Mësime të Presidentëve
Kapitulli 25: Ecni Përpara me Besim


Kapitulli 25

Ecni Përpara me Besim

“Nëse ka ndonjë gjë të vetme që ju dhe unë kemi nevojë, … [është] lloji [i] besimit që na nxit të biem në gjunjë dhe t’i lutemi Zotit për udhërrëfim dhe, më pas, duke pasur një masë të vetëbesimit hyjnor, të ngrihemi në këmbë dhe të shkojmë për të punuar që të ndihmojmë për t’i bërë të ndodhin rezultatet e dëshiruara.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

“Kur shkova për në mision [si i ri]”, kujtonte Presidenti Gordon B. Hinkli, “babai im i mirë më dha një fletushkë në të cilën ishin shkruar gjashtë fjalë. Ato ishin fjalët e Zotit drejtuar kryetarit të sinagogës, i cili kishte marrë lajmin e vdekjes së bijës së tij: ‘Mos ki frikë, vetëm ki besim!’ (Marku 5:36.)”1 Ndërkohë që Plaku i ri Hinkli shërbente në Angli, ai u përball me shumë sfida në të cilat iu desh t’i kujtonte ato gjashtë fjalë. Ai më vonë e përshkroi një përvojë të tillë:

“Një ditë, tri ose katër gazeta të Londrës shkruan përmbledhje për një ribotim të një libri të vjetër, keqdashës dhe të lig në ton, duke vënë në dukje se libri ishte një histori për mormonët. Presidenti Merrill [presidenti i misionit tim] më tha: ‘Dua që ti të shkosh te botuesi dhe të protestosh për këtë’. E vështrova dhe isha gati të thoja: ‘Sigurisht jo unë’. Por me butësi thashë: ‘Po, zotëri’.

Nuk ngurroj të them që isha i frikësuar. Shkova në dhomën time dhe ndjeva diçka si ajo që mendoj se Moisiu duhet ta ketë ndier kur Zoti i kërkoi të shkonte dhe të takonte faraonin. Bëra një lutje. Stomaku po më përzihej teksa eca drejt stacionit të rrugës Goxh për të marrë trenin nëntokësor drejt rrugës Flit. E gjeta zyrën e presidentit dhe ia paraqita kartëvizitën time recepsionistes. Ajo e mori, shkoi në dhomën e brendshme dhe shpejt u kthye për të thënë që presidenti ishte shumë i zënë për të më takuar. U përgjigja se kisha ardhur nga 8.000 kilometra larg dhe se do të prisja. Gjatë orës në vazhdim ajo bëri dy ose tri vajtje në zyrën e tij; pastaj më së fundi ai më ftoi brenda. Kurrë nuk do ta harroj pamjen kur hyra. Ai po pinte një puro të gjatë me një vështrim që dukej se po thoshte: ‘Mos më bezdis’.

Mbaja në dorë përmbledhjet. Nuk e mbaj mend atë që thashë pas kësaj. Një fuqi tjetër dukej se po fliste nëpërmjet meje. Në fillim ai ishte duke u mbrojtur dhe madje armiqësor. Më pas filloi të zbutej. E mbylli duke premtuar se do të bënte diçka. Brenda një ore iu çua fjalë çdo librashitësi në Angli që t’ia kthente librat botuesit. Me një shpenzim të madh, ai shtypi dhe ngjiti në kapak të çdo vëllimi një deklaratë që të shpjegonte se libri nuk duhej të konsiderohej si histori, por vetëm si trillim, dhe se nuk kishte për qëllim asnjë fyerje kundrejt njerëzve mormonë të respektuar. Vite më vonë ai i bëri Kishës një nder tjetër me vlerë të konsiderueshme dhe çdo vit deri në kohën e vdekjes së tij unë mora një kartolinë Krishtlindjeje nga ai.”2

Duke e pranuar detyrën për të vizituar zyrën e botuesit, Plaku Hinkli ushtroi atë që do të bëhej një model për gjithë jetën: me besim, pranojeni sfidën; lutjuni Zotit për ndihmë; më pas shkoni të punoni.

Pamja
grua duke lexuar shkrimet e shenjta

“Besimi është, kur gjithçka është thënë e bërë, shpresa jonë e vetme, e mirëfilltë dhe e përhershme.”

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Besimi në Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin mund të bëhet burimi i të jetuarit qëllimplotë.

Nëse ka ndonjë gjë të vetme që ju dhe unë kemi nevojë, që të na ndihmojë të gjejmë sukses dhe përmbushje në këtë botë, është besimi – ai element dinamik, i fuqishëm, i mrekullueshëm nga i cili, sikurse shpalli Pali, vetë bota u ndërtua (shih Hebrenjve 11:3). Nuk i drejtohem një koncepti jashtëtokësor, por një besimi praktik, pragmatik, veprues – llojit të besimit që na nxit të biem në gjunjë dhe t’i lutemi Zotit për udhërrëfim dhe, më pas, duke pasur një masë të vetëbesimit hyjnor, të ngrihemi në këmbë dhe të shkojmë për të punuar që të ndihmojmë për t’i bërë të ndodhin rezultatet e dëshiruara. Një besim i tillë ka një vlerë të pakrahasueshme. Një besim i tillë është, kur gjithçka është thënë e bërë, shpresa jonë e vetme, e mirëfilltë dhe e përhershme.

… Besimi mund të bëhet pikërisht burimi i të jetuarit qëllimplotë. Nuk ka shtytje më detyruese që t’ia vlejë të përpiqemi sesa dituria që ne jemi fëmijë të Perëndisë, që Perëndia pret nga ne të bëjmë diçka me jetën tonë dhe që Ai do të na japë ndihmë kur ndihma kërkohet. …

… Kur diskutoj për besimin, nuk e bëj atë në një kuptim abstrakt. E nënkuptoj atë si një forcë të gjallë, jetësore, e cila vjen me njohjen e Perëndisë si Atin tonë dhe të Jezu Krishtit si Shpëtimtarin tonë. …

… Besimi në një Qenie Hyjnore, në të Plotfuqishmin, është e vetmja fuqi e madhërishme, lëvizëse që mund ta ndryshojë jetën tonë.3

Kohë më parë punova për njërën prej hekurudhave tona, shinat e së cilës i shtrinin kalimet përmes maleve. Shpesh udhëtoja me trenat. Ishte në ditët kur kishte lokomotiva me avull. Ato bisha madhështore të hekurudhave ishin të mëdha, të shpejta dhe të rrezikshme. Shpesh vrisja mendjen se si makinisti kishte guximin ta bënte udhëtimin e gjatë nëpër natë. Më pas arrita të kuptoja se nuk ishte një udhëtim i vetëm, i gjatë, por përkundrazi një vazhdimësi e përhershme e një udhëtimi të shkurtër. Lokomotiva kishte një projektor të fuqishëm që e bënte të ndriçuar udhën për një largësi prej 400 ose 500 metrash. Makinisti shihte vetëm atë largësi dhe kjo ishte e mjaftueshme, sepse ishte vazhdimisht përpara tij gjatë gjithë natës deri në agimin e ditës së re. …

Dhe kështu është me udhëtimin tonë të përjetshëm. Ne i hedhim hapat një e nga një. Duke e bërë këtë ne zgjatemi drejt së panjohurës, por besimi e ndriçon udhën. Nëse vërtet do ta forcojmë atë besim, ne kurrë nuk do të ecim në errësirë. …

Sfida me të cilën përballet çdo anëtar i kësaj Kishe, është që të ndërmarrë hapin pasues, që ta pranojë atë përgjegjësi në të cilën thirret, edhe nëse nuk ndihet i përshtatshëm për të, dhe ta bëjë këtë gjë në besim, me pritshmërinë e plotë që Zoti do ta ndriçojë udhën përpara tij.4

2

Besimi është baza e dëshmisë dhe forca e veprës së Zotit mbi tokë.

Pasuria e vetme, e vërtetë e Kishës qëndron në besimin e njerëzve të saj.5

Është diçka e mahnitshme dhe e mrekullueshme që mijëra njerëz preken nga mrekullia e Shpirtit të Shenjtë, që e besojnë, e pranojnë dhe bëhen anëtarë [të Kishës]. Ata pagëzohen. Jeta e tyre preket përgjithmonë për mirë. Mrekullitë ndodhin. Një farë besimi vjen në zemrat e tyre. Ajo zmadhohet teksa mësojnë. Dhe ata pranojnë parim pas parimi, derisa e kanë çdonjërin prej bekimeve të mrekullueshme që u vijnë atyre që ecin me besim në këtë, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtërove të Ditëve të Mëvonshme.

… Kjo dhuratë e çmuar dhe mahnitëse e besimit, kjo dhuratë nga Perëndia, Ati ynë i Amshuar, është ende forca e kësaj pune dhe gjallëria e heshtur e mesazhit të tij. Besimi shtrihet në bazën e gjithë kësaj. Besimi është thelbi i gjithë kësaj. Qoftë duke shkuar në fushën e misionit, duke jetuar Fjalën e Urtësisë, duke paguar të dhjetën, e gjitha është e njëjtë. Është besimi brenda nesh që është i dukshëm në gjithçka që bëjmë.

… Forca e kësaj kauze dhe mbretërie nuk gjendet në vlerat e saj tokësore, sado mbresëlënëse që mund të jenë ato. Ajo gjendet në zemrat e njerëzve të saj. Kjo është arsyeja përse është e suksesshme. Kjo është arsyeja përse është e fortë dhe në rritje. Kjo është arsyeja përse është në gjendje t’i kryejë gjërat e mrekullueshme që bën. Gjithçka vjen nga dhurata e besimit, e dhënë nga i Plotfuqishmi mbi fëmijët e Tij, të cilët nuk kanë dyshim dhe nuk kanë frikë, por ecin përpara. …

Besimi është baza e dëshmisë. Besimi nënkupton besnikëri ndaj Kishës. Besimi përfaqëson sakrificë, të dhënë me gëzim në çuarjen përpara të punës së Zotit.6

Ungjilli është lajmi i mirë. Është një mesazh ngadhënjimi. Është një kauzë që të përqafohet me entuziazëm. …

Mos paçim frikë. Jezusi është udhëheqësi ynë, forca jonë dhe mbreti ynë.

Kjo është një epokë pesimizmi. I yni është një mision i besimit. Vëllezërve e motrave të mia kudo, unë ju bëj thirrje që ta ripohoni besimin tuaj, që ta çoni përpara këtë vepër anembanë botës. …

“Vëllezër, a nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajo, vëllezër; dhe përpara, përpara drejt fitores!” (DeB 128:22). Kështu shkroi Profeti Jozef në një psalm besimi.

Sa e lavdishme është e shkuara e kësaj kauze të madhërishme. Është e mbushur me heroizëm, kurajë, guxim dhe besim. Sa e mrekullueshme është e tanishmja teksa ecim përpara për ta bekuar jetën e njerëzve, kudo ku do t’ia vënë veshin mesazhit të shërbëtorëve të Zotit. Sa madhështore do të jetë e ardhmja ndërsa i Plotfuqishmi e shpalos veprën e Tij të lavdishme, duke i prekur për mirë të gjithë ata që do ta pranojnë e jetojnë ungjillin e Tij dhe madje duke e prekur bekimin e përjetshëm të bijve e bijave të Tij të të gjitha brezave nëpërmjet punës vetëmohuese të atyre, zemrat e të cilëve mbushen me dashuri për Shëlbuesin e botës. …

E ftoj çdonjërin prej jush, kudo që mund të jeni, si anëtarë të kësaj kishe, të ngriheni në këmbë dhe me një këngë në zemrën tuaj të ecni përpara, duke jetuar ungjillin, duke e dashur Zotin dhe duke ndërtuar mbretërinë. Së bashku ne do të ruajmë drejtimin dhe do ta mbajmë besimin, i Plotfuqishmi duke qenë forca jonë.7

3

Me besim, ne mund të ngrihemi mbi frikën dhe çfarëdo pengesë apo sfidë në jetën tonë.

Kush mes nesh mund të thotë se ai ose ajo nuk ka ndier frikë? Unë nuk njoh askënd që është kursyer tërësisht i paprekur. Sigurisht, disa përjetojnë frikë në një shkallë më të madhe sesa e përjetojnë të tjerët. Disa njerëz janë në gjendje të ngrihen mbi të me të shpejtë, por të tjerët zihen në grackë, tërhiqen poshtë prej saj dhe madje çohen drejt dorëzimit. Ne vuajmë nga frika e talljes, frika e dështimit, frika e vetmisë, frika e paditurisë. Disa njerëz e kanë frikë të tashmen, disa të ardhmen. Disa mbartin barrën e mëkatit dhe do të jepnin pothuajse gjithçka që ta shkëputnin vetveten nga ato barrë, por kanë frikë ta ndryshojnë jetën e tyre. Le të dallojmë se frika nuk vjen nga Perëndia, por përkundrazi që ky element brejtës, shkatërrues vjen nga kundërshtari i së vërtetës dhe drejtësisë. Frika është antiteza e besimit. Është gërryese në ndikimet e saj, madje vdekjeprurëse.8

Pali i shkroi Timoteut: “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.

Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë” (2 Timoteut 1:7–8).

Dëshiroj që çdo anëtar i kësaj kishe do t’i vendoste ato fjalë atje ku mund t’i shohë çdo mëngjes kur e fillon ditën e vet. Ato do të na japin kurajën për të folur, do të na japin besimin që të përpiqemi, do ta forcojnë bindjen tonë ndaj Zotit Jezu Krisht. Unë besoj se më shumë mrekulli do të ndodhin mbi tokën.9

Pamja
Jezu Krishti

“Mos ki turp, … të dëshmosh Zotin tonë” (2 Timoteut 1:8).

Fola një ditë me një mik që ishte arratisur nga mëmëdheu i tij. Me rrënimin e kombit të tij, ai u arrestua dhe u çua në një kamp. Bashkëshortja dhe fëmijët e tij ishin në gjendje të largoheshin, por, për më shumë se tre vjet, ai ishte i burgosur pa mjete komunikimi me njerëzit që i donte. Ushqimi ishte i mjerë, kushtet e jetesës mbytëse, pa asnjë perspektivë për përmirësim.

“Çfarë të mbajti gjatë gjithë atyre ditëve të errëta?” e pyeta.

Ai u përgjigj: “Besimi im; besimi im në Zotin Jezu Krisht. I vura barrët e mia mbi të dhe atëherë ato u dukën shumë më të lehta.”10

Gjithçka shkon mirë. Mos u shqetëso. Këtë ia them vetes sime çdo mëngjes. Gjithçka do të shkojë mirë. Nëse bëni më të mirën tuaj, gjithçka do të shkojë mirë. Vëreni mirëbesimin tuaj te Perëndia dhe ecni përpara me besim e vetëbesim në të ardhmen. Zoti nuk do të na braktisë. Ai nuk do të na braktisë.11

A s’mund të thotë secili prej nesh që, nëse do të kishim besim më të madh në Perëndinë, ne mund të vepronim më mirë sesa jemi duke vepruar tani? Nuk ka asnjë pengesë tepër të madhe, asnjë sfidë tepër të vështirë, nëse kemi besim. Me besim ne mund të ngrihemi mbi ato elemente negative në jetën tonë, të cilat na tërheqin vazhdimisht poshtë. Me përpjekje ne mund ta zhvillojmë aftësinë për t’i nënshtruar ato shtysa që çojnë drejt veprimeve zhvleftësuese dhe të liga. Me besim ne mund t’i kontrollojmë orekset tona. Ne mund t’u afrohemi atyre njerëzve që janë të shkurajuar e të mundur, dhe mund t’i ngrohim ata nëpërmjet forcës dhe fuqisë së vetë besimit tonë.12

4

Kur e ushtrojmë besimin tonë, Zoti do ta ndihmojë atë të rritet.

Kur i ushtroni kohën dhe talentet tuaja për të shërbyer, besimi juaj do të rritet dhe dyshimet tuaja do të veniten.13

Kisha do t’ju kërkojë të bëni shumë gjëra. Do t’ju kërkojë të shërbeni në detyra të shumëllojshme. Ne nuk kemi një shërbesë profesioniste. Ju bëheni shërbesa e kësaj Kishe dhe, kudo që thirreni për të shërbyer, më lejoni t’ju nxit të përgjigjeni dhe, kur e bëni këtë, besimi juaj do të forcohet e rritet. Besimi është si muskuli i krahut tim. Nëse e përdor, nëse e ushqej, ai bëhet i fortë; ai do të bëjë shumë gjëra. Por nëse e lidh me një fashë dhe nuk bëj asgjë me të, ai do të dobësohet e bëhet i padobishëm dhe kështu do të jetë edhe me ju. Nëse e pranoni çdo mundësi, nëse e pranoni çdo thirrje, Zoti do ta bëjë të mundur për ju që ta kryeni atë. Kisha nuk do t’ju kërkojë të bëni ndonjë gjë që nuk mund ta bëni me ndihmën e Zotit.14

Kjo është lutja ime për ne të gjithë – “[Zot,] na e shto besimin [tonë]” [shih Lluka 17:5]. Na e shto besimin tonë për të kapërcyer humnerat e pasigurisë dhe të dyshimit. …

… Zot, na e shto besimin tonë që të ngrihemi mbi kritikuesit e pazotë të kësaj veprës Tënde të madhërishme dhe të shenjtë. Na e forco vullnetin tonë. Na ndihmo ta ngremë dhe zgjerojmë mbretërinë Tënde në përputhje me urdhrin Tënd të madhërishëm, që ky ungjill të mund të predikohet në të gjithë botën si një dëshmim për të gjitha kombet. …

… Na jep besim që të shohim përtej problemeve të çastit drejt mrekullive të së ardhmes. Na jep besim që t’i paguajmë të dhjetat e ofertat dhe ta vendosim mirëbesimin tonë në Ty, të Plotfuqishmin, për të hapur dritaret e qiellit sikurse ke premtuar Ti. Na jep besim që të bëjmë atë që është e drejtë dhe le të vijnë pasojat.

Na dhuro besim kur stuhitë e kundërshtarit na godasin e na rrëzojnë përtokë. Në stinët e sëmundjes u forcoftë vetëbesimi ynë në fuqitë e priftërisë. E ndjekshim këshillën e Jakobit:

“A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit,

dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë” (Jakobi [Bibël] 5:14–15; kursivet shtuar). …

Zot, kur ecim në luginën e hijes së vdekjes, na jep besim që të buzëqeshim përmes lotëve tanë, duke e ditur se e gjitha është pjesë e planit të përjetshëm të një Ati të dashur, që, teksa e kapërcejmë pragun nga kjo jetë, ne hyjmë në një tjetër më të lavdishme dhe që, nëpërmjet shlyerjes së Birit të Perëndisë, të gjithë do të ngrihen nga varri dhe besnikët do të shkojnë drejt ekzaltimit.

Na jep besim për ta vazhduar punën e shëlbimit për të vdekurit, që qëllimet e Tua të përjetshme të mund të përmbushen në emër të bijve dhe bijave të Tu të të gjithë brezave.

Atë, na jep besim të ndjekim këshillë për gjërat e vogla që mund të kenë kaq shumë domethënie. …

Zot, na e rrit besimin tonë te njëri-tjetri e te vetja dhe aftësinë tonë për të bërë gjëra të mira dhe të madhërishme. …

Atë, na e rrit besimin tonë. Nga të gjitha nevojat tona, mendoj se më e madhja është një rritje në besim. Dhe kështu, Atë i dashur, na e shto besimin tonë në Ty dhe në Birin Tënd të Dashur, në veprën Tënde të madhërishme, të përjetshme, në veten tonë si fëmijët e Tu dhe në aftësinë tonë për të shkuar e për të bërë sipas vullnetit Tënd dhe parimeve të Tua, unë lutem përulësisht në emrin e Jezu Krishtit, amen.15

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Hinkli dha mësim se besimi në Perëndinë është “e vetmja fuqi e madhërishme, lëvizëse që mund ta ndryshojë jetën tonë” (pjesa 1). Cilat përvoja ju kanë ndihmuar të mësoni rreth fuqisë së besimit? Si e keni parë se, kur “zgjatemi drejt së panjohurës, … besimi e ndriçon udhën”?

  • Çfarë mund të mësojmë nga pjesa 2 rreth burimit të forcës së Kishës? Si lidhen me njëri-tjetrin besimi dhe sakrifica? Merrni parasysh se si mund t’ia vini veshin thirrjes së Presidentit Hinkli “që ta ço[jmë] përpara këtë vepër anembanë botës”.

  • Si mendoni, përse besimi ka fuqinë për të na ndihmuar në kohët e sprovës? (Shih pjesën 3.) Kur ju ka ndihmuar besimi që të ngriheni mbi frikën? Kur ju ka ndihmuar besimi që të ngriheni mbi pengesat e tjera?

  • Rishikojeni lutjen e Presidentit Hinkli te pjesa 4. Çfarë fjalësh në këtë lutje kanë domethënie të veçantë për ju? Si mund të na ndihmojë besimi për t’i mposhtur pasigurinë dhe dyshimin? Si mund të na ndihmojë besimi për të vështruar përtej problemeve që të shohim mrekullitë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Gjoni 14:12–14; Romakëve 5:1–5; 2 Nefi 26:12–13; Moroni 7:33–38; DeB 27:16–18

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kur i studiojmë shkrimet e shenjta rregullisht dhe me zell, duke kërkuar me dëshirë udhërrëfim nga Shpirti, ne do të jemi pranues ndaj ndriçimit për mënyrën se si t’i përgatitim mësimet. Ne gjithashtu do të përgatitemi që të marrim e ndjekim nxitje nga Shpirti ndërkohë që japim mësim” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 14).

Shënime

  1. Në Conference Report, tetor 1969, f. 114.

  2. “If Ye Be Willing and Obedient”, Ensign, korrik 1995, f. 5.

  3. Standing for Something: Ten Neglected Virtues That Will Heal Our Hearts and Homes (2000), f. 109–110.

  4. “We Walk by Faith”, Ensign, maj 2002, f. 72–73.

  5. “The State of the Church”, Ensign, maj 1991, f. 54.

  6. “The Miracle of Faith”, Ensign, maj 2001, f. 68–69.

  7. “Stay the Course—Keep the Faith”, Ensign, nëntor 1995, f. 71–72.

  8. “God Hath Not Given Us the Spirit of Fear”, Ensign, tetor 1984, f. 2.

  9. “Be Not Afraid, Only Believe”, Ensign, shkurt 1996, f. 5.

  10. “Be Not Faithless”, Ensign, prill 1989, f. 4.

  11. “Latter-day Counsel: Excerpts from Addresses of President Gordon B. Hinckley”, Ensign, tetor 2000, f. 73.

  12. Standing for Something, f. 109–110.

  13. “He Is Risen, As He Said”, Ensign, prill 1983, f. 7.

  14. “Inspirational Thoughts”, Ensign, qershor 1999, f. 2.

  15. “Lord, Increase Our Faith”, Ensign, nëntor 1987, f. 52–54.