Mësime të Presidentëve
Kapitulli 7: Pëshpëritjet e Shpirtit


Kapitulli 7

Pëshpëritjet e Shpirtit

“Unë përgjërohem që ne vazhdimisht ta kërkojmë frymëzimin e Zotit dhe shoqërimin e Shpirtit të Tij të Shenjtë që të na bekojë për mbajtjen e përpjekjeve tona në një nivel të lartë shpirtëror.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

Më 24 qershor 1995, Presidenti Gordon B. Hinkli foli në një mbledhje për presidentët e rinj të misioneve dhe bashkëshortet e tyre, duke u dhënë këshillë për të udhërrëfyer tri vitet e ardhshme të shërbimit të tyre. Ai tregoi për udhëzimin që mori kur Presidenti Harold B. Li, në atë kohë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e veçoi atë si president kunji.

“Më kujtohet vetëm një gjë që tha ai: ‘Mbaj vesh për pëshpëritjet e Shpirtit në mes të natës dhe përgjigju atyre pëshpëritjeve’. Nuk e di arsyen përse zbulesa ndonjëherë vjen natën, por ajo vjen. Sigurisht, ajo vjen edhe gjatë ditës. Por dëgjojini pëshpëritjet e Shpirtit, dhurata e zbulesës, e cila ju takon.”1

Duke iu referuar përvojave të tij teksa e zbatoi këtë porosi, ai tha: “Zoti ka folur qetas. … Në mes të natës, ide më kanë ardhur në kokë, të cilat, unë mendoj, kanë qenë të një natyre profetike.”2 Për shembull, në korrik të vitit 1992 ai ishte në Hong-Kong me udhëheqës të tjerë të Kishës, duke kërkuar një vend për të ndërtuar një tempull. Ai shkoi në shtrat një natë duke u ndier i trazuar për vendimin që duhej të merrte. Atëherë pëshpëritjet e Shpirtit e zgjuan herët mëngjesin tjetër.

“Diçka shumë interesante më erdhi në mendje”, shënoi ai në ditarin e tij. “Nuk dëgjova një zë me veshët natyrorë. Por në mendje më erdhi zëri i Shpirtit. Ai tha: ‘Përse je i shqetësuar për këtë? Ti ke një copë të mrekullueshme prone në vendin ku ndodhet shtëpia e misionit dhe kisha e vogël. Ato janë pikërisht në zemër të Kaulunit, në vendndodhjen me mundësitë më të mira për transport. … Ndërtoni një ndërtesë me [disa] kate. Ajo mund të përfshijë një kishë dhe klasa në dy katet e para dhe një tempull në dy apo tre katet e sipërme.’” Pasi e kishte marrë atë zbulesë, Presidenti Hinkli tha: “Unë u lehtësova dhe rashë përsëri në gjumë”3.

Sot në Kaulun, një zonë e Hong-Kongut me popullim të dendur, një ndërtesë e vetme ndodhet aty ku dikur ndodheshin një kishë dhe një shtëpi misioni. Ajo ndërtesë, e cila strehon një kishë, një shtëpi misioni, një zyrë misioni dhe një tempull të shenjtë, është një dëshmi e pëshpëritjeve të Shpirtit për një profet të Perëndisë.

Pamja
Tempulli i Hong-Kongut, Kinë

Tempulli i Hong-Kongut, Kinë

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Fryma e Shenjtë është Ngushëlluesi dhe Dëshmuesi i të vërtetës.

Fryma e Shenjtë qëndron si anëtari i tretë i Kreut-Perëndi, Ngushëlluesi i premtuar nga Shpëtimtari i cili do t’u mësonte pasuesve të Tij çdo gjë dhe do t’u sillte në kujtesë të gjitha ato që Ai u kishte thënë atyre (shih Gjoni 14:26).4

Fryma e Shenjtë jep dëshmi në zemrën tonë për Atin dhe Birin.5

Dëshmia [ime për Jezu Krishtin] buron nga fuqia e Frymës së Shenjtë. Ajo është një dhuratë, e shenjtë dhe e mrekullueshme, e dhënë me anë të zbulesës nga anëtari i tretë i Kreut-Perëndi.6

Fryma e Shenjtë është Dëshmuesi i të Vërtetës, i cili mund të [na] mësojë gjëra që [ne] nuk mund t’ia mësojmë njëri-tjetrit. Në ato fjalë të mëdha e sfiduese të Moronit, premtohet një njohuri për vërtetësinë e Librit të Mormonit “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”. Moroni pastaj shpall: “Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:4–5).

Unë besoj se kjo fuqi, kjo dhuratë, na është mundësuar ne sot.7

2

Ne kemi nevojë për Frymën e Shenjtë që të na udhërrëfejë në shërbimin tonë në shtëpi dhe në Kishë.

Nuk ka ndonjë bekim më të madh që mund të vijë në jetën tonë, sesa dhurata e Frymës së Shenjtë – shoqërimi i Frymës së Shenjtë për të na udhërrëfyer, mbrojtur e bekuar ne, për të ecur, sikur të ishte, si një shtyllë përpara nesh dhe si një flakë për të na udhëhequr në shtigje të drejtësisë dhe të së vërtetës. Ajo fuqi udhërrëfyese e anëtarit të tretë të Kreut-Perëndi mund të jetë e jona nëse jetojmë të denjë për të.8

Ne kemi nevojë për Frymën e Shenjtë në përgjegjësitë tona të shumta administrative. Ne kemi nevojë për të teksa e japim mësim ungjillin në klasat tona dhe në botë. Ne kemi nevojë për të në qeverisjen dhe mësimdhënien për familjet tona.

Ndërsa drejtojmë e japim mësim nën ndikimin e atij Shpirti, ne do të sjellim shpirtshmëri në jetën e atyre për të cilët jemi përgjegjës. …

… Të ëmbla janë frytet e mësimdhënies së bërë nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë. Ato ushqejnë shpirtin dhe mëkojnë frymën.

Më lejoni t’u jap një fjalë të posaçme këshille prindërve që qëndrojnë si kryetarë familjeje: ne kemi nevojë për drejtimin e Frymës së Shenjtë në detyrën delikate dhe të pamasë që na takon në forcimin e shpirtshmërisë së shtëpive tona.9

Mbani vesh për nxitjet e Shpirtit. Jini të përulur. Ju mund të udhëhiqeni për te dikush nga dora e Zotit për shkak të shpirtit tuaj, qëndrimit tuaj, ndjenjës suaj, përulësisë suaj.10

3

Zbulesa pothuaj gjithnjë na vjen nëpërmjet një zëri të qetë, të ulët – pëshpëritjes së Shpirtit.

Herë pas here jam intervistuar nga përfaqësues të medias. Pothuaj në mënyrë të pandryshueshme ata kanë pyetur: “Si i vjen zbulesa profetit të Kishës?”

Unë përgjigjem se ajo vjen tani siç ka ardhur në të kaluarën. Në lidhje me këtë, unë u kam rrëfyer këtyre përfaqësuesve të medias përvojën e Elias pas ndeshjes së tij me priftërinjtë e Baalit:

“Perëndia i tha: ‘Dil dhe ndalu mbi malin përpara Zotit’. Dhe ja, po kalonte Zoti. Një erë e fortë dhe e furishme çante malet dhe thyente shkëmbinjtë përpara Zotit, por Zoti nuk ishte në erë. Mbas erës ra një tërmet, por Zoti nuk ishte në tërmet.

Mbas tërmetit ra një zjarr, por Zoti nuk ishte në zjarr. Mbas zjarrit u dëgjua një zë, si një shushuritje e ëmbël” (1 Mbretërve 19:11–12).

Ajo është mënyra se si ndodh. Ka një zë të qetë, të ulët. Ai vjen në përgjigje të lutjes. Ai vjen nëpërmjet pëshpëritjes së Shpirtit. Ai mund të vijë në qetinë e natës.

A kam ndonjë dyshim për atë? Askurrfarë. E kam parë atë rast pas rasti.11

Kjo ka qenë pothuaj në mënyrë të pandryshueshme mënyra se si fjala e Perëndisë na ka ardhur neve, jo me trumbeta, jo nga asambletë e të diturve, por me zërin e qetë, të ulët të zbulesës. Duke dëgjuar ata që më kot përpiqen të gjejnë urtësi dhe që deklamojnë zhurmshëm melhemet [apo kurat] e tyre për sëmundjet e botës, ne kemi prirjen të përgjigjemi me psalmistin: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi …” (Psalmeve 46:10) dhe me Shpëtimtarin: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!” (Mateu. 11:15.)12

4

Gjërat e Shpirtit na ndriçojnë, na ngrenë dhe na lartësojnë.

Si mund t’i njohim gjërat e Shpirtit? Si mund ta dimë se vjen nga Perëndia? Përmes fryteve të saj. Nëse ju drejton për te rritja dhe zhvillimi, nëse ju drejton për te besimi dhe dëshmia, nëse ju drejton për te një mënyrë më e mirë për t’i bërë gjërat; nëse ju drejton për te perëndishmëria, atëherë është nga Perëndia. Nëse na rrëzon, nëse na çon në errësirë, nëse na ngatërron dhe na shqetëson, nëse na drejton për te mungesa e besimit, atëherë është prej djallit.13

Ju mund t’i dalloni nxitjet e Shpirtit nëpërmjet fryteve të Shpirtit – ajo që ndriçon, ajo që ndërton, ajo që është e mirë e pozitive dhe frymëzuese dhe që na drejton drejt mendimeve, fjalëve dhe veprave më të mira, vjen nga Shpirti i Perëndisë. Ajo që na rrëzon, që na çon në shtigje të ndaluara – ajo vjen nga kundërshtari. Unë mendoj se është pikërisht aq e qartë, pikërisht aq e thjeshtë.14

Një studiues dikur shprehu një pikëpamje që Kisha është një armike e intelektualizmit. Në qoftë se ai nënkuptoi me intelektualizëm atë degë të filozofisë që jep mësim “doktrinën se njohuria rrjedh plotësisht ose kryesisht nga arsyetimi i pastër” dhe “që arsyetimi është parimi përfundimtar i realitetit” atëherë, po, ne jemi kundër një interpretimi kaq të ngushtë për sa i përket fesë. (Citatet nga Random House Dictionary of the English Language, f. 738.) Një interpretim i tillë e përjashton fuqinë e Shpirtit të Shenjtë për të na folur [neve] dhe nëpërmjet [nesh].

Sigurisht ne besojmë në kultivimin e mendjes, por intelekti nuk është i vetmi burim i njohurisë. Ka një premtim, dhënë nën frymëzimin nga i Plotfuqishmi, i shprehur me këto fjalë të bukura: “Perëndia do t’ju japë juve dituri me anë të Shpirtit të tij të Shenjtë, po, me anë të dhuratës së papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë”. (DeB 121:26.)

Humanistët që e kritikojnë punën e Zotit, të ashtuquajturit intelektualistë që poshtërojnë, flasin vetëm nga padija për manifestimet shpirtërore. Ata nuk e kanë dëgjuar zërin e Shpirtit. Ata nuk e kanë dëgjuar pasi ata nuk e kanë kërkuar atë dhe nuk e kanë përgatitur veten për të qenë të denjë për të. Pastaj, duke hamendësuar se njohuria vjen vetëm nëpërmjet arsyetimit dhe punëve të mendjes, ata e mohojnë atë që vjen nga fuqia e Frymës së Shenjtë.

Gjërat e Perëndisë kuptohen nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë. Ai Shpirt është i vërtetë. Për ata që i kanë përjetuar punët e tij, njohuria e fituar në atë mënyrë është po aq e vërtetë sa ajo që është fituar përmes vënies në punë të pesë shqisave. Unë dëshmoj për këtë. Dhe jam i sigurt se shumica e anëtarëve të Kishës mund të dëshmojë po kështu. Unë e nxit secilin prej nesh të vazhdojë të kultivojë një zemër në harmoni me Shpirtin. Nëse do të veprojmë kështu, jeta jonë do të pasurohet. Ne do të ndiejmë një lidhje afrie me Perëndinë, Atin tonë të Amshuar. Ne do të provojmë një ëmbëlsi gëzimi që nuk mund të fitohet në asnjë mënyrë tjetër.

Le të mos biem në kurth nga sofizmat e botës, të cilat në pjesën më të madhe janë negative dhe që kaq shpesh japin fryte të hidhura. Le të ecim me besim tek e ardhmja, duke folur në mënyrë miratuese dhe duke kultivuar një qëndrim besimi në vetvete. Teksa veprojmë kështu, forca jonë do t’u japë forcë të tjerëve.15

Unë përgjërohem që ne vazhdimisht ta kërkojmë frymëzimin e Zotit dhe shoqërimin e Shpirtit të Tij të Shenjtë që të na bekojë për mbajtjen e përpjekjeve tona në një nivel të lartë shpirtëror. Ato lutje nuk do të kalojnë pa përgjigje.16

Pamja
familje duke studiuar shkrimet e shenjta

“Gjërat e Perëndisë kuptohen nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë. Ai Shpirt është i vërtetë.”

5

Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm kur jetojmë për këtë bekim.

Është Zoti Ai që tha se, nëse i mbajmë urdhërimet, “Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi [ynë] i vazhdueshëm” (DeB 121:46) që të na mbajë mbi ujë, të na mësojë, të na udhëheqë, të na ngushëllojë dhe të na mbështetë ne. Për ta fituar këtë shoqërim, ne duhet ta kërkojmë atë, të jetojmë për të, të jemi besnikë ndaj Zotit.17

“Si ta mbani te vetja Shpirtin e Zotit gjithë kohën?” Epo, ju jetoni të denjë për të; ju jetoni të denjë për Shpirtin e Zotit. Kjo është ajo që bëni. Dhe ju do ta keni atë. … Thjesht jetoni drejt. Qëndrojuni larg fëlliqësive shpirtërore. Qëndrojini larg pornografisë. Qëndrojuni larg këtyre gjërave që ju tërheqin poshtë. Librat që lexoni, revistat që lexoni, videot që shihni, programet televizive që shihni, shfaqjet tek të cilat shkoni, që të gjitha kanë ndikim te ju dhe do të kenë ndikim nëse ia nënshtroni veten ndikimit të atyre lloj gjërave gudulisëse që kanë qëllim t’ju bëjnë ju të varfër dhe dikë tjetër të pasur. Qëndrojuni larg atyre.18

Ju i impononi vetes çdo të diel një përtëritje të betimit tuaj dhe besëlidhni të merrni mbi vete emrin e Zotit Jezu Krisht. A keni menduar ndonjëherë për atë, se sa e rëndësishme është ajo, se ç’do të thotë të marrësh mbi vete emrin e Zotit Jezu Krisht me një betim dhe një premtim për të mbajtur urdhërimet e Tij? Dhe Ai ju bën një betim dhe një premtim juve se Ai do t’ju japë Shpirtin e Tij që të jetë me ju. Ç’gjë e mrekullueshme që është ajo!19

Ç’bekim i madh është të kesh ndikimin shërbyes të një anëtari të Kreut-Perëndi, pasi e keni marrë atë dhuratë nën duart e atyre që vepruan me autoritet hyjnor! Nëse vazhdojmë të ecim me virtyt, ne mund të gëzojmë përmbushjen e premtimit të bërë nga Zoti kur Ai tha: “Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm dhe skeptri yt një skeptër i pandryshueshëm i drejtësisë dhe së vërtetës; dhe sundimi yt do të jetë një sundim i përjetshëm dhe, pa mënyra detyruese, ai do të rrjedhë tek ty përherë e përgjithmonë”. (DeB 121:46.)20

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përse kemi nevojë për Frymën e Shenjtë? (Shih pjesët 1 dhe 2.) Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë t’ju mësojë dhe t’ju udhërrëfejë? Çfarë keni mësuar nga ato përvoja?

  • Çfarë mund të mësojmë nga shpjegimi i Presidentit Hinkli për mënyrën se si i vjen zbulesa profetit? (Shih pjesën 3.) Përse është e rëndësishme ta dimë se Fryma e Shenjtë zakonisht komunikon me “një zë të qetë, të ulët”? Çfarë keni mësuar nga përvojat tuaja vetjake për dallimin e komunikimeve nga Fryma e Shenjtë?

  • Përsëritini “fryte[t e] Shpirtit” që Presidenti Hinkli i përmbledh në pjesën 4. Si mund të na ndihmojnë këto mësime ta dallojmë ndikimin e Shpirtit? Cilat janë rreziqet e të besuarit se “intelekti … është i vetmi burim i njohurisë”? Çfarë përvojash keni pasur me fitimin e njohurisë shpirtërore?

  • Cilat janë ndjenjat tuaja teksa i përsiatni mësimet e Presidentit Hinkli te pjesa 5 për shoqërimin e Frymës së Shenjtë? Në çfarë mënyrash jeni bekuar nga Fryma e Shenjtë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

1 Korintasve 2:9–14; 1 Nefi 10:17; 2 Nefi 31:17–18; Mosia 3:19; Moroni 8:25–26; DeB 11:12–14

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kur i duam ata të cilëve u japim mësim, ne lutemi për secilin prej tyre. Ne bëjmë gjithçka mundemi për të njohur interesat, arritjet, nevojat dhe shqetësimet e tyre. Ne përshtatemi për të plotësuar nevojat e tyre, edhe nëse kjo kërkon më shumë kohë e përpjekje. Ne e vëmë re kur ata mungojnë dhe i përshëndetim ata kur janë të pranishëm. Ne japim ndihmë kur është nevoja” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 32).

Shënime

  1. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 556.

  2. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1: 1995–1999 (2005), f. 441.

  3. Te Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 481.

  4. “The Father, Son, and Holy Ghost”, Ensign, nëntor 1986, f. 51.

  5. “Latter-day Counsel: Excerpts from Recent Addresses of President Gordon B. Hinckley”, Ensign, korrik 1999, f. 72.

  6. “The Father, Son, and Holy Ghost”, f. 51.

  7. “The Father, Son, and Holy Ghost”, f. 51.

  8. Teachings of Gordon B. Hinckley, f. 259.

  9. “Feed the Spirit, Nourish the Soul”, Ensign, tetor 1998, f. 2, 4–5.

  10. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1, f. 440.

  11. “The Quorum of the First Presidency”, Ensign, dhjetor 2005, f. 49.

  12. Në Conference Report, prill 1964, f. 38–39.

  13. “Inspirational Thoughts”, Ensign, korrik 1998, f. 5.

  14. Teachings of Gordon B. Hinckley, f. 261.

  15. “The Continuing Pursuit of Truth”, Ensign, prill 1986, f. 6.

  16. “Feed the Spirit, Nourish the Soul”, f. 2.

  17. “Living with Our Convictions”, Ensign, shtator 2001, f. 5.

  18. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1, f. 377–378.

  19. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1, f. 319.

  20. “Priesthood Restoration”, Ensign, tetor 1988, f. 72.