Konferenca e Përgjithshme
Shtylla dhe Rreze
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Shtylla dhe Rreze

Ne gjithashtu mund të kemi shtyllën tonë të dritës, me nga një rreze çdo herë.

Mesazhi im është për ata që shqetësohen për dëshminë e tyre ngaqë nuk kanë pasur përvoja tronditëse shpirtërore. Lutem që të mund të jap ca paqe dhe siguri.

Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit nisi me një shpërthim drite dhe të vërtete! Një djalë adoleshent në veri të Nju‑Jorkut, me emrin Jozef Smith, një emër shumë i zakonshëm, futet në një korije pemësh për t’u lutur. Ai është i shqetësuar për shpirtin e vet dhe për qëndrimin e tij përpara Perëndisë. Ai kërkon falje për mëkatet e tij. Është i pështjelluar rreth faktit se cilës kishë t’i bashkohet. Ai ka nevojë për qartësi dhe paqe, ka nevojë për dritë dhe njohuri.1

Teksa Jozefi gjunjëzohet që të lutet dhe t’i “tregoj[ë] dëshirat e zemrës [së tij] Perëndisë”, një errësirë e dendur e mbështjell. Diçka e ligë, shtypëse dhe shumë reale përpiqet ta ndalojë, t’ia lidhë gjuhën që ai të mos mundet të flasë. Forcat e territ bëhen aq të forta sa Jozefi mendon se do të vdesë. Por ai “ushtr[oi] të gjitha fuqitë e [tij] për t’i thirrur Perëndisë që t[a] çlironte nga fuqia e këtij armiku që [e] kishte mbërthyer”. Pastaj, “pikërisht në çastin kur [është] gati të zhyte[t] në dëshpërim e ta braktis[ë] veten në shkatërrim”, kur nuk e di a mund të durojë më, një shkëlqim i lavdishëm e mbush korijen, duke e davaritur errësirën dhe armikun e shpirtit të tij.2

Një “shtyllë drite” më e ndritshme se dielli zbret gradualisht mbi të. Shfaqet një personazh dhe më pas një tjetër.3 “Shkëlqimi dhe lavdia e tyre i kapërcejnë të gjitha përshkrimet.” I pari, Ati ynë Qiellor, e thërret në emër, “duke treguar tjetrin: [Jozef!] Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!4

Dhe me atë vrull pushtues drite dhe të vërtete, Rivendosja ka filluar. Një vërshim i njëmendtë zbulese dhe bekimesh hyjnore do të vijojnë: një shkrim i shenjtë i ri, çelësat e rivendosur të priftërisë, apostujt dhe profetët, ordinancat dhe besëlidhjet dhe rithemelimi i Kishës së vërtetë dhe të gjallë të Zotit, e cila një ditë do ta mbushë tokën me atë dritë dhe do të dëshmojë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur.

E gjithë kjo, dhe shumë më tepër, nisi nga lutja e dëshpëruar e një djaloshi dhe nga një shtyllë drite.

Ne gjithashtu kemi nevojat tona të dëshpëruara. Ne gjithashtu kemi nevojë për liri nga pështjellimi shpirtëror dhe errësira e botës. Ne gjithashtu kemi nevojë ta dimë vetë.5 Kjo është një nga arsyet pse Presidenti Rasëll M. Nelson na ka ftuar të “zhyt[emi] në dritën e lavdishme të Rivendosjes”6.

Një nga të vërtetat madhore të Rivendosjes është se qiejt janë hapur, se edhe ne mund të marrim dritë e njohuri nga lart. Dëshmoj se kjo është e vërtetë.

Por duhet të jemi syçelë për një kurth shpirtëror. Ndonjëherë anëtarët besnikë të Kishës shkurajohen dhe madje largohen ngaqë nuk kanë pasur përvoja tronditëse shpirtërore, ngaqë nuk kanë përjetuar shtyllën e tyre vetjake të dritës. Presidenti Spenser W. Kimball paralajmëroi: “Duke pritur gjithmonë gjënë spektakolare, shumë njerëzve do t’iu shpëtojë rrjedha e përhershme e komunikimit që jepet me anë të zbulesës”7.

Presidenti Jozef F. Smith po ashtu kujtoi: “Zoti i mbajti çuditë larg meje [kur isha i ri] dhe ma tregoi të vërtetën rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje”8.

Ai është modeli tipik i Zotit, vëllezër e motra. Në vend që të na dërgojë një shtyllë drite, Zoti na dërgon një rreze drite, më pas një tjetër dhe më pas një tjetër.

Ato rreze drite derdhen vazhdimisht mbi ne nga lart. Në shkrimet e shenjta mësojmë se Jezu Krishti “është drita dhe jeta e botës”9, se i tiji “Shpirt i jep dritë çdo njeriu që vjen në botë”10 dhe se drita e Tij “mbush pafundësinë e hapësirës”, duke i dhënë “jetë gjithçkaje”11. Drita e Krishtit është mirëfilli kudo përreth nesh.

Nëse e kemi marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe po mundohemi të ushtrojmë besim, të pendohemi dhe t’i nderojmë besëlidhjet tona, atëherë jemi të denjë t’i marrim këto rreze hyjnore vazhdimisht. Sipas frazës mbresëlënëse të Plakut Dejvid A. Bednar “ne po ‘jetojmë në zbulesë’”12.

Prapëseprapë, çdonjëri prej nesh është ndryshe. Nuk ka dy njerëz që ta përjetojnë dritën dhe të vërtetën e Perëndisë saktësisht njësoj. Kaloni ca kohë duke menduar se si e përjetoni dritën dhe Shpirtin e Zotit.

Mund t’i keni përjetuar këto vrulle drite dhe dëshmie si “paqe [që i flitet] mendjes [suaj] lidhur me [një] çështje” që ju ka shqetësuar.13

Ose si një mbresë, një zë i qetë dhe i ulët, që u ngulit “në mendjen t[uaj] dhe në zemrën [tuaj]”14 dhe ju nxiti të bënit diçka të mirë, të tillë si të ndihmonit dikë.

Ndoshta keni qenë në një orë mësimi në kishë, ose në një kamp rinie dhe ndiet një dëshirë të fortë për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe për të qëndruar besnik/e.15 Ndoshta madje u ngritët dhe dhatë një dëshmi që shpresuat të ishte e vërtetë, dhe më pas e ndiet se ishte e tillë.

Ose mbase jeni lutur dhe keni ndier një siguri të gëzueshme që Perëndia ju do.16

Mund të keni dëgjuar dikë të japë dëshmi për Jezu Krishtin dhe ajo ju preku në zemër e ju mbushi me shpresë.17

Ndoshta po lexonit Librin e Mormonit dhe një varg i foli shpirtit tuaj, sikur Perëndia ta kishte vënë atje vetëm për ju dhe më pas e kuptuat se ishte ashtu.18

Mund ta keni ndier dashurinë e Perëndisë për të tjerët teksa iu shërbyet atyre.19

Ose ndoshta e keni të vështirë ta ndieni Shpirtin në çast prej depresionit ose ankthit, por keni dhuratën e çmueshme dhe besimin që të vështroni pas dhe t’i dalloni “mëshirat e dhembshura të Zotit”20 në të shkuarën.

Dua të dal te fakti që ka shumë mënyra për t’i marrë rrezet qiellore të dëshmisë. Këto janë vetëm pak prej tyre, sigurisht. Mund të mos jenë dramatike, por të gjitha përbëjnë pjesë të dëshmive tona.

Vëllezër e motra, unë nuk kam parë një shtyllë drite, por, ashtu si ju, kam përjetuar shumë rreze hyjnore. Përgjatë viteve, jam përpjekur t’i ruaj si thesar përvoja të tilla. Zbuloj se, teksa e bëj atë, dalloj dhe kujtoj edhe më shumë syresh. Ja disa shembuj nga jeta ime. Ata mund të mos jenë shumë mbresëlënës për disa, por janë të çmuar për mua.

Më kujtohet kur isha një adoleshent i zhurmshëm në një pagëzim. Kur mbledhja ishte gati për të filluar, e ndjeva Shpirtin të më nxiste të ulesha e të tregoja nderim. U ula dhe ndenja urtë gjatë gjithë pjesës tjetër të mbledhjes.

Përpara misionit tim, druhesha se dëshmia ime nuk qe e fortë sa duhej. Askush në familjen time nuk kishte shërbyer ndonjëherë në një mision dhe nuk e dija nëse unë mund ta bëja. Më kujtohet se studioja dhe lutesha dëshpërimisht që të merrja një dëshmi më të sigurt për Jezu Krishtin. Pastaj një ditë, ndërsa i lutesha Atit Qiellor, pata një ndjesi të fuqishme drite dhe ngrohtësie. Dhe e dija. Thjesht e dija.

Më kujtohet se u zgjova një natë, vite më vonë, nga një ndjenjë e “inteligjencë[s së] pastër” që më thoshte se do të thirresha të shërbeja në kuorumin e pleqve.21 Dy javë më vonë mora thirrjen.

Më kujtohet një konferencë e përgjithshme ku një anëtar i dashur i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve tha të njëjtat fjalë dëshmie që i kisha thënë një miku se shpresoja t’i dëgjoja.

Më kujtohet se u gjunjëzova bashkë me qindra vëllezër për t’u lutur për një mik të shtrenjtë, i cili ishte i pavetëdijshëm në intubim në një spital të vogël, të largët pasi zemra i kishte ndaluar. Ndërsa i bashkuam zemrat për t’u përgjëruar për jetën e tij, ai u zgjua dhe e nxori tubin nga fyti i vet. Ai shërben sot si president kunji.

Më kujtohet edhe se u zgjova me ndjenja të forta shpirtërore pas një ëndrre, që m’u duk si e vërtetë, me një mik dhe këshillues të shtrenjtë që kishte ndërruar jetë shumë i ri, duke lënë një boshllëk të stërmadh në jetën time. Ai qe i buzëqeshur dhe i gëzuar. E dija se ishte mirë.

Këto janë disa nga rrezet e mia. Ju keni pasur përvojat tuaja vetjake, vrullet tuaja vetjake të dëshmisë plot dritë. Ndërsa i dallojmë, i kujtojmë dhe i mbledhim këto rreze “në një krye të vetëm”22, diçka e mrekullueshme dhe e fuqishme nis të ndodhë. “Drita kapes pas dritës”, “e vërteta përqafon të vërtetën”23. Realiteti dhe fuqia e një rrezeje dëshmie e përforcon dhe bashkohet me një tjetër, me një tjetër e më pas me një tjetër. Rresht pas rreshti, parim pas parimi, një rreze këtu dhe një rreze atje, çdo herë nga një çast i vogël, i çmuar, shpirtëror, brenda nesh rrit një bërthamë përvojash shpirtërore plot dritë. Ndoshta asnjë rreze e vetme nuk është aq e fortë ose aq e ndritshme sa të përbëjë një dëshmi të tërë, por së bashku ato mund të bëhen një dritë që errësira e dyshimit nuk mund ta mposhtë.

“O, atëherë, a nuk është e vërtetë kjo?”, – pyet Alma. “Unë ju them juve, Po, sepse është dritë.”24

“Ajo që është prej Perëndisë, është dritë”, na mëson Zoti, “dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë.”25

Kjo do të thotë, vëllezër e motra, se me kalimin e kohës dhe me “zell të madh”26, ne gjithashtu mund të kemi shtyllën tonë të dritës, me nga një rreze çdo herë. Dhe në mes të asaj shtylle, edhe ne do të gjejmë një Atë të dashur Qiellor duke na thirrur në emër, duke na treguar Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, dhe duke na ftuar: “Dëgjoje[ni] Atë!”

Jap dëshmi për Jezu Krishtin, se Ai është drita dhe jeta e gjithë botës dhe e botës suaj vetjake dhe simes.

Dëshmoj se Ai është Biri i vërtetë dhe i gjallë i Perëndisë të vërtetë e të gjallë dhe se Ai qëndron në krye të kësaj Kishe të vërtetë e të gjallë, të udhëhequr e të drejtuar nga profetët dhe apostujt e Tij, të vërtetë e të gjallë.

E dallofshim dhe e marrshim dritën e Tij të lavdishme dhe më pas e zgjedhshim Atë para errësirës së botës, përherë e përgjithmonë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Joseph Smith – Historia 1:10–13.

  2. Shihni te Joseph Smith – Historia 1:14–16.

  3. Shihni te Joseph Smith, Journal, Nov. 9–11, 1835, f. 24, josephsmithpapers.org.

  4. Joseph Smith – Historia 1:17.

  5. Shihni te Joseph Smith – Historia 1:20. Kur Jozef Smithi u kthye në shtëpi pas Vegimit të Parë, nëna e tij e pyeti a ishte mirë. Ai iu përgjigj: “Tani jam mjaft mirë. … Kam mësuar vetë se presbiterizmi nuk është i vërtetë” (theksimi i shtuar).

  6. Rasëll M. Nelson, “Fjala e Mbylljes”, Liahona, nëntor 2019, f. 122.

  7. Spencer W. Kimball, në Conference Report, Konferenca Zonale e Mynihut në Gjermani, 1973, f. 77; cituar në Graham W. Doxey, “The Voice Is Still Small”, Ensign, nëntor 1991, f. 25.

  8. Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 201: “Kur në djalëri sa po filloja të jepja shërbesë, shpeshherë dilja dhe i kërkoja Zotit të më tregonte ndonjë gjë të mahnitshme, që të mund të merrja një dëshmi. Por Zoti i mbajti larg prej meje çuditë dhe ma tregoi të vërtetën rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu e pak atje, derisa Ai më bëri ta di të vërtetën që nga maja e kokës deri te shputat e këmbëve të mia dhe derisa dyshimi e frika ishin spastruar krejt prej meje. Nuk iu desh të dërgonte një engjëll nga qiejt për ta bërë këtë, as nuk iu desh të fliste me borinë e një kryeengjëlli. Nëpërmjet pëshpëritjeve të zërit të ulët e të qetë të Shpirtit të Perëndisë të gjallë, Ai më dha dëshminë që zotëroj. Dhe nëpërmjet këtij parimi e fuqie, Ai do t’u japë të gjithë fëmijëve të njerëzve një dije të së vërtetës, e cila do të qëndrojë me ta dhe do t’i bëjë që ta dinë të vërtetën, siç e di Perëndia, e që të bëjnë vullnetin e Atit siç e bën Krishti.”

  9. Mosia 16:9.

  10. Doktrina e Besëlidhje 84:46; shihni edhe te Gjoni 1:9.

  11. Doktrina e Besëlidhje 88:12–13.

  12. David A. Bednar, The Spirit of Revelation (2021), f. 7.

  13. Doktrina e Besëlidhje 6:23.

  14. Doktrina e Besëlidhje 8:2; shihni edhe te Helamani 5:30.

  15. Shihni te Mosia 5:2; Doktrina e Besëlidhje 11:12.

  16. Shihni te 2 Nefi 4:21; Helamani 5:44.

  17. Zoti e ka përcaktuar aftësinë për të besuar te dëshmia e të tjerëve si një dhunti shpirtërore (shihni te Doktrina e Besëlidhje 46:13–14).

  18. Zbulesa bashkëkohore na mëson se fjalët e shkrimit të shenjtë “jepen me anë të Shpirtit tim … dhe nëse nuk është me anë të fuqisë sime, ju nuk mund t’i keni ato; prandaj, ju mund të dëshmoni se e keni dëgjuar zërin tim dhe i dini fjalët e mia” (Doktrina e Besëlidhje 18:35–36).

  19. Shihni te Mosia 2:17; Moroni 7:45–48.

  20. 1 Nefi 1:20. Plaku Gerit W. Gong ka folur për “vështr[imin] me sy për të parë dhe gëz[imin] në mëshirat e shumta, të dhembshura të Zotit në jetën tonë” (“Dhënia e Shërbesës”, Liahona, maj 2023, f. 18) dhe për mënyrën se si “dora e Zotit në jetën tonë është shpesh më e qart[ë në retrospektivë]” (“Gjithmonë Kujtojeni Atë”, Liahona, maj 2016, f. 108). Dhurata e dallimit dhe e pranimit me mirënjohje të dorës së Zotit në jetën tonë, edhe nëse nuk e dalluam ose ndiem atë në çast, është e fuqishme. Shkrimet e shenjta flasin shpesh për fuqinë shpirtërore të të kujtuarit (shihni te Helamani 5:9–12; Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79), që mund të jetë një pararendëse e zbulesës (shihni te Moroni 10:3–4).

  21. Jozef Smithi dha mësim: “Një person mund të përfitojë duke vënë re treguesin e parë të shpirtit të zbulesës; për shembull, kur ju të ndieni inteligjencën e pastër të rrjedhë tek ju, ajo mund t’ju japë befas ide, pra duke e vënë re atë ide, ju mund të shihni se ajo përmbushet po atë ditë ose së shpejti; (domethënë) ato gjëra që iu paraqitën juve në mendje nga Shpirti i Perëndisë, do të ndodhin; dhe kështu duke mësuar Shpirtin e Perëndisë dhe duke e kuptuar atë, ju mund të rriteni drejt parimit të zbulesës, derisa të bëheni të përsosur te Krishti Jezus” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 136).

  22. Efesianëve 1:10.

  23. Doktrina e Besëlidhje 88:40: “Sepse inteligjenca kapet pas inteligjencës; urtësia pranon urtësi; e vërteta përqafon të vërtetën, virtyti e dashuron virtytin; drita kapet pas dritës”.

  24. Alma 32:35. Alma e theksoi se këto përvoja plot dritë, ndonëse shpesh të vogla, janë reale në çdo kuptim. Realiteti i tyre bëhet edhe më i fuqishëm kur ato bashkohen për të krijuar një të tërë të fuqishme.

  25. Doktrina e Besëlidhje 50:24.

  26. Alma 32:41.