Konferenca e Përgjithshme
Jini Një me Krishtin
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Jini Një me Krishtin

Ne na bashkon dashuria jonë për Jezu Krishtin dhe besimi ynë tek Ai dhe Shlyerja e Tij. Thelbi i përkatësisë me të vërtetë, është që të jemi një me Krishtin.

Kam pasur ndjenja të thella për Shlyerjen e Jezu Krishtit që kur isha mjaft i ri, por realiteti i Shlyerjes së Shpëtimtarit u bë një përvojë reale për mua kur isha 25 vjeç. Sapo kisha marrë diplomën nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Stenfordit dhe po studioja për provimin e jurisprudencës së Kalifornisë [për licencën]. Nëna më mori në telefon dhe tha se po vdiste gjyshi im, Krozhër Kimballi, i cili jetonte në Jutë. Më tha se nëse doja ta shihja, do të më duhej të vija në shtëpi. Gjyshi im ishte 86 vjeç dhe shumë i sëmurë. Pata një vizitë të mrekullueshme. Ai u kënaq shumë që më pa dhe më dha dëshminë e vet.

Kur Krozhëri ishte vetëm tre vjeç, babai i tij, Dejvid Paten Kimballi, vdiq në moshën 44 vjeç.1 Krozhëri shpresonte se babai i tij dhe gjyshi i tij, Hibër C. Kimballi, do ta miratonin jetën e tij dhe do të ndienin se ai kishte qenë i vërtetë ndaj trashëgimisë së tij.

Këshilla kryesore e gjyshit tim për mua ishte që t’i shmangesha çfarëdo ndjesie pretendimi ose privilegji për shkak të këtyre paraardhësve besnikë. Më tha se përqendrimi im duhej të ishte te Shpëtimtari dhe Shlyerja e Shpëtimtarit. Ai tha se ne jemi të gjithë fëmijë të një Ati të dashur Qiellor. Pavarësisht se cilët janë paraardhësit tanë tokësorë, secili prej nesh do t’i raportojë Shpëtimtarit se sa mirë i zbatoi urdhërimet e Tij.

Gjyshi iu drejtua Shpëtimtarit si “Ruajtësi i Portës”, një referencë nga 2 Nefi 9:41. Më tha se shpresonte të kishte qenë mjaft i penduar sa për t’u kualifikuar për mëshirën e Shpëtimtarit.2

U preka thellë. E dija se ai kishte qenë një burrë i drejtë. Ishte patriark dhe shërbeu në disa misione. Ai më mësoi se askush nuk mund të kthehej te Perëndia vetëm nëpërmjet veprave të mira pa përfituar nga Shlyerja e Shpëtimtarit. Mund të kujtoj deri më sot dashurinë e madhe dhe vlerësimin e madh që gjyshi kishte për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij.

Në vitin 2019, gjatë një detyre të caktuar në Jerusalem3, vizitova një dhomë të sipërme e cila mund të ketë qenë pranë vendit ku Shpëtimtari u lau këmbët Apostujve të Tij përpara Kryqëzimit të Tij. U preka shpirtërisht dhe mendova se si Ai i urdhëroi Apostujt e Tij që ta donin njëri‑tjetrin.

M’u kujtua Lutja Ndërmjetësuese dhe përgjëruese e Shpëtimtarit në emrin tonë. Kjo lutje ndodhi pikërisht në orët e fundit të jetës së Tij në vdekshmëri, siç shënohet në Ungjillin sipas Gjonit.

Kjo lutje iu drejtua pasuesve të Krishtit, përfshirë ne të gjithëve.4 Në lutjen e Shpëtimtarit drejtuar Atit të Tij, Ai u përgjërua “që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne”. Shpëtimtari më pas vazhdon: “Dhe unë u kam dhënë lavdinë që më ke dhënë, që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një”5. Të qenit një është ajo për të cilën Krishti u lut përpara se Ai të tradhtohej dhe të Kryqëzohej. Të qenit një me Krishtin dhe Atin tonë Qiellor mund të fitohet nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Mëshira shpëtuese e Zotit nuk varet nga prejardhja, arsimimi, gjendja ekonomike apo raca. Ajo bazohet mbi të qenit një me Krishtin dhe urdhërimet e Tij.

Profeti Jozef Smith dhe Oliver Kaudëri morën zbulesë mbi organizimin dhe qeverisjen e Kishës në vitin 1830, pak kohë pasi u organizua Kisha. Ajo që tani është seksioni 20 u lexua nga Profeti Jozef në konferencën e parë të Kishës dhe ishte zbulesa e parë e miratuar nëpërmjet miratimit të përbashkët.6

Përmbajtja e kësaj zbulese është vërtet mbresëlënëse. Ajo na mëson rëndësinë dhe rolin e Shpëtimtarit dhe mënyrën se si t’i përdorim fuqinë dhe bekimet e Tij nëpërmjet hirit të Tij shlyes. Profeti Jozef ishte 24 vjeç dhe tashmë kishte marrë zbulesa të shumta dhe e kishte përfunduar përkthimin e Librit të Mormonit nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Si Jozefi, ashtu edhe Oliveri identifikohen si Apostuj të shuguruar, duke pasur kështu autoritet për të kryesuar mbi Kishën.

Vargjet 17 deri në 36 përmbajnë një përmbledhje të doktrinës thelbësore të Kishës, përfshirë realitetin e Perëndisë, Krijimin e njerëzimit, Rënien dhe planin e Atit Qiellor për shpëtimin nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Vargu 37 përfshin kriteret themelore për pagëzimin në Kishën e Zotit. Vargjet 75 deri në 79 japin lutjet e sakramentit që i përdorim në çdo Shabat.

Doktrina, parimet, sakramentet dhe zakonet që Zoti themeloi nëpërmjet Jozef Smithit, Profetit të Rivendosjes, janë vërtet thelbësore.7

Kriteret për pagëzim, ndërkohë që janë të thella, janë të thjeshta në mënyrë të pashoqe. Ato kryesisht përfshijnë përulësinë përpara Perëndisë, një zemër të thyer e shpirt të penduar8, pendimin për të gjitha mëkatet, marrjen mbi vete të emrit të Jezu Krishtit, durimin deri në fund dhe të treguarit nëpërmjet veprave tona se kemi marrë prej Shpirtit të Krishtit.9

Është kuptimplote që të gjitha kualifikimet për pagëzimin janë shpirtërore. Nuk nevojitet asnjë arritje ekonomike apo shoqërore. Të varfrit dhe të pasurit kanë të njëjtat kritere shpirtërore.

Nuk ka kritere për racën, gjininë apo etninë. Libri i Mormonit e bën të qartë se të gjithë ftohen që të marrin nga mirësia e Zotit, “të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; … të gjithë janë njësoj para Perëndisë”10. “Të gjithë njerëzit gëzojnë të njëjtin privilegj si njëri, ashtu edhe tjetri dhe asnjëri nuk është i ndaluar.”11

Nisur nga “ngjashmëria” jonë përpara Perëndisë, ka shumë pak kuptim që të theksojmë dallimet tona. Disa njerëz na kanë nxitur gabimisht “të përfytyrojmë se njerëzit janë shumë më të ndryshëm nga ne vetë dhe nga njëri‑tjetri, sesa ata janë faktikisht. [Disa] i marrin dallimet reale, por të vogla dhe i zmadhojnë sa humnera.”12

Përveç kësaj, disa njerëz kanë hamendësuar gabimisht se, ngaqë të gjithë njerëzit ftohen që të marrin mirësinë e Tij dhe jetë të përjetshme, nuk ka kritere për sjelljen.13

Sidoqoftë, shkrimet e shenjta konfirmojnë se të gjithë njerëzve të përgjegjshëm u kërkohet të pendohen për mëkatet dhe t’i zbatojnë urdhërimet e Tij.14 Zoti e bën të qartë se të gjithë njerëzit kanë lirinë morale të zgjedhjes dhe “janë të lirë të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve … dhe t’i dëgjo[jnë] urdhërimet e tij të mëdha; dhe të jen[ë] besnik[ë] ndaj fjalëve të tij dhe të zgj[e]dh[in] jetën e përjetshme”15. Për të marrë bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit, ne duhet ta ushtrojmë pozitivisht lirinë tonë morale të zgjedhjes për të zgjedhur Krishtin dhe për t’iu bindur urdhërimeve të Tij.

Gjatë jetës sime, kuptimi i “lirisë së zgjedhjes” dhe i “vullnetit të lirë” është analizuar e debatuar. Ka pasur dhe vazhdon të ketë shumë argumentime intelektuale mbi këto tema.

Në kapakun e një botimi të kohëve të fundit nga ish‑studentët e një universiteti të spikatur, një profesor i shquar i biologjisë shpall: “Nuk ka vend për vullnet të lirë”16. Nuk është e habitshme që profesori citohet në këtë artikull se po thotë: “Nuk ka diçka të tillë si Perëndia … dhe nuk ka vullnet të lirë, … dhe kjo është një gjithësi e gjerë, mospërfillëse dhe e zbrazët”17. Nuk jam dakord në mënyrën më të fuqishme.

Një doktrinë themelore e besimit tonë është se ne vërtet kemi liri morale të zgjedhjes18, e cila përfshin vullnetin e lirë.19 Liria e zgjedhjes është aftësia për të zgjedhur dhe për të vepruar. Ajo është thelbësore për planin e shpëtimit. Pa lirinë morale të zgjedhjes, ne nuk mund të mësonim, të përparonim ose të zgjidhnim që të jemi një me Krishtin. Për shkak të lirisë morale të zgjedhjes, ne jemi “të lirë të zgjedhi[m] lirinë dhe jetën e përjetshme”20. Në Këshillin në Qiell, para lindjes, plani i Atit përfshiu lirinë e zgjedhjes si një element thelbësor. Luciferi ngriti krye dhe “kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur”21. Prandaj privilegji i pasjes së një trupi të vdekshëm iu mohua Satanit dhe atyre që e ndoqën atë.

Shpirtra të tjerë para vdekshmërisë e ushtruan lirinë e tyre të zgjedhjes në ndjekjen e planit të Atit Qiellor. Shpirtrat e bekuar me mundësinë për t’u lindur në këtë jetë në vdekshmëri, vazhdojnë të kenë liri të zgjedhjes. Ne jemi të lirë të zgjedhim e të veprojmë, por nuk i kontrollojmë dot pasojat. “Zgjedhja e së mirës dhe e drejtësisë të udhëheq drejt lumturisë, paqes dhe jetës së përjetshme, ndërsa zgjedhja e mëkatit dhe e ligësisë përfundimisht të udhëheq drejt trishtimit dhe mjerimit.”22 Siç tha Alma: “Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”23.

Në këtë botë jashtëzakonisht konkurruese ka një përpjekje të vazhdueshme për të shkëlqyer. Përpjekja për t’u bërë më të mirët që mund të jemi, është një orvatje e drejtë dhe që ia vlen. Është në përputhje me doktrinën e Zotit. Përpjekjet për të zvogëluar ose zhvlerësuar të tjerët apo për të krijuar pengesa ndaj suksesit të tyre, janë në kundërshtim me doktrinën e Zotit. Ne nuk mund t’ua hedhim fajin rrethanave apo të tjerëve për vendimin e të vepruarit në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë.

Në botën e sotme është e lehtë të përqendrohemi te suksesi material dhe profesional. Disave u humbasin nga sytë parimet e përjetshme dhe zgjedhjet që kanë domethënie të përjetshme. Do të ishim të urtë që të ndiqnim këshillën e Presidenti Rasëll M. Nelson për të “mend[uar] çelestialisht”24.

Zgjedhjet më të rëndësishme mund të bëhen nga pothuajse çdo njeri pavarësisht nga talentet, aftësitë, mundësitë ose rrethanat ekonomike. Është thelbësor theksimi i faktit se zgjedhjet lidhur me familjen duhet të vihen të parat. Kjo është e qartë anembanë shkrimeve të shenjta. Mendoni për rrëfimin në librin e 1 Nefit ku Lehi “u nis për në vendin e shkretë. Dhe ai la shtëpinë e tij dhe tokën e trashëgimit dhe arin e tij, dhe argjendin e tij, dhe gjërat e tij të çmueshme dhe nuk mori asgjë me vete, me përjashtim të familjes së tij.”25

Teksa përballemi me peripecitë e jetës, shumë ngjarje ndodhin mbi të cilat kemi pak ose nuk kemi aspak kontroll. Sfidat shëndetësore dhe aksidentet qartësisht mund të futen në këtë kategori. Pandemia e kohëve të fundit e COVID‑19 ka ndikuar rëndë te njerëzit të cilët e bënë gjithçka siç duhej. Por mbi zgjedhjet më të rëndësishme, ne vërtet kemi kontroll. Duke u kthyer në ditët e mia si misionar, Plaku Marion D. Henks, presidenti ynë i misionit, na bëri të gjithëve të mësonim përmendsh një pjesë të një poezie nga Ela Uiller Uillkoksi:

Nuk ka rastësi, as risk, as fat që

Mund të anashkalojë apo ndalojë, apo kontrollojë

Vendosmërinë e patundur të një njeriu të vendosur.26

Lidhur me çështje të parimit, sjelljes, zbatimit fetar dhe të jetuarit të drejtë, e kemi ne kontrollin. Besimi ynë te Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, dhe adhurimi i Tyre, është një zgjedhje që e bëjmë ne.27

Ju lutemi, kuptojeni se unë nuk po i dal në krah uljes së interesimit për arsimim apo punësim. Ajo që po them, është se kur përpjekjet lidhur me arsimimin dhe punësimin ngrihen mbi familjen ose të qenit një me Krishtin, pasojat e paqëllimshme mund të jenë tepër të dëmshme.

Doktrina e qartë dhe e thjeshtë e dhënë te Doktrina e Besëlidhje 20 është ndikuese dhe detyruese teksa përforcon e sqaron koncepte të shenjta shpirtërore. Ajo na mëson se shpëtimi vjen kur Jezu Krishti i justifikon dhe shenjtëron shpirtrat e penduar për shkak të hirit të Shpëtimtarit.28 Ajo përgatit kushtet për rolin e shquar të Shlyerjes së Tij.

Ne duhet të përpiqemi fort që t’i përfshijmë të tjerët në rrethin tonë të të qenit një. Nëse e ndjekim këshillën e Presidentit Rasëll M. Nelson për ta mbledhur Izraelin në të dyja anët e velit, na nevojitet t’i përfshijmë të tjerët në rrethin tonë të të qenit një. Siç na e ka dhënë mësim kaq bukur Presidenti Nelson: “Në çdo kontinent dhe përmes ishujve të detit, njerëzit besnikë po mblidhen në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ndryshimet në kulturë, gjuhë, gjini, racë dhe kombësi veniten duke e humbur rëndësinë kur njerëzit besnikë hyjnë në shtegun e besëlidhjeve dhe vijnë te Shëlbuesi ynë i dashur.”29

Ne na bashkon dashuria jonë për Jezu Krishtin dhe besimi ynë tek Ai dhe të qenit fëmijë të një Ati të dashur Qiellor. Thelbi i përkatësisë me të vërtetë, është që të jemi një me Krishtin. Ordinancat e pagëzimit dhe të sakramentit të përcaktuara te Doktrina e Besëlidhje 20, së bashku me besëlidhjet tona në tempull, na bashkojnë në mënyra të veçanta dhe na lejojnë të jemi një në çdo mënyrë përjetësisht domethënëse dhe të jetojmë në paqe e harmoni.

Jap dëshminë time të sigurt e të palëkundur se Jezu Krishti jeton dhe për shkak të Shlyerjes së Tij, ne mund të jemi një me Krishtin. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Dejvidi, në moshën 17‑vjeçare, kishte ndihmuar disa prej shenjtorëve që të kalonin përmes lumit Suituotër të mbushur me akull, kur ata kishin humbur udhën në rrafshinat e larta të Uajomit (shihni te Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days [Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme], vëllimi 2, No Unhallowed Hand, 1846–1893 [2020], f. 237).

  2. Shihni te Moroni 7:27–28.

  3. Kryerabiu i Norvegjisë, Rabiu Majkëll Melkor, dhe unë ishim folësit kryesorë në një dialog të studiuesve judenj dhe shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të mbajtur më 5 qershor 2019 në qendrën UBJ – Jerusalem në Izrael.

  4. Shihni te Gjoni 17:20.

  5. Gjoni 17:21–22.

  6. Shihni “The Conference Minutes and Record Book of Christ’s Church of Latter Day Saints, 1838–1839, 1844” (që njihet gjerësisht si Far West Record), 9 qershor 1830, Church History Library, Salt Lake City; Steven C. Harper, Making Sense of the Doctrine and Covenants (2008), f. 75.

  7. Seksioni Doktrina e Besëlidhje 20 ishte zbulesa e parë e botuar në gazetën e Kishës dhe u përdor nga misionarët për sa i përket si doktrinës, edhe administrimit të ordinancave të pagëzimit e të sakramentit (shihni Harper, Making Sense of the Doctrine and Covenants, f. 75).

  8. Shihni te 2 Nefi 2:7.

  9. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:37.

  10. 2 Nefi 26:33.

  11. 2 Nefi 26:28.

  12. Peter Wood, Diversity: The Invention of a Concept (2003), f. 20.

  13. Nehori mbajti këtë qëndrim (shihni tek Alma 1:4).

  14. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 29:49–50.

  15. 2 Nefi 2:27–28.

  16. Stanford (botim i Stanford Alumni Association), dhjetor 2023, kapaku.

  17. Në Sam Scott, “As If You Had a Choice”, Stanford, dhjetor 2023, f. 44. Artikulli e përcakton profesorin si Robert Sapolski, një profesor i Stenfordit për biologji, neurologji dhe neurokirurgji, dhe si autor i librave shkencorë të shumëshitur. Artikulli përmban ide kundërshtuese përfshirë nga Alfred Mele, një profesor filozofie nga Universiteti Shtetëror i Floridës, i cili udhëhoqi një projekt të madh të Fondacionit “Xhon Tempëllton” mbi vullnetin e lirë. Ai tha: “Shkencëtarët pa dyshim nuk e kanë vërtetuar se vullneti i lirë, madje vullneti i lirë ambicioz, është një iluzion” (në Scott, “As If You Had a Choice”, f. 46).

  18. Shihni te D. Todd Christofferson, “Moral Agency” (takim shpirtëror në universitetin “Brigam Jang”, 31 janar 2006), speeches.byu.edu.

  19. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 58:27.

  20. 2 Nefi 2:27.

  21. Moisiu 4:3.

  22. Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin (2005), f. 76.

  23. Alma 41:10.

  24. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Mendoni Çelestialisht!”, Liahona, nëntor 2023, f. 117–120.

  25. 1 Nefi 2:4.

  26. Poetical Works of Ella Wheeler Wilcox (1917), f. 129.

  27. Gjithmonë më ka pëlqyer shumë citimi i treguar nga Plaku Nil A. Maksuell, që e thotë këtë në mënyrën më të përmbledhur: “Nëse nuk e keni zgjedhur Mbretërinë e Perëndisë të parën, nuk do të sjellë më së fundi asnjë dallim se çfarë zgjodhët në vend të saj” (autorësia i njihet William Law-it, një kleriku anglez të shekullit të 18‑të; i cituar në Neal A. Maxwell, “Response to a Call”, Ensign, maj 1974, f. 112).

  28. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:29–31. Teologjia kalviniste e theksoi justifikimin dhe shenjtërimin e shpirtrave të rënë nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit. Ajo dha mësim se pasi Perëndia ta kishte paracaktuar një shpirt për shpëtim, asgjë nuk mund ta ndryshonte rezultatin. Doktrina e Besëlidhje 20 paraqet një dallim të qartë e të madh prej kalvinizmit. Në të lexohet: “Ka mundësi që njeriu të humbasë hirin dhe të largohet nga Perëndia i gjallë” (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:32–34; Harper, Making Sense of the Doctrine and Covenants, f. 74).

  29. Russell M. Nelson, “Building Bridges”, Liahona, dhjetor 2018, f. 51.