2016
Të Kuptuarit e Vetëvrasjes: Shenjat Paralajmëruese dhe Parandalimi
Tetor 2016


Të Kuptuarit e Vetëvrasjes: Shenjat Paralajmëruese dhe Parandalimi

Pamja
sitting at the edge of a dock

Fotografi © iStock/Thinkstock

Kur Kevini ishte 16 vjeç, prindërit e tij u shkurorëzuan. Rreth të njëjtës kohë, ai e ndërpreu përdorimin e ilaçit të tij për epilepsinë, që e kishte ndihmuar për ta bërë të qëndueshme gjendjen e tij. Pa e ditur se kishte një çrregullim bipolar, ai filloi të përjetonte paranojë, mani ligështuese dhe depresion të rëndë. Ilaçet nuk dukej se ndihmonin. Arriti në një pikë që ai u ndje aq shumë i lodhur nga gjithçka sa vendosi t’i jepte fund jetës së tij pa ua bërë të ditura të tjerëve qëllimet e tij.

Kevini kujton ditën kur u përpoq t’i jepte fund jetës së vet: “Po qaja. Isha thjesht shumë i lodhur, shumë i zbrazët emocionalisht. Thjesht po i shihja njerëzit, duke dëshiruar që dikush, cilido, të thoshte: ‘A je mirë?’ Edhe pse e dëshiroja atë shumë, unë po i dëgjoja këta zëra [në kokën time] duke thënë: ‘Duhet të vdesësh’. … Tërë kohën duke i kërkuar vetes që të [mos e bëja atë], por zërat ishin shumë të fortë, unë thjesht nuk mund t’u bëja ballë atyre.”1

Tragjikisht, askush nuk e vuri re vuajtjen e tij. I bindur se askush nuk donte t’ia dinte për të, ai e bëri përpjekjen që ta vriste veten – por mrekullisht mbijetoi.

A mund ta ndiejmë të paktën një pjesë të vuajtjes së tij mbisunduese dhe të thirrjes së tij të dëshpëruar, të heshtur për ndihmë?

Vetëvrasja është një nga sprovat më të vështira në vdekshmëri, si për ata që vuajnë me mendime vetëvrasëse dhe ashtu edhe për pjesëtarët e tjerë të familjes së tyre. Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Sipas gjykimit tim, nuk ka asnjë kohë më të vështirë për një familje sesa kur një njeri i dashur i jep fund jetës së vet. Vetëvrasja është një përvojë shkatërruese për familjen.”2 Duke marrë parasysh natyrën serioze të kësaj sprove, le të diskutojmë: 1) atë që dimë rreth vetëvrasjes, përfshirë shenjat e saj paralajmëruese dhe gjërat që mund të bëjmë për të ndihmuar që ta parandalojmë atë; 2) atë që mund të bëjnë pjesëtarët e mbetur të familjes dhe komunitetet; dhe 3) atë që duhet ta bëjmë ne të gjithë për ta forcuar shpresën dhe besimin tonë në Krishtin, kështu që të mos dëshpërohemi.

Të Kuptuarit e Vetëvrasjes

Mbi 800.000 njerëz i japin fund jetës së tyre nëpërmjet vetëvrasjes çdo vit anembanë botës.3 Kjo do të thotë që dikush në botë po i jep fund jetës së vet çdo 40 sekonda. Numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë edhe më i lartë, sepse vetëvrasja është një çështje e ndjeshme dhe e paligjshme në disa vende dhe si rrjedhim e raportuar më pak nga ç’duhet. Vetëvrasja është shkaku i dytë më i zakonshëm i vdekjes mes njerëzve midis moshës 15 dhe 29 vjeç. Në shumicën e vendeve, shkalla e vetëvrasjes është më e larta mes njerëzve të moshës mbi 70 vjeç. Drejtpërsëdrejti ose jo, vetëvrasja ndikon mbi një grup të madh të shoqërisë sonë.

Shenjat Paralajmëruese

Kur sfidat e jetës ndihen përtej aftësisë sonë që të përballemi me to, ne mund të përjetojmë stres të skajshëm. Kur shqetësimi emocional ndihet i papërballueshëm, të menduarit e një njeriu mund të errësohet dhe mund t’i bëjë ata të ndihen sikur vdekja është e vetmja mundësi. Mund të ndiejnë se askush nuk mund t’i ndihmojë, gjë që mund të çojë drejt izolimit shoqëror dhe mund ta rëndojë më tej shqetësimin dhe ndjenjën e të qenit pa rrugëdalje dhe të pashpresë, më së fundi duke çuar drejt të menduarit që vetëvrasja është e vetmja mundësi.

Kur dikush tregon ndonjë prej këtyre shenjave të rënda paralajmëruese që vijojnë4, ne menjëherë duhet të kërkojmë ndihmë nga një institucion i shëndetit mjekësor ose nga shërbimet e urgjencës të tilla si policia:

  • Bërje kërcënimesh për ta lënduar ose vrarë veten

  • Kërkim mënyrash ose mjetesh për ta vrarë veten

  • Të folur ose të shkruar rreth vdekjes, procesit të vdekjes ose vetëvrasjes

Shenjat vijuese mund të paraqitin një gjendje më pak urgjente, por ne nuk duhet të ngurrojmë që të ndërhyjmë dhe të gjejmë ndihmë për njeriun që shfaq ndonjërën nga këto shenja:

  • Shprehje të mungesës së shpresës dhe të humbjes së qëllimit për të jetuar

  • Shfaqje të egërsisë ose zemërimit apo përpjekjes për hakmarrje

  • Sjellje në mënyrë të pakujdesshme

  • Ndjenja të të qenit i zënë në kurth

  • Shtim nga ana e tyre të përdorimit të alkoolit ose drogave

  • Largim prej miqve, familjes ose shoqërisë

  • Ndjenja të ankthit ose acarimit apo pasje të ndryshimeve dramatike të gjendjes

  • Vështirësi për të fjetur ose të fjeturit gjatë gjithë kohës

  • Ndjenja që ata janë një barrë për të tjerët

Jo kushdo që përpiqet të kryejë vetëvrasje, i lejon të tjerët ta dinë se ç’ka ndërmend të bëjë, por shumica shfaqin shenja paralajmëruese të tilla si këto. Prandaj merrini seriozisht këto shenja!

Edhe nëse ndihma profesionale nuk është në dispozicion tani, fuqia me të vërtetë përkujdesëse e miqve dhe familjes nuk mund të theksohet më shumë se ç’duhet.

Parandalimi

Pamja
elderly man with a cane

Kur dikush ka prirje vetëvrasëse, familja dhe miqtë luajnë një rol jetik. Sikurse na mësoi Alma, ne duhet të “mba[jmë] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta … të vajto[jmë] me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:8, 9).

Këtu janë disa gjëra të dobishme që mund t’i bëjnë familja dhe miqtë:

Qëndroni pranë dhe dëgjoni me dashuri. Sikurse këshilloi Plaku Ballard: “Nuk ka asgjë më të fuqishme sesa krahu i dashurisë që mund të vihet përreth atyre që po ndeshen me vështirësi”5. “Ne duhet t’i shohim ata … nëpërmjet syve të Atit Qiellor”, dha mësim Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Vetëm atëherë ne mund ta ndiejmë shqetësimin përkujdesës të Shpëtimtarit për ta. … Ky këndvështrim i zgjeruar do të na i hapë zemrat tona kundrejt zhgënjimeve, frikës dhe hidhërimeve të të tjerëve.”6

Ndihmoni me gjëra të vërteta. Nëse njeriu po kalon përmes një krize që e ndikon sigurinë dhe nevojat bazë të tij ose të saj, ofroni që të jepni ndihmë të dukshme, por lejojeni njeriun të zgjedhë për ta pranuar ose jo atë ndihmë. Për shembull, nëse ata bëhen vetëvrasës për shkak të humbjes së një pune, duke i ndihmuar që të gjejnë vende pune bosh, atyre u jepen mundësi nga të cilat të zgjedhin dhe kjo i ndihmon të çlirohen nga ndjenja se nuk kanë rrugëdalje.

Pyetini nëse e kanë marrë parasysh vetëvrasjen. Kur merakoseni që dikush është i shqetësuar dhe po tregon shenja paralajmëruese të vetëvrasjes, pyetini nëse ata po e marrin parasysh vetëvrasjen. Të vepruarit kështu mund t’ju vërë në siklet, por është më mirë ta zbuloni a po e marrin parasysh vetëvrasjen duke i pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ajo mund të krijojë mundësinë për personin që të flasë rreth shqetësimeve dhe problemeve të veta.

Shembuj pyetjesh të tilla mund të jenë: “Ajo duket si shqetësim shumë i madh për t’u përballuar nga një njeri. A po mendon për vetëvrasje?” apo “Me gjithë ato dhembje që po përjeton, pyes veten nëse po mendon për vetëvrasje”. Nëse nuk po mendojnë për vetëvrasje, ata ka të ngjarë që do t’jua thonë.

Nëse ndieni se nuk ju flasin hapur rreth mendimeve për vetëvrasje, qëndroni pranë nxitjeve të Shpirtit që të dini se çfarë të bëni. Ju mund të nxiteni që thjesht të qëndroni me ta derisa të mund t’ju flasin haptazi.

Qëndroni me personin dhe gjeni ndihmë. Nëse dikush ju lë të kuptoni se po mendon për vetëvrasje, qëndroni me personin dhe bëjeni t’ju flasë rreth asaj që po e shqetëson. Nëse flet rreth metodave të veçanta dhe kohës për vetëvrasje, ndihmojeni personin që të vihet në kontakt me një numër telefonik për situata krize apo një institucion vendor për urgjenca psikiatrike.

Reagimet ndaj një Vetëvrasjeje

Pavarësisht nëse tregojnë shenja paralajmëruese ose jo, disa njerëz vërtet i japin fund jetës së tyre. Kur përballen me përvojën shkatërruese të vetëvrasjes së një njeriu të dashur, pjesëtarët e mbetur të familjes dhe miqtë shpesh përjetojnë hidhërim të thellë, të fuqishëm dhe të ndërlikuar. Disa prej këtyre reagimeve mund të përfshijnë sa vijon:

  • Turp dhe një ndjenjë damke

  • Tronditje dhe mosbesim

  • Zemërim, lehtësim ose fajësim

  • Fshehje të shkakut të vdekjes

  • Izolim shoqëror dhe shkëputje në marrëdhëniet familjare

  • Përfshirje vepruese dhe madje ngulmuese në përpjekjet për të parandaluar vetëvrasjen

  • Një dëshirë gllabëruese për të kuptuar arsyen

  • Ndjenjë braktisjeje dhe mospranimi

  • Fajësim i të vdekurit, vetes, të tjerëve dhe Perëndisë

  • Mendime në rritje për vetëvrasje ose ndjenja të vetëshkatërrimit

  • Stres në rritje gjatë kohës së festave dhe gjatë përvjetorit të vdekjes7

Çfarë Mund të Bëjnë Pjesëtarët e Mbetur të Familjes dhe Komunitetet

Pamja
woman sitting on bench

Përmbahuni që të mos gjykoni. Edhe pse vetëvrasja është një çështje serioze, Plaku Ballard gjithashtu na kujtoi: “Sigurisht, ne nuk i dimë të gjitha rrethanat që lidhen me çdo vetëvrasje. Vetëm Zoti i di të gjitha hollësitë dhe është Ai që do t’i gjykojë veprimet tona këtu në tokë. Kur [Zoti] të na gjykojë, unë mendoj se Ai do t’i marrë parasysh të gjitha gjërat: përbërjen tonë gjenetike dhe kimike, gjendjen tonë mendore, aftësinë tonë intelektuale, mësimet që kemi marrë, traditat e etërve tanë, shëndetin tonë e kështu me radhë.”8

Lejojeni dhe respektojeni procesin e veçantë të brengosjes së secilit njeri. Njerëzit do të brengosen në mënyra të ndryshme, sepse marrëdhënia e tyre me të vdekurin është e ndryshme nga ajo e dikujt tjetër. Kështu që vlerësojeni dhe nderojeni mënyrën e përjetimit të brengës nga secili njeri.

Kur njerëz të dashur largohen prej nesh, mund të pushtohemi nga emocione të forta dhe madje mbisunduese. Përjetimi i brengës nuk do të thotë një mungesë besimi, megjithatë. Shpëtimtari tha: “Jeto së bashku në dashuri, kështu që ti duhet të vajtosh për humbjen e atyre që vdesin” (DeB 42:45). Brenga është shenjë e dashurisë sonë për njerëzit tanë të dashur, që kanë vdekur, dhe e domethënies që kishte për ne marrëdhënia me ta.

Kërkoni ndihmë. Teksa jeni të brengosur, gjërat mund t’ju duken të pakalueshme. Kërkimi i ndihmës mund të sigurojë mundësi të shenjta për njerëzit e tjerë që t’ju duan dhe t’ju shërbejnë juve. Të lejuarit që ata të ndihmojnë, mund të jetë shëruese dhe forcuese jo vetëm për ju, por edhe për ata.

Mbani lidhje. Disa njerëz mbajnë zi në fshehtësi dhe nganjëherë mund të bëhen të izoluar, prandaj mbani lidhje me familjet dhe miqtë tuaj. Lidhuni herë pas here me pjesëtarët e familjes suaj, të afërmit e miqtë tuaj që janë të brengosur, dhe ofroni ndihmë pasi ata mund të mos vijnë te ju.

Mbështetuni te Shpëtimtari. Në fund të fundit, Shpëtimtari është burimi i shërimit dhe paqes. “Shlyerja e Tij … ofron mundësinë ta thërrasim Atë i cili i ka përjetuar të gjitha lëngatat tona të vdekshme, për të na dhënë forcën që t’i durojmë barrët e vdekshmërisë. Ai i njeh dhembjet tona dhe Ai është pranë nesh. Ashtu si Samaritani i mirë, kur Ai na gjen të plagosur buzë rruge, Ai do të na i lidhë plagët dhe do të kujdeset për ne (shih Lluka 10:34).”9

Duhet të kuptojmë se ne të gjithë kemi nevojë të mbështetemi tërësisht te Zoti Jezu Krisht dhe Shlyerja e Tij, ndërkohë që përpiqemi për ta bërë pjesën tonë. Ndërsa e dallojmë me përulësi këtë, ne duhet të përpiqemi për t’i kuptuar familjet dhe fqinjët tanë që janë të hidhëruar, t’u afrohemi atyre me dashuri dhe të krijojmë së bashku besim e mirëbesim më të madh te Shpëtimtari, i cili do të kthehet dhe do të “thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim” (Zbulesa 21:4).

Shënime

  1. Kevin Hines, në Amanda Bower, “A Survivor Talks About His Leap”, Time, 24 maj 2006, Time.com.

  2. M. Russell Ballard, në Jason Swenson, “Elder Ballard Offers Comfort and Counsel to Those Affected by Suicide”, Church News, 19 dhjetor 2014, news.lds.org.

  3. Shih World Health Organization, Preventing Suicide: A Global Imperative (2014), f. 2.

  4. Shih M. David Rudd dhe të tjerë, “Warning Signs for Suicide: Theory, Research, and Clinical Applications”, Suicide and Life-Threatening Behavior, vëll. 36, nr. 3 (2006), f. 255–262.

  5. M. Russell Ballard, në “Sitting on the Bench: Thoughts on Suicide Prevention” (video), lds.org/media-library.

  6. Dejll G. Renland, “Nëpërmjet Syve të Perëndisë”, Liahona, nëntor 2015, f. 94.

  7. Shih John R. Jordan, “Is Suicide Bereavement Different? A Reassessment of the Literature”, Suicide and Life-Threatening Behavior, vëll. 31, nr. 1 (2001), f. 91–102.

  8. M. Russell Ballard, “Suicide: Some Things We Know, and Some We Do Not”, Ensign, tetor 1987, f. 8.

  9. Dallin H. Ouks, “Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2015, f. 64.