Konferenca e Përgjithshme
Dëshmia e Jezusit
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Dëshmia e Jezusit

Ftesa ime është që të veproni tani për të siguruar vendin tuaj si dikush që është i guximshëm në dëshminë e Jezusit.

Në vitin 1832, Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni morën një vegim të jashtëzakonshëm në lidhje me vendmbërritjen e përjetshme të fëmijëve të Perëndisë. Kjo zbulesë foli për tri mbretëri qiellore. Presidenti Dallin H. Ouks foli për këto tri “mbretëri… [të] lavdisë” tetorin e kaluar1, duke nxjerrë në pah se “nëpërmjet ngadhënjimit dhe lavdisë së Qengjit”2, të gjithë, përveç relativisht pak individëve, do të shëlbohen përfundimisht në njërën prej këtyre mbretërive, “sipas dëshirave të shfaqura nëpërmjet zgjedhjeve të tyre”3. Plani i Perëndisë për shëlbimin përbën një mundësi universale për të gjithë fëmijët e Tij, kurdoherë dhe kudo që mund të kenë jetuar në tokë.

Ndërkohë që lavdia madje e mbretërisë më të vogël nga të trija, telestiales, “tejkalon çdo zgjuarsi”4, shpresa e Atit tonë është që ne do të zgjedhim – dhe, nëpërmjet hirit të Birit të Tij, do të kualifikohemi për – më të lartën dhe më të lavdishmen nga këto mbretëri, atë çelestiale, ku mund të gëzojmë jetën e përjetshme si “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit”5. Presidenti Rasëll M. Nelson na ka nxitur të “mendo[jmë] çelestialisht”, duke e bërë mbretërinë çelestiale synimin tonë të përjetshëm dhe më pas “të m[arrim] parasysh me kujdes se ku do t[ë na] vendosë në botën tjetër secili nga vendimet t[ona] ndërsa je[m]i këtu në tokë”6.

Njerëzit në mbretërinë çelestiale janë “ata që morën dëshminë e Jezusit, … që janë njerëz të drejtë, të bërë të përsosur nëpërmjet Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re”7. Banorët e mbretërisë së dytë, apo terrestriales, përshkruhen si kryesisht të mirë, duke përfshirë “burra të ndershëm të tokës, të cilët ishin të verbuar nga dredhitë e njerëzve”. Tipari i tyre kryesor që i kufizon, është se ata “nuk janë të guximshëm në dëshminë e Jezusit8. Në dallim, ata që janë në mbretërinë më të ulët, telestialen, janë ata që “nuk e pranuan ungjillin, as dëshminë e Jezusit9.

Vini re se karakteristika dalluese për banorët e çdo mbretërie është mënyra se si lidhen ata me “dëshmi[në] e Jezusit”, që shtrihet nga 1) përkushtimi me gjithë zemër tek 2) të mos qenit të guximshëm dhe deri tek 3) refuzimi i plotë. Nga reagimi i secilit person varet e ardhmja e tij ose e saj e përjetshme.

I.

Çfarë është dëshmia e Jezusit?

Është dëshmia e Shpirtit të Shenjtë se Ai është Biri hyjnor i Perëndisë, Mesia dhe Shëlbuesi. Është dëshmia e Gjonit se Jezusi ishte në fillim me Perëndinë, se Ai është Krijuesi i qiellit dhe i tokës, dhe “në të ishte ungjilli dhe ungjilli ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve”10. Është “dëshmia e Apostujve dhe Profetëve … që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell”11. Është dijenia se “nuk ka emër tjetër nëpërmjet të cilit të vijë shpëtimi”12. Është “dëshmia, e fundit nga të gjitha”, e dhënë nga Profeti Jozef Smith, “se ai jeton! … Se ai është i Vetëmlinduri i Atit – Se nëpërmjet tij dhe prej tij, dhe përmes tij, botët janë e u krijuan dhe banorët e tyre janë bij e bija të lindura të Perëndisë.”13

II.

Përtej kësaj dëshmie është pyetja: Çfarë bëjmë ne me të?

Trashëgimtarët e mbretërisë çelestiale, e “marrin” dëshminë e Jezusit në kuptimin e plotë të fjalës duke u pagëzuar, duke marrë Frymën e Shenjtë dhe duke pasur sukses nëpërmjet besimit.14 Parimet dhe të vërtetat e ungjillit të Jezu Krishtit qeverisin përparësitë dhe zgjedhjet e tyre. Dëshmia e Jezusit tregohet në atë çfarë ata janë dhe çfarë po bëhen. Shtysa e tyre është dashuria hyjnore, “dashuria e pastër e Krishtit”15. Përqendrimi i tyre është që të arrijnë “masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”16.

Të paktën disa prej atyre që do të gjenden në mbretërinë terrestriale, gjithashtu e pranojnë dëshminë e Jezusit, por dallohen nga ajo që nuk bëjnë për të. Të mos qenit të guximshëm në dëshminë e Shpëtimtarit tregon një shkallë apatie apo të të qenit rastësor, të qenit “i vakët”17, në ndryshim nga njerëzit e Amonit në Librin e Mormonit, për shembull, të cilët “u dalluan … për zellin e tyre ndaj Perëndisë”18.

Banorët e mbretërisë telestiale janë ata që e refuzojnë dëshminë e Jezusit së bashku me ungjillin e Tij, besëlidhjet e Tij dhe profetët e Tij. Ata përshkruhen nga Abinadi se “kishin jetuar sipas vullnetit të mishit dhe të dëshirave të tyre; meqë nuk i kishin thirrur kurrë Zotit, ndërsa krahët e mëshirës ishin shtrirë drejt tyre; pasi krahët e mëshirës ishin shtrirë drejt tyre dhe ata nuk donin”19.

III.

Çfarë do të thotë të jeni të guximshëm në dëshminë e Jezusit?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ka disa mundësi që mund të merren parasysh. Do të përmend ca prej tyre. Të qenit të guximshëm në dëshminë e Jezusit përfshin sigurisht ushqimin dhe forcimin e asaj dëshmie. Dishepujt e vërtetë nuk i shpërfillin gjërat në dukje të vogla që e mbështetin dhe e forcojnë dëshminë e tyre të Jezusit, të tilla si lutja, studimi i shkrimeve të shenjta, respektimi i Shabatit, marrja e sakramentit, pendimi, dhënia e shërbesës, shërbimi dhe adhurimi në shtëpinë e Zotit. Presidenti Nelson na kujton se “me shpejtësi të frikshme, një dëshmi që nuk ushqehet çdo ditë ‘nga fjala e mirë e Perëndisë’ [Moroni 6:4], mund të shkërmoqet. Pra, … na nevojiten përvoja të përditshme duke adhuruar Zotin dhe duke e studiuar ungjillin e Tij.” Pastaj ai shtoi: “Ju lutem që ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj. Jepini Atij një pjesë të mirë të kohës suaj. Ndërsa e bëni këtë, vërejeni se çfarë i ndodh hovit tuaj pozitiv shpirtëror.”20

Të qenit të guximshëm sugjeron gjithashtu të qenit të çiltër dhe publikë për dëshminë tuaj. Në pagëzim, ne pohojmë gatishmërinë tonë për “të qëndr[uar] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që [ne] të gjende[m]i, madje deri në vdekje”21. Veçanërisht në këtë periudhë Pashke, ne shpallim me gëzim, publikisht dhe pa rezerva dëshminë tonë për Krishtin e ringjallur dhe të gjallë.

Një aspekt i të qenit të guximshëm në dëshminë e Jezusit është t’ua vëmë veshin lajmëtarëve të Tij. Perëndia nuk na detyron të futemi në shtegun më të mirë, shtegun e besëlidhjeve, por Ai i udhëzon profetët e Tij që të na bëjnë të vetëdijshëm plotësisht për pasojat e zgjedhjeve tona. Dhe kjo nuk është vetëm për anëtarët e Kishës së Tij. Nëpërmjet profetëve dhe apostujve të Tij, Ai i lutet me dashuri të gjithë botës t’ia vërë veshin të vërtetës që do ta bëjë të lirë22, që do t’i kursejë vuajtje të panevojshme dhe do t’i sjellë asaj gëzim të qëndrueshëm.

Të jemi të guximshëm në dëshminë e Jezusit do të thotë t’i nxitim të tjerët, me anë të fjalës e shembullit, të jenë po ashtu të guximshëm, veçanërisht njerëzit në familjet tona. Plaku Nil A. Maksuell dikur iu drejtua “anëtarëve në thelb ‘të ndershëm’ [të Kishës] të cilët janë sipërfaqësorë në vend që ta thellojnë dishepullimin e tyre dhe të cilët janë të përfshirë në mënyrë rastësore në vend që të ‘përfshihen me zell’ [Doktrina e Besëlidhje 76:75; 58:27]”23. Duke e vënë në dukje që të gjithë janë të lirë të zgjedhin, Plaku Maksuell shprehu me keqardhje: “Megjithatë, fatkeqësisht, kur disa njerëz zgjedhin plogështinë, ata nuk po zgjedhin vetëm për veten e tyre, por për brezin pas tyre dhe atë më pas. Paqartësi të vogla te prindërit mund të prodhojnë shmangie të mëdha te fëmijët e tyre! Brezat e mëparshëm në një familje mund të kenë pasqyruar përkushtim, ndërkohë që disa njerëz në brezin e tanishëm tregojnë paqartësi. Trishtueshëm, në brezin e ardhshëm, disa njerëz mund të zgjedhin përçarjen, teksa erozioni fiton terren.”24

Vite më parë, Plaku Xhon H. Groberg tregoi një histori të një familjeje të re në një degë të vogël në Havai në fillim të viteve 1900. Ata kishin qenë anëtarë të Kishës për gati dy vjet kur njëra nga bijat e tyre u sëmur me një sëmundje të padiagnostikuar dhe u shtrua në spital. Të dielën vijuese në Kishë, babai dhe biri i tij përgatitën sakramentin ashtu siç bënin shumicën e javëve, por kur babai i ri në moshë u gjunjëzua për të bekuar bukën, presidenti i degës, papritur duke e kuptuar se kush ishte tek tryeza e sakramentit, brofi në këmbë dhe thirri: “Ndalo. Nuk mund ta prekësh sakramentin. Bija jote ka një sëmundje të panjohur. Largohu menjëherë ndërkohë që dikush tjetër përgatit bukë tjetër për sakramentin. Nuk mund të të kemi këtu. Ik.” Babai i befasuar, duke u përpjekur të kuptonte çfarë po ndodhte, pa nga presidenti i degës dhe më pas nga bashkësia dhe, duke e ndier thellësinë e ankthit dhe të sikletit nga të gjithë, ia bëri me shenjë familjes së tij dhe ata qetësisht dolën në rresht nga salla kishtare.

Nuk u tha asnjë fjalë, teksa familja, zemërvrarë, eci përgjatë shtegut drejt shtëpisë së tyre të vogël. Atje u ulën në një rreth dhe babai tha: “Ju lutem, heshtni derisa të jem gati për të folur”. Biri i vogël pyeste veten se çfarë do të bënin për t’u hakmarrë për turpin që kishin përjetuar: a do të vrisnin derrat e presidentit të degës, ose do ta digjnin shtëpinë e tij apo do të bashkoheshin me një kishë tjetër? Pesë, dhjetë, pesëmbëdhjetë, njëzet e pesë minuta kaluan në heshtje.

Grushtet e mbërthyera të babait filluan të qetësoheshin dhe lot u shfaqën. Nëna filloi të qante dhe shpejt secili prej fëmijëve po vajtonte në heshtje. Babai iu drejtua bashkëshortes së tij dhe tha: “Të dua” dhe më pas ia përsëriti ato fjalë secilit prej fëmijëve të tyre. “Ju dua të gjithëve dhe dua që të jemi së bashku, përgjithmonë, si familje. Dhe e vetmja mënyrë se si kjo mund të ndodhë, është që të gjithë ne të jemi anëtarë të mirë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe të vulosemi nga priftëria e shenjtë në tempull. Kjo nuk është kisha e presidentit të degës. Është Kisha e Jezu Krishtit. Nuk do të lejojmë asnjë njeri apo asnjë lëndim ose asnjë vënie në siklet apo krenari që të na pengojë për të qenë së bashku përgjithmonë. Të dielën tjetër do të kthehemi në kishë. Do të qëndrojmë veçmas derisa të bëhet e ditur sëmundja e bijës sonë, por ne do të kthehemi.”

Ata u kthyen njëmend në kishë, bija e tyre u shërua dhe familja u vulos në Tempullin e Laies në Havai kur ai u përfundua. Sot, më shumë se 100 frymë e quajnë babanë, gjyshin dhe stërgjyshin e tyre të bekuar ngaqë ai i mbajti sytë e tij te përjetësia.25

Një aspekt i fundit i të qenit të guximshëm në dëshminë e Jezusit që vërtet do ta përmend, është kërkimi ynë individual për shenjtërinë vetjake. Jezusi është Shëlbuesi ynë thelbësor26 dhe Ai përgjërohet: “Pendohuni, të gjitha ju skajet e tokës dhe ejani tek unë dhe pagëzohuni në emrin tim, që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni pa njollë para meje, në ditën e fundit”27.

Profeti Mormoni përshkruan një grup shenjtorësh që këmbëngulën në këtë mënyrë pavarësisht se iu desh të “kalon[in] në shumë mjerime”28:

“Megjithatë, ata agjëruan dhe u lutën shpesh dhe u bënë gjithnjë e më të fortë në përulësinë e tyre dhe gjithnjë e më të vendosur në besimin e Krishtit, në mbushjen e shpirtrave të tyre me gëzim dhe ngushëllim, po, madje në pastrimin dhe në shenjtërimin e zemrave të tyre, shenjtërim që vjen për shkak të dhënies së zemrave të tyre Perëndisë.”29 Është ky ndryshim i fuqishëm i zemrës – dhënia e zemrës sonë Perëndisë dhe rilindja shpirtërisht nëpërmjet hirit të Shpëtimtarit – ajo që ne kërkojmë.30

Ftesa ime është që të veproni tani për të siguruar vendin tuaj si dikush që është i guximshëm në dëshminë e Jezusit. Teksa mund të nevojitet pendim, “mos e shtyni ditën e pendimit tuaj”31 përndryshe “në një orë kur nuk e mendoni, vera do të marrë fund dhe korrja do të mbarojë e shpirtrat tuaj nuk do të shpëtohen”32. Jini të zellshëm në mbajtjen e besëlidhjeve tuaja me Perëndinë. Mos u “fy[eni] [nga] rreptësi[a e] fjalës”33. “Kujtoni dhe ta mbani emrin [e Krishtit] gjithmonë të shkruar në zemrat tuaja, … që ju [të mund] të dëgjoni dhe të dini zërin nga i cili do të thirreni dhe gjithashtu emrin me të cilin ai do t’ju thërrasë.”34 Dhe së fundi, “nguliteni këtë në zemrën tuaj, që ju do të bëni gjërat që [Jezusi] do t’ju mësojë e urdhërojë”35.

Ati ynë Qiellor dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij që duan, të gëzojnë jetë të përjetshme me Të në mbretërinë e Tij çelestiale. Jezusi vuajti, vdiq dhe u ringjall për ta bërë këtë gjë të mundur. Ai “u ngjit në qiell dhe është ulur në krahun e djathtë të Perëndisë, për t’i kërkuar Atit të drejtat e tij të mëshirës që ai ka mbi fëmijët e njerëzve”36. Lutem që të gjithë ne të mund të bekohemi me një dëshmi të zjarrtë të Zotit Jezu Krisht, të gëzohemi dhe të jemi të guximshëm në atë dëshmi dhe t’i shijojmë vazhdimisht frytet e hirit të Tij në jetën tonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.