Mësime të Presidentëve
Kapitulli 17: Vazhdoni në Procesin e Shkëlqyer të të Mësuarit


Kapitulli 17

Vazhdoni në Procesin e Shkëlqyer të të Mësuarit

“Ne duhet të vazhdojmë të rritemi. Ne duhet të mësojmë në mënyrë të vazhdueshme. Është një mandat i dhënë në mënyrë hyjnore që ne duhet të vazhdojmë ta shtojmë njohurinë tonë.”

Nga Jeta e Gordon B. Hinklit

“Më pëlqen shumë të mësoj”, tha Presidenti Gordon B. Hinkli. “E shijoj çdo mundësi për të marrë njohuri. Në të vërtetë, unë besoj dhe e kam mbështetur fuqimisht, gjatë gjithë jetës sime, vazhdimin e arsimimit – për veten time dhe për të tjerët. … Nga këndvështrimi im, të mësuarit është si çështje praktike edhe çështje shpirtërore.”1

Bashkëshërbyesit me Presidentin Hinkli në udhëheqjen e Kishës mrekulloheshin nga dhuntia e tij për grumbullimin e njohurisë dhe zbatimin e saj në punën e tij. Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vërejti: “Nuk kam takuar kurrë një njeri që mund të informohet kaq mirë nëpërmjet leximit dhe nëpërmjet kontaktit me njerëz. Kur ai kalon një mbrëmje duke darkuar me dikë, ai largohet duke mësuar diçka nga njohuritë e veçanta të atij individi.” Plaku Nil A. Maksuell, gjithashtu i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Ajo që e bën Presidentin Hinkli të veçantë, është se ai e mban mend atë që ka lexuar, dhe e distilon atë që ai dëshiron të mbajë. I tiji është një intelekt i harmonizuar. Ai mund të mbështetet tek ajo që di, për të marrë vendime të kujdesshme.”2

Në përpjekjet e tij të përhershme për të mësuar dhe për ta përmirësuar veten, Presidenti Hinkli ndoqi shembullin e prindërve të tij. Ai tregoi rrëfimin vijues të mënyrës se si i ati, Brajënt S. Hinkli, ishte zotuar për të mësuar:

“Kur ai ishte afërsisht në moshën që unë jam tani, ai kishte dalë në pension të plotë. Por ishte aktiv. Jetonte në një shtëpi mjaft të thjeshtë, por të rehatshme në një zonë rurale. Kishte një pemishte rreth tij dhe kënaqej kur ua shpërndante frutat [të tjerëve]. Oborri i shtëpisë së tij përfshinte lëndina, shkurre dhe pemë. Kishte një mur prej guri pak më shumë se gjysmë metri të lartë, që ndante njërin nivel nga tjetri. Sa herë që moti ishte i mirë, ai do të ulej mbi mur, me një kapelë të vjetër në kokë për t’i mbrojtur sytë nga dielli veror. Kur shkonim ta vizitonim, unë do të ulesha pranë tij. Me pak nxitje ai do të fliste për jetën e tij. …

Ai ishte mësues. Ai ishte një sipërmarrës i suksesshëm. Ai kryesoi mbi kunjin më të madh në Kishë, me më shumë se 15.000 anëtarë. Ai shërbeu si president misioni dhe në shumë funksione të tjera. Dhe tani ai ishte pensionist dhe ulej mbi mur. Ai ishte një lexues i jashtëzakonshëm me një bibliotekë të mahnitshme. Ai ishte një folës dhe shkrues i shkëlqyer. Thuajse deri në kohën që vdiq, pak përpara moshës 94 vjeç, ai lexonte dhe shkruante, dhe meditonte mbi njohurinë që kishte marrë.

Zbulova se, kur ulej mbi mur, në raste të caktuara edhe me orë të tëra në një ditë të ngrohtë, ai do të reflektonte mbi gjërat që kishte lexuar nga biblioteka e tij.

Mendoj se ai u plak hijshëm dhe për bukuri. Ai kishte librat e tij me thesaret e çmuara, që përmbanin mendimet e burrave dhe të grave të famshme të të gjitha kohëve. Ai kurrë nuk pushoi së mësuari dhe, kur ulej mbi mur, ai mendonte thellë për atë që kishte lexuar një natë më parë. …

… Përse po ju tregoj për një burrë plak dhe murin ku ai ulej? Po ju tregoj ngaqë mendoj se ka një mësim për secilin prej nesh. Ne nuk duhet të pushojmë kurrë së mësuari. Ne besojmë në përparimin e përjetshëm dhe se kjo jetë është një pjesë e përjetësisë, e cila duhet jetuar në mënyrë fitimprurëse deri në fund të saj.”3

Pamja
një grua duke lexuar shkrimet e shenjta

“Kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118).

Mësime të Gordon B. Hinklit

1

Zoti dëshiron që ne të arsimohemi, në mënyrë që të mund të përparojmë individualisht dhe të japim një ndihmesë në shoqëri.

Ju i përkisni një kishe, e cila jep mësim për rëndësinë e arsimimit. Ju keni një mandat nga Zoti që ta stërvitni mendjen tuaj dhe zemrën tuaj, dhe duart tuaja. Zoti ka thënë: “[Jepni] mës[im] me zell … për gjërat si në qiell, edhe në tokë dhe nën tokë; gjërat që kanë qenë, gjërat që janë, gjërat që duhet të ndodhin së shpejti, gjërat që janë në vendin tuaj, gjërat që janë jashtë; luftërat dhe ngatërresat e kombeve dhe gjykimet që janë mbi tokën; dhe një dije gjithashtu për vendet dhe për mbretëritë – me qëllim që ju të mund të përgatiteni në gjithçka” (DeB 88:78–80).4

Neve që jemi në këtë Kishë, na është dhënë një premtim i mrekullueshëm nga Zoti. Ai tha: “Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë” (DeB 50:24).

Sa e mrekullueshme është kjo thënie! Ky është njëri prej vargjeve të mia më të parapëlqyera të shkrimeve të shenjta. Ai flet për rritjen, zhvillimin, përparimin që çon drejt perëndishmërisë. Ai shkon krah për krah me këto thënie të madhërishme: “Lavdia e Perëndisë është inteligjencë, ose, me fjalë të tjera, dritë dhe e vërtetë” (DeB 93:36); “Në qoftë se një njeri fiton më shumë dije dhe inteligjencë në këtë jetë, nëpërmjet zellit dhe bindjes, sesa një tjetër, ai do të ketë po aq më shumë përparësi në botën që vjen” (DeB 130:19). …

Çfarë sfide e madhe gjendet në këto thënie të mrekullueshme. Ne duhet të vazhdojmë të rritemi. Ne duhet të mësojmë në mënyrë të vazhdueshme. Është një mandat i dhënë në mënyrë hyjnore që ne duhet të vazhdojmë ta shtojmë njohurinë tonë. …

… Zoti na tha juve dhe mua: “Kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë, kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit. … Organizoni veten tuaj. … Pushoni së qenuri përtacë” (DeB 88:118–119, 124).5

Zoti dëshiron që ju ta stërvitni mendjen dhe duart tuaja, cilado qoftë fusha juaj e zgjedhur. Qoftë nëse është riparimi i frigoriferëve, apo puna e një kirurgu të aftë, ju duhet të trajnoheni. Kërkoni shkollimin më të mirë të mundshëm. Bëhuni një punëtor me integritet moral në të ardhmen që shtrihet përpara jush. … Ju do t’i sillni nder Kishës dhe do të bekoheni bujarisht për shkak të atij trajnimi.

Nuk mund të ketë dyshim, asnjë dyshim, se arsimimi të shpërblen. Mos i bini shkurt në jetë. Nëse e bëni këtë, ju do t’i shihni vazhdimisht pasojat e mosmarrjes së arsimimit.6

Nuk është e mjaftueshme që thjesht të jetojmë, thjesht të mbijetojmë. Është e detyrueshme që secili prej nesh ta përgatitë veten e tij për të bërë diçka të vlefshme në shoqëri – të marrë gjithnjë e më shumë dritë, në mënyrë që drita jonë vetjake të mund të ndihmojë për të ndriçuar një botë të errët. Dhe kjo është bërë e mundur nëpërmjet të mësuarit, nëpërmjet arsimimit të vetes sonë, nëpërmjet përparimit dhe rritjes si në mendje dhe në shpirt.7

Pamja
një grua duke i lexuar një fëmije

“Filloni herët që t’i ekspozoni fëmijët ndaj librave.”

2

Me planifikim dhe vetëdisiplinim, prindërit mund të krijojnë një atmosferë të të mësuarit në shtëpitë e tyre.

Sa gjë mrekullisht interesante është që t’i shohësh mendjet e reja të tendosen dhe forcohen. Unë jam një njeri i cili e vlerëson shumë potencialin e pafund të televizionit për mirë. Por jam gjithashtu një njeri që e qorton çuarjen e tmerrshme dëm të kohës dhe mundësive, teksa fëmijët në disa shtëpi shohin orë pas ore, atë që as nuk të jep dritë as nuk të forcon.

Kur isha djalosh, ne jetonim në një shtëpi të madhe e të vjetër. Njëra prej dhomave quhej biblioteka. Ajo kishte një tryezë të fortë dhe një llambë të mirë, tri apo katër karrige të rehatshme me ndriçim të mirë dhe libra në raftet që shtriheshin përgjatë mureve. Kishte shumë vëllime – blerjet e babait dhe të nënës sime gjatë një periudhe kohe prej shumë vitesh.

Ne kurrë nuk na detyruan që t’i lexonim ata, por ata u vendosën atje ku ishin për kollaj dhe ku ne mund t’i merrnim sa herë që dëshironim.

Ishte qetësi në atë dhomë. Dihej se ishte një vend studimi.

Kishte edhe revista – revista të Kishës dhe dy ose tri revista të tjera të mira. Kishte libra historie dhe letërsie, libra për çështje teknike, fjalorë, një komplet enciklopedish dhe një atlas të botës. Në atë kohë, natyrisht, nuk kishte televizor. Radioja u shpik ndërkohë që po rritesha. Por kishte një mjedis, një mjedis të të mësuarit. Nuk dua që ju të besoni se ne ishim studiues të mëdhenj. Por ne u ekspozuam ndaj literaturës së mrekullueshme, ideve të mëdha nga mendimtarë të mëdhenj dhe gjuhës së burrave e grave që mendonin shumë dhe shkruanin bukur.

Në kaq shumë prej shtëpive tona sot, nuk ka mundësi për një bibliotekë të tillë. Shumica e familjeve janë të kufizuara në hapësirë. Por me planifikim mund të gjendet një qoshe, mund të gjendet një zonë që të bëhet si kënd largimi nga zhurmat përreth nesh, ku një njeri mund të ulet dhe të lexojë, dhe të mendojë. Është një gjë e mrekullueshme të kesh një tavolinë pune ose tryezë, qoftë ajo fare e thjeshtë, mbi të cilën gjenden veprat standarde të Kishës, disa libra të mirë, revistat e botuara nga Kisha dhe gjëra të tjera të denja për leximin tonë.

Filloni herët që t’i ekspozoni fëmijët ndaj librave. Nëna që nuk arrin t’u lexojë fëmijëve të saj të vegjël, u prish punë atyre dhe vetes së saj. Kërkon kohë, po, shumë kohë. Kërkon vetëdisiplinë. Kërkon që t’i organizojmë dhe llogaritim minutat dhe orët e ditës. Por nuk do të jetë kurrë e mërzitshme që t’i shikoni mendjet e reja të arrijnë të njohin personalitete, shprehje dhe ide. Leximi i mirë mund të bëhet një histori dashurie, shumë herë më i frytshëm në pasoja afatgjata sesa shumë veprimtari të tjera në të cilat fëmijët e përdorin kohën e tyre. …

Prindër, … lërini fëmijët tuaj që të ekspozohen ndaj mendjeve të mëdha, ideve të mëdha, të vërtetës së përjetshme dhe atyre gjërave të cilat do t’i forcojnë dhe nxitin për mirë. … Përpiquni të krijoni brenda shtëpisë suaj një atmosferë të të mësuarit dhe të zhvillimit që do të vijë prej tij.8

3

Arsimimi hap dyert e mundësive për rininë dhe të rinjtë në moshë madhore.

Kjo është dita e madhe e mundësive për ju të rinj, kjo kohë e mrekullueshme për të qenë mbi tokë. Ju qëndroni në kulmin e të gjitha epokave të kaluara. Ju jeni ekspozuar ndaj gjithë diturisë së të gjithë atyre që kanë ecur në tokë, ku ajo dituri po distilohet në drejtimet ku ju mund të fitoni njohuri në një kohë relativisht të shkurtër, atë njohuri të cilën njerëzit e patën të vështirë ta mësonin gjatë gjithë shekujve të kaluar. Mos e nënvlerësoni vetveten. Mos e humbisni mundësinë tuaj të madhe. Ndiqeni atë, punoni me të, studioni shumë.9

Është shumë e rëndësishme që ju të rinj dhe të reja të merrni gjithë arsimimin e mundshëm. … Arsimimi është çelësi që do të hapë dyert e mundësive për ju. Ia vlen të sakrifikosh për të. Ia vlen të punosh për të dhe, nëse e stërvitni mendjen tuaj dhe duart tuaja, ju do të jeni të aftë që t’i jepni një ndihmesë të madhe shoqërisë ku bëni pjesë, dhe ju do të mund të jeni një shembull i nderuar i Kishës në të cilën jeni anëtar. Vëllezërit dhe motrat e mia të reja e të dashura, përfitoni nga çdo mundësi arsimore që mund të përballoni, dhe ju etër e nëna, nxitini bijtë e bijat tuaja që të marrin një arsimim që do ta bekojë jetën e tyre.10

Ndoshta ju nuk keni i fondet për të bërë gjithë shkollimin që do të dëshironit. Përdorini në maksimum paratë tuaja dhe përfitoni nga bursat, ndihmat financiare dhe huatë brenda mundësive tuaja për t’i shlyer ato.11

Nuk ka rëndësi se çfarë doni të bëheni për aq kohë sa kjo është e ndershme. Një mekanik makine, një murator, një hidraulik, një elektricist, një mjek, një avokat, një tregtar, por jo një hajdut. Por çfarëdo që të jeni, përfitoni nga mundësia që të trajnoheni për të dhe bëni më të mirën nga ajo mundësi. Shoqëria do t’ju shpërblejë sipas vlerës suaj kur e kupton atë vlerë. Tani është dita e madhe e përgatitjes për secilin prej jush. Nëse do të thotë që të sakrifikoni, atëherë sakrifikoni. Ajo sakrificë do të bëhet investimi më i mirë që keni bërë ndonjëherë, sepse ju do të korrni të ardhura prej saj në të gjitha ditët e jetës suaj.12

E nxit secilën prej të rejave këtu që të bëjë gjithë shkollimin që mund të bëjë. Do të keni nevojë për të në botën ku do të hyni. Jeta po bëhet jashtëzakonisht konkurruese. … Bota po ndryshon dhe është kaq shumë e rëndësishme që ne ta përgatitim veten tonë për të ecur me atë ndryshim. Por ka një anë të mirë të të gjithë kësaj. Asnjë brez tjetër në gjithë historinë nuk u ka dhënë grave kaq shumë mundësi. Objektivi juaj i parë duhet të jetë një martesë e lumtur, e vulosur në tempullin e Zotit dhe e ndjekur nga rritja e një familjeje të mirë. Arsimimi mund t’ju përgatitë më mirë për realizimin e atyre idealeve.13

Ka përgjegjësi të jashtëzakonshme për gratë në Kishë si edhe në komunitet, të cilat janë në përputhje dhe në harmoni të plotë me martesën, mëmësinë dhe rritjen e fëmijëve të mirë e të aftë.14

I gjithë spektri i përpjekjeve njerëzore tani është i hapur për gratë. Nuk ka asgjë që ju nuk mund ta bëni, nëse e ndani mendjen për ta bërë atë. Ju mund të përfshini në ëndërrimet tuaja për gruan që do të doni të jeni, një përfytyrim të një gruaje që është e kualifikuar për t’i shërbyer shoqërisë dhe për të dhënë një ndihmesë domethënëse në botën ku ajo do të jetë pjesë.15

Jam mirënjohës që grave sot u janë dhënë të njëjtat mundësi [si burrave] që të studiojnë për shkenca, zanate dhe çdo aspekt tjetër të dijes njerëzore. Juve keni po aq të drejta sa edhe burrat për Shpirtin e Krishtit, i cili e ndriçon çdo burrë dhe grua që vjen në botë. (Shih DeB 84:46.) Jepuni përparësi martesës dhe familjes, por ndiqni edhe programe arsimore që do t’ju çojnë drejt një pune të kënaqshme dhe një punësimi frytdhënës në rast se nuk martoheni, apo drejt një lloji sigurie dhe përmbushjeje në rast se martoheni.16

Ju [të rinj] përballeni me sfida të mëdha që shtrihen përpara jush. Ju po futeni në një botë me një konkurrencë të ashpër. Ju duhet të merrni gjithë arsimimin e mundshëm. Zoti na ka udhëzuar lidhur me rëndësinë e arsimimit. Ai do t’ju kualifikojë për mundësi më të mëdha. Ai do t’ju përgatitë që të bëni diçka të vlefshme në botën e madhe të mundësive që shtrihen përpara jush. Nëse mund të shkoni në universitet dhe kjo është dëshira juaj, atëherë bëjeni atë. Nëse nuk keni dëshirë të shkoni në universitet, atëherë shkoni në një shkollë profesionale apo biznesi për t’i përmirësuar aftësitë tuaja dhe për ta rritur kapacitetin tuaj.17

Shpresoj se ju [të rinj] do t’i shihni mundësitë arsimore që keni, si një bekim të madh. E di që është rraskapitëse. E di që është e vështirë. E di që ka raste kur ju shkurajoheni. E di që ka raste kur e pyetni veten tuaj përse po e bëni këtë. Por vazhdoni, vazhdoni të këmbëngulni dhe vazhdoni të mësoni. Ju kurrë nuk do të pendoheni për aq kohë sa jetoni, por do ta llogaritni si një bekim të madh.18

4

Shkollimi i shpirtit është po aq i rëndësishëm, në mos më shumë, sa edhe shkollimi i mendjes.

Jam i mrekulluar nga fuqitë e mëdha të njohurisë që shfaqen në kohën tonë. Nuk ka pasur kurrë më parë kaq shumë njerëz të arsimuar në diturinë e botës. Sa gjë e fuqishme është – shkollimi intensiv i një përqindjeje të madhe të të rinjve në botë, të cilët mblidhen çdo ditë te këmbët e mësuesve për të grumbulluar njohuri nga të gjitha epokat e njeriut.

Shtrirja e asaj njohurie është mahnitëse. Ajo përfshin yjet e gjithësisë, gjeologjinë e tokës, historinë e kombeve, kulturën dhe gjuhën e popujve, veprimet e qeverive, ligjet e tregtisë, lëvizjen e atomit, funksionet e trupit dhe çuditë e mendjes.

Me kaq shumë njohuri në dispozicion, një njeri do të mendonte se bota mund të jetë shumë mirë pranë një gjendjeje përsosurie. Prapëseprapë, ne vazhdimisht vihemi në dijeni për anën tjetër të monedhës – të sëmundjes së shoqërisë, të grindjeve dhe shqetësimeve që sjellin mjerim në jetën e miliona njerëzve.

Çdo ditë ne vihemi gjithnjë e më shumë në dijeni të faktit se jeta është më shumë sesa shkencë dhe matematikë, më shumë sesa histori dhe letërsi. Nevojitet një arsimim tjetër, pa të cilin thelbi i të mësuarit laik mund të çojë vetëm në shkatërrim. Unë i referohem arsimimit të zemrës, të ndërgjegjes, të karakterit, të shpirtit – këto aspekte të papërcaktuara të personalitetit tonë të cilat e përcaktojnë me kaq qartësi atë që ne jemi dhe atë që bëjmë në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin.

… Ndërsa shërbeja në Angli si misionar, unë shkova te YMCA [SHRK] (Shoqëria e të Rinjve të Krishterë) në Londrën Qendrore. Mendoj se ajo ndërtesë e vjetër ka kohë që nuk është më, por nuk mund t’i harroj kurrë fjalët me të cilat përballeshin vizitorët në holl sa herë që ata hynin. Ato ishin fjalët e Solomonit: “Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë”. (Fjalët e Urta 4:7.)

Dituri për çfarë? Dituri për veten tonë, për qëllimet e jetës, për marrëdhënien tonë me Perëndinë, i cili është Ati ynë, për parimet e mëdha të dhëna në mënyrë hyjnore që për shekuj kanë siguruar muskujt e përparimit të vërtetë të njeriut! …

Ndërsa i ndjekim studimet tona laike, le t’i shtojmë jetës sonë edhe edukimin e Shpirtit. Nëse e bëjmë këtë, Perëndia do të na bekojë me atë paqe dhe me ato bekime që vijnë vetëm prej Tij.19

Pamja
Jezu Krishti

“Në gjithë studimin tonë, ne duhet të kërkojmë njohuri për Mësuesin.”

Jezusi tha: “Mësoni nga unë. … Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.” (Mateu 11:29–30.)

Do të doja t’ju sugjeroja që ta ndjekim atë urdhër të dhënë nga Biri i Perëndisë. Në gjithë studimin tonë, le të mësojmë edhe për Të. Në gjithë studimin tonë, ne duhet të kërkojmë njohuri për Mësuesin. Ajo njohuri do ta plotësojë në një mënyrë të mrekullueshme formimin tonë laik dhe do të na japë karakter dhe një plotësi jete që nuk mund të vijë në mënyrë tjetër.20

Ju sfidoj që të mos harroni kurrë se shkollimi i shpirtit është po aq i rëndësishëm, në mos më shumë, sa edhe shkollimi i mendjes.21

Programi ynë i shkëlqyer i arsimimit në Kishë ecën përpara. Puna e trajnimit të studentëve nëpërmjet programit të seminarit dhe institutit po zgjerohet në mënyrë të vazhdueshme. … Ju që keni qenë marrësit e këtij programi, e dini vlerën e tij të jashtëzakonshme. Ne i nxitim të gjithë ata, për të cilët ai është në dispozicion, që të përfitojnë prej tij. Ne nuk ngurrojmë të premtojmë se njohuria juaj për ungjillin do të rritet, besimi juaj do të forcohet dhe ju do të krijoni shoqëri të mrekullueshme.22

Le ta marrim mbi vete emrin e Zotit dhe pastaj, me besim, le të shkojmë përpara për të shpërndarë sipas rëndësisë atë që do të ndikojë në jetën e njerëzimit dhe do t’i sjellë paqe dhe gëzim botës. Bota ka nevojë për një brez burrash e grash të mësuar dhe me ndikim, të cilët mund të ngrihen dhe do të ngrihen, dhe me sinqeritet e pa asnjë dyshim do të shpallin se Perëndia jeton dhe se Jezusi është Krishti.23

5

Pavarësisht nga mosha që kemi, ne mund të fitojmë njohuri, të grumbullojmë urtësi dhe të vazhdojmë të rritemi.

Ç’gjë e mrekullueshme është të mësuarit, procesi me anë të të cilit njohuria e grumbulluar e shekujve është përmbledhur dhe përzgjedhur në mënyrë të atillë që, për një periudhë të shkurtër kohe, ne të mund të mësojmë atë që më parë mësohej vetëm nëpërmjet detyrave të gjata të kërkimit dhe praktikës.

Arsimimi është procesi i shkëlqyer i shndërrimit, sipas të cilit njohuria abstrakte bëhet një veprimtari e dobishme dhe frytdhënëse. Është diçka që nuk duhet të ndalojë kurrë. Pavarësisht nga mosha jonë, ne mund të fitojmë njohuri dhe ta përdorim atë. Ne mund të grumbullojmë urtësi dhe të përfitojmë prej saj. Ne mund të argëtohemi nëpërmjet mrekullisë së leximit e të ekspozimit ndaj arteve dhe t’i shtojmë bekimet dhe përmbushjen e të jetuarit. Sa më shumë plakem, aq më shumë kënaqem me fjalët e shkrimtarëve mendimtarë, të lashtë dhe bashkëkohorë dhe shijoj atë që ata kanë shkruar.24

Asnjëri prej nesh … nuk di mjaftueshëm. Procesi i të mësuarit është një proces i pambarim. Ne duhet të lexojmë, duhet të vëzhgojmë, duhet të përvetësojmë dhe duhet të përsiatim mbi atë ndaj së cilës ne e ekspozojmë mendjen tonë. … Unë besoj te përmirësimi. Unë besoj te rritja. …

Vazhdoni të rriteni, vëllezërit dhe motrat e mia, pavarësisht në se jeni tridhjetë apo shtatëdhjetë vjeç. Zelli juaj për ta bërë këtë gjë do të bëjë që vitet të kalojnë më shpejt sesa ju mund të dëshironi, por ato do të mbushen me një gjallëri të këndshme dhe të mrekullueshme që do t’i japë shije jetës suaj dhe fuqi mësimdhënies suaj.25

Në lindje të [Universitetit “Brigam Jang” në Provo të Jutës], fill pas tij, është një mal. Jam i bindur se [shumë njerëz] e kanë parë atë mal dhe kanë menduar: “Sikur thjesht të ngjitesha në majë të tij, do të ishte interesante të shikoja luginën që është në anën tjetër”. Por ata prej jush që e kanë bërë atë ngjitje, kanë zbuluar se lugina është vetëm një ultësirë e vogël e disi e cekët dhe se më tej ka shumë male të tjera më të larta për të ngjitur.

Shpresoj që të jetë kështu edhe me ju. … Ju do të kuptoni se, ndërsa përvoja juaj e të mësuarit [mund të ketë] qenë e mrekullueshme, përpara ka mundësi dhe sfida edhe më të mrekullueshme. Shtojeni depon tuaj të informacionit, rriteni njohurinë tuaj, vazhdoni procesin e mrekullueshëm të të mësuarit.26

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përse është e rëndësishme që të “marr[im] gjithnjë e më shumë dritë” nëpërmjet arsimimit? (Shih pjesën 1.) Si mund të na ndihmojë të mësuarit për të përparuar individualisht? Si mund të na ndihmojë të mësuarit “për të ndriçuar një botë të errët”?

  • Rishikoni rrëfimin e Presidentit Hinkli për mënyrën se si prindërit e tij krijuan një atmosferë të të mësuarit në shtëpinë e tyre (shih pjesën 2). Si mund t’i ndihmojmë fëmijët që të zhvillojnë dashuri për të mësuarin? Si mund t’i ndihmojmë fëmijët që të dëshirojnë të kërkojnë të mësojnë nga burimet që i ndriçojnë dhe i nxitin për mirë?

  • Në ç’mënyrë arsimimi i “hap dyert e mundësive” për rininë dhe të rinjtë e rritur? (Shih pjesën 3.) Si mund të jenë të shkathët të rinjtë dhe të rinjtë e rritur, për të përfituar nga mundësitë për arsimim?

  • Si do ta shpjegonit kuptimin e frazës “shkollimi i shpirtit”? (Shih pjesën 4.) Si mund ta arsimojmë zemrën, karakterin dhe shpirtin? Në jetën tuaj, si e kanë plotësuar njëri-tjetrin të mësuarit shpirtëror dhe të mësuarit laik?

  • Përse duhet të vazhdojmë të mësojmë gjatë gjithë jetës sonë? (Shih pjesën 5.) Si mund të ruajmë gjatë gjithë jetës një dashuri për të mësuarin? Çfarë keni mësuar kohët e fundit që ka qenë veçanërisht e vlefshme për ju?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Fjalët e Urta 1:5; 2 Pjetër 1:1–8; 2 Nefi 9:28–29; 28:29–30; DeB 6:7; 90:15; 131:6; 136:32–33

Ndihmë për Mësimdhënien

Një ide për të nxitur diskutimin rreth mësimeve të Presidentit Hinkli është që t’u kërkoni pjesëmarrësve të tregojnë atë që kanë mësuar nga studimi i tyre vetjak i kapitullit (shih faqet vi–vii në këtë libër për ide shtesë).

Shënime

  1. Standing for Something: Ten Neglected Virtues That Will Heal Our Hearts and Homes (2000), f. 59.

  2. Në Sheri L. Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (1996), f. 449–450.

  3. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1: 1995–1999 (2005), f. 406–407.

  4. “A Prophet’s Counsel and Prayer for Youth”, Ensign, janar 2001, f. 4–5.

  5. “A Conversation with Single Adults”, Ensign, mars 1997, f. 62.

  6. “A Prophet’s Counsel and Prayer for Youth”, f. 7.

  7. Standing for Something, f. 67.

  8. “The Environment of Our Homes”, Ensign, qershor 1985, f. 4–5.

  9. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 171–172.

  10. “Inspirational Thoughts”, Ensign, qershor 1999, f. 4.

  11. “Stay on the High Road”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 113.

  12. Teachings of Gordon B. Hinckley, f. 172–173.

  13. “Stand True and Faithful”, Ensign, maj 1996, f. 92.

  14. “Youth Is the Season”, New Era, shtator 1988, f. 47.

  15. “How Can I Become the Woman of Whom I Dream?” Ensign, maj 2001, f. 95.

  16. “Ten Gifts from the Lord”, Ensign, nëntor 1985, f. 89.

  17. “Converts and Young Men”, Ensign, maj 1997, f. 49–50.

  18. Discourses of President Gordon B. Hinckley, Vëllimi 1, f. 370.

  19. “With All Thy Getting Get Understanding”, Ensign, gusht 1988, f. 2, 5.

  20. “With All Thy Getting Get Understanding”, f. 5.

  21. Në “President Hinckley Visits New Zealand, Australia, and Mexico”, Ensign, gusht 1997, f. 77.

  22. “The Miracle Made Possible by Faith”, Ensign, maj 1984, f. 47.

  23. “With All Thy Getting Get Understanding”, f. 5.

  24. “I Believe”, Ensign, gusht 1992, f. 4.

  25. Teachings of Gordon B. Hinckley, f. 298–299.

  26. Teachings of Gordon B. Hinckley, f. 299.