Konferenca e Përgjithshme
Lutju Atij
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Lutju Atij

Të ftoj të lutesh që të dish se Ati Qiellor është aty, të lutesh që të rritesh për t’u bërë si Ai, dhe të lutesh që t’u tregosh të tjerëve për dashurinë e Tij.

Vëllezër dhe motra, ndiej gëzim kur i përgjigjem një mbrese që t’u flas fëmijëve!

Vajza dhe djem, kudo qofshi në botë, dua t’i tregoj diçka [secilit prej jush]!

Ati ynë Qiellor të do! Ti je fëmija i Tij. Ai të njeh. Ai dëshiron të të bekojë. Lutem me gjithë zemrën time që ta ndiesh dashurinë e Tij.

A të pëlqen të marrësh dhurata? Dua të të flas për një dhuratë tepër të veçantë që Ati Qiellor ta ka dhënë për të të ndihmuar. Ajo është dhurata e lutjes. Çfarë bekimi është lutja! Ne mund të flasim me Atin Qiellor në çdo kohë dhe kudo.

Pamja
Jezusi me fëmijë.

Kur Jezusi ishte në tokë, Ai na mësoi të lutemi. Ai tha: “Kërkoni dhe do të merrni”1.

Për çfarë dhuratash mund të lutesh? Ka shumë, por sot dëshiroj të flas për tri prej tyre:

  1. Lutu që të dish.

  2. Lutu që të rritesh.

  3. Lutu që të tregosh.

Le të flasim për secilën prej tyre.

Së Pari, Lutu që të Dish

Çfarë të nevojitet të dish?

Ka një këngë rreth lutjes që fëmijët e Fillores e këndojnë anembanë botës. Ajo fillon me një pyetje. A e di ti se cila është ajo këngë? Po të isha vërtet e guximshme, do ta këndoja për ty!

“O Ati Qiellor, a je Ti atje? A i përgjigjesh lutjes së çdo fëmije?”2

Si mund ta dish se Ati Qiellor është vërtet aty, madje edhe kur nuk mund ta shohësh Atë?

Presidenti Rasëll M. Nelson të ka ftuar: “Hapja zemrën Atit t[ënd] Qiellor. … Dhe më pas, dëgjo!”3 Dëgjoje atë që ndien në zemër, dhe mendimet që të vijnë në mendje.4

Ati Qiellor ka një trup të përlëvduar prej mishi e kockash dhe është Ati i shpirtit tënd. Për shkak se Ati Qiellor e ka gjithë fuqinë dhe i di të gjitha gjërat, Ai mund t’i shohë të gjithë fëmijët e Tij5 dhe mund ta dëgjojë e t’i përgjigjet çdo lutjeje. Ti mund të arrish ta dish vetë se Ai është aty dhe se Ai të do.

Kur ti e di se Ati Qiellor është i vërtetë dhe se Ai të do, ti mund të jetosh me kurajë dhe shpresë! “Lutju Atij; Foli, po t’dëgjon.”6

A je ndier ndonjëherë vetëm? Një ditë, kur mbesa jonë, Eshli, ishte gjashtë vjeçe, ajo ishte e vetmja që nuk kishte një shok apo shoqe që të luante me të në këndin e lojërave të shkollës. Ndërsa qëndronte aty, duke u ndier e parëndësishme dhe e padukshme, një mendim i veçantë i erdhi në mendje: “Prit! Nuk jam vetëm. Kam Krishtin!” Eshli u gjunjëzua pikërisht në mes të këndit të lojërave, i kryqëzoi krahët dhe iu lut Atit Qiellor. Në çastin që hapi sytë, një vajzë në moshën e saj po qëndronte aty duke e pyetur nëse donte të luante. Eshli arriti të mësonte: “Ne jemi të rëndësishëm për Zotin dhe nuk jemi kurrë vërtet vetëm”.

Ndonjëherë ti mund të duash të dish pse diçka e vështirë po ndodh në jetën tënde ose pse nuk e ke marrë një bekim për të cilin je lutur. Shpesh pyetja më e mirë për t’i bërë Atit Qiellor nuk është pse por çfarë.

A të kujtohet kur Nefi dhe familja e tij ishin të uritur ndërkohë që po udhëtonin në vendin e shkretë? Kur Nefi dhe vëllezërit e tij shkuan për të gjuajtur për ushqim, Nefi e theu harkun e tij. Mirëpo, ai nuk pyeti pse.

Pamja
Nefi e pyet Lehin se ku të gjejë ushqim.

Nefi bëri një hark të ri dhe e pyeti atin e tij, Lehin, se ku të shkonte për të gjetur ushqim. Lehi u lut dhe Zoti u tregoi atyre se ku mund të shkonte Nefi.7 Ati Qiellor do të të udhërrëfejë kur ta pyesësh Atë se çfarë mund të bësh dhe çfarë mund të mësosh.

Së Dyti, Lutu që të Rritesh

Ati Qiellor dëshiron që ti të rritesh! Ai na do aq shumë sa dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të na treguar udhën për të jetuar.8 Jezusi vuajti, vdiq dhe u ringjall që ne të mund të marrim falje për mëkatet tona dhe të rritemi për t’u bërë më shumë si Ai.

A dëshiron që të rritesh në durim ose në ndershmëri? A dëshiron të rritesh në një aftësi? Ndoshta je i/e ndrojtur dhe dëshiron të rritesh në kurajë. “Lutju Atij”!9 Nëpërmjet Shpirtit të Tij, zemra jote mund të ndryshojë dhe ti mund të marrësh forcë.

Miku im i ri, Xhonahu, shkroi: “Shpesh ndihem nervoz rrugës për në shkollë në mëngjes. Shqetësohem për gjëra të tilla si vonesa, harrimi i diçkaje dhe bërja e provimeve. Kur isha 10 vjeç, fillova të bëja lutje me mamin rrugës për në shkollë kur ajo i jepte makinës. Kërkoj ndihmën që më nevojitet dhe lutem edhe për familjen time. Mendoj gjithashtu rreth gjërave për të cilat jam mirënjohës. [Lutja ndaj Atit Qiellor] më ka ndihmuar. Ndonjëherë nuk e ndiej lehtësimin menjëherë sa dal nga makina, por deri në kohën kur arrij në klasë, ndihem i qetë.”10

Besimi i Xhonahut po rritet teksa ai lutet çdo ditë dhe më pas vazhdon përpara.

Së Treti, Lutu që të Tregosh

Ti mund të lutesh për ndihmë, që t’u tregosh të tjerëve për dashurinë e Atit Qiellor.11 Nëpërmjet Shpirtit të Tij, Ati Qiellor do të të ndihmojë të vësh re dikë që është i trishtuar, që të mund ta ngushëllosh atë. Ai mund të të ndihmojë që ta tregosh dashurinë e Tij duke e falur dikë. Ai mund të të japë kurajë për t’i shërbyer dikujt dhe për t’i treguar se është fëmijë i Perëndisë. Ti mund t’i ndihmosh të tjerët që të arrijnë t’i njohin dhe t’i duan Jezusin dhe Atin Qiellor ashtu si ti.12

Gjatë gjithë jetës sime u luta që babai im të bëhej anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Madje, edhe kur isha vajzë e vogël, e dija se sa bekime mund të merrte ai. Familja jonë mund të merrte bekimet e vulosjes për përjetësinë. Familja ime, miqtë dhe unë u lutëm shpesh për të, por ai nuk u bashkua me Kishën. Ati Qiellor nuk e detyron askënd të bëjë një zgjedhje.13 Ai mund të na dërgojë përgjigje për lutjet tona në mënyra të tjera.

Pamja
Presidentja Porter me prindërit, vëllezërit dhe motrën e saj.

Kur u rrita mjaftueshëm, mora bekimin tim patriarkal. Në bekim, patriarku më tha se gjëja më e mirë që mund të bëja për ta ndihmuar familjen time të ishte së bashku në qiell, ishte që të isha një shembull i ungjillit të Jezu Krishtit. Kjo është ajo që mund të bëja!

Babai im jetoi 86 vjet. Pesë ditë pasi vdiq, mora një ndjenjë të shenjtë gëzimi. Nëpërmjet Shpirtit të Tij, Ati Qiellor më bëri të ditur se babai im dëshironte t’i merrte bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit! Nuk do ta harroj kurrë ditën kur u gjunjëzova rreth altarit në tempull me motrën dhe vëllezërit e mi për t’u vulosur me prindërit e mi. Kisha filluar të lutesha për këtë bekim kur isha në Fillore dhe e mora atë kur isha gjyshe.

Ndoshta ti po lutesh për bekime për familjen tënde dhe njerëz të tjerë që i do. Mos hiq dorë! Ati Qiellor do të të tregojë se çfarë mund të bësh.

Tregoja Atit Qiellor atë që ke në zemër.14 Kur e kërkon ndihmën e Tij me çiltërsi, ti do të marrësh Shpirtin e Tij që të të udhërrëfejë.15 Të luturit çdo ditë do të të mbushë me dashuri për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Kjo do të të ndihmojë që të dëshirosh t’i ndjekësh Ata gjithë jetën tënde!

Përfytyro se çfarë do të ndodhte nëse të gjithë fëmijët në Afrikë, Amerikën e Jugut, Azi, Europë, Amerikën e Veriut dhe Australi do të luteshin çdo ditë. E gjithë bota do të bekohej më shumë me dashurinë e Perëndisë!

Pamja
Fëmijë nëpër botë duke u lutur.

Të ftoj të lutesh që të dish se Ati Qiellor është aty, të lutesh që të rritesh për t’u bërë si Ai, dhe të lutesh që t’u tregosh të tjerëve për dashurinë e Tij. E di se Ai jeton dhe të do ty. “Lutju Atij.” Ai është aty. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.