2016
Një Recetë për të Nxënin
Tetor 2016


Një Recetë për të Nxënin

Autorja jeton në Juta, SHBA.

Provojini katër mënyra për ta bërë fjalën e Perëndisë më të këndshme për shpirtin tuaj.

Pamja
recipe for learning

Kur isha e re, kaloja shumë orë duke e parë mamin në kuzhinë. Ajo përgatiste vaktet, bukën, biskotat dhe ëmbëlsirat më të shijshme për familjen tonë. Pas ca kohësh, fillova të lexoja receta, të ndiqja udhëzime dhe të përgatitja ushqime. Nuk kisha pse të varesha nga mami – mund t’ia dilja mbanë vetë.

Ashtu sikurse mësojmë të gatuajmë, ne mësojmë për ungjillin dhe e zhvillojmë dëshminë tonë duke vepruar. Pasi Lehi i tregoi familjes së tij për ëndrrën rreth pemës së jetës, Nefi tha se ai donte t’i “shih[te] dhe … [t’i] dëgjo[nte] dhe … [t’i] di[nte vetë] këto gjëra” (1 Nefi 10:17). Me fjalë të tjera, për Nefin nuk ishte e mjaftueshme që [vetëm] ta dëgjonte dëshminë e të atit. Ai donte të mësonte atë që i ati tashmë e dinte.

Receta për të nxënin e ungjillit ka disa hapa të thjeshtë. Ju mund t’i përdorni katër idetë vijuese për t’ju ndihmuar me të mësuarin e ungjillit në familjen tuaj, në kishë, apo gjatë studimit tuaj vetjak.

1. Përgatituni të mësoni.

Fillojeni studimin tuaj vetjak me një lutje. Kërkojini Atit Qiellor që t’ju ndihmojë të kuptoni atë që po lexoni. Shkruani një ose dy pyetje dhe kërkoni përgjigjet. Fryma e Shenjtë do t’ju dëshmojë për të vërtetën ndërsa lexoni, përsiatni dhe luteni (shih Moroni 10:5).

Përgatituni për të mësuarin e ungjillit në kishë, duke e lexuar mësimin përpara se të shkoni atje. Mësimet nga programi Eja, Më Ndiq mund të gjenden në LDS.org dhe në programin për celularë Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

2. Përfshihuni në të mësuarin tuaj.

  • Lexoni që të kuptoni. Numri i faqeve që lexoni apo se sa shpejt lexoni nuk është aq i rëndësishëm sa të kuptuarit e asaj që lexoni. Juve mund t’ju duhet t’i rilexoni ca fjali disa herë. Përdorni një fjalor për të parë fjalët që nuk i dini. Për shembull, çfarë do të thotë periudhë ungjillore? Ju mund të përdorni Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta për ta zbuluar.

  • Bëni pyetje rreth asaj që po lexoni. Ndoshta ju i bëni vetes pyetjen: “Çfarë po ndodhte në Jerusalem në kohën që Lehi dhe familja e tij u larguan? Përse njerëzit nuk ia vunë veshin Lehit?”

  • Përpiquni që t’u përgjigjeni këtyre tri pyetjeve për çdo mësim të ungjillit: Pse ishte e rëndësishme kjo për njerëzit në atë kohë? Si gjen zbatim kjo për ne sot? Si gjen zbatim kjo për mua?

  • Kërkoni modele dhe lidhje. Për shembull, cilat janë modelet sipas të cilave reagoi Nefi ndaj fatkeqësisë? Në ç’mënyrë është udhëtimi i familjes së tij në shkretëtirë i ngjashëm me udhëtimin e izraelitëve jashtë Egjiptit?

  • Shkruajini ndjenjat dhe mbresat tuaja në një ditar. “Ndërsa shkruani mbresa të çmueshme, shpesh më shumë të tilla do të vijnë. Gjithashtu, njohuria që fitoni do të jetë në dispozicion gjatë gjithë jetës suaj” (Richard G. Scott, “To Acquire Knowledge and the Strength to Use It Wisely”, Liahona, gusht 2002, f. 12, 14). Shkruani veçanërisht për kuptimin që idetë kanë në jetën tuaj.

  • Vizatoni një figurë. Një mënyrë tjetër për të shënuar atë që po mësoni është ta vizatoni atë. Një herë, kur po vizitoja një shoqe për mbrëmjen familjare, gjyshja e saj tregoi histori vetjake rreth besimit dhe lutjes. Përpara se të fillonte mësimi, shoqja ime u dha fëmijëve të saj të vegjël letra dhe lapsa me ngjyra, në mënyrë që ata t’i vizatonin historitë ndërkohë që stërgjyshja e tyre fliste. Vizatimi i figurave i ndihmoi që t’i kushtonin vëmendje, dhe ata madje bënë pyetje gjatë veprimtarisë për të qartësuar pjesë të historisë.

3. Studiojeni dhe jetojeni ungjillin çdo ditë.

Të mësuarit kërkon përpjekje; ne duhet ta ushtrojmë veten tonë ndaj të kuptuarit (shih Mosia 12:27). Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na këshilloi që të “caktonim një orë dhe vend për t’i studiuar shkrimet e shenjta çdo ditë, edhe sikur të jetë për pak minuta” (“When Shall These Things Be?” Ensign, dhjetor 1996, f. 60). Kur ne studiojmë rregullisht, të nxënit bëhet më i lehtë. Për shembull, unë zbulova se kur i lexova me të vërtetë kapitujt e Isaias në Librin e Mormonit (në vend që t’i kaloja nxitimthi), ata filluan të kishin kuptim për mua.

Kur vjen puna tek të mësuarit e ungjillit, nuk është e mjaftueshme ta dish diçka intelektualisht. Ne gjithashtu duhet ta vëmë në praktikë atë që mësojmë. Kur ne veprojmë sipas të vërtetës, Fryma e Shenjtë na e konfirmon, dhe dëshmia jonë rritet. Kur e jetojmë në mënyrë të vazhdueshme atë të vërtetë, ne fillojmë të ndryshojmë, duke u bërë të kthyer në besim te Jezu Krishti.

4. Tregojeni atë që po mësoni.

Kur ne ua themi të tjerëve një parim të ungjillit me vetë fjalët tona, kjo na ndihmon që ta kujtojmë atë parim dhe ta ndjejmë Shpirtin, i cili e forcon dëshminë tonë. Shpesh, koha e duhur për ta treguar [një parim] është gjatë mbrëmjes familjare. Ju mund ta tregoni [parimin] edhe kur flisni me miqtë në shkollë ose me pjesëtarët e familjes gjatë darkës.

Kur ne i ndjekim këta katër hapa të thjeshtë dhe kërkojmë me zell që ta njohim Shpëtimtarin, neve na premtohet se “misteret e Perëndisë do t[ë na] shpalosen nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (1 Nefi 10:19).