2016
Të Dielat e Mia të Mbushura me Shërbim
Tetor 2016


Shërbimi në Kishë

Të Dielat e Mia të Mbushura me Shërbim

Autori jeton në Kaliforni, SHBA.

Të dielat e mia janë të zëna, por unë ndihem mirënjohës që mund të shërbej pa vështirësitë me të cilat u ndeshën udhëheqësit e hershëm të Kishës si Plaku Parli P. Prat.

Pamja
Parley P. Pratt in the snow

Ilustrimet nga Chidy Wayne

Është mëngjesi i së dielës. Përpara vetes kam një program 12-orësh me mbledhje, intervista, konfirmime dhe shugurime. Do filloj në një qendër kunji e do mbaroj në një shtëpi tjetër mbledhjesh në anën tjetër të qytetit – të gjitha në një ditë shumë të nxehtë.

Mezi e pres çdo mbledhje, intervistë, konfirmim dhe shugurim. Por dje, ndërsa mendoja se sa i zënë do të isha, lejova të më vijë pak keq për veten – derisa hapa Autobiography of Parley P. Pratt [Autobiografinë e Parli P. Pratit] dhe fillova të lexoja atje ku e pata lënë. Plaku Prat pati qenë i burgosur bashkë me Jozef e Hajrëm Smithin dhe të tjerë gjatë ditëve të vështira në Misuri. Pasi u çuan në Indipendence, Vëllezërit u izoluan në një hotel ku flinin në dysheme me një trung si jastëk.

Në një mëngjes të ftohtë me borë, Plaku Prat u ngrit dhe, pa rënë në sy, rrëshqiti jashtë hotelit. Ai lëvizi drejt lindjes nëpër qytet dhe në fushat pranë. Pasi eci rreth 1.6 kilometra, Plaku Prat u fut në një pyll, ku bora që binte mbulonte gjurmët e tij, ndërsa prania e tij fshihej nga pemët.

Ai mendoi mbi situatën e vet të vështirë. Vijimi drejt lindjes do të thoshte të arratisej për në një shtet tjetër, prej nga mund të njoftonte familjen e vet që të bashkohej me të. Të kthehej te hoteli do të thoshte burgosje dhe padi për krime të rënda. Edhe pse u tundua që të arratisej, Plaku Prat mendoi për “problemet, apo madje vdekjen” që do t’u shkaktonte të burgosurve të tjerë po të ikte.

Në mëdyshjen e tij, një mendim nga shkrimi i shenjtë e goditi: “Ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do ta gjejë atë përsëri, madje jetë të përjetshme” (shih Marku 8:35; DeB 98:13).

Plaku Prat u kthye në hotel. Do të pasonin muaj burgimi të vrazhdët – pa familje, pa shoqërinë e shenjtorëve, apo mundësi për të shërbyer në thirrjen e tij apostolike.1

Duke mbyllur librin, unë përsiata mbi vuajtjet e shenjtorëve të hershëm – disa nga të cilët ishin paraardhësit e mi. Për shkak të dëshmisë së tyre për ungjillin dhe të besimit të tyre në Jezu Krisht, ata duruan mizori dhe përndjekje. Për shkak të durimit të tyre, sot unë mund të shërbej dhe të adhuroj lirisht, i lidhur me ta në besim dhe dëshmi.

Ndërsa përgatitem për këtë ditë Shabati, familja ime është e sigurt, duke pritur me padurim për një ditë adhurimi në një shtëpi mbledhjesh të rehatshme. Shoqëria e shenjtorëve do ta bëjë më të gëzuar. Ne do të gëzohemi me ta në konfirmime dhe shugurime që kryhen, përgjegjësi që plotësohen dhe besim që forcohet. Ne do ta marrim sakramentin duke kujtuar Shpëtimtarin tonë dhe sakrificën e Tij shlyese. Dhe sonte ne do të mblidhemi në shtëpinë tonë për të lexuar Librin e Mormonit dhe do të lutemi së bashku përpara se të shtrihemi në shtretër të rehatshëm dhe t’i mbështetim kokat në jastëkë të butë.

Të dielat e mia janë të zëna. Për këtë unë jam mirënjohës dhe i bekuar.

Shënim

  1. Shih Parley P. Pratt, Autobiography of Parley P. Pratt, bot. Parley P. Pratt Jr. (1979), f. 194–197.