Konferenca e Përgjithshme
Si një Zjarr i Fshehur
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Si një Zjarr i Fshehur

Perëndia e dëgjon çdo lutje që ofrojmë dhe i përgjigjet secilës prej tyre në përputhje me shtegun që Ai ka përvijuar për përsosjen tonë.

Vëllezër e motra, kam marrë një mësim të dhembshëm që nga hera e fundit që dola në këtë foltore në tetor të vitit 2022. Ai mësim është: Nëse nuk jep një bisedë të pranueshme, mund të përjashtohesh nga disa prej konferencave të ardhshme. Mund ta shihni se jam caktuar që në fillim në sesionin e parë të kësaj konference. Ajo që nuk mund të shihni, është se jam i vendosur mbi një qepen të vogël me një buton shumë delikat. Nëse kjo bisedë nuk shkon mirë, nuk do t’ju shoh për disa konferenca të tjera.

Në frymën e atij himni të bukur me këtë kor të bukur, kam marrë disa mësime kohët e fundit të cilat, me ndihmën e Zotit, dëshiroj t’jua tregoj sot. Kjo gjë do ta bëjë këtë një bisedë shumë personale.

Më personalja dhe më e dhembshmja e të gjitha këtyre përvojave të kohëve të fundit ka qenë vdekja e bashkëshortes sime, Patit. Ajo ishte gruaja më e madhërishme që kam njohur ndonjëherë, një bashkëshorte dhe nënë e përsosur, për të mos folur për dëlirësinë e saj, dhuntinë e saj në të shprehur, shpirtshmërinë e saj. Dikur ajo dha një bisedë të titulluar: “Përmbushja e Qëllimit të Krijimit Tuaj”. Më duket se ajo e përmbushi qëllimin e krijimit të saj më suksesshëm nga sa mund ta kishte ëndërruar dikush se do të ishte e mundur. Ajo ishte një bijë e zotuar tërësisht ndaj Perëndisë, një grua shembullore që ndiqte Krishtin. Unë isha burri më fatlum që i kalova 60 vjet të jetës sime me të. Po të vërtetohet se jam i denjë, vulosja jonë do të thotë që unë mund ta kaloj përjetësinë me të.

Një tjetër përvojë filloi 48 orë pas varrosjes së bashkëshortes sime. Në atë kohë më çuan me urgjencë në spital në një gjendje të rëndë mjekësore. Më pas i kalova katër javët e para të një shtrimi gjashtëjavor duke hyrë e duke dalë nga pavijoni i reanimacionit dhe duke e humbur dhe rifituar vetëdijen.

Pothuajse e gjithë përvoja ime spital gjatë asaj periudhe të parë më është fshirë nga kujtesa. Ajo që nuk më është fshirë, është kujtimi i një udhëtimi jashtë spitalit, drejt diçkaje që dukej si pragu i përjetësisë. Nuk mund të flas tërësisht për atë përvojë këtu, por mund të them se pjesë e asaj që mora, ishte një porosi për t’u kthyer në shërbesën time me më shumë ngut, më shumë përkushtim, më shumë përqendrim te Shpëtimtari, më shumë besim te fjala e Tij.

Nuk mund të mos e ndieja se po merrja variantin tim vetjak të një zbulese që iu dha Të Dymbëdhjetëve gati 200 vjet më parë:

“Ti duhet t’u japësh dëshmi për emrin tim … dhe ti duhet ta dërgosh fjalën time deri në fundet e tokës. …

… Mëngjes për mëngjes; dhe ditë pas dite duhet të përhapet zëri yt i paralajmërimit; dhe kur nata të vijë, mos i lejo banorët e tokës të pushojnë, për shkak të fjalimit tënd. …

Ngrihu[,] … merr mbi vete kryqin [tënd dhe] më ndiq mua.”1

Motrat dhe vëllezërit e mi të dashur, që nga ajo përvojë jam përpjekur që ta marr mbi vete kryqin tim me më shumë zell, të gjej me më shumë vendosmëri se ku mund ta ngre zërin tim apostolik si të ngrohtësisë, ashtu dhe të paralajmërimit në mëngjes, gjatë ditës e deri natën.

Kjo më çon tek një e vërtetë e tretë që më erdhi në ato muaj humbjeje, sëmundjeje dhe shqetësimi. Ishte një dëshmi e ripërtërirë dhe mirënjohje e pafundme për lutjet e patundura të kësaj Kishe, lutjeve tuaja, prej të cilave kam qenë përfituesi. Do të jem përjetësisht mirënjohës për përgjërimin e mijëra njerëzve, të cilët, si e veja këmbëngulëse2, në mënyrë të përsëritur kërkuan ndërhyrjen e qiellit në emrin tim. Mora bekime priftërie dhe pashë klasën time të shkollës së mesme të agjëronte për mua, sikurse bënë disa lagje të rastësishme anembanë Kishës. Dhe emri im duhet të ketë qenë në listën e lutjeve të pothuajse çdo tempulli në Kishë.

Në mirënjohjen time të thellë për gjithë këtë, i bashkohem G. K. Çestertonit, i cili tha dikur “se falënderimet janë forma më e lartë e mendimit; dhe … mirënjohja është lumturi e dyfishuar nga mahnitja”3. Me vetë “lumturi[në time të] dyfishuar nga mahnitja”, ju falënderoj të gjithëve dhe falënderoj Atin tim në Qiell, i cili i dëgjoi lutjet tuaja dhe e bekoi jetën time.

Vëllezër e motra, unë dëshmoj se Perëndia e dëgjon çdo lutje që ofrojmë dhe i përgjigjet secilës prej tyre në përputhje me shtegun që Ai ka përvijuar për përsosjen tonë. E kuptoj se gati në të njëjtën kohë që kaq shumë po luteshin për rikthimin e shëndetit tim, një numër i barabartë, përfshirë veten, po luteshim për rikthimin e shëndetit të bashkëshortes sime. Dëshmoj se që të dyja grupet e atyre lutjeve u dëgjuan dhe morën përgjigje nga një Atë Qiellor, hyjnisht i dhembshur, ndonëse lutjet për Patin nuk morën përgjigje në mënyrën që unë e kërkova. Ndodh për arsye të njohura vetëm nga Perëndia që lutjet marrin përgjigje në mënyra të ndryshme nga ajo që shpresojmë, por ju premtoj se ato dëgjohen dhe marrin përgjigje sipas dashurisë së Tij të pashtershme dhe boshtit kohor të Tij kozmik.

Në qoftë se “nuk kërkoj[më] pa të drejtë”4, nuk ka kufizime për sa i përket kohës, vendit apo qëllimit për të cilin duhet të lutemi. Sipas zbulesave, ne duhet të “lut[emi] kurdoherë”5. Duhet të lutemi, tha Amuleku, për “at[a] që janë rreth e përqark jush”6 me bindjen se “shumë fuqi ka lutja e [njerëzve] të drejt[ë] kur bëhet me gjithë shpirt”7. Lutjet tona duhet të jenë me zë kur e kemi privatësinë për t’i ofruar në këtë mënyrë.8 Nëse nuk është praktike, ato duhet të kryhen si shprehje të heshtura brenda zemrave tona.9 Ne këndojmë se lutjet janë “si një zjarr i fshehur”10, që, sipas Shpëtimtarit Vetë, gjithmonë t’u ofrohen Perëndisë, Atit të Amshuar, në emrin e Birit të Tij të Vetëmlindur11.

Miqtë e mi të dashur, lutjet tona janë ora jonë më e ëmbël12, “dëshir[a jonë më e sinqertë]”13, forma jonë më e thjeshtë, më e pastër e adhurimit14. Ne duhet të lutemi individualisht, në familjet tona dhe në bashkësi kishtare të të gjitha përmasave.15 Ne duhet ta përdorim lutjen si mburojë kundër tundimit16 dhe, nëse ka ndonjë rast kur ndiejmë se nuk duam të lutemi, mund të jemi të sigurt se ngurrimi nuk vjen nga Perëndia, të cilit i pikon në zemër që të komunikojë me fëmijët e Tij në çfarëdo kohe dhe në të gjitha rastet. Me të vërtetë, disa përpjekje që na pengojnë të lutemi, vijnë drejtpërsëdrejti nga kundërshtari.17 Kur nuk e dimë saktësisht se si apo për çfarë të lutemi, duhet të fillojmë dhe të vazhdojmë derisa Shpirti i Shenjtë të na udhërrëfejë drejt lutjes që duhet të ofrojmë.18 Kjo qasje mund të jetë ajo që duhet të kërkojmë kur lutemi për armiqtë tanë dhe për ata që na keqtrajtojnë.19

Në fund të fundit ne mund të shohim shembullin e Shpëtimtarit, i cili u lut shumë, shumë shpesh. Por ka qenë gjithmonë intriguese për mua përse Jezusi e ndiente nevojën për t’u lutur pikësëpari. A nuk ishte Ai i përsosur? Për çfarë kishte nevojë të lutej Ai? Epo, kam arritur të kuptoj se Ai gjithashtu, si ne, dëshironte të “shiko[nte fytyrën e Atit], fjalën, hirin e Tij t’beso[nte]”20. Herë pas here Ai u largua nga shoqëria për të qenë i vetëm përpara se ta depërtonte qiellin me lutjet e Tij.21 Në raste të tjera, Ai u lut në praninë e disa prej shokëve. Më pas, Ai do të kërkonte qiellin në emër të turmës e cila mund të zinte një faqe kodre. Nganjëherë lutja përlëvdoi veshjen e Tij.22 Nganjëherë i përlëvdoi pamjen.23 Nganjëherë Ai lutej në këmbë, nganjëherë binte në gjunjë dhe të paktën një herë Ai ra me fytyrë përtokë.24

Lluka e përshkruan vuajtjen e Jezusit gjatë kryerjes së shpengimit të Tij si një veprim që i kërkoi Atij të lutej “edhe më fort”25. Si lutet edhe më fort dikush që ishte i përsosur? Ne hamendësojmë se të gjitha lutjet e Tij ishin të forta, prapëseprapë kur përmbushi flijimin e Tij shlyes dhe gjatë dhembjes që e shoqëroi shtrirjen universale të atij flijimi, Ai ndjeu se duhej të lutej gjithnjë e me më shumë përgjërim, ku pesha e ofrimit të Tij bëri që së fundi t’i dilte gjak nga çdo por.

Kundrejt sfondit të fitores së Krishtit mbi vdekjen dhe dhuratës së Tij të kohëve të fundit për mua që të kem pak më shumë javë apo muaj në vdekshmëri, unë jap dëshminë solemne për realitetin e jetës së përjetshme dhe nevojën që ne të jemi seriozë në planifikimin që bëjmë për të.

Jap dëshmi se, kur Krishti të vijë, Ai ka nevojë që të na dallojë, jo si anëtarë sa për emër, të renditur në dokumentin e zbehur të pagëzimit, por si dishepuj tërësisht të zotuar, besnikërisht besimtarë dhe besëlidhjembajtës. Kjo është një çështje e ngutshme për ne të gjithë që të mos e dëgjojmë ndonjëherë këtë përshëndetje rrënuese: “Unë s’ju kam njohur kurrë”26 ose siç e përktheu Jozef Smithi atë frazë: “[Ju] nuk më njohët kurrë”27.

Për fat të mirë, ne kemi ndihmë për këtë detyrë, shumë ndihmë. Kemi nevojë të besojmë tek engjëjt, mrekullitë dhe premtimet e priftërisë së shenjtë. Kemi nevojë të besojmë në dhuratën e Frymës së Shenjtë, në ndikimin e familjeve dhe miqve të mirë, si dhe në fuqinë e dashurisë së pastër të Krishtit. Kemi nevojë të besojmë te zbulesa dhe profetët, shikuesit dhe zbuluesit dhe Presidenti Rasëll M. Nelson. Kemi nevojë të besojmë se me lutjen, përgjërimin dhe drejtësinë vetjake, ne vërtet mund të ngjitemi në “malin Sion[,] … në qytetin e Perëndisë së gjallë, vendin qiellor, më të shenjtin e të gjithëve”28.

Vëllezër e motra, kur pendohemi për mëkatet tona dhe vijmë plot guxim te “froni [i] hirit”29, duke lënë aty përpara Tij lëmoshat tona dhe përgjërimet tona të përzemërta, ne do të gjejmë mëshirë, dhembshuri e falje nga duart dashamirëse të Atit tonë të Amshuar dhe Birit të Tij të bindur e përsosurisht të pastër. Atëherë, me Jobin dhe të gjithë njerëzit e rafinuar besnikë, ne do të shohim një botë “shumë të [mrekullueshme]”30 për ta kuptuar. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.