2016
Si Ta Bëjmë Krishtin Qendrën e Jetës Sonë
Tetor 2016


Përgjigje nga Udhëheqës të Kishës

Si ta Bëjmë Krishtin Qendrën e Jetës Sonë

Nga një takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho, dhënë më 27 janar 2009.

Pamja
holding the Book of Mormon

Jezusi arriti unitet të përsosur me Atin duke ia nënshtruar Veten, si trupin dhe shpirtin, vullnetit të Atit. Duke iu drejtuar Atit të Tij, Jezusi tha: “Bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë [Atij]” (Gjoni 8:29). Për shkak se ishte vullneti i Atit, Jezusi iu nënshtrua edhe vdekjes, “vullneti i Birit duke u shkrirë në vullnetin e Atit” (Mosia 15:7). Përqendrimi i Tij tek Ati është një nga arsyet kryesore pse shërbesa e Jezusit pati një qartësi dhe fuqi të tillë. Nuk pati asnjë mungesë përqendrimi tek Ai.

Në të njëjtën mënyrë, unë dhe ju mund ta vendosim Krishtin në qendër të jetës sonë dhe të bëhemi një me Të ashtu si Ai është një me Atin (shih Gjoni 17:20–23). Ne mund të fillojmë duke hequr gjithçka nga jeta jonë dhe pastaj duke i vendosur përsëri bashkë sipas përparësisë me Shpëtimtarin në qendër. Ne duhet që së pari të vendosim në vend gjërat që e bëjnë të mundur që ne gjithmonë ta kujtojmë Atë – lutjen e shpeshtë, studimin dhe përsiatjen e shkrimeve të shenjta, studimin e kujdesshëm të mësimeve apostolike, përgatitjen e përjavshme për ta marrë denjësisht sakramentin, adhurimin të dielën, shënimin dhe të kujtuarin e asaj që Shpirti dhe përvoja na mësojnë rreth dishepullimit. Mund të ketë gjëra të tjera që do t’ju vijnë ndër mend të përshtatura veçanërisht për juve në këtë çast të jetës suaj. Sapo koha dhe mënyrat e duhura për këto çështje, për ta përqendruar jetën tonë te Krishti, të jenë vënë në vend, ne mund të fillojmë të shtojmë përgjegjësi të tjera dhe gjëra me vlerë për aq sa do ta lejojnë koha dhe burimet, të tilla si arsimimi dhe përgjegjësitë familjare dhe veprimtaritë vetjake. Në këtë mënyrë thelbësorja nuk do të nxirret jashtë jetës sonë nga gjëra thjesht të mira, dhe gjërat me vlerë më të vogël do të marrin përparësi më të vogël ose do të zhduken tërësisht.

Edhe pse mund të mos jetë e lehtë, ne mundet vazhdimisht të shkojmë përpara me besim në Zot. Unë mund të vërtetoj se me kalimin e kohës, dëshira dhe aftësia jonë për ta kujtuar dhe ndjekur gjithnjë Shpëtimtarin do të rriten. Ne duhet të punojmë me durim drejt atij qëllimi dhe të lutemi gjithmonë për mprehtësinë dhe ndihmën hyjnore që na nevojiten (shih 2 Nefi 32:9).