2016
Disa njerëz më thonë se duhet të kem miq që nuk ndajnë të njëjtat standarde me mua, me qëllim që t’i forcoj të miat. A është e vërtetë kjo?
Tetor 2016


Pyetje & Përgjigje

“Disa njerëz më thonë se duhet të kem miq që nuk kanë të njëjtat standarde si unë, me qëllim që t’i forcoj të miat. A është e vërtetë kjo?”

Përfundimisht, forcimi i standardeve tuaja vjen nga të mësuarit dhe të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit, dhe miqtë mund t’ju ndihmojnë ose pengojnë për ta bërë atë. Miqtë kanë një ndikim të madh te ju – që nga mënyra se si mendoni, flisni e veproni dhe deri te njeriu që ju bëheni. Broshura Për Forcën e Rinisë rekomandon: “Zgjidhni miq me të cilët keni vlera të përbashkëta në mënyrë që ju të mund ta forconi dhe nxisni njëri-tjetrin për të jetuar standarde të larta” ([2011], f. 16). Këta lloj miqsh ju ndihmojnë ta jetoni ungjillin e Jezu Krishtit, t’i mbani standardet tuaja dhe të bëheni një njeri më i mirë.

Sidoqoftë, jo të gjithë njerëzit me të cilët shoqëroheni do të kenë të njëjtat standarde si tuajat ose do të jenë anëtarë të Kishës. Është e rëndësishme që të jeni miqësor me këdo dhe t’i trajtoni ata në mënyrën që Shpëtimtari do t’i trajtonte – me dashuri dhe mirësi. Kur ju vazhdoni t’i jetoni standardet tuaja, ju mund të jeni një “shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi” (1 Timoteut 4:12). Nëpërmjet shembullit tuaj, ata do të shohin mënyrën se si jeni bekuar nga të jetuarit e standardeve të larta dhe ju mund t’i nxitni ata të bëjnë të njëjtën gjë.

Kërkoni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë – dhe kini kurajën të veproni sipas nxitjeve të Tij – ndërsa i zgjidhni miqtë dhe përpiqeni t’i forconi standardet tuaja.

Miqtë e Vërtetë

Vitin e parë të shkollës së mesme kisha frikë se nuk do të mund të gjeja miq që do t’i respektonin standardet e mia. Pas një kohe të shkurtër, u bëra shoqe e ngushtë me një shok të klasës dhe i thashë se isha mormone. Ai më pyeti rreth kësaj, kështu që i dhashë një broshurë Për Forcën e Rinisë. Duke filluar që nga ajo ditë, ai ndaloi së shari në syrin tim. Nëse miqtë tuaj janë miq të vërtetë, ata do t’i respektojnë vendimet tuaja dhe do t’ju ndihmojnë që t’i ruani standardet tuaja.

Kandela M., mosha 13 vjeçe, Buenos-Ajres, Argjentinë

Ndiqini Këshillat e Profetëve

Nganjëherë është e vështirë që t’i bëjmë ballë tundimit nëse rrimë me miq që bëjnë zgjedhje të këqija ose që përpiqen të na bindin të bëjmë zgjedhje të këqija. Në broshurën Për Forcën e Rinisë, profetët na kanë thënë se miqtë “do të ndikojnë te mënyra se si mendoni e veproni dhe ata madje ndihmojnë edhe në përcaktimin e llojit të njeriut që do të bëheni” ([2011], f. 16). Mendoj se ne duhet të kemi miq që janë të gatshëm t’i respektojnë standardet tona dhe madje të tregojnë interes që ne po i mbajmë standardet tona.

Kalvin W., mosha 16 vjeç, Arizona, SHBA

Mbajini Mend Standardet Tuaja

Miqtë që nuk ndajnë të njëjtat standarde me ju në fakt mund t’i dobësojnë dhe shkatërrojnë standardet tuaja. Kur u transferova fillimisht në shkollën time të re, u përpoqa që të përshtatesha duke thënë disa nga gjërat që njerëzit përreth meje thoshin. Pothuajse i harrova disa nga standardet e mia, ndërkohë që përpiqesha të isha si çdo njeri tjetër. Tani e di se me qëllim që t’i forconi standardet tuaja, ju keni nevojë për miq që i mbështetin dhe ndajnë të njëjtat standarde me ju. Jam mirënjohës që më në fund gjeta miq të tillë, sepse ata më bëjnë t’i kujtoj standardet e mia.

Logan J., mosha 15 vjeç, Juta, SHBA

Mbajini Standardet Tuaja Lart

Miqtë me standarde të ndryshme jo domosdoshmërisht i forcojnë standardet tuaja, por duke qenë miku i tyre, ju mund t’u jepni atyre një shembull të mirë për të ndjekur. Kur keni miq që kanë të njëjtat bindje si ju, kjo mund t’ju nxitë t’i mbani standardet tuaja lart dhe mund t’ju ndihmojë të mbroni atë që është e drejtë.

Uorren S., mosha 14 vjeç, Oregon, SHBA

Miqtë e Mirë Janë një Bekim

Nëse miqtë tuaj nuk kanë të njëjtat standarde si ju, mund të jetë më e vështirë për t’i forcuar vetë standardet tuaja. Leximi i broshurës Për Forcën e Rinisë më ka ndihmuar gjithmonë të zgjedh miq të mirë që më respektojnë. Tani jam duke u përgatitur të shërbej në një mision dhe e di se të qenit përreth njerëzve me të njëjtat standarde si të miat më ndihmon që të qëndroj besnike në ungjill.

Nair M., mosha 19 vjeçe, Buenos-Ajres, Argjentinë

Mbahuni te Shufra e Hekurt

Pasja e miqve me standarde të mira është pikërisht ajo që ju doni. Ju doni ta rrethoni veten tuaj me miq që do t’ju ndihmojnë t’i zbatoni urdhërimet dhe do t’ju nxitin të jetoni me drejtësi. Rrokeni fort shufrën e hekurt, e cila të çon te pema e jetës, jo te ndërtesa e madhe dhe e gjerë. Të rrethuarit e vetes me padrejtësi do të çojë drejt tundimeve. Kini miq të mirë që do të ndikojnë te ju për ta jetuar ungjillin.

Eni P., mosha 13 vjeçe, Juta, SHBA

Lutuni që të Gjeni Miq

Pasi unë dhe familja ime u shpërngulëm në një shtet të ri, lutesha vazhdimisht që të gjeja miq me të cilët mund të bisedoja për ungjillin. Kur lutesha, ndihesha e ngushëlluar, dhe disa muaj më vonë gjeta disa miq të jashtëzakonshëm. Unë mund të mbështetem tek ta, dhe ata më kanë ndihmuar që të zhvilloj një dashuri edhe më të madhe për ungjillin. E di se miqtë janë të rëndësishëm dhe ata mund ta bëjnë më të lehtë për ne që ta jetojmë ungjillin.

Sara P., mosha 16 vjeçe, Rio de Zhaneiro, Brazil