2016
Fuqia për të Ngulmuar
Tetor 2016


Fuqia për të Ngulmuar

Autorja jeton në Juta, SHBA.

Me një këmbë të thyer e zemër të thyer, unë kisha nevojë të shërohesha. Ishte shpresa që më bëri të duroj.

Pamja
crashed car

Rreth një muaj përpara ditëlindjes sime të 16-të, familja ime bëri një udhëtim me makinë nëpër Shtetet e Bashkuara, për të vizituar disa nga vendet historike të Kishës. Nuk e kisha problem të qëndroja në makinë kaq gjatë, sepse familja ime gjithmonë ia kalonte mirë. Më kujtohet që hipa në makinë ditën pasi vizituam Lagjet Dimërore në Nebraska. Po binte një shi i tmerrshëm. U ula në ndenjësen e prapme, mora një batanije dhe u mblodha kutullaç për të dëgjuar shiun teksa më zinte gjumi.

Gjëja tjetër që kujtoj ishte ndjesia sikur po rrotullohesha me shpejtësi të madhe. Më vonë mësova se makina jonë kishte rrëshqitur në rrugën e lagësht dhe ishte përplasur me një pengesë betoni poshtë një mbikalimi. Kujtoj turbull dikë që më thoshte se kisha thyer këmbën dhe po më futnin në operacion.

Fill pas kësaj, ndërsa po rimerrja veten në spital, babi hyri në dhomën time. Ai u ul pranë meje në shtratin tim dhe më zgjati dorën. Në njëfarë mënyre, ndjeva sikur e dija tashmë atë që do të më thoshte.

“Shpirt”, tha ai, “a e di se ku je?”

“Në spital”, iu përgjigja.

“A e di se çfarë ndodhi?”

“Pësuam një aksident me makinë.”

“A të ka thënë gjë njeri për pjesën tjetër të familjes?”

Heshta dhe më pas i thashë: “Jo”.

Ai tha se gjithsecili do të ishte mirë – përveç mamit. Ajo nuk ia doli mbanë.

Prisja që të ndieja menjëherë një trishtim dërrmues, por nuk ndodhi. Gjatë tronditjes fillestare, në njëfarë mënyre, për ndonjë arsye, unë ndjeva paqe, një ndjenjë të ëmbël se mund t’i mirëbesoja Perëndisë se gjërat do të shkonin mirë.

Teksa rrija shtrirë atje në spital, më erdhi ndër mend një vend historik i veçantë i Kishës, të cilin e kishim parë dy ditë përpara aksidentit: Grykëderdhja e Martinit në Uajoming. Shumë pionierë vdiqën atje nga uria dhe ekspozimi ndaj dëborës e motit të ftohtë. M’u kujtua që pashë pirgje gurësh të vendosura mbi varre dhe mendoja se sa shumë besim iu kërkua pjesës tjetër të pionierëve të merrnin karrocat e dorës dhe të vazhdonin udhëtimin. Kjo histori më la mbresa. Teksa mendoja për atë përvojë, e dija që pionierët ngulmuan dhe se unë duhej të bëja të njëjtën gjë, duke përfshirë të qenët e fortë për vëllezërit e motrat e mia më të vogla.

Ndjesia ime fillestare e paqes qëndroi me mua edhe për një javë e gjysmë. Isha ulur në një karrocë me rrota duke parë fishekzjarrët përmes dritares së spitalit më 4 Korrik kur befas kuptova diçka – mami nuk ishte më. Ajo nuk do të ishte në diplomimin tim nga shkolla e mesme. Ajo nuk do të ishte atje kur të merrja dhurimin [indaumentin] në tempull. Ajo nuk do të ishte në dasmën time. Ajo nuk ishte më.

Ishte atëherë që gjërat filluan të vështirësoheshin shumë. Dhembja në këmbë ishte e padurueshme dhe nuk kisha oreks. Shihja televizor pa i kushtuar vëmendje dhe shumicën e kohës thjesht flija. Familja ime u shqetësua për mua ngaqë nuk po qaja shumë.

Lotët ishin më të shumtë kur më në fund u kthyem në Oregon, në një shtëpi të boshatisur. Papritur m’u desh të merrja disa nga përgjegjësitë e mamit, dhe vëllezërit e motrat e mia shpesh i varën shpresat tek unë për ngushëllim. U përpoqa të isha e fortë për ta. Por nuk ishte e lehtë.

Kthimi në shkollë ishte i vështirë. Kushdo e kishte marrë vesh për aksidentin, dhe nëse nuk e kishin marrë vesh, ata dëgjuan për të kur mësuesit e mi më prezantuan si vajza që pësoi aksident. U ndjeva e veçuar.

Qe veçanërisht e vështirë kur babi u martua sërish nëntë muaj pas vdekjes së mamit. E dija se njerka do të ishte e mirë për familjen tonë dhe se kishim nevojë për të, por ishte e vështirë të përshtatesha.

Sidoqoftë, jo çdo gjë dukej e pashpresë gjatë kësaj kohe. Ndjeva shumë dashuri nga Ati im në Qiell, familja ime dhe udhëheqësit e Kishës. Ajo që më ndihmoi të shërohesha e të vazhdoja jetën pas aksidentit, ishte bërja e gjërave të thjeshta që e forcuan besimin tim. Çdo ditë, përpara se të shkoja në shtrat, kaloja një orë duke lexuar shkrimet e shenjta, duke u lutur dhe duke shkruar në ditar në kthinën time. Në fshehtësinë e kthinës sime, nuk kisha pse të isha e fortë për vëllezërit e motrat e mia. Mund të qaja sa të doja dhe t’ia hapja zemrën time Perëndisë. I tregoja Atij pikërisht atë që ndieja dhe sa shumë më kishte marrë malli për mamin. E di që Ai më dëgjonte, për shkak të mëshirave të dhembshura që ndieja. Ajo hapësirë e [asaj] kthine u bë e shenjtë për mua.

Të bërit e atyre gjërave të thjeshta më ndihmoi që të qëndroja e lidhur me Perëndinë, në vend që ta largoja Atë dhe të bëhesha e ashpër. Nuk e shikoja aksidentin si [diçka] që Perëndia donte ta lëndonte familjen time. Ndjeva më shumë fuqi për të qenë e duruar e për t’iu nënshtruar vullnetit të Tij dhe për të ecur përpara gjatë ditëve të mia të vështira. Dhe kishte disa ditë që ishin me të vërtetë të vështira.

Pasi babi u martua sërish, unë doja të isha një shembull i mirë për vëllezërit dhe motrat e mia, dhe pa dyshim, nuk doja të kisha ndjenja të pakëndshme ndaj njerkës, kështu që vazhdova ta vija mirëbesimin tim te Perëndia. Një veprimtari, në librin tim Përparimi Personal, përqendrohej tek ajo që ta bëja jetën time familjare më të mirë duke e forcuar marrëdhënien time me një pjesëtar të familjes për dy javë. Synimi im, kryesisht, ishte që të përpiqesha të isha si Krishti dhe të tregoja dashuri nëpërmjet veprave. Vendosa ta provoja dhe t’i shërbeja njerkës sime.

Pamja
helping with the dishes

Për shkak të bashkimit të familjes sonë me familjen e saj, kishte shumë enë për t’u larë. Pra, ja nga ia fillova. Teksa i shërbeva asaj gjatë dy javëve pasuese, u ndjeva e aftësuar për ta dashur njerkën dhe për të qenë e duruar, edhe pse nuk isha domosdoshmërisht e lumtur me situatën. Thjesht përqendrimi te shërbimi ndaj saj më ndihmoi që t’i kaloja kohët e vështira, ngaqë e ndjeva Shpirtin me vete.

Unë ende nuk i kuptoj të gjitha gjërat rreth arsyes përse ndodhi aksidenti në familjen time, dhe ende ka ditë të vështira. Por ashtu si pionierët, unë e kam vendosur mirëbesimin tim te Perëndia dhe më është dhënë fuqia për të ngulmuar.