2016
Engjëj që Quheshin Z. dhe Znj. Dan
Tetor 2016


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Engjëj që Quheshin Z. dhe Znj. Dan

Pamja
angels named Mr. and Mrs. Dunn

Ilustrimi nga Wilson Ong

Po shikoja televizor kur nëna ime telefonoi për të më thënë se vëllai i saj, daja im 92-vjeçar, Flojdi, dhe bashkëshortja e tij, teto Milli, qenë sëmurë me grip dhe nuk kishin ushqim në shtëpi. Asnjëri nuk ishte aq mirë sa të shkonte në dyqan për të marrë diçka. Dajë Flojdi dhe teto Milli nuk kishin asnjë familjar tjetër aty pranë, prandaj nuk kishin askënd që t’i ndihmonte.

Nëna ime pyeti a mund t’i ndihmoja unë. Unë jam e vetmja anëtare e Kishës nga ajo anë e familjes dhe më kishin thirrur për ndihmë edhe në situata të tjera më parë. Problemi ishte se unë jetoja në Juta të SHBA dhe tetoja e daja im ishin në Hemet të Kalifornisë në SHBA.

I thashë nënës sime të më linte disa minuta për t’u menduar se si t’ia bëja. Kisha një shoqe që jetonte pranë Hemetit, ndaj i telefonova dhe e pyeta a njihte ndokënd në Hemet. Ajo më tregoi rreth një zonje që shërbente në Tempullin e Redlandsit në Kaliforni që quhet motra Dan, e cila ishte presidente e Shoqatës së Ndihmës atje.

Kur motra Dan u përgjigj në telefon, fillova [t’i thoja]: “Përshëndetje, motra Dan! Ju nuk më njihni, por unë quhem Nensi Litëll dhe jetoj në Juta. Jam një anëtare e Kishës, por tetoja dhe daja im që jetojnë në Hemet nuk janë. Ata janë sëmurë dhe nuk kanë ushqim në shtëpi.” I tregova ku jetonin, që ishte larg nga vendi ku ishte ajo, dhe i shpjegova se doja thjesht të merrja informacion për një restorant pranë tyre që mund t’u dorëzonte ushqim në shtëpi.

Në vend të kësaj, motra Dan këmbënguli se ajo dhe i shoqi do t’u çonin ushqim tetos dhe dajës tim. Ndodhi që ata kishin supë e bukë të bërë në shtëpi dhe nëna e saj sapo kishte bërë biskota. Unë kundërshtova, por ajo ngulmoi.

Disa orë më vonë, motra Dan telefonoi dhe më siguroi se gjithçka ishte mirë. Nëna ime më telefonoi më vonë për të më treguar se çfarë kishte thënë dajë Flojdi për vizitën e tyre. Ai tha: “Në shtëpinë time erdhën engjëj që quheshin z. dhe znj. Dan. Ata erdhën me duar plot me ushqim: fruta, zarzavate, supë shtëpie, bukë dhe biskota. Ato ishin biskotat më të mira që kam ngrënë ndonjëherë.” Çifti Dan u takua me dajën tim, i ndihmuan ata me nevojat e tyre dhe më pas vëllai Dan e mbajti në krahë teton time të brishtë Millin, e cila vuante nga sëmundja e Alzheimerit, nga shtrati i saj te një karrige në kuzhinë kështu që motra Dan të mund ta ushqente.

Kur dajë Flojdi i telefonoi nënës sime për t’i treguar rreth vizitës, ai u përlot. Ai tha se nuk kishte takuar asnjëherë njerëz kaq të sjellshëm e të kujdesshëm. Ai i tha nënës sime se unë isha me fat që jetoja në Juta dhe që isha e rrethuar nga “gjithë ata mormonë”.

Katër ditë pas vizitës, dajë Flojdi doli jashtë për te kutia e tij postare, rrëshqiti dhe u rrëzua. Ai përplasi kokën dhe vdiq katër ditë më vonë. Me përjashtim të një infermiereje që u kujdes për të në shtëpi, vëllai dhe motra Dan qenë njerëzit e fundit që daja im pa përpara se të vdiste.

Jam mirënjohëse për shembullin si të Krishtit të një prej motrave të mia të Shoqatës së Ndihmës e cila jetonte qindra kilometra larg; dikush që nuk e kisha takuar kurrë, e cila ndihmoi teton dhe dajën tim.