shih pjesën 2). Nga përvoja juaj, përse ordinancat e tempullit i shkaktojnë ndjenja të tilla të thella?

  • Për punën që t’i shëlbojmë të vdekurit, Presidenti Hinkli tha: “Ç’gjë e mrekullueshme për rininë tonë që të përfshihet në këtë veprim tërësisht vetëmohues” (pjesa 3). Çfarë mund të bëjnë prindërit dhe të rinjtë e të rejat që të punojnë së bashku në këtë shërbim?

  • Çfarë mund të bëjmë që të gjejmë kohë për të shërbyer dhe adhuruar në tempull? Në çfarë mënyrash mund ta ndikojë shërbimi ynë në tempull jetën tonë jashtë tempullit? (Për disa shembuj, shihni pjesën 4.) Si ju ka bekuar vajtja në tempull?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Eksodi 25:8; 1 Mbretërve 6:11–13; DeB 88:119–120; 109:12–13, 24–28; 110:1–10; 128:22–24

Ndihmë për Studimin

“Ndajeni [me të tjerët] atë që mësoni. Ndërsa e bëni këtë, mendimet tuaja do të bëhen më të qarta dhe fuqia juaj e ruajtjes do të rritet” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 17).

Shënime

  1. “Some Thoughts on Temples, Retention of Converts, and Missionary Service”, Ensign, nëntor 1997, f. 49.

  2. “Some Thoughts on Temples, Retention of Converts, and Missionary Service”, f. 49.

  3. Në Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 325.

  4. “This Is a Day Long Looked Forward To” (teksti i lutjes përkushtuese për Tempullin e Kolonia-Huarezit, Çiuaua, Meksikë, 6 mars 1999), Church News, 13 mars 1999, f. 7.

  5. “New Temples to Provide ‘Crowning Blessings’ of the Gospel”, Ensign, maj 1998, f. 87–88.

  6. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1: 1995–1999 (2005), f. 311–312.

  7. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 641.

  8. “This Peaceful House of God”, Ensign, maj 1993, f. 74.

  9. Teachings of Gordon B. Hinckley, f. 623–624.

  10. “Inspirational Thoughts”, Ensign, prill 2002, f. 4.

  11. “Of Missions, Temples, and Stewardship”, Ensign, nëntor 1995, f. 53.

  12. “Keeping the Temple Holy”, Ensign, maj 1990, f. 52.

  13. “Shining Star in a World Oppressed with Darkness” (teksti i lutjes përkushtuese për Tempullin e Manhatanit, Nju-Jork, 13 qershor 2004), Church News, 19 qershor 2004, f. 5.

  14. “Rejoice in This Great Era of Temple Building”, Ensign, nëntor 1985, f. 59.

  15. “New Temples to Provide ‘Crowning Blessings’ of the Gospel”, f. 88.

  16. “Temples and Temple Work”, Ensign, shkurt 1982, f. 3.

  17. “The Marriage That Endures”, Ensign, korrik 2003, f. 4–6.

  18. “Rejoice in This Great Era of Temple Building”, f. 60.

  19. “Why These Temples?” Ensign, gusht 1974, f. 40.

  20. “The Salt Lake Temple”, Ensign, mars 1993, f. 5.

  21. “Welcome to Conference”, Ensign, nëntor 1999, f. 4–5.

  22. Teachings of Gordon B. Hinckley, f. 640.

  23. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1, f. 154.

  24. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1, f. 362.

  25. “Of Missions, Temples, and Stewardship”, f. 53.

  26. “Inspirational Thoughts”, f. 4.

  27. “Of Missions, Temples, and Stewardship”, f. 52.

  28. “The Salt Lake Temple”, f. 5–6.

  29. “Excerpts from Recent Addresses of President Gordon B. Hinckley”, Ensign, prill 1996, f. 72.

  30. One Bright Shining Hope: Messages for Women from Gordon B. Hinckley (2006), f. 103.

  31. “Closing Remarks”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 104–105.

  32. Teachings of Gordon B. Hinckley, f. 624.