2016
Gëzimi i të Nxënit
Tetor 2016


Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Gëzimi i të Nxënit

Ndërsa bëhemi nxënës më të angazhuar, ne do të përjetojmë gëzimin hyjnor që vjen nga të mësuarit dhe të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit.

Pamja
young woman reading her scriptures

Tregohet një histori për një burrë që u bë i njohur si dembeli i qytetit. Ai nuk donte të punonte, nuk donte të kërkonte punë. Ai thjesht jetonte me ato që i jepnin të tjerët. Më në fund njerëzit e qytetit u lodhën së ndihmuari. Ata vendosën ta çonin në periferi të qytetit dhe ta dëbonin. Ndërsa një nga qytetarët po e shoqëronte në një karrocë në skaj të qytetit, karrocieri ndjeu një valë dhembshurie për të. Ndoshta të braktisurit i duhej dhënë edhe një mundësi. Prandaj, e pyeti: “A do të doje një shinik me misër që të fillosh një jetë të re?”

I braktisuri u përgjigj: “A është i zhveshur misri?”1

Mësuesit dhe Nxënësit: Përgjegjësi e Barabartë për të Kontribuar

Ndonjëherë ne gjejmë dembelë ndaj shkrimeve të shenjta – ata i duan shkrimet e shenjta ‘të zhveshura’ përpara se të marrin prej tyre. Ata e duan ungjillin në formën e një serie pjesësh me nuanca zbavitëse apo të pjesëve të shkurtra filmike. Ata duan që mësuesi i Shkollës së të Dielës ta përgatitë dhe t’ua ushqejë mësimin me lugë, me pak përgatitje apo pjesëmarrje nga ana e tyre.

Në të kundërt, Shpëtimtari i ftoi dikur nxënësit e Tij që të shkonin në shtëpi sepse ata nuk mund t’i kuptonin fjalët e Tij. Ai i urdhëroi që të luteshin, të përsiatnin dhe ta “përgati[tnin] mendjen [e tyre] për nesër”, kur Ai do të “vi[nte] te[k ata] përsëri” (shih 3 Nefi 17:2–3).

Mësimi ishte ky: Përgjegjësia nuk është vetëm e mësuesit që të vijë i përgatitur, por edhe e nxënësit. Ashtu sikurse mësuesi ka përgjegjësinë për të dhënë mësim me anë të Shpirtit, edhe nxënësi ka përgjegjësinë për të mësuar me anë të Shpirtit (shih DeB 50:13–21).

Libri i Mormonit shënon: “Predikuesi nuk ishte më i mirë nga dëgjuesi, as nuk ishte mësuesi më i mirë nga nxënësi; dhe kështu, ata ishin të gjithë njëlloj” (Alma 1:26; theksimi i shtuar).

Më poshtë janë disa sugjerime për atë që mund të bëjmë për të përjetuar gëzimin që vjen kur ne bëjmë pjesën tonë për ta nxënë dhe jetuar ungjillin.

Të Nxënit në Shtëpi

Pamja
woman studying at home

Studiojini Shkrimet e Shenjta

Çdo anëtar është përgjegjës për ta nxënë vetë ungjillin; ne nuk mund ta delegojmë atë përgjegjësi. Shumica e atij të nxëni vjen nëpërmjet studimit të rregullt të shkrimeve të shenjta. Presidenti Harold B. Li (1899–1973) deklaroi: “Nëse nuk po i lexojmë çdo ditë shkrimet e shenjta, dëshmitë tona po dobësohen”.2 Apostulli Pal vërejti se judenjtë në Berea “ishin më fisnikë nga ndjenjat se ata të Thesalonikit dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe”, dhe pastaj ai tregoi arsyen për një pranueshmëri të tillë: “[Ata] i shqyrt[onin] çdo ditë Shkrimet” (Veprat e Apostujve 17:11; theksimi i shtuar).

Studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta është një përbërës thelbësor i shpirtshmërisë sonë. Asgjë tjetër nuk mund ta zëvendësojë plotësisht mungesën e tij në përditshmërinë tonë. Për këtë arsye, studimi i shkrimeve të shenjta duhet të jetë një kohë e rezervuar, jo e mbetur.

Disa mund të thonë: “Por nuk kam kohë për studim të përditshëm të shkrimeve të shenjta midis gjithë punëve të tjera në jetë”. Kjo thënie është diçka që të kujton historinë e dy druvarëve që garuan për të përcaktuar se cili mund të priste më shumë pemë në një ditë. Me lindjen e diellit gara filloi. Çdo orë burri më i vogël endej në pyll për rreth 10 minuta a diçka e tillë. Sa herë që ai e bënte këtë, kundërshtari i tij buzëqeshte dhe miratonte me kokë, i sigurt se po dilte përpara. Burri më i madh nuk e la asnjëherë vendin e tij, nuk ndaloi asnjëherë së preri, nuk bëri asnjëherë pushim.

Kur mbaroi dita, burri më i madh u trondit kur mësoi se kundërshtari i tij, që dukej sikur po humbiste aq shumë kohë, pati prerë shumë më tepër pemë se ai. “Si e arrite këtë kur bëre aq shumë pushime?” e pyeti ai.

Fituesi u përgjigj: “Oh, unë mprehja sëpatën time”.

Sa herë që i studiojmë shkrimet e shenjta, ne jemi duke e mprehur sëpatën tonë shpirtërore. Dhe pjesa e mrekullueshme është se kur e bëjmë këtë, ne jemi në gjendje ta përdorim kohën tonë të mbetur më me urtësi.

Përgatituni që më Parë

Studimet kanë treguar se vetëm një pakicë e anëtarëve të Kishës i lexojnë qysh më parë shkrimet e shenjta që do të diskutohen në orët mësimore të dielën. Secili prej nesh mund të ndihmojë që ta ndryshojë këtë gjendje. Ne mund ta mbajmë pjesën tonë të përvojës së të nxënit duke ardhur në klasë të përgatitur më mirë, duke i lexuar shkrimet e shenjta dhe të gatshëm për të treguar ide që kemi. Përgatitja jonë mund të jetë një dhuratë shpirtërore që ia japim të gjithë anëtarëve të klasës.

Të Nxënit në Orën Mësimore

Pamja
participating in class

Merrni Pjesë në Orën Mësimore

Urdhri që ta hapim gojën tonë (shih DeB 60:2–3) gjen zbatim jo vetëm për një mjedis misionar, por gjithashtu për mjedisin e klasës. Kur marrim pjesë, ne e ftojmë Shpirtin, që mandej mund të sjellë dëshmi për të vërtetën e komenteve tona dhe të ndriçojë mendjen tonë me vështrime të mëtejshme. Përveç këtyre, pjesëmarrja jonë mund t’i frymëzojë mendimet e një tjetri dhe kështu të nxitë pjesëmarrjen e tij apo të saj.

Në këtë mënyrë, ne zbatojmë një parim mësimdhënieje që na është dhënë nga Zoti: “Njëri duhet të flasë në një kohë dhe të gjithë të dëgjojnë thëniet e tij, që kur të gjithë të kenë folur të gjithë të jenë lartësuar prej gjithçkaje” (DeB 88:122; theksimi i shtuar). Ndonjëherë pjesëmarrja në orën mësimore nuk është e lehtë; ajo na kërkon të dalim nga zona jonë e rehatshme. Por bërja e kësaj sjell rritje shpirtërore për çdokënd në klasë.

Shënojini Mbresat

Për një kohë të gjatë kam mbajtur letra të bardha shënimesh në kishë dhe kam kërkuar ide doktrinore ose mbresa shpirtërore që mund t’i shënoja. Mund të them ndershmërisht se jam shpërblyer shumë. Kjo qasje e ka ndryshuar këndvështrimin tim; ajo e ka përqendruar dhe përshpejtuar të nxënin nga ana ime; ajo e ka rritur pritshmërinë time për kishën.

Përse është kaq e rëndësishme t’i shënojmë përvojat shpirtërore që marrim në kishë dhe gjetiu? Supozoni për një çast sikur një nënë po i flet birit të saj adoleshent dhe në një pikë ai i thotë: “Mami, kjo është vërtet një këshillë e mirë”. Ai pastaj nxjerr një bllok shënimesh dhe fillon të shënojë mbresat që mori nga biseda e tyre. Sapo mamaja ta mblidhte veten nga habia, a nuk do të donte që t’i jepte edhe më shumë?

Pa dyshim, i njëjti parim vlen për këshillat nga Ati ynë në Qiell. Kur i shënojmë mbresat që Ai na jep, Ai ka më shumë gjasa të na japë zbulesë të mëtejshme. Përveç kësaj, shumë nga mbresat që ne marrim mund të duken fillimisht si lende të vogla mendimi, por nëse i ushqejmë dhe përsiatim, ato mund të bëhen pemë të mëdha dushku.

Profeti Jozef Smith foli për rëndësinë e shënimit të ideve dhe mbresave: “Nëse … vazhdoni të diskutoni çështje të rëndësishme … dhe nuk i shënoni ato, … ndoshta, për mos shkrimin e këtyre gjërave kur Perëndia i pati zbuluar, për mos vlerësimin sa duhet të tyre, Shpirti mund të largohet … dhe ka, ose kishte, një njohuri të madhe, me rëndësi pa fund, që tani ka humbur”.3

Gëzimi i të Nxënit

Pamja
boy reading scriptures

Të nxënit është shumë më tepër sesa një detyrë hyjnore. Ai synon gjithashtu të jetë një gëzim i ndier thellë.

Në një rast, një matematikan i lashtë i quajtur Arkimedi, iu kërkua nga mbreti i tij për të përcaktuar nëse kurora e re e mbretit ishte ar i plotë apo nëse argjendari e kishte zëvendësuar pandershmërisht arin me argjend. Arkimedi e përsiati zgjidhjen; në fund erdhi përgjigjja. Aq i gëzuar ishte nga ky zbulim, saqë ai, sipas legjendës, vrapoi nëpër qytet duke thirrur: “Eureka! Eureka!” – që do të thotë: “E gjeta! E gjeta!”

Sado i madh që ishte gëzimi i tij për zbulimin e një parimi shkencor, ka një gëzim shumë më të madh në zbulimin e të vërtetave të ungjillit të Jezu Krishtit: ato të vërteta që jo vetëm na informojnë, por gjithashtu na shpëtojnë. Për këtë arsye Shpëtimtari tha: “Këto gjëra jua kam thënë që … gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjoni 15:11). Dhe për këtë arsye “bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi” (Jobi 38:7) kur mësuan për planin e shpëtimit. Ashtu si farat kanë fuqi të brendshme për t’u rritur, edhe të vërtetat e ungjillit kanë fuqi të brendshme për të sjellë gëzim.

Nuk është vetëm një urdhër hyjnor të “kërko[sh] të mëso[sh]” (DeB 88:118), por është gjithashtu një veprimtari e perëndishme. Sa herë që i studiojmë shkrimet e shenjta, vijmë në klasë të përgatitur pak më mirë, marrim pjesë në diskutimet në klasë, bëjmë pyetje dhe i shënojmë mbresat e shenjta, ne po bëhemi më shumë si Perëndia, duke e rritur kështu aftësinë tonë për të përjetuar gëzimin që Ai ndien.

Le të përpiqemi të gjithë të bëhemi nxënës më të angazhuar, nxënës më hyjnorë – në shtëpi, në orën mësimore dhe kudo ku jemi. Ndërsa e bëjmë këtë, ne do të përjetojmë një gëzim hyjnor që vjen nga të nxënit dhe të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit.

Pamja
the joy of learning

Shënime

  1. Një histori e ngjashme u tregua nga Plaku D. Tod Kristoferson në konferencën e përgjithshme të tetorit 2014.

  2. Harold B. Lee, seminar i përfaqësuesve rajonalë, 12 dhjetor 1970.

  3. Joseph Smith, në History of the Church, 2:199.