2016
Shërbimi Përtej Jordanit
Tetor 2016


Shërbimi Përtej Jordanit

Ose kudo tjetër ku Zoti ka nevojë për ju.

Pamja
Amman Jordan

Fotografi © iStock/Thinkstock

Nevoja ishte e domosdoshme.

Në fillim të vitit 2013, pesë raste me fruth shpërthyen në kampin e refugjatëve të Zaatarit, në shtetin e Jordanisë, në Lindjen e Mesme. Më shumë se 100.000 refugjatë sirianë që jetonin në rrethana të mbipopulluara, ishin në rrezik për marrjen e këtij virusi tej mase ngjitës e të rrezikshëm. Qeveria jordaneze planifikoi një fushatë masive vaksinimi për ndalimin e përhapjes së sëmundjes. Plani ishte të vaksinoheshin të paktën 90.000 refugjatë sirianë të moshave nga 6 muajsh deri në 30 vjeç brenda një periudhe dy javore.

Por kishte një problem. Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF-i) i kishte vaksinat. Ministria e Shëndetësisë e Jordanisë i kishte klinikat. Ajo që nuk kishin, qenë pajisjet ftohëse për një rrjet të pandërprerë shpërndarjeje – shiringat, mbajtëset për mjetet e mprehta, ftohësit e vaksinave – dhe koha po ikte shpejt.1

Atëherë u përfshinë Ron dhe Sendi Hemondi, çift misionarësh në moshë për mirëqenien, që po shërbenin si drejtues vendorë në Jordani për LDS Charities [Organizatën Bamirëse SHDM]. Meqë Roni dhe Sendi kishin tashmë marrëdhënie pune me UNICEF-in dhe Ministrinë e Shëndetësisë, ata u bashkuan me të shpejtë në bashkëpunimin ndërmjet këtyre organizatave për të përcaktuar se si mund të ndihmonte LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM].

Roni thotë: “Ne pyetëm për çmimin e blerjes të pajisjeve ftohëse për një rrjet të pandërprerë shpërndarjeje. Kur na e treguan u thamë: ‘Ne mendojmë se LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM] mund të ndihmojë’. Ata thanë: ‘Sa shpejt’? S’kemi kohë për të humbur!’”

Brenda 20 orësh LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM] kishte miratuar blerjen e pajisjeve ftohëse për rrjetin shpërndarës. “Kur e vumë në dijeni Ministrinë e Shëndetësisë dhe UNICEF-in”, thotë Roni, “ata u shtangën. Si mundej që një OJQ [organizatë joqeveritare] të vepronte kaq shpejt? Jo vetëm që fushata e vaksinimit vazhdoi sipas programit, por edhe frymëzoi një fushatë mbarëkombëtare që vaksinoi qindra mijëra jordanezë dhe refugjatë sirianë.”

Pamja
giving immunizations

Majtas: fotografia me mirësinë e Samir Badran, UNICEF-Jordan; modelet e sfondit dhe fotografia e Amanit, Jordani © iStock/Thinkstock

Kriza u shmang.

Për më tepër, kjo ortakëri frytdhënëse midis UNICEF-it, Ministrisë Jordaneze të Shëndetësisë dhe LDS Charities [Organizatës Bamirëse SHDM], krijoi mundësinë për bashkëpunim në të ardhmen.

Mënyra se si Ron dhe Sendi Hemondi mbërritën në atë çast të rëndësishëm në Lindjen e Mesme, është një dëshmi e besimit të çiftit Hemond dhe është për shkak të frymëzimit për programin e misionarëve në moshë të Kishës.

Nevojiteshin: Çifte Misionarësh

Në vitin 2012 çifti Hemond po shërbente si punonjës të ordinancave në Tempullin e Reksburgut të Ajdahos. Roni kishte një kabinet dentar të suksesshëm dhe po jepte mësim në Departamentin e Fesë në Universitetin “Brigam Jang” të Ajdahos. Por rutina e qetë e jetës së tyre ndryshoi befas nga një mbresë e dallueshme shpirtërore për të dorëzuar menjëherë letrat për të shërbyer në një mision. Çasti kohor i befasoi ata. Fëmijët e tyre të martuar ishin në faza të ndryshme ecurie në karrierë dhe shpërnguljesh dhe Roni nuk po e merrte në konsideratë daljen në pension. Por Shpirti i siguroi se ata nevojiteshin dhe se çdo gjë do të ishte mirë.

Dhe doli se udhëheqësit e priftërisë në zyrat qendrore të Kishës kishin qenë duke agjëruar dhe duke u lutur që të gjenin çiftin e duhur për të shërbyer si drejtues vendorë për LDS Charities [Organizatën Bamirëse SHDM] në Aman të Jordanisë.

“Ishte kaq e dukshme”, thotë Sendi, “se Zoti ishte shumë përpara nesh, duke përgatitur hollësitë e detyrës specifike që Ai kishte për ne. Ne e dimë se Ai e bën këtë gjë për çdo misionar që shërben. Është ngushëlluese të dish se Shpëtimtari po i organizon gjërat për ju që të shërbeni madje përpara se të mbërrini.”

“Teksa kthejmë kokën pas”, thotë Roni, “jemi mirënjohës që nuk ishim as specifikë dhe as këmbëngulës për vendin se ku donim të shërbenim. Lënia e këtyre çështjeve në duart e Zotit i lejoi Atij të na jepte një përvojë që përndryshe nuk do ta kishim pasur.”

Ajo përvojë përfshinte bashkëpunimin me familjen mbretërore të Jordanisë për projektet humanitare me interes për familjen mbretërore. Çifti Hemond bashkëpunoi me spitalet dhe klinikat vendore për të siguruar trajnime për stafin mjekësor jordanez për aftësitë jetëshpëtuese të rigjallërimit të të porsalindurve, që sollën si rezultat një ulje të vdekshmërisë në fëmijët e porsalindur. Nëpërmjet përpjekjeve të tyre dhe përpjekjeve të çifteve të tjera misionare, LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM] siguroi trajnime dhe pajisje për klinikat e syve dhe për organizatat që u shërbejnë njerëzve me paaftësi fizike. Ndër ata që mbështetën çifti Hemond dhe misionarë të tjerë për mirëqenien, ishte një qendër që i mëson gratë me paaftësi fizike se si të presin dhe të qepin veshje të veçanta dhe të përgatitin artikuj artizanalë. Këto aftësi u dhanë pjesëmarrëseve mundësinë për të siguruar më mirë për veten dhe familjen e tyre.

Pamja
midwives practice neonatal resuscitation techniques

Majtas: fotografia me mirësinë e LDS Charities; djathtas: fotografia me mirësinë e çiftit Hemond

Projekte të tjera përfshinë edhe punën me OJQ të tjera dhe qeverinë jordaneze lidhur me ndihmën për raste të ngutshme dhe përzgjedhjen e studentëve jordanezë për të marrë një nga dy bursa çdo vit për të frekuentuar Universitetin “Brigam Jang”. Një nga përvojat më të kënaqshme që pati çifti Hemond, ishte bashkëpunimi me Kishën Katolike Latine për të ndërtuar klasa mësimi për të krishterët irakianë, të cilët nuk kishin se ku të mblidheshin.

Me Zotin në Vreshtin e Tij

Ndërkohë që ishin në Jordani, çifti Hemond mësoi se sa i vërtetë është premtimi i Zotit për ata që i shërbejnë Atij: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (DeB 84:88).

“Perëndia është i përfshirë në punën”, thotë Roni. “Ai po punon në vresht me shërbëtorët e Tij. I Zoti i vreshtit i bashkohet çdo çifti që shkon në mision. Ne jo vetëm që i besojmë mrekullitë në Jordani, por edhe i jetuam ato.”

Pa diskutim, engjëjt që ata i ndien “përreth” tyre përfshinë larmi qiellore, por përfshinë edhe larmi tokësore, veçanërisht fëmijët e tyre, të cilët e përkrahën vendimin e tyre që ata të shërbenin kaq larg shtëpisë.

Dhe, nga ana tjetër, familja e tyre u bekua nga fuqia mbrojtëse dhe përkrahëse e Zotit. Teksa fëmijët e tyre iu drejtuan Zotit, u këshilluan së bashku dhe u lutën e agjëruan për njëri-tjetrin, u morën vendime të rëndësishme lidhur me karrierën dhe shpërnguljet dhe u zgjidhën shqetësime për ndërlikime të mundshme të lindjeve.

Bekimet që morën fëmijët e tyre, ishin kaq mbresëlënëse saqë, kur Vëllai dhe Motra Hemond u ftuan për ta zgjatur misionin e tyre dyvjeçar në tre vjet, secili prej fëmijëve të tyre shprehu përkrahje të zjarrtë. Ata e ndien se Zoti po bënte diçka tejet të veçantë për ta si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e shërbimit të prindërve të tyre.

Prapëseprapë, ndarja që ndjeu familja Hemond, qe një sakrificë. Të qenët në anën tjetër të botës, larg prej atyre që i donin, ishte i vështirë. Por nuk ishte aq e vështirë sa do kishte qenë në të shkuarën. Teknologjia e bëri të mundur për familjarët që të përfshiheshin në jetën e njëri-tjetrit aq shpesh sa kishin nevojë. Sendi thotë: “Çiftet nuk i humbasin lidhjet me familjet e tyre. Ne mbajtëm lidhje të vazhdueshme me familjet e fëmijëve tanë në atdhe. Për shkak të programeve elektronike FaceTime dhe postës elektronike, katër nipërit dhe mbesat tona më të vegjël, që lindën ndërsa ne shërbenim, na njihnin dhe u sollën ngrohtë dhe të afrueshëm kur ne u kthyem.”

Hapja e Syve dhe e Zemrës

Pamja
the Hammond family

Majtas: fotografia me mirësinë e LDS Charities; djathtas: fotografia me mirësinë e çiftit Hemond

Ndër bekimet e shumta që çifti Hemond ndjeu se mori nga shërbimi i tyre, ishte se iu hapën sytë ndaj bujarisë dhe miqësisë së popullit jordanez. Kur çifti Hemond mori fillimisht thirrjen e tyre, ata ishin të pasigurt për njerëzit, të cilëve do t’u shërbenin.

“Por zbuluam se miqtë tanë myslimanë ishin zemërbutë dhe bujarë”, thotë Roni, “dhe ne jemi të sigurt se, nëse ata do të kishin ndier që ne mund të ishim ndonjëherë në rrezik, do të kishin bërë ç’të mundnin për të na mbrojtur.

Dashuria e tyre hyjnore është e mahnitshme! Jordanezëve nuk u pëlqen kur janë në dijeni se dikush ka nevojë për ndihmë e mos ta ndihmojnë nëse munden. Ata kanë mirëpritur refugjatë që para kohës së mbretit David. Bibla përmban shumë referenca me frazën ‘përtej Jordanit’ dhe ne filluam t’i mbyllnim letrat tona me frazën ‘Përtej Jordanit’ si shenjë falënderimi për shërbimin mallëngjyes që patëm mundësi ta jepnim në këtë vend historikisht zemërdhembshur. Për shekuj Jordania ka qenë një vend me dashuri hyjnore dhe Zoti i ka bekuar njerëzit për këtë.”

Puna nga afër me njerëzit jordanezë i mundësoi çiftit Hemond që të krijonin disa miqësi të forta. “Ne na ftuan në disa vakte iftari, në vaktin që mbyll agjërimin e ditës së Ramazanit”, thotë Sendi. “Miqtë tanë myslimanë na ftuan gjithashtu të merrnim pjesë në festa fejesash, martesash dhe rastesh të tjera familjare.”

Kisha nuk predikon apo lejon kryerjen e pagëzimeve për myslimanët në Jordani ose kudo tjetër ku e ndalon ligji, kështu që çifti Hemond nuk dha asnjë informacion rreth Kishës. Përkundrazi, ata u përqendruan në krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve – me familjen mbretërore, partnerët humanitarë vendas, çifte të tjera misionarësh që shërbenin me ta, dhe me udhëheqësit fetarë dhe shtetërorë. Kur pyeteshin për hollësi rreth Kishës, çifti Hemond i nxiste kërkuesit të vizitonin faqen në internet LDS.org.

Thirrja për të Shërbyer

Duke marrë parasysh përvojat mbresëlënëse që patën Roni dhe Sendi, a ndihen ata disi të veçantë mes çifteve të thirrura për të shërbyer – ose që mund të thirren të shërbejnë?

Po – dhe jo. “Ne shërbyem në vendin dhe në kohën që Zotit i duhej një çift me aftësitë tona të veçanta dhe përvojat tona të jetës”, thotë çifti Hemond. “Dhe kjo është e vërtetë për të gjithë çiftet misionare. Çdo çift me aftësinë për të shërbyer në një mision ka qenë i përgatitur për të shërbyer në mënyra të veçanta për ta. Ata thjesht duhet të ushtrojnë mjaftueshëm besim që të shkojnë ku Zoti ka nevojë për ta dhe Ai do t’i përdorë ata për të bërë një ndryshim në jetën e tjerëve.”

“Çiftet mund të sjellin një ndryshim”, tha Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Çiftet mund të përmbushin gjëra të mrekullueshme që askush tjetër nuk mund t’i bëjë. …

… Mënyrat nëpërmjet të cilave çiftet mund të shërbejnë, janë praktikisht të panumërta. Që nga përkrahja për zyrën e misionit dhe trajnimet për udhëheqësit e deri te historia familjare, puna në tempull dhe shërbimi humanitar – ka një mundësi për të përdorur pothuajse çfarëdo aftësie ose talenti me të cilin Zoti ju ka bekuar. …

… Ju keni marrë shumë në jetën tuaj; shkoni përpara dhe jepni lirisht në shërbim të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë. Kini besim; Zoti e di se ku nevojiteni ju. Nevoja është kaq e madhe, vëllezër e motra, dhe ka shumë pak punëtorë.”2

Shënime

  1. Shih “Mass Vaccination Campaigns in Syria, Jordan, Lebanon, Iraq and Turkey Amid Measles Outbreaks”, 30 prill 2013, unicef.og.

  2. Robert D. Hales, “Couple Missionaries: A Time to Serve”, Liahona, korrik 2001, f. 30, 31.