Konferenca e Përgjithshme
Çohu! Ai po të Thërret!
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Çohu! Ai po të Thërret!

Ungjilli nuk është një mënyrë për t’i shmangur sfidat dhe problemet, por një zgjidhje për ta rritur besimin tonë dhe për të mësuar si t’i përballojmë ato.

Ca kohë më parë e pyeta time shoqe: “A mund të më thuash përse, për aq sa mbaj mend unë, ne kurrë nuk kemi pasur ndonjë problem madhor në jetën tonë?”

Ajo më vështroi dhe tha: “Patjetër. Ta them unë përse nuk kemi pasur kurrë ndonjë problem madhor; është ngaqë ti ke një kujtesë shumë të shkurtër!”

Përgjigjja e saj e shpejtë dhe e zgjuar më bëri të kuptoj edhe një herë që të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit nuk e heq dhembjen dhe sprovat, të cilat janë të nevojshme për t’u rritur.

Ungjilli nuk është një mënyrë për t’i shmangur sfidat dhe problemet, por një zgjidhje për ta rritur besimin tonë dhe për të mësuar si t’i përballojmë ato.

Pata një ndjesi të kësaj të vërtete disa muaj më parë, kur po ecja një ditë dhe papritmas shikimi m’u bë i turbullt, i errët dhe i valëzuar. U frikësova. Më pas, mjekët më thanë: “Nëse nuk e fillon menjëherë trajtimin, mund ta humbasësh shikimin edhe për punë javësh”. U frikësova edhe më shumë.

Dhe pastaj, ata thanë: “Ju keni nevojë për injeksione intravitreale, injeksione drejt e në sy, me sytë hapur mirë, çdo katër javë, gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës”.

Kjo ishte një alarm zgjimi i parehatshëm.

Pastaj, erdhi një reflektim në formën e një pyetjeje. E pyeta veten: “Në rregull! Shikimi im fizik nuk është në gjendje të mirë, po për sa i përket shikimit tim shpirtëror? A kam nevojë për ndonjë trajtim aty? Çfarë do të thotë të kesh një shikim të qartë shpirtëror?”

Përsiata rreth historisë së një të verbri, të quajtur Bartimeu, të përshkruar në Ungjillin e Markut. Shkrimi i shenjtë thotë: “Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: ‘Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!’”1

Teknikisht, në sytë e shumë njerëzve, Jezusi ishte thjesht biri i Jozefit, kështu që përse Bartimeu e quajti “Bir i Davidit”? Thjesht ngaqë e dalloi se Jezusi ishte njëmend Mesia, i cili ishte profetizuar se do të lindte si pasardhës i Davidit.2

Është interesante që ky i verbër, i cili nuk kishte shikim fizik, e njohu Jezusin. Ai pa shpirtërisht atë që nuk mund ta shihte fizikisht, ndërkohë që shumë të tjerë mund ta shihnin Jezusin fizikisht, por qenë krejtësisht të verbër shpirtërisht.

Nga kjo histori mësojmë më shumë rreth shikimit të qartë shpirtëror.

Ne lexojmë: “Shumë e qortonin që të heshte, por ai bërtiste edhe më fort: ‘Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!’”3

Të gjithë njerëzit përreth tij po i thoshin të pushonte, por ai thërriti edhe më fort, pasi e dinte se kush ishte në të vërtetë Jezusi. Ai i shpërfilli ata zëra dhe bërtiti me zë edhe më të lartë.

Ai veproi në vend që të veprohej mbi të. Pavarësisht nga rrethanat e tij kufizuese, ai e përdori besimin e vet për t’i tejkaluar kufizimet e tij.

Pra, parimi i parë që mësojmë është: ne mbajmë një shikim të qartë shpirtëror kur përqendrohemi te Jezu Krishti dhe qëndrojmë të vërtetë ndaj asaj që e dimë se është e vërtetë.

Vëllezër dhe motra, për ta mbajtur të pacenuar shikimin tonë shpirtëror, nevojitet të vendosim që të mos i dëgjojmë zërat e botës përreth nesh. Në këtë botë pështjelluese dhe të pështjelluar, ne duhet të qëndrojmë besnikë ndaj asaj që dimë, besnikë ndaj besëlidhjeve tona, besnikë në zbatimin e urdhërimeve dhe t’i ripohojmë bindjet tona, edhe më fort, siç bëri ky burrë. Ne duhet t’i shpallim me zë edhe më të lartë botës dëshminë tonë për Zotin. Ky burrë e njihte Jezusin, qëndroi besnik ndaj asaj që besonte, dhe nuk u shpërqendrua nga zërat përreth tij.

Ka shumë zëra sot që po përpiqen të na i ulin zërat tanë si dishepuj të Jezu Krishtit. Zërat e botës po përpiqen të na bëjnë që të heshtim, por pikërisht kjo është arsyeja përse duhet ta shpallim dëshminë tonë për Shpëtimtarin me zë më të lartë e më fort. Mes gjithë zërave të botës, Zoti po mbështetet tek unë dhe te ju që t’i shpallim dëshmitë tona, ta ngremë zërin tonë dhe të bëhemi zëri i Tij. Nëse ne nuk e bëjmë atë, kush do të dëshmojë për Jezu Krishtin? Kush do ta shpallë emrin e Tij dhe do ta deklarojë misionin e Tij hyjnor?

Ne kemi një mandat shpirtëror që vjen nga njohuria jonë për Jezu Krishtin.

Por çfarë bëri Bartimeu pas asaj?

Pas urdhrit të Zotit për t’u çuar, ai veproi përsëri me besim.

Shkrimi i shenjtë thotë: “Atëherë ai hodhi tej rrobën e tij, u ngrit dhe erdhi te Jezusi”4.

Ky njeri i përulur dhe besnik e kuptoi se mund të ngrihej drejt një jete më të mirë me urdhër të Jezusit. Ai e dinte se ishte më i mirë sesa rrethanat e tij dhe gjëja e parë që bëri kur e dëgjoi Jezusin ta thërriste, ishte që ta flakte tutje pallton e tij të lypësit.

Përsëri, ai veproi në vend që të veprohej mbi të.

Ai mund të ketë menduar: “Unë nuk kam nevojë më për atë pallto, tani që Jezusi ka ardhur në jetën time. Kjo është një ditë e re. I jap fund kësaj jete të mjeruar. Me Jezusin, unë mund të filloj një jetë të re me lumturi dhe gëzim në Të, me Të dhe nëpërmjet Tij. Dhe nuk dua t’ia di se çfarë mendon bota për mua. Jezusi po më thërret dhe Ai do të më ndihmojë të bëj një jetë të re.”

Çfarë ndryshimi mbresëlënës!

Kur e flaku tutje pallton e tij të lypësit, ai hodhi tej të gjitha shfajësimet.

Dhe ky është një parim i dytë: ne mbajmë një shikim të qartë shpirtëror kur e lëmë pas njeriun e natyrshëm, pendohemi dhe fillojmë një jetë të re në Krisht.

Mënyra se si e bëjmë atë është duke bërë dhe duke mbajtur besëlidhjet për t’u ngritur drejt një jete më të mirë nëpërmjet Jezu Krishtit.

Për sa kohë nxjerrim shfajësime për të ndier keqardhje për vetveten, keqardhje për rrethanat e problemet tona dhe keqardhje për të gjitha gjërat e këqija që ndodhin në jetën tonë dhe madje për të gjithë njerëzit e këqij që mendojmë se na bëjnë të palumtur, ne e mbajmë pallton e lypësit mbi shpatulla. Është e vërtetë se me raste njerëzit, me ose pa vetëdije, na lëndojnë. Por nevojitet të vendosim që të veprojmë me besim te Krishti duke e hequr pallton e mendësive dhe emocioneve të cilën mundet ta mbajmë ende për të fshehur shfajësimet ose mëkatin, dhe ta flakim atë tutje, duke e ditur se Ai mundet dhe do të na shërojë.

Nuk është kurrë një shfajësim i mirë të themi: “Unë jam kështu siç jam për shkak të disa rrethanave fatkeqe dhe të pakëndshme. Dhe unë nuk mund të ndryshoj dhe jam i justifikuar.”

Kur mendojmë në atë mënyrë, ne vendosim që të veprohet mbi ne.

Ne mbajmë pallton e lypësit.

Të veprojmë me besim do të thotë të mbështetemi te Shpëtimtari ynë, duke besuar se përmes Shlyerjes së Tij, ne mund të ngrihemi mbi gjithçka me urdhër të Tij.

Parimi i tretë qëndron te katër fjalët e fundit: “[Ai] erdhi te Jezusi”.

Si mund të shkonte ai te Jezusi duke qenë se ishte i verbër? E vetmja mënyrë ishte të ecte drejt Jezusit duke dëgjuar zërin e Tij.

Dhe ky është një parim i tretë: ne mbajmë një shikim të qartë shpirtëror kur e dëgjojmë zërin e Zotit dhe e lejojmë Atë të na udhërrëfejë.

Ashtu si ky burrë e ngriti zërin e tij mbi zërat përreth tij, ai qe në gjendje ta dëgjonte zërin e Zotit mes të gjithë zërave të tjerë.

Ishte po ky besim që e lejoi Pjetrin të ecte mbi ujë për sa kohë e mbajti përqendrimin e tij shpirtëror te Zoti dhe nuk u shpërqendrua nga erërat përreth tij.

Më pas, historia e këtij të verbri mbaron me fjalët: “Atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë”5.

Një nga mësimet më të rëndësishme në këtë histori është se ky burrë ushtroi besim të vërtetë te Jezu Krishti dhe mori një mrekulli pasi ai kërkoi me qëllim të vërtetë, qëllimin e vërtetë për ta ndjekur Atë.

Dhe kjo përbën arsyen përfundimtare të bekimeve që marrim në jetën tonë, që është të ndjekim Jezu Krishtin. Ajo ka të bëjë me njohjen e Tij, bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve me Perëndinë për shkak të Tij, ndryshimin e vetë natyrës sonë nëpërmjet Tij dhe durimin deri në fund duke e ndjekur Atë.

Për mua, mbajtja e një shikimi të qartë shpirtëror ka të bëjë e gjitha me përqendrimin te Jezu Krishti.

Pra, a është i qartë shikimi im shpirtëror teksa i marr injeksionet e mia të syve? Epo, ç’të them? Por, jam mirënjohës për atë që shoh.

Shoh qartësisht dorën e Zotit në këtë vepër të shenjtë dhe në jetën time.

Shoh besimin e shumë njerëzve kudo që shkoj, të cilët e forcojnë besimin tim vetjak.

Shoh engjëj kudo rreth meje.

Shoh besimin e shumë njerëzve që nuk e shohin fizikisht Zotin, por e dallojnë Atë shpirtërisht, pasi e njohin Atë nga afër.

Dëshmoj se ky ungjill është përgjigjja për gjithçka, pasi Jezu Krishti është përgjigjja për gjithkënd. Jam mirënjohës për atë që mund të shoh ndërsa e ndjek Shpëtimtarin tim.

Premtoj se ndërsa e dëgjojmë zërin e Zotit dhe e lejojmë Atë të na udhërrëfejë në shtegun e besëlidhjeve me Shpëtimtarin, ne do të bekohemi me shikim të qartë, kuptueshmëri shpirtërore dhe paqe të zemrës e mendjes gjatë gjithë jetës sonë.

E deklarofshim dëshminë tonë për Të me zë më të lartë se zërat përreth nesh, në një botë që ka nevojë të dëgjojë më shumë për Jezu Krishtin dhe jo më pak! E heqshim pallton e lypësit që mund ta kemi ende veshur, dhe u ngritshim mbi botën, drejt një jete më të mirë në Krisht dhe nëpërmjet Tij! I hedhshim tej të gjitha shfajësimet për të mos e ndjekur Jezu Krishtin dhe gjetshim të gjitha arsyet e mira për ta ndjekur Atë, ndërsa e dëgjojmë zërin e Tij! Kjo është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.