2016
Fjalë Profetike në një Vend të Paparashikuar
Tetor 2016


Fjalë Profetike në një Vend të Paparashikuar

Autorja jetonte në Argjentinë ndërsa bashkëshorti i saj po shërbente si president misioni.

Një revistë e lënë pas do ta ndryshonte jetën e Oskar Kastros përgjithnjë.

Pamja
abandoned Church magazines

Oskar Kastro u pagëzua dhe u konfirmua pasi gjeti një botim të Liahonës të konferencës së përgjithshme në banesën në të cilën u shpërngul.

Ilustrimi nga Dan Burr; fotografia e dhënë nga autorja

Dita kur gruaja e Oskarit e la atë dhe dy fëmijët e tij të vegjël, ishte një nga ditët më të vështira të jetës së tij. Duhej të merreshin shumë vendime. Ai ishte duke kërkuar punë dhe tani i duhej të gjente një banesë të re ku të jetonte. Atij i dukej sikur jeta po i shkatërrohej. Ai mendoi thjesht të hiqte dorë dhe mund të dorëzohej po të mos kishte dy fëmijët e tij të bukur.

Në San-Huan të Argjentinës, nuk kishte shumë shtëpi në dispozicion për t’u marrë me qira me çmimin që kërkonte Oskari. Por një shtëpi e vogël në një lagje të sigurt ishte liruar nga një grup të rinjsh, kështu që Oskari e mori atë me qira dhe u përgatit t’ia fillonte rishtas me fëmijët e tij.

Në shtëpinë e tyre të re, disa revista dhe libra ishin lënë në dysheme dhe, pasi kishte punuar gjithë ditën duke pastruar dhe duke hedhur gjëra, Oskari u ul dhe pa njërën nga revistat. Për njëfarë arsye kapaku e tërhoqi atë. Poshtë titullit, Liahona, ishte një figurë e një burri të moshuar që qëndronte në një kullë duke u folur njerëzve. Burri i solli atij ndërmend figurat e profetëve biblikë.

Oskari e hapi revistën dhe filloi të lexonte: “Secili prej nesh e di tashmë se ne duhet t’u themi njerëzve që i duam, se i duam ata. Por ajo që dimë, nuk pasqyrohet gjithmonë në atë që bëjmë”1. Oskari mendoi për fjalët e ashpra që qenë këmbyer shumë herë mes tij dhe gruas së vet. Ai donte t’i mësonte fëmijët e tij të ishin më të mirë se aq. Oskari vazhdoi ta lexonte revistën dhe filloi të ndiente shpresën që rritej brenda tij. Përpara se të mbaronte java, ai kishte lexuar çdo artikull dhe dëshironte të dinte më shumë.

Një muaj më vonë, dy misionarë po ecnin në lagjen e Oskarit. Oskari iu afrua atyre dhe i pyeti nëse ishin misionarë të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe se sa do të kushtonte për të siguruar më shumë nga ato revista të Kishës. Pleqtë i thanë atij se do t’i kushtonte vetëm 20 minuta nga koha e tij.

Të nesërmen, dy misionarët e vizituan Oskarin në shtëpinë e tij. Oskari u tregoi atyre rreth shpërnguljes se tij dhe se si gjeti libra të vjetër, revista dhe broshura që e vunë atë në dijeni për Kishën. Ai shpjegoi se artikulli i parë që lexoi, lidhej drejtpërdrejt me jetën e tij në atë kohë. Ai e dinte tashmë rëndësinë e familjes dhe donte të dinte më shumë për mbrëmjen familjare dhe lutjen familjare. Ai u tha pleqve se çfarë kishte mësuar tjetër për Kishën, përfshirë edhe rreth Jozef Smithit dhe Rivendosjes së ungjillit.

Ai i pa drejtpërdrejt në sy pleqtë dhe tha fjalët që çdo misionar ëndërron t’i dëgjojë: “Unë besoj se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë”. Pleqtë e ftuan atë të pagëzohej dhe, me lot në sy, Oskari pranoi. Disa javë më vonë, Oskar Kastro u pagëzua dhe u konfirmua një anëtar i Kishës.

Zoti e kishte përgatitur Oskarin dhe shpirti i tij ishte i thyer dhe gati për të mësuar dhe për t’u rritur. Në atë ditë të paharrueshme, mallëngjyese, shpirti i mesazheve në botimin e Liahonës të konferencës së përgjithshme e preku zemrën e Oskarit. Qiraxhinjtë e mëparshëm të atij apartamenti nuk e dinin ndikimin që do të kishte lënia e atyre pak revistave të Kishës, por mesazhet e ungjillit në ato revista u bënë një mjet i rëndësishëm misionar. Duke e drejtuar atë drejt të vërtetave që po kërkonte, ato ia ndryshuan përgjithnjë jetën Oskarit.

Shënim

  1. Dejvid A. Bednar, “Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi”, Liahona, nëntor 2009, f. 17–18.