Konferenca e Përgjithshme
Pikësynimi i Perëndisë Është t’ju Çojë në Shtëpi
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Pikësynimi i Perëndisë Është t’ju Çojë në Shtëpi

Gjithçka rreth planit të Atit për fëmijët e Tij të dashur, është hartuar që ta çojë gjithkënd në shtëpi.

Do të doja të shprehja mirënjohje për lutjet tuaja teksa kam nisur procesin e përshtatjes me thirrjen, nëpërmjet Presidentit Nelson, që të shërbej si Apostull i Zotit Jezu Krisht. Ndoshta mund ta merrni me mend fare mirë se sa përulësi më bëri të ndiej kjo dhe ka qenë një periudhë e jashtëzakonshme “shkundjeje” dhe vetëshqyrtimi kthjellues. Megjithatë, është patjetër një nder i madh t’i shërbej Shpëtimtarit në çfarëdo pozicioni dhe të angazhohem me ju për shpërndarjen e lajmit të mirë të ungjillit të Tij të shpresës.

Përtej kësaj, thuhej se pas çdo Apostulli të ri qëndron një vjehërr e habitur. Nuk e di a është vërtet një thënie kjo, por, në këtë rast, sigurisht që mund të jetë. Dhe dyshoj se fakti që vjehrra ime nuk është më mes nesh, nuk ndikon te zbehja e habisë së saj.

Disa muaj më parë, kur bashkëshortja ime dhe unë po vizitonim një vend tjetër për detyra të ndryshme në Kishë, u zgjova herët një mëngjes dhe vështrova turbull nga dritarja e hotelit tonë. Teposhtë rrugës së ngarkuar, pashë që qe vënë një postbllok me një polic të vendosur aty pranë për t’i kthyer automjetet nga ana tjetër kur ato arrinin te pengesa. Në fillim, vetëm disa automjete e përshkuan rrugën dhe u kthyen mbrapsht. Por ndërsa kalonte koha dhe shtohej trafiku, filluan të krijoheshin radhë automjetesh.

Sipër nga dritarja, vëzhgova ndërsa polici dukej se gjente kënaqësi te pushteti i tij për ta bllokuar rrjedhën e trafikut dhe për t’i larguar njerëzit. Në fakt, dukej sikur i shtohej entuziazmi, sikur filloi t’ia merrte valles, kur secili prej automjeteve i afrohej pengesës. Nëse një shofer acarohej nga postblloku, polici nuk dukej se ndihmonte apo se i vinte keq. Ai thjesht tundte kokën në mënyrë të përsëritur dhe tregonte me gisht drejtimin e kundërt.

Miqtë e mi, bashkëdishepujt e mi në udhën e jetës në vdekshmëri, plani i bukur i Atit tonë, madje plani i Tij “i mahnitshëm”1, është hartuar për t’ju çuar në shtëpi, jo për t’ju lënë jashtë2. Askush nuk ka ngritur një postbllok dhe askush nuk ka vendosur dikë atje që t’ju kthejë nga ana tjetër dhe t’ju dëbojë. Në fakt, është krejt e kundërta. Perëndia është duke ju kërkuar pareshtur. Ai “dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të zgjedhin që të kthehen tek Ai”3 dhe Ai merr çdo masë të mundshme për t’ju kthyer.

Ati ynë i dashur e mbikëqyri Krijimin e vetë kësaj toke për qëllimin e posaçëm për të na dhënë një mundësi juve dhe mua që të kemi përvojat tendosëse dhe rafinuese të vdekshmërisë, mundësinë për ta përdorur lirinë tonë morale të zgjedhjes që na e dha Perëndia, për ta zgjedhur Atë4, për të mësuar, për t’u rritur, për të bërë gabime, për t’u penduar, për ta dashur Perëndinë dhe të afërmin tonë dhe për t’u kthyer një ditë në shtëpi tek Ai.

Ai e dërgoi Birin e Tij të Dashur e të çmuar në këtë botë të rënë për të jetuar diapazonin e plotë të përvojës njerëzore, për të dhënë një shembull që të ndiqej nga pjesa tjetër e fëmijëve të Tij, dhe për të shlyer dhe shëlbuar. Dhurata e madhërishme shlyese e Krishtit heq çdo postbllok të vdekjes fizike dhe shpirtërore që do të na ndante nga shtëpia jonë e përjetshme.

Gjithçka rreth planit të Atit për fëmijët e Tij të dashur, është hartuar që ta çojë gjithkënd në shtëpi.

Si e quajnë lajmëtarët e Perëndisë, profetët e Tij këtë plan në shkrimet e shenjta të Rivendosjes? Ata e quajnë plani i shëlbimit5, plani i mëshirës6, plani i madh i lumturisë7 dhe plani i shpëtimit që është për të gjithë “nëpërmjet gjakut të të Vetëmlindurit tim”8.

Pikësynimi i planit të madh të Atit për lumturinë është lumturia juaj, këtu, tani dhe në përjetësi. Nuk është që të parandalojë lumturinë tuaj dhe në vend të saj t’ju shkaktojë shqetësim e frikë.

Pikësynimi i planit të Atit për shëlbimin është në fakt shëlbimi juaj, shpëtimi juaj nëpërmjet vuajtjeve dhe vdekjes së Jezu Krishtit9, çlirimi nga robëria e mëkatit dhe vdekjes. Nuk është që t’ju lërë ashtu siç jeni.

Pikësynimi i planit të Atit për mëshirën është të japë mëshirë teksa ktheheni sërish tek Ai dhe e respektoni besëlidhjen tuaj për besnikëri ndaj Tij. Nuk është që ta mohojë mëshirën dhe të shkaktojë dhembje dhe pikëllim.

Pikësynimi i planit të Atit për shpëtimin është në fakt shpëtimi juaj në mbretërinë çelestiale të lavdisë teksa merrni “dëshminë [për] Jezusi[n]”10 dhe i dhuroni tërë shpirtin tuaj Atij11. Nuk është që t’ju lërë jashtë.

A do të thotë kjo që gjithçka lejohet për sa i përket mënyrës si e jetojmë jetën? Që mënyra se si zgjedhim ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes, nuk ka rëndësi? Që mund t’i zbatojmë ose jo urdhërimet e Perëndisë? Jo, sigurisht që jo. Me siguri, një nga ftesat dhe lutjet më të qëndrueshme të Jezusit gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, ishte që ne të ndryshojmë, të pendohemi dhe të vijmë tek Ai.12 Tërësisht e nënkuptuar në të gjitha mësimet e Tij për të jetuar me një standard më të lartë të sjelljes morale13, është një thirrje drejt përparimit vetjak, drejt besimit shndërrues në Krisht, drejt një ndryshimi të madh të zemrës14.

Perëndia dëshiron për ne një ndryshim rrënjësor të impulseve tona egoiste dhe plot kryelartësi, dëbimin e njeriut të natyrshëm15, që ne të “shko[jmë] dhe mos mëkato[jmë] më”16.

Nëse besojmë se pikësynimi i planit gjithëpërfshirës të Atit është të na shpëtojë, të na shëlbojë, të na japë mëshirë dhe nëpërmjet kësaj të na sjellë lumturi, cili është pikësynimi i Birit nëpërmjet të cilit realizohet ky plan i madh?

Biri na thotë për Veten: “Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar”17.

Vullneti i Jezusit është vullneti mirëdashës i Atit! Ai dëshiron të bëjë të mundur për çdonjërin prej fëmijëve të Atit të Tij që të arrijë synimin përfundimtar të planit, jetën e përjetshme me Ta. Askush nuk përjashtohet nga ky potencial hyjnor.

Nëse prireni të shqetësoheni që nuk do të jeni kurrë në lartësinë e duhur, ose që shtrirja e dashur e Shlyerjes së pafundme të Krishtit përfshin mëshirshëm çdokënd tjetër, veç jush, atëherë e keqkuptoni. E pafundme do të thotë e pafundme. E pafundmja ju përfshin ju dhe ata që ju doni.18

Nefi e shpjegon këtë të vërtetë të bukur: “Ai nuk bën asgjë që nuk është për të mirën e botës; pasi ai e do botën, deri në pikën sa të japë jetën e tij, që ai të mund të tërheqë të gjithë njerëzit te vetja. Prandaj, ai nuk urdhëron asnjeri që të mos marrë pjesë në shpëtimin e tij.”19

Shpëtimtari, Bariu i Mirë, shkon në kërkim të deleve të Tij të humbura derisa t’i gjejë.20 Ai “nuk do që ndokush të humbasë”21.

“Krahu im i mëshirës është shtrirë drejt jush dhe kushdo që do të vijë, unë do ta pranoj.”22

“A ka mes jush ndonjë që është i sëmurë? Silleni këtu. A ka ndonjë që është i çalë ose i verbër, ose i gjymtë, ose sakat, ose i lebrosur, ose i deformuar, ose i shurdhër, ose i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata, pasi kam dhembshuri për ju.”23

Ai nuk e dëboi gruan me fluks gjaku; Ai nuk u zmbraps nga i sëmuri me lebër; Ai nuk e hodhi poshtë gruan e zënë në shkelje kurore; Ai nuk i refuzoi të penduarit, pavarësisht nga mëkati i tyre. Dhe Ai nuk do t’ju refuzojë as ju ose ata që i doni, kur e sillni tek Ai zemrën tuaj të thyer dhe shpirtin e penduar. Kjo gjë nuk është as pikësynimi i Tij, as projekti i Tij, as plani, qëllimi, dëshira ose shpresa e Tij.

Jo, Ai nuk vë postblloqe dhe pengesa, Ai i heq ato. Ai nuk ju lë jashtë, Ai ju mirëpret brenda.24 E tërë shërbesa e Tij ishte një deklarim i gjallë i këtij pikësynimi.

Pastaj, sigurisht është vetë flijimi shlyes i Tij, i cili është më i vështirë për t’u kuptuar nga ne, përtej kapacitetit tonë si të vdekshëm për ta rrokur. Por, dhe kjo “por” është e rëndësishme, ne njëmend e kuptojmë, mund ta rrokim, pikësynimin e shenjtë, shpëtues të flijimit të Tij shlyes.

Veli i tempullit u shqye në dy pjesë kur Jezusi vdiq në kryq, duke simbolizuar se qasja sërish për në praninë e Atit qe hapur e tëra për të gjithë ata që do t’i drejtohen Atij, do t’i mirëbesojnë Atij, do t’i hedhin mbi Të barrët e tyre dhe do të marrin zgjedhën e Tij mbi vete në një lidhje besëlidhjeje.25

Me fjalë të tjera, plani i Atit nuk ka vend për postblloqe. Nuk ka pasur kurrë, kurrë nuk do të ketë. A ka gjëra që nevojitet t’i bëjmë, urdhërime që duhet t’i zbatojmë, anë të natyrës sonë që duhet t’i ndryshojmë? Po. Por me hirin e Tij, ato janë brenda [mundësisë] sonë për t’i arritur, jo përtej asaj që mund të rrokim.

Ky është lajmi i mirë! Jam jashtëzakonisht mirënjohës për këto të vërteta të thjeshta. Projekti i Atit, plani i Tij, qëllimi i Tij, pikësynimi i Tij, dëshira e Tij dhe shpresa e Tij janë të gjitha për t’ju shëruar, të gjitha për t’ju dhënë paqe, të gjitha për t’ju çuar ju dhe ata që i doni, në shtëpi. Për këtë unë jam dëshmitar në emrin e Jezu Krishtit, Birit të Tij, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Mendoni Çelestialisht!”, Liahona, nëntor 2023, f. 117, 118.

  2. Shihni te 2 Nefi 26:25, 27.

  3. Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 1.1, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  4. Shihni te Moisiu 7:33.

  5. Shihni te Jakobi [LiM] 6:8; Alma 12:30.

  6. Shihni tek Alma 42:15.

  7. Shihni tek Alma 42:8, 16.

  8. Moisiu 6:62.

  9. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 45:4.

  10. Doktrina e Besëlidhje 76:50–70.

  11. Shihni tek Omni 1:26.

  12. Shihni te Mateu 4:17.

  13. Shihni te Mateu 5–7. Për shembull, te Mateu 5:43–44, Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij se nuk mjaftonte ta “d[onin] të afërmin [e tyre] dhe [ta] urre[nin] armikun [e tyre]”. Për ta ndjekur Atë, ata nevojitej t’i “d[onin] armiqtë [e tyre]” gjithashtu.

  14. Shihni te Mosia 5:2. Në mënyrë që mëshira e Jezu Krishtit të mund të hyjë në funksionim në jetën tonë, ne duhet të kthehemi tek Ai. Alma i Riu na mëson se ky “plan [i lavdishëm] i shëlbimit nuk mund të realizohej, vetëm në kushtet e pendimit … , pasi po të mos ishte për këto kushte, mëshira do të ishte e padobishme” (Alma 42:13).

  15. Shihni te Mosia 3:19.

  16. Gjoni 8:11.

  17. Gjoni 6:38.

  18. Shihni te Russell M. Nelson, “The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 35: “Shlyerja e Tij është e pafundme, pa mbarim. Ishte gjithashtu e pafundme në atë që i gjithë njerëzimi do të shpëtohej nga një vdekje pa mbarim. Ajo ishte e pafundme në kuptimin e vuajtjeve të Tij të pamasa. Ishte e pafundme në kohë, duke i dhënë fund modelit të mëparshëm të flijimit të një kafshe. Ishte e pafundme në shtrirje – duhej të bëhej njëherësh për të gjithë. Dhe mëshira e Shlyerjes shtrihet jo vetëm te një numër i pafundmë njerëzish, por gjithashtu te një numër i pafundmë botësh të krijuara prej Tij. Ishte e pafundme përtej çfarëdo shkalle njerëzore matjeje apo kuptimi njerëzor.”

  19. 2 Nefi 26:24.

  20. Shihni te Lluka 15:4.

  21. 2 Pjetër 3:9; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 18:11–12.

  22. 3 Nefi 9:14.

  23. 3 Nefi 17:7; shihni edhe vargun 6.

  24. Në mësimet e Jezu Krishtit që vënë në dukje se disa individë nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e qiellit, Ai e bën të qartë se ky përfundim nuk është dëshira e Tij për ta, por është rezultati i vetë zgjedhjeve të tyre (shihni te Mateu 7:13–14, 21–25).

  25. Shihni te Mateu 27:50–51; Hebrenjve 9:6–12.