Konferenca e Përgjithshme
Një Gëzim më i Lartë
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Një Gëzim më i Lartë

E kërkofshim dhe e gjetshim të gjithë ne gëzimin më të lartë që vjen nga përkushtimi i jetës sonë ndaj Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij të Dashur!

Tanimë kam pasur bekimin e madh që të flas në konferenca të përgjithshme prej tri dekadash. Gjatë kësaj kohe, më janë bërë pyetje lidhur me këto mesazhe nga shumë njerëz nëpër botë. Kohët e fundit, një pyetje e caktuar vazhdon të bëhet. Zakonisht është diçka si vijon: “Plaku Uhtdorf, e dëgjova me vëmendje bisedën tuaj të fundit, por … nuk dëgjova gjë lidhur me aviacionin”.

Epo, pas ditës së sotme, mbase nuk do ta dëgjoj atë pyetje për disa kohë.

Rreth “Kollotumbave plot Gaz të Reve të Përshkuara nga Rrezet e Diellit”1

Është e vështirë ta besosh se vetëm 120 vjet më parë Uillbur dhe Orvill Rajti u ngritën për herë të parë në ajër dhe fluturuan mbi brigjet ranore të Kiti‑Houkut në Karolinën e Veriut. Katër fluturime të shkurtra në atë ditë dhjetori e ndryshuan botën dhe i hapën derën njërës prej shpikjeve më të mëdha në historinë e botës.

Të fluturoje ishte me rrezik në ato ditë të hershme. Vëllezërit e dinin këtë. Po kështu e dinte dhe i ati i tyre, Miltoni. Në fakt, ai frikësohej kaq shumë se mos i humbiste të dy bijtë në një aksident në fluturim, saqë ata i premtuan se nuk do të fluturonin kurrë së bashku.

Dhe ata nuk fluturuan kurrë së bashku, me një përjashtim. Shtatë vjet pas asaj dite historike në Kiti‑Houk, Milton Rajti më së fundi e dha miratimin dhe vështroi se si Uillburi dhe Orvilli fluturuan së bashku për herë të parë. Pasi zbritën në tokë, Orvilli e bindi të atin të bënte fluturimin e vet të parë e të vetëm dhe ta shihte vetë se si ishte të fluturoje.

Teksa aeroplani u ngrit nga toka, Miltonin 82‑vjeçar e pushtoi aq fort gazmendi i fluturimit, saqë e gjithë frika iu largua. Orvilli u ngazëllye teksa i ati thërriti gjithë kënaqësi: “Më lart, Orvill, më lart!”2

Ky ishte një burrë siç ma do zemra!

Ndoshta arsyeja pse flas rreth aviacionit me raste, është se unë kuptoj diçka nga ajo që ndien burrat e familjes Rajt. Edhe unë u kam “shkarë forcave të ashpra të tërheqjes së Tokës dhe kam vallëzuar në qiej mbi flatra të qeshurash, të veshura me argjend”3.

Fluturimi i parë i vëllezërve Rajt, që ndodhi vetëm 37 vjet para se të lindja unë, hapi dyert e aventurës, mrekullisë dhe gëzimit të dëlirë në jetën time.

Megjithatë, sado mahnitës që është ai gëzim, ka një lloj gëzimi edhe më të lartë. Sot, në frymën e klithmës plot ëndje të Milton Rajtit: “Më lart, Orvill, më lart”, dëshiroj të flas rreth këtij gëzimi më të lartë: nga vjen ai, si na hyn në zemër dhe se si mund ta përjetojmë në masë më të madhe.

I Gjithë Synimi i Ekzistencës Njerëzore

Ndoshta s’ka nevojë të thuhet se çdokush dëshiron të jetë i lumtur.4 Megjithatë, gjithashtu s’ka nevojë të thuhet se jo gjithkush është i lumtur. Trishtueshëm, duket se, shumë njerëz, e kanë të vështirë ta gjejnë lumturinë.5

Përse ndodh kjo? Nëse lumturia është e vetmja gjë që ne qeniet njerëzore e dëshirojmë më së shumti, pse jemi kaq të pasuksesshëm për ta gjetur? Për të parafrazuar një këngë kauntri, ndoshta e kemi kërkuar gëzimin në të gjitha vendet e gabuara.6

Ku Mund të Gjejmë Lumturi?

Përpara se të diskutojmë se si të gjejmë gëzim, më lejoni ta pranoj se depresioni dhe sfida të tjera të vështira mendore dhe emocionale janë të vërteta dhe përgjigjja nuk është thjesht: “Përpiqu të jesh më i lumtur”. Qëllimi im sot nuk është t’ua ul vlerën apo rëndësinë çështjeve të shëndetit mendor. Nëse përballeni me sfida të tilla, unë pikëllohem me ju dhe qëndroj përkrah jush. Për disa njerëz, gjetja e gëzimit mund të përfshijë kërkimin e ndihmës nga profesionistë të trajnuar të shëndetit mendor, të cilët ia kushtojnë jetën ushtrimit të mjeshtërisë së tyre tejet të rëndësishme. Duhet të jemi mirënjohës për një ndihmë të tillë.

Jeta nuk është një seri e pafundme ngritjesh emocionale. “Pasi, është e nevojshme që të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat.”7 Dhe nëse Perëndia Vetë vajton, siç e pohojnë shkrimet e shenjta se Ai vajton8, atëherë sigurisht që edhe ju dhe unë do të vajtojmë. Të ndihesh i trishtuar nuk është një shenjë dështimi. Në këtë jetë, të paktën, gëzimi dhe hidhërimi janë shokë të pandarë.9 Ashtu si të gjithë ju, unë e kam ndier hisen time të zhgënjimit, hidhërimit, trishtimit dhe keqardhjes.

Megjithatë, e kam përjetuar vetë edhe agimin e lavdishëm që e mbush shpirtin me gëzim kaq të thellë, saqë vështirë se mund të mbahet përbrenda. E kam zbuluar vetë se ky vetëbesim plot paqe vjen nga ndjekja e Shpëtimtarit dhe ecja në udhën e Tij.

Paqja që Ai na jep, nuk është si ajo që na jep bota.10 Është më e mirë. Është më e lartë dhe më e shenjtë. Jezusi tha: “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk”11.

Ungjilli i Jezu Krishtit është vërtet “lajm i mirë gëzimi të madh!”12 Është mesazh shprese të pashoqe! Një mesazh për mbajtjen e zgjedhës dhe ngritjen e barrëve.13 Për përforcimin e dritës. Për pasjen e pëlqimit hyjnor, kuptueshmërisë më të lartë, besëlidhjeve më të shenjta, sigurisë së përjetshme dhe lavdisë së përhershme!

Gëzimi është vetë qëllimi i planit të Perëndisë për fëmijët e Tij. Është arsyeja për të cilën u krijuat: “Që [ju] të mund të ken[i] gëzim!”14 Ju u bëtë për këtë!

Ati ynë në Qiell nuk e ka fshehur shtegun drejt lumturisë. Ai shteg nuk është i fshehtë. Është në dispozicion të të gjithëve!15

Iu premtohet atyre që ecin në shtegun e dishepullimit, i ndjekin mësimet dhe shembullin e Shpëtimtarit, i zbatojnë urdhërimet e Tij dhe i respektojnë besëlidhjet që bëjnë me Perëndinë. Çfarë premtimi i mrekullueshëm!

Perëndia Ka Diçka më Shumë për të Ofruar

Të gjithë ne njohim njerëz që thonë se nuk u nevojitet Perëndia për të qenë të lumtur, se janë mjaftueshëm të lumtur edhe pa fenë.

Jam i ndërgjegjshëm për ato ndjenja dhe i respektoj ato. Ati ynë i dashur në Qiell dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të kenë sa më shumë lumturi që të jetë e mundur, kështu që Ai e ka mbushur këtë botë me kënaqësi dhe ëndje të bukura e të shëndetshme, “si për të kënaqur syrin, edhe për të gëzuar zemrën”16. Për mua, fluturimi solli lumturi të madhe. Të tjerë e gjejnë atë te muzika, tek arti, te hobet ose në natyrë.

Kur e ftojmë gjithkënd dhe e shpërndajmë lajmin e mirë të Shpëtimtarit për një gëzim të madh, ne nuk ia ulim vlerat asnjërit prej këtyre burimeve të gëzimit. Thjesht po themi se Perëndia ka diçka më shumë për të dhënë. Një gëzim më të lartë e më të thellë, një gëzim që e tejkalon gjithçka që ofron kjo botë. Është një gëzim që reziston kur thyhet zemra, që përshkon hidhërimin dhe e zbeh vetminë.

Lumturia sipas botës, ndryshe nga kjo, nuk zgjat. Nuk mundet. Është natyra e gjërave tokësore që të plaken, të kalben, të vjetrohen, apo të bajaten. Por gëzimi i perëndishëm është i përjetshëm, pasi Perëndia është i përjetshëm. Jezu Krishti erdhi për të na ngritur e nxjerrë nga e përkohshmja dhe për ta zëvendësuar prishjen me mosprishje. Vetëm Ai e ka atë fuqi dhe vetëm gëzimi i Tij është i përhershëm.

Nëse e ndieni se mund të ketë më shumë nga ky lloj gëzimi në jetën tuaj, ju ftoj të nisni udhëtimin e ndjekjes së Jezu Krishtit dhe të Udhës së Tij. Është një udhëtim që zgjat gjithë jetën dhe përtej. Ju lutem, më lejoni të sugjeroj ca hapa të fillimit në këtë udhëtim që ia vlen, drejt zbulimit të gëzimit të dëlirë.

Afrohuni te Perëndia17

A ju kujtohet gruaja në Dhiatën e Re që duroi një sëmundje me rrjedhje gjaku për 12 vjet?18 Ajo e kishte shpenzuar te mjekët gjithë çfarë kishte, por gjërat vetëm sa ishin përkeqësuar. Ajo kishte dëgjuar për Jezusin; fuqia e Tij për të shëruar ishte e mirënjohur. Por a mund ta shëronte Ai atë? Si mundej ajo madje t’i afrohej Atij? Sëmundja e saj e bënte atë “të papastër” sipas ligjit të Moisiut dhe, si rrjedhim, asaj i kërkohej të rrinte larg njerëzve të tjerë.19

Dukej se as nuk bëhej fjalë që t’i qasej Atij hapur dhe t’i kërkonte shërim.

Përsëri, ajo mendoi: “Nëse vetëm ia prek rrob[ën]n e tij, do të shërohem”20.

Në fund, besimi i saj e mposhti frikën. Ajo e përballoi me guxim censurën e të tjerëve dhe u shty drejt Shpëtimtarit.

Më në fund, ajo mund ta arrinte. Ajo zgjati dorën.

Dhe u shërua.

A nuk jemi të gjithë disi të ngjashëm me këtë grua?

Mund të ketë shumë arsye pse ngurrojmë të afrohemi te Shpëtimtari. Mund të përballemi me tallje ose dënim nga njerëzit e tjerë. Në krenarinë tonë, mund të mos ta përfillim mundësinë që diçka kaq e thjeshtë të ketë kaq shumë vlerë. Mund të mendojmë se situata jonë disi na shkualifikon nga shërimi i Tij, se largësia është tepër e madhe ose mëkatet tona tepër të shumta.

Ashtu si kjo grua, kam mësuar që, nëse i afrohemi Perëndisë dhe zgjatemi për ta prekur Atë, ne vërtet mund të gjejmë shërim, paqe dhe gëzim.

Kërkojeni Atë [Gëzim]

Jezusi dha mësim: “Kërkoni dhe do të gjeni”21.

Unë besoj se kjo frazë e thjeshtë, nuk është vetëm një premtim shpirtëror; është pohim i një fakti.

Nëse kërkojmë arsye për të qenë të zemëruar, për të dyshuar, për të qenë të hidhëruar ose të vetmuar, edhe ato do t’i gjejmë.

Megjithatë, nëse kërkojmë gëzim, nëse kërkojmë arsye që të ngazëllehemi dhe ta ndjekim lumturisht Shpëtimtarin, do t’i gjejmë ato.

Rrallë e gjejmë diçka që nuk po e kërkojmë.

A po kërkoni gëzim?

Kërkoni dhe do të gjeni.

Mbajini Barrët e Njëri‑Tjetrit22

Jezusi dha mësim: “Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh”23.

A mund të jetë vallë që, në kërkimin tonë për gëzim, mënyra më e mirë për ta gjetur atë, është t’u sjellim gëzim të tjerëve?

Vëllezër e motra, ju e dini dhe unë e di se kjo është e vërtetë! Gëzimi është si një enë me miell ose një qyp me vaj që nuk do të zbrazet kurrë.24 Gëzimi i vërtetë shumëfishohet kur e ndan me të tjerët.

Nuk duhet ndonjë gjë madhështore ose e ndërlikuar.

Ne mund të bëjmë gjëra të thjeshta.

Si të lutemi për dikë me gjithë zemër.

Të bëjmë një përgëzim të sinqertë.

Ta ndihmojmë dikë të ndihet i mirëpritur, i respektuar, i vlerësuar dhe që e duan.

Të tregojmë një shkrim të shenjtë të parapëlqyer dhe çfarë kuptimi ka ai për ne.

Ose madje thjesht të dëgjojmë.

“Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”25 dhe Perëndia do t’ju shpërblejë me bollëk për mirësinë tuaj26. Gëzimi që ju u jepni të tjerëve, do t’ju kthehet në “një masë [të] mirë, [të] ngjeshur, [të] tundur, gufuese”27.

“Ne, Pra, Ç’të Bëjmë?”28

Gjatë ditëve, javëve dhe muajve të ardhshëm, a mund t’ju ftoj që:

  • Të shpenzoni kohë në një përpjekje të sinqertë, me gjithë zemër, për t’u afruar te Perëndia.

  • Të kërkoni me zell çaste të përditshme shprese, paqeje dhe gëzimi.

  • T’u sillni gëzim njerëzve të tjerë përreth jush.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, miq të dashur, teksa e hetoni fjalën e Perëndisë për një kuptueshmëri më të thellë për planin e përjetshëm të Perëndisë, i pranoni këto ftesa dhe përpiqeni fort të ecni në udhën e Tij, ju do të përjetoni “paq[en] e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie”29, edhe mes hidhërimesh. Ju do të ndieni një masë më të madhe të dashurisë së patejkalueshme të Perëndisë të gufojë në zemrën tuaj. Agimi i dritës çelestiale do të përshkojë hijet e sprovave tuaja dhe ju do të filloni të shijoni lavditë dhe mrekullitë e patregueshme të kupës së padukshme, të përsosur qiellore. Ju do të ndieni që shpirti juaj do të lartësohet, larg nga forca e tërheqjes së kësaj bote.

Dhe ashtu si i miri Milton Rajt, ndoshta ju do ta ngrini zërin me ngazëllim dhe do të thërrisni fort: “Më lart, Atë, më lart!”

E kërkofshim dhe e gjetshim të gjithë ne gëzimin më të lartë që vjen nga përkushtimi i jetës sonë ndaj Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij të Dashur! Kjo është lutja dhe bekimi im më i zellshëm në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. John Gillespie Magee Jr., “High Flight”, poetryfoundation.org.

  2. Shihni te Christopher Klein, “10 Things You May Not Know about the Wright Brothers”, History, 28 mars 2023, history.com.

  3. Magee, “High Flight”.

  4. Njëzet e katër shekuj më parë, Aristoteli vërejti se lumturia është e vetmja gjë që të gjithë qeniet njerëzore e dëshirojnë më së shumti. Në traktatin e tij Nicomachean Ethics [Etika e Nikomakusit], ai dha mësim se e mira më e madhe në jetë është gjëja që e ndjekim si një qëllim në vetvete (në ndryshim nga ato gjëra që i ndjekim dhe që janë mjete për një qëllim tjetër). Lumturia, mbi gjithçka tjetër, është pikërisht një gjë e tillë. “Ne gjithmonë e dëshirojmë lumturinë për hir të asaj vetë”, – tha ai, – “dhe kurrë si një mjet për diçka tjetër” (The Nicomachean Ethics of Aristotle, përkth. J. E. C. Weldon [1902], f. 13–14).

  5. Shihni te Harry Enten, “American Happiness Hits Record Lows”, CNN, 2 shkurt 2022, cnn.com; Tamara Lush, “Poll: Americans Are the Unhappiest They’ve Been in 50 Years”, Associated Press, 16 qershor 2020, apnews.com; “The Great Gloom: In 2023, Employees Are Unhappier Than Ever. Why?”, BambooHR, bamboohr.com.

  6. Shihni te Wanda Mallette, Patti Ryan dhe Bob Morrison, “Lookin’ for Love (in All the Wrong Places)” (1980).

  7. 2 Nefi 2:11.

  8. Shihni te Gjoni 11:35; Moisiu 7:28–37.

  9. Shihni te 2 Nefi 2:11.

  10. Shihni te Gjoni 14:27.

  11. Gjoni 10:10.

  12. Luke 2:10 [Lluka 2:10], Varianti i Ri Standard i Rishikuar [në anglisht].

  13. Shihni te Mateu 11:28–30.

  14. 2 Nefi 2:25.

  15. Nëse keni ndonjë shqetësim për faktin a do t’ju pranojë ose jo Ati juaj në Qiell dhe do t’ju lejojë ose jo ta merrni gëzimin e Tij, ju ftoj ta lexoni plot lutje shëmbëlltyrën e Krishtit për djalin plëngprishës (shihni te Lluka 15:11–32). Në atë shëmbëlltyrë, mësojmë se si ndihet Ati ynë Qiellor për fëmijët e Tij dhe se si Ai e pret dhe e kremton kthimin tonë pasi jemi endur larg Tij! Që nga çasti kur ne “[vijmë] në vete” (shihni vargun 17) dhe fillojmë udhëtimin e kthimit për në shtëpi, Ai do të na shohë, sepse Ai qëndron duke vëzhguar e duke pritur. Dhe kë po pret Ai? Ne! Teksa i afrohemi Atij, Ai do ta kremtojë kthimin tonë dhe do të na quajë fëmijën e Tij.

  16. Doktrina e Besëlidhje 59:18. Kjo zbulesë shpjegon gjithashtu: “Perëndia gëzohet që ia ka dhënë gjithë këto gjëra njeriut; sepse për këtë qëllim u bënë ato” (vargu 20).

  17. Atyre që i afrohen Perëndisë, Ai u jep këtë premtim të madhërishëm: “Unë do të afrohem pranë jush” (Doktrina e Besëlidhje 88:63; shihni edhe te Jakob [Bibël] 4:8).

  18. Shihni te Marku 5:24–34.

  19. Shihni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pastër (i) dhe Papastër (i)”.

  20. Marku 5:28.

  21. Mateu 7:7.

  22. Duke mbajtur barrët e njëri‑tjetrit, ne “përmbush[im] ligjin e Krishtit” (Galatasve 6:2; shihni edhe te Mosia 18:8).

  23. Veprat e Apostujve 20:35.

  24. Shihni te 1 Mbretërve 17:8–16.

  25. Mosia 2:17.

  26. Në Letrën e tij drejtuar Romakëve, Pali pohon se Perëndia “do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira; … lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën” (Romakëve 2:6–7, 10).

  27. Lluka 6:38. Vetë shpëtimi dhe lumturia jonë e përjetshme mund të varen nga dhembshuria dhe mirësia jonë ndaj të tjerëve (shihni te Mateu 25:31–46).

  28. Lluka 3:10.

  29. Filipianëve 4:7.