2016
Bekimet e Bindjes
Tetor 2016


Mesazhi i Presidencës së Parë

Bekimet e Bindjes

Pamja
tree of life

Ilustrimi nga Xhim Madsen

“Mësimi më i madh që mund të mësojmë në vdekshmëri”, ka dhënë mësim Presidenti Tomas S. Monson, “është se, kur Perëndia flet dhe ne bindemi, do të jemi gjithnjë në rregull.”1

Ne gjithmonë do të bekohemi. Siç Presidenti Monson tha gjatë një konference të përgjithshme të fundit: “Kur i zbatojmë urdhërimet, jeta jonë do të jetë më e lumtur, më përmbushëse dhe më pak e koklavitur. Sfidat dhe problemet tona do të jenë më të lehta për t’u duruar dhe ne do të marrim bekimet e premtuara prej [Perëndisë].”2

Në paragrafët në vijim nga mësimet e Presidentit Monson si President i Kishës, ai na kujton se urdhërimet janë udhërrëfimi më i sigurt drejt lumturisë dhe paqes.

Udhëzimet për Udhëtimin

“Urdhërimet e Perëndisë nuk jepen për të na mërzitur ose që të bëhen pengesa ndaj lumturisë sonë. Pikërisht e kundërta është e vërtetë. Ai që na krijoi dhe që na do, e di në mënyrë të përsosur pikërisht se si nevojitet ta jetojmë jetën tonë me qëllim që të fitojmë lumturinë më të madhe të mundshme. Ai na ka siguruar udhëzime të cilat, në qoftë se i ndjekim, do të na udhëheqin të sigurt përmes këtij udhëtimi shpesh të pabesë në vdekshmëri. Ne i mbajmë mend fjalët e një himni të shumënjohur: ‘Mbaj urdhërimet! Në këtë ka paqe dhe ka siguri’ [shih “Mbaj Urdhërimet”, Hymns, nr. 198].”3

Forcë dhe Dituri

“Bindja është shenja dalluese e profetëve; ajo u ka siguruar atyre forcë dhe dituri përgjatë epokave. Është thelbësore që ta kuptojmë se ne, gjithashtu, kemi të drejtën për këtë burim force dhe diturie. Ajo është lehtësisht e gjindshme për secilin prej nesh sot teksa u bindemi urdhërimeve të Perëndisë. …

Dituria që kërkojmë, përgjigjet për të cilat jemi të dëshiruar dhe forca që dëshirojmë sot për të përballuar sfidat e një bote të ndërlikuar dhe në ndryshim, mund të jenë tonat kur u bindemi me gatishmëri urdhërimeve të Zotit.”4

Zgjidhni të Bindeni

“Qëndrimi i zakonshëm i kohës sonë është lejueshmëria ndaj mëkatimit. Revistat dhe shfaqjet televizive portretizojnë yje të ekranit të filmave, heronj të fushës atletike – ata të cilët shumë të rinj janë të etur t’i kenë shembull – të cilët shpërfillin ligjet e Perëndisë dhe përfshihen haptas në praktika mëkatare, pa ndonjë pasojë në dukje. Mos e besoni këtë! Ka një kohë kur bëhen llogaritë – madje një bilanc të librit të llogarive. Çdo Hirushe ka mesnatën e saj – nëse jo në këtë jetë, atëherë në tjetrën. Dita e Gjykimit do të vijë për të gjithë. … Unë ju përgjërohem që të zgjidhni të bindeni.”5

Gëzimi dhe Paqja

“Ndonjëherë mund t’ju duket se ata jashtë në botë po argëtohen më shumë sesa ju. Disa prej jush mund të ndihen të kufizuar nga kodi i sjelljes, të cilit i përmbahemi ne në Kishë. Megjithatë, vëllezër dhe motra të mia, unë ju shpall juve, se nuk ka asgjë që mund të sjellë më shumë gëzim në jetën tonë ose më shumë paqe për shpirtin tonë sesa Shpirti i cili mund të vijë te ne ndërsa ndjekim Shpëtimtarin dhe mbajmë urdhërimet.”6

Ecni Drejtësisht

“Unë ju dëshmoj se bekimet e premtuara janë të pamatshme. Megjithëse retë e stuhishme mund të mblidhen, megjithëse shirat mund të derdhen mbi ne, dija jonë për ungjillin dhe dashuria jonë për Atin Qiellor dhe për Shpëtimtarin tonë do të na ngushëllojnë e mbështetin dhe do t’u sjellin gëzim zemrave tona, kur ecim drejtësisht dhe mbajmë urdhërimet. Nuk do të ketë asgjë në këtë botë që të na mundë.”7

Ndiqeni Shpëtimtarin

“Kush ishte ky Burrë dhembjesh dhe i familjarizuar me vuajtje? Kush është Mbreti i lavdisë, ky Zot i ushtrive? Ai është Mësuesi ynë. Ai është Shpëtimtari ynë. Ai është Biri i Perëndisë. Ai është Vepronjësi i Shpëtimit. Ai na bën me shenjë [të afrohemi]: ‘Ndiqmë!’ Ai udhëzon: ‘Shko dhe bëj kështu edhe ti’. Ai lutet: ‘Zbatoni urdhërimet e mia’.

Le ta ndjekim Atë. Le të matemi me shembullin e Tij. Le t’i bindemi fjalës së Tij. Duke bërë kështu, ne i japim Atij dhuratën hyjnore të mirënjohjes.”8

Shënime

  1. “Ata Lanë Gjurmët Mbi Shtegun që Duhet të Ndjekim”, Liahona, tetor 2007, f. 5.

  2. “Zbatojini Urdhërimet”, Liahona, nëntor 2015, f. 83.

  3. “Zbatojini Urdhërimet”, f. 83.

  4. “Bindja Sjell Bekime”, Liahona, maj 2013, f. 90, 92.

  5. “Besoni, Binduni dhe Duroni”, Liahona, maj 2012, f. 129.

  6. “Qëndroni në Vende të Shenjta”, Liahona, nëntor 2011, f. 83.

  7. “Merrni Zemër”, Liahona, maj 2009, f. 92.

  8. “Të Gjejmë Gëzim në Udhëtim”, Liahona, nëntor 2008, f. 88.