Mësime të Presidentëve
Kapitulli 2: Një Flamur për Kombet, një Dritë për Botën


Kapitulli 2

Një Flamur për Kombet, një Dritë për Botën

“Kjo është një stinë për të qenë të fortë. Kjo është një kohë për të bërë përpara pa ngurrim, duke e ditur mirë kuptimin, gjerësinë dhe rëndësinë e misionit tonë.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Menjëherë pas kthimit në shtëpi nga misioni i tij në Angli, Gordon B. Hinkli përmbushi një detyrë të fundit nga presidenti i tij misionit, Jozef F. Merrill. Presidenti Merrill ishte gjithashtu anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe ai i kishte kërkuar Gordonit që të bënte një raport për Presidencën e Parë: Presidentët Hiber J. Grant, J. Ruben Klark i Riu dhe Dejvid O. Mek-Kei. Gordoni u lidh me sekretarin e Presidencës së Parë dhe organizoi një takim.

Kur Gordoni hyri në dhomën e këshillit të Presidencës së Parë, Presidenti Grant dhe këshilltarët e tij e përshëndetën ngrohtësisht. Pastaj Presidenti Grant tha: “Vëllai Hinkli, ne do t’ju japim pesëmbëdhjetë minuta për të na treguar atë që Plaku Merrill dëshiron që ne të dëgjojmë”. Një orë e pesëmbëdhjetë minuta më vonë, Gordoni u largua nga dhoma. Në pesëmbëdhjetë minutat e dhëna atij, ai kishte paraqitur shqetësimin e presidentit të tij të misionit – që misionarët kishin nevojë për materiale të shtypura më mirë për t’i ndihmuar ata në punën e tyre. Paraqitja e tij e shkurtër kishte çuar në pyetje nga Presidenca e Parë dhe në një diskutim një orë të gjatë.

Pasi e kishte përmbushur këtë detyrë, Gordoni ndjeu se “misioni i tij tani kishte mbaruar me të vërtetë dhe se ishte koha për të bërë përpara dhe për të planifikuar për të ardhmen”. Ai ishte diplomuar tashmë nga Universiteti i Jutës me një diplomë në gjuhën angleze dhe ai dëshironte të ndiqte studimet pasuniversitare për gazetari në Universitetin e Kolumbias në Nju-Jork-Siti. Por një telefonatë dy ditë pas takimit të tij me Presidencën e Parë ia ndryshoi planet. Thirrja ishte nga Presidenti Mek-Kei, i cili tha: “Vëlla Hinkli, ne kemi diskutuar në mbledhjen e Presidencës dhe të Të Dymbëdhjetëve dje rreth asaj që biseduam gjatë intervistës tuaj me ne. Dhe ne kemi organizuar një komitet të përbërë nga gjashtë anëtarë të Të Dymbëdhjetëve, me Plakun Stefën L. Riçards si kryetar, për t’iu përgjigjur nevojave të përshkruara nga ju. Ne do të dëshironim t’ju ftonim që të vinit e të punonit me atë komitet.”1

Gordoni e pranoi ftesën dhe u punësua si sekretar ekzekutiv i Komitetit të sapoformuar të Kishës për Radion, Botimet dhe Literaturën e Misioneve. Ai kurrë nuk shkoi në Universitetin e Kolumbias dhe ai kurrë nuk punoi si gazetar për të botuar lajmet e botës. Në vend të kësaj, ai filloi një përpjekje që zgjati gjithë jetën, për të botuar lajmin e mirë të ungjillit. Këto përgjegjësi u zgjeruan më vonë, kur shërbeu si Autoritet i Përgjithshëm.

Pasi pati zhvilluar aftësinë për ta shprehur veten në mënyrë të qartë edhe në situata të vështira, Gordon B. Hinkli shpesh mori detyra për t’u intervistuar nga gazetarë të lajmeve. Si President i Kishës, ai vazhdoi të mirëpriste mundësi të tilla, duke bërë pjesën e tij për të ndihmuar në nxjerrjen e Kishës së Jezu Krishtit “nga terri” (DeB 1:30). Ai shpalli:

“Unë besoj dhe dëshmoj se është misioni i kësaj Kishe që të qëndrojë si një flamur për kombet dhe një dritë për botën. Neve na është dhënë një urdhër i madh, gjithëpërfshirës nga i cili ne nuk mund të tërhiqemi dhe as të zmbrapsemi. Ne e pranojmë atë urdhër dhe jemi të vendosur për ta përmbushur atë, dhe me ndihmën e Perëndisë ne do ta bëjmë atë.”2

Pamja
Tempulli i Solt-Lejkut

“Është misioni i kësaj Kishe që të qëndrojë si një flamur për kombet dhe një dritë për botën.”

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Ashtu si guri në vegimin e Danielit, Kisha është duke u përhapur për ta mbushur tërë tokën.

Kjo Kishë filloi me lutjen e përulur të djaloshit Jozef Smith në korijen e fermës së të atit. Që nga ajo përvojë e jashtëzakonshme, të cilën e quajmë Vegimi i Parë, është rritur kjo punë. … Është vetë personifikimi i vegimit të Danielit për një gur që shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut, duke u përhapur për të mbushur tërë tokën (shih Daniel 2:44–45).3

Kur Kisha u organizua më 1830-n, kishte vetëm gjashtë anëtarë [dhe] vetëm një grusht besimtarësh, të gjithë banues në një fshat praktikisht të panjohur. … Kunjet e Sionit sot lulëzojnë në çdo shtet të Shteteve të Bashkuara, në çdo provincë të Kanadasë, në çdo shtet të Meksikës, në çdo komb të Amerikës Qendrore dhe kudo në Amerikën Jugore.

Grupimet e anëtarëve gjenden kudo në Ishujt Britanikë dhe Europë, ku mijëra vetë janë antarësuar në Kishë gjatë viteve. Kjo punë është shtrirë deri te kombet e Baltikut dhe gjer poshtë nëpër Bullgari e Shqipëri dhe zona të tjera të asaj pjese të botës. Ajo shtrihet përmes zonës së gjerë të Rusisë. Arrin deri lart në Mongoli dhe kalon poshtë fare nëpër kombet e Azisë deri në ishujt e Paqësorit, Australi, Zelandën e Re dhe në Indi e Indonezi. Ajo po lulëzon në shumë kombe të Afrikës. …

Dhe ky është vetëm fillimi. Kjo punë do të vazhdojë të rritet e të përparojë dhe të ecë anembanë botës.4

2

Udhëheqësit e hershëm të Kishës kishin një pikëpamje profetike për fatin e punës së Zotit.

Më 24 korrik 1847, kompania e parë e popullit tonë erdhi në luginën [e Solt-Lejkut]. Një grup përparimi kishte ardhur një ose dy ditë përpara. Brigam Jangu mbërriti të shtunën. Ditën tjetër, shërbesat e Shabatit u mbajtën në mëngjes dhe pasdite. Nuk kishte asnjë sallë të ndonjë lloji në të cilën të mund të mblidheshin. Unë supozoj që, në të nxehtin përvëlues të asaj të diele korriku, ata u ulën në shufrat lidhëse të karrove të tyre dhe u mbështetën përkundër rrotave ndërsa Vëllezërit folën. Stina ishte në të mbyllur dhe ata u përballën me një detyrë vigane e të menjëhershme nëse do të kultivonin farë për stinën tjetër. Por Presidenti Jang iu lut atyre që të mos e shkelnin Shabatin në atë kohë ose në të ardhmen.

Të nesërmen në mëngjes ata u ndanë në grupe për të eksploruar rrethinat e tyre. Brigam Jangu, Uilford Udrafi dhe një grusht bashkëpunëtorësh të tyre u ngjitën nga vendfushimi i tyre. … Ata iu ngjitën një maje në formë kubeje me Presidentin Jang që pati vështirësi për shkak të sëmundjes së tij të kohëve të fundit.

Kur Vëllezërit qëndruan në majë, ata vështruan luginë[n] në jug të tyre. Ajo ishte praktikisht jopjellore, me përjashtim të shelgjeve dhe kallamishteve të cilat rriteshin përgjatë përrenjve që çonin ujë nga malet për në liqen. Nuk kishte asnjë ndërtesë të ndonjë lloji, por Brigam Jangu pati thënë të shtunën e mëparshme: “Ky është vendi”.

Maja ku ata qëndruan u quajt Inzajn Pik [Maja e Flamurit] si referencë për këto fjalë të mëdha profetike të Isaias: “Ai [duke folur për Perëndinë] do të ngrerë një flamur për kombet e largëta dhe do t’u fërshëllejë nga skajet e tokës; dhe ja, ato do të vijnë shpejt dhe menjëherë”. (Isaia 5:26.)

“Ai do të ngrerë flamurin për kombet, do të mbledhë të dëbuarit e Izraelit dhe do të grumbullojë ata që u shpërndanë nga Juda në të katër anët e dheut”. (Isaia 11:12.) …

Unë mendoj se [ata Vëllezër] në atë rast mund të kenë folur edhe rreth ndërtimit të tempullit … në përmbushje të fjalëve të Isaias:

“Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra, dhe këtu do të vërshojnë tërë kombet.

Shumë popuj do të vijnë duke thënë: ‘Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij’. Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.” (Isaia 2:2–3.)

‘Sa e pamend’, mund të kishte thënë dikush, po t’i kishte dëgjuar këta burra atë mëngjes korriku të vitit 1847. Ata nuk dukeshin si burra shteti me ëndrra të mëdha. Ata nuk dukeshin si sundimtarë duke u zhytur nëpër harta dhe duke planifikuar një perandori. Ata ishin mërgimtarë, të dëbuar me forcë nga qyteti i tyre i bukur në [lumin] Misisipi për në këtë rajon të shkretë të Perëndimit. Por ata ishin të pushtuar nga një largpamje e dalë nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e zbulesës.

Çuditem nga largpamësia e atij grupi të vogël. Ajo ishte si heroike edhe e guximshme. Ajo ishte pothuajse e pabesueshme. Këtu ishin ata, pothuajse njëmijë milje [1.600 kilometra] larg nga vendbanimi më i afërt në lindje dhe pothuajse tetëqind milje [1.300 kilometra] nga brigjet e Paqësorit. Ata ishin në një klimë të paprovuar. Toka ishte e ndryshme nga ajo tokë pjellore e Ilinoisit dhe Ajouas, ku ata kishin jetuar më së fundi. Ata kurrë nuk kishin mbjellë të lashta këtu. Ata kurrë nuk kishin përjetuar dimër. Ata nuk kishin ndërtuar ndërtesa të asnjë lloji. Këta profetë, të veshur me rroba të vjetra, rroba të vjetruara nga udhëtimi, duke qëndruar me çizme që i kishin veshur për më shumë se njëmijë e gjashtëqind kilometra nga Navuja për në këtë luginë, folën për një largpamje mijëvjeçari. Ata folën bazuar në një pikëpamje profetike për fatin e mrekullueshëm të kësaj çështjeje. Ata zbritën nga maja atë ditë dhe iu futën punës për ta bërë realitet ëndrrën e tyre.5

Pamja
udhëheqësit në Inzajn Pik [Majën e Flamurit]

Dy ditë pas mbërritjes në luginën e Solt-Lejkut, Brigam Jangu dhe disa vëllezër të tjerë u ngjitën në një kodër në formë kubeje, e cila u quajt Inzajn Pik [Maja e Flamurit] dhe vështruan mjedisin rreth tyre.

3

Ne kurrë nuk duhet ta harrojmë fatin hyjnor të punës së Perëndisë dhe rolin që ne luajmë në të.

Ndonjëherë në kohën tonë, ndërsa ecim nëpër shtigjet tona të ngushta dhe i mbushim kamaret tona të vogla të përgjegjësisë, ne harrojmë tablonë e përgjithshme. Kur unë isha djalë i vogël, kuajt e karrove ishin të zakonshëm. Një pjesë e rëndësishme e takëmit [të kalit] ishin frerët. Te frerët ishin veshoket, një në çdo anë. Ato ishin vendosur në mënyrë të tillë që kali mund të shikonte vetëm drejt përpara dhe jo anash. Ato ishin modeluar që ta ruanin nga të frikësuarit ose të hutuarit dhe që t’ia përqendronin vëmendjen te rruga para këmbëve të tij.

Disa prej nesh e bëjnë punën sikur të kishim veshoke në sy. Ne shohim vetëm shtegun tonë të vogël e të ngushtë. Ne nuk rrokim asgjë nga pamja më e gjerë. E jona mund të jetë një përgjegjësi e vogël në Kishë. Është mirë që ta përmbushim atë përgjegjësi me zell. Dhe është gjithashtu diçka e mirë të dish se si ajo përgjegjësi jep ndihmesë në programin e madh e të përgjithshëm të mbretërisë në rritje të Perëndisë.

Presidenti Harold B. Li njëherë tha … , duke cituar një shkrimtar të panjohur: “Studioni fushat e mëdha dhe kultivoni të voglat”.

Interpretimi im për atë deklaratë është se ne duhet të rrokim diçka nga gjerësia dhe thellësia, dhe lartësia – madhështore dhe e mrekullueshme, e madhe dhe gjithëpërfshirëse – e programit të Zotit dhe pastaj të punojmë me zell për ta përmbushur përgjegjësinë tonë për pjesën tonë të caktuar nga ai program.

Secili prej nesh ka një fushë të vogël për të kultivuar. Duke e bërë atë, ne kurrë nuk duhet të harrojmë tablonë më të madhe, përbërjen më të madhe të fatit hyjnor të kësaj pune. Ajo na u dha nga Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm, dhe secili prej nesh ka një rol për të luajtur në endjen e tapicerisë së saj shkëlqimplotë. Ndihmesa jonë individuale mund të jetë e vogël, por nuk është e parëndësishme. …

… Ndërsa ju jeni duke bërë pjesën për të cilën jeni thirrur, kurrë mos e harroni tablonë e tërë madhështore dhe të mrekullueshme të qëllimit të kësaj, periudhës ungjillore të plotësisë së kohëve. Endeni bukur fijen tuaj të vogël brenda tapicerisë së përgjithshme, modeli për të cilën u përcaktua për ne nga Perëndia i qiellit. Mbajeni lart flamurin nën të cilin ne ecim. Jini të zellshëm, jini të vërtetë, jini të virtytshëm, jini besnikë, që të mos ketë asnjë të metë në atë flamur.

Pamja e kësaj mbretërie nuk është një ëndërr sipërfaqësore e natës që zbehet me lindjen e diellit. Është përnjëmend plani dhe vepra e Perëndisë, Atit tonë të Amshuar. Ai ka të bëjë me të gjithë fëmijët e Tij.

Ndërsa shkulnin shkurrnajat e këtyre luginave perëndimore [të Jutës] për të hedhur themelet për një komunitet, ndërsa bënin atë shumicë gjërash të zakonshme që u duhej të bënin për të qëndruar gjallë dhe për t’u rritur, paraardhësit tanë [pionierë] e mbanin gjithnjë parasysh madhështinë e çështjes së madhe në të cilën ishin përfshirë. Kjo është një punë që ne duhet ta bëjmë me të njëjtën largpamësi që kishin ata. Kjo është një punë e cila do të bëjë përpara pasi ne ta kemi lënë këtë jetë. Na ndihmoftë Perëndia që të japim më të mirën nga vetja si shërbëtorë, të thirrur nën vullnetin e Tij hyjnor, për ta çuar përpara e ndërtuar mbretërinë me duar të papërsosura, të bashkuar tok për të realizuar një model të përkryer.6

4

Ne mund të bëhemi si një flamur për kombet nga i cili njerëzit e tokës mund të marrin forcë.

Vëllezërit dhe motrat e mia, ka ardhur koha për ne që të qëndrojmë pak më lart, që t’i ngremë sytë tanë dhe t’i çojmë mendjet tona te një i kuptuar dhe kuptueshmëri më e madhe e misionit të madh mijëvjeçar të kësaj, Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kjo është një stinë për të qenë të fortë. Kjo është një kohë për të bërë përpara pa ngurrim, duke e ditur mirë kuptimin, gjerësinë dhe rëndësinë e misionit tonë. Është një kohë për të bërë atë që është e drejtë, pavarësisht nga pasojat që mund të vijojnë. Është një kohë që të gjendemi duke i mbajtur urdhërimet. Është një stinë për t’u shtrirë dorën me mirësi e dashuri atyre që janë në shqetësim dhe atyre që po enden në errësirë e dhembje. Është një kohë për të qenë përkujdesës dhe të mirë, të përmbajtur dhe të sjellshëm ndaj njëri-tjetrit në të gjitha marrëdhëniet tona. Me fjalë të tjera, për t’u bërë më shumë si Krishti.7

Përveç nëse bota e ndryshon drejtimin e prirjeve të saj të tanishme (dhe kjo nuk ka gjasa të ndodhë); dhe në qoftë se, nga ana tjetër, ne vazhdojmë t’i ndjekim mësimet e profetëve, ne do të bëhemi gjithnjë e më shumë një popull i veçantë dhe i dallueshëm, të cilin bota do ta vërë re. Për shembull, ndërsa integriteti moral i familjes shembet nën presionet e kësaj bote, qëndrimi ynë për shenjtërinë e familjes do të bëhet më i dukshëm dhe edhe më i veçantë në dallim, në qoftë se ne kemi besimin për ta ruajtur atë pozicion.

Ndërsa qëndrimi tolerant në rritje ndaj seksit vazhdon të përhapet, doktrina e Kishës, siç jepet mësim vazhdimisht për më shumë se një shekull e gjysmë, do të bëhet gjithnjë e më e pazakontë dhe madje edhe e çuditshme për shumë vetë.

Ndërsa konsumimi i alkoolit dhe abuzimi me drogat rritet çdo vit në kuadër të zakoneve të shoqërisë sonë, pozita jonë, e përcaktuar nga Zoti më tepër se një shekull e gjysmë më parë, do të bëhet më e pazakontë para botës. …

Ndërsa Shabati gjithnjë e më shumë bëhet një ditë tregtie e argëtimi, ata që i binden rregullit të ligjit, të shkruar nga gishti i Zotit në Sinai dhe të përforcuar nga zbulesa bashkëkohore, do të duken më të pazakontë.

Nuk është gjithmonë e lehtë të jetosh në botë dhe të mos jesh pjesë e saj. Ne nuk mund të jetojmë plotësisht më vete apo për veten, as nuk do ta dëshironim atë. Ne duhet të shoqërohemi me të tjerët. Duke e bërë këtë, ne mund të jemi të hijshëm. Ne mund të jemi jofyes. Ne mund të shmangim çfarëdo fryme apo qëndrimi vetëkënaqësie. Por ne mund t’i mbajmë standardet tona. …

Teksa i zbatojmë këto standarde dhe standarde të tjera të dhëna mësim nga Kisha, shumë persona në botë do të na respektojnë dhe do të gjejnë forcë për të ndjekur atë që edhe ata e dinë se është e drejtë.

Dhe, sipas fjalëve të Isaias: “Shumë popuj do të vijnë duke thënë: ‘Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij’.” (Isaia 2:3.)

Ne nuk kemi nevojë të bëjmë kompromis. Ne nuk duhet të bëjmë kompromis. Qiriu që Zoti ka ndezur në këtë periudhë ungjillore, mund të bëhet si një dritë për të gjithë botën dhe të tjerët, duke parë veprat tona të mira, mund të udhëhiqen të lëvdojnë Atin tonë në Qiell dhe t’u përngjasin në jetën e tyre vetjake shembujve që ata kanë vënë re në jetën tonë.

Duke filluar me ju dhe mua, mund të ekzistojë një popull i tërë, i cili, me anë të virtytshmërisë së jetës sonë në shtëpitë tona, në punët tona, madje edhe në veprimtaritë tona zbavitëse, mund të bëhet si një qytet mbi një kodër, të cilin njerëzit mund ta shohin dhe nga i cili mund të mësojnë, dhe një flamur për kombet, nga i cili njerëzit e tokës mund të marrin forcë.8

Në qoftë se do ta ngremë lart këtë Kishë si një flamur për kombet dhe një dritë për botën, ne duhet të përqafojmë më shumë nga shkëlqimi i jetës së Krishtit individualisht dhe në vetë rrethanat tona personale. Duke qëndruar për të drejtën, ne nuk duhet të jemi të frikësuar nga pasojat. Ne kurrë nuk duhet të jemi të frikësuar. I tha Pali Timoteut:

“Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.

Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë” (2 Timoteut 1:7–8).9

Ju nuk mundet thjesht ta merrni si të mirëqenë këtë çështje, e cila është çështja e Krishtit. Ju nuk mundet thjesht të qëndroni mënjanë dhe të shikoni lojën mes forcave të së mirës dhe të së keqes. …

… Unë ju nxit me të gjithë aftësinë që kam, që të përpiqeni në një detyrë që qëndron përtej kërkesave të jetës sonë të përditshme; që është, të qëndroni të fortë, madje që të bëheni një udhëheqës në ngritjen e zërit në emër të atyre çështjeve të cilat e bëjnë qytetërimin tonë të shkëlqejë dhe të cilat i japin rehati dhe paqe jetës sonë. Ju mund të jeni një udhëheqës. Ju duhet të jeni një udhëheqës, si anëtar i kësaj Kishe, në ato çështje për të cilat kjo Kishë mban qëndrim. Mos e lejoni frikën të mposhtë përpjekjet tuaja.10

Ne nuk kemi asgjë për të pasur frikë. Perëndia është në timon. Ai do të sundojë për të mirën e kësaj pune. Ai do të derdhë bekime mbi ata që ecin në bindje ndaj urdhërimeve të Tij. I tillë ka qenë premtimi i Tij. Rreth aftësisë së Tij për ta mbajtur atë premtim, askush prej nesh nuk mund të dyshojë.

… Shpëtimtari ynë, i cili është Shëlbuesi ynë, Jehovai i madhërishëm, Mesia i fuqishëm, ka premtuar: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (DeB 84:88).

“Prandaj”, tha Ai, “mos ki frikë, tufë e vogël; bëni mirë; le të bashkohen toka e ferri kundër jush, sepse, nëse ju ndërtoheni mbi shkëmbin tim, ato s’mund të triumfojnë. …

Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë.

Vini re plagët që tejshpuan ijën time dhe gjithashtu shenjat e gozhdëve në duart dhe këmbët e mia; jini besnikë, zbatoni urdhërimet e mia dhe ju do të trashëgoni mbretërinë e qiellit” (DeB 6:34, 36–37).

Bashkuar, duke punuar dorë për dore, ne do të bëjmë përpara si shërbëtorë të Perëndisë së gjallë, duke bërë punën e Birit të Tij të Dashur, Zotit tonë, të cilit i shërbejmë dhe emrin e të cilit ne kërkojmë të lavdërojmë.11

Ne duhet të qëndrojmë të paepur. Ne duhet ta zmbrapsim botën. Nëse veprojmë ashtu, i Plotfuqishmi do të jetë forca jonë dhe mbrojtësi ynë, udhërrëfyesi ynë dhe zbuluesi ynë. Ne do të kemi ngushëllimin e dijes se ne po bëjmë atë që Ai do të dëshironte që ne të bënim. Të tjerët mund të mos pajtohen me ne, por unë jam i bindur se ata do të na respektojnë. Ne nuk do të lihemi vetëm. Ka shumë [që] nuk [janë] të besimit tonë, por që ndihen njësoj si ne. Ata do të na mbështetin. Ata do të na mbështetin në përpjekjet tona.12

Le të lëvdojmë në këtë kohë të mrekullueshme të punës së Zotit. Le të mos jemi krenarë ose arrogantë. Le të jemi mirënjohës me përulje. Dhe le të vendosë, secili, brenda vetes së tij ose të saj që do të shtojë në bukurinë e kësaj punë të mahnitshme të të Plotfuqishmit, që ajo të mund të shkëlqejë në mbarë tokën si një burim i forcës dhe mirësisë, që e gjithë bota ta shikojë.13

Pamja
detaj, Krishti dhe i Riu i Pasur

“Në qoftë se do ta ngremë lart këtë Kishë si një flamur për kombet dhe një dritë për botën, ne duhet të përqafojmë më shumë nga shkëlqimi i jetës së Krishtit.”

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Teksa lexoni pjesën 1, cilat janë ndjenjat tuaja ndërsa merrni parasysh rritjen e Kishës nga viti 1830 deri në ditën e sotme?

  • Rishikojeni rrëfimin e Presidentit Hinkli për pionierët e parë që arritën në luginën e Solt-Lejkut (shih pjesën 2). Çfarë mund të mësojmë nga ky rrëfim? Si kemi përfituar ne nga largpamësia profetike e udhëheqësve të hershëm të Kishës? Çfarë mendoni ju se do të thotë të jesh “një flamur për kombet”? (Shih Isaia 5:26; 11:12.)

  • Në pjesën 3, Presidenti Hinkli na nxiti që të shohim “tablonë e përgjithshme” dhe “pamj[en] më [të] gjerë” të punës së Perëndisë. Përse duhet që ta shikojmë këtë tablo të përgjithshme? Përse ndonjëherë ne e harrojmë atë? Në çfarë mënyrash mund të kontribuojnë përpjekjet tona të vogla në rritjen e mbretërisë së Perëndisë?

  • Rishikoni mënyrat sipas të cilave Presidenti Hinkli thotë se shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë duke u bërë edhe më shumë një “popull i veçantë dhe i dallueshëm” (pjesa 4). Në çfarë mënyre mund të zhvillojmë një largpamësi dhe guxim më të madh për ta çuar përpara punën e Perëndisë? Si mund të jetojmë në botë pa qenë nga bota? Si mund “të përqafojmë më shumë nga shkëlqimi i jetës së Krishtit”? Përse është e rëndësishme për ne që të qëndrojmë për atë që është e drejtë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 5:14–16; 1 Nefi 14:14; DeB 1:1–6; 65:1–6; 88:81; 115:5–6

Ndihmë për Mësimdhënien

“Jini të sigurt që nuk besoni se ju jeni ‘mësuesi i vërtetë’. Ai është një gabim i rëndë. … Bëni kujdes që të mos ndërhyni. Roli kryesor i një mësuesi është që të përgatitë rrugën në mënyrë të tillë që njerëzit do të kenë një përvojë shpirtërore me Zotin” (Gene R. Cook, cituar në Teaching, No Greater Call [1999], f. 41).

Shënime

  1. Shih Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 83–85.

  2. “An Ensign to the Nations, a Light to the World”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 82–83.

  3. “Let Virtue Garnish Thy Thoughts Unceasingly”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 115; [“Virtyti Duhet t’i Stolisë Mendimet e Tua pa Pushim”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2007 (nr. i artikullit 02368 101), f. 114].

  4. “Guri që Shkëputet nga Mali”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 84.

  5. “An Ensign to the Nations”, Ensign, nëntor 1989, f. 51–52.

  6. “An Ensign to the Nations”, f. 52–54.

  7. “This Is the Work of the Master”, Ensign, maj 1995, f. 71.

  8. “A City upon a Hill”, Ensign, korrik 1990, f. 4–5.

  9. “An Ensign to the Nations, a Light to the World”, f. 84.

  10. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 138.

  11. “This Is the Work of the Master”, f. 71.

  12. “An Ensign to the Nations, a Light to the World”, f. 83.

  13. “Condition of the Church”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 6; [“Gjendja e Kishës”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2004 (nr. i artikullit 00056 101), f. 3].