2016
Darka e Fundit e Melvës
Tetor 2016


Reflektime

Darka e Fundit e Melvës

Autorja jeton në Juta, SHBA.

“A do të provosh ta marrësh sakramentin?” e pyeta nënën time që po vdiste.

Pamja
sacrament with elderly woman

Ilustrimi nga Christopher Thornock

Nëna ime jetoi deri në moshën 92 vjeçe dhe u nda nga jeta kohët e fundit. Ajo ishte në spital kur mjekët vendosën se nuk mund të bënin më asgjë përveçse ta mbanin sa më rehat të ishte e mundur derisa të ndërronte jetë.

Ndërsa po bëheshin përgatitjet për ta marrë në shtëpi, dy vëllezër nga një lagje vendore erdhën në dhomë dhe më pyetën nëse nënës sime do t’i pëlqente të merrte sakramentin. Në fillim u thashë: “Jo, faleminderit”. Nëna mezi mund ta kapërdinte ushqimin. Pastaj thashë: “Sidoqoftë, prisni ta pyes”. Unë u përkula pranë veshit të saj dhe i thashë: “Këtu janë dy mbajtës priftërie. A do të të pëlqente të provoje ta marrje sakramentin?” Me një zë të dobët, por të qartë ajo u përgjigj: “Po”.

Pas bekimit, unë mora një copë bukë nga tabakaja, shkëputa një copëz të vockël dhe e vura butësisht në gojën e saj. Ajo e përtypi për pak dhe qetësisht u kërkoi falje burrave që u vonua ca. Ata më siguruan se ishte në rregull. Pas lutjes së dytë, unë mora një kupë të vogël plastike me ujë dhe e mbajta te buzët e saj. Ajo piu vetëm një gllënjkë të vogël, por u befasova se sa mirë e gëlltiti.

I falënderova vëllezërit dhe ata u larguan për te dhoma tjetër. Nëna vdiq paqësisht rreth një orë më vonë.

Në ditët që pasuan, kuptova se çfarë çasti të shenjtë pata mundësinë të ndaja me nënën time. Gjëja e fundit që ajo bëri në këtë jetë ishte të merrte sakramentin. Fjala e fundit që ajo tha ishte “Po” – po për të marrë sakramentin, po për të ofruar sakrificën e saj të një “zem[re] të thyer dhe një shpirt[i] të penduar” (3 Nefi 9:20), po, për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe për të premtuar që gjithmonë ta kujtojë Atë, po, për të marrë Shpirtin e Tij. Gjërat e fundit që kaluan nëpër buzët e saj ishin emblemat e sakramentit.

Sa mirë duhet t’i ketë shijuar asaj darka e fundit! Edhe pse tepër e dobët për të lëvizur apo folur, sa e gjallë në Krisht duhet të jetë ndier ajo! Sa mirënjohëse duhet të jetë ndier ajo për fuqinë e Tij shëlbuese dhe mundësuese, që e mbarti atë nëpër ato çaste të fundit të udhëtimit të saj në vdekshmëri dhe i ofroi asaj shpresën për jetë të përjetshme.

Çdo javë ndërsa marrim sakramentin, qofshim të gjithë mirënjohës për mundësinë që kemi të ripërtërijmë besëlidhjet tona dhe të ndiejmë faljen dhe hirin ndërsa përpiqemi të bëhemi më shumë si Ati ynë në Qiell dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Atëherë buka dhe uji mund të jenë për ne, pikërisht siç duhet të kenë qenë për nënën time, “më [të] ëmb[la] mbi çdo gjë që është e ëmbël … dhe [të] kulluar[a] mbi çdo gjë që është e kulluar” (Alma 32:42).