Konferenca e Përgjithshme
Ngazëllehuni nga Dhurata e Çelësave të Priftërisë
konferenca e përgjithshme e prillit 2024


Ngazëllehuni nga Dhurata e Çelësave të Priftërisë

Çelësat e priftërisë qeverisin mënyrën se si priftëria e Perëndisë mund të përdoret për të bërë të ndodhin qëllimet e Zotit dhe për të bekuar të gjithë njerëzit që e pranojnë ungjillin e rivendosur.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sot është një ditë historike për Presidentin Dallin H. Ouks dhe për mua. Pikërisht 40 vjet më parë, më 7 prill 1984, ne u mbështetëm në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve.1 Jemi ngazëllyer në secilën dhe çdo konferencë të përgjithshme që atëherë, përfshirë këtë të sotmen. Jemi bekuar edhe një herë me një derdhje të shenjtë të Shpirtit. Shpresoj se ju do t’i studioni në mënyrë të përsëritur mesazhet e kësaj konference gjatë gjithë muajve të ardhshëm.

Kur u linda unë2, kishte gjashtë tempuj në funksionim në Kishë – nga një në Seint‑Xhorxh, Logan, Manti dhe Solt-Lejk-Siti të Jutës; si dhe në Kardston të Albertës në Kanada; dhe në Laie të Havait. Dy tempuj më të hershëm kishin funksionuar për pak në Kirtland të Ohajos dhe në Navu të Ilinoisit. Teksa pjesa kryesore e Kishës u zhvendos në perëndim, shenjtorët u detyruan t’i linin pas ata dy tempuj.

Tempulli i Navusë u shkatërrua nga zjarri i një zjarrvënësi. Ai u rindërtua dhe më pas u përkushtua nga Presidenti Gordon B. Hinkli.3 Tempulli i Kirtlandit u përdhos nga armiqtë e Kishës. Më vonë, Tempulli i Kirtlandit u mor nga organizata ‘Komuniteti i Krishtit’, që e zotëroi për shumë vjet.

Muajin e kaluar, ne njoftuam se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e ka blerë Tempullin e Kirtlandit, bashkë me disa vende me rëndësi historike në Navu. I vlerësojmë shumë diskutimet dobiprurëse, reciproke e të përzemërta që patëm me udhëheqës nga Komuniteti i Krishtit që çuan në këtë marrëveshje.

Pamja
Tempulli i Kirtlandit.

Tempulli i Kirtlandit ka domethënie të pazakontë në Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit. Disa ngjarje që ndodhën atje, qenë profetizuar prej mijëvjeçarësh dhe ishin thelbësore që Kisha e rivendosur e Zotit të përmbushte misionin e saj të ditëve të mëvonshme.

Më e rëndësishmja nga këto ngjarje ndodhi të dielën e Pashkës, më 3 prill 1836.4 Në atë ditë, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri përjetuan një varg vizitash të mrekullueshme. Së pari, u shfaq Zoti Jezu Krisht. Profeti shënoi se “sytë e [Shpëtimtarit] ishin si flakë zjarri; dhe flokët e kokës së tij ishin të bardhë si dëborë e pastër; fytyra e tij shkëlqente më shumë se ndriçimi i diellit; dhe zëri i tij ishte si tingulli i rrjedhjes së shumë ujërave”5.

Gjatë kësaj vizite, Zoti pohoi identitetin e Tij. Ai tha: “Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin”6.

Jezu Krishti më pas shpalli se Ai e kishte pranuar tempullin si shtëpinë e Tij dhe bëri këtë premtim mahnitës: “Unë do t’i manifestohem popullit tim në mëshirë në këtë shtëpi”7.

Ky premtim kuptimplotë zbatohet për çdo tempull të përkushtuar sot. Ju ftoj të përsiatni se çfarë do të thotë premtimi i Zotit për ju personalisht.

Pas vizitës së Shpëtimtarit, u shfaq Moisiu. Moisiu i dha Jozef Smithit çelësat për mbledhjen e Izraelit dhe kthimin e dhjetë fiseve.8

Kur ky vegim u mbyll, “Eliasi u shfaq dhe [i] dorëzoi periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit” Jozefit.9

Pastaj u shfaq Elija, profeti. Shfaqja e tij përmbushi premtimin e Malakias që përpara Ardhjes së Dytë, Zoti do ta dërgonte Elijan që “zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve”10. Elija i dha Jozef Smithit çelësat e fuqisë vulosëse.11

Rëndësia e faktit që këta çelësa u rikthyen në tokë nga tre lajmëtarë qiellorë nën drejtimin e Zotit, nuk mund të theksohet aq sa duhet. Çelësat e priftërisë përbëjnë autoritetin dhe fuqinë e presidencës. Çelësat e priftërisë qeverisin mënyrën se si priftëria e Perëndisë mund të përdoret për të bërë të ndodhin qëllimet e Zotit dhe për të bekuar të gjithë njerëzit që e pranojnë ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.

Është e rëndësishme të vëmë në dukje se përpara organizimit të Kishës, lajmëtarë qiellorë i kishin dhënë Priftëritë Aarone dhe Melkizedeke Profetit Jozef dhe i kishin dorëzuar atij çelësat për të dyja priftëritë.12 Këta çelësa i dhanë Jozef Smithit autoritetin për të organizuar Kishën në vitin 1830.13

Pastaj në Tempullin e Kirtlandit, në vitin 1836, dhënia e këtyre tre çelësave të tjerë të priftërisë, konkretisht, çelësat e mbledhjes së Izraelit, çelësat e ungjillit të Abrahamit dhe çelësat e fuqisë vulosëse, ishte thelbësore. Këta çelësa i autorizuan Jozef Smithin, si dhe të gjithë Presidentët pasues të Kishës së Zotit, për të mbledhur Izraelin në të dyja anët e velit, për të bekuar të gjithë fëmijët e besëlidhjes me bekimet e Abrahamit, për të vendosur një vulë ratifikuese mbi ordinancat dhe besëlidhjet e priftërisë, si dhe për të vulosur familjet përjetësisht. Fuqia e këtyre çelësave të priftërisë është e pafundme dhe marramendëse.

Merrni parasysh se si jeta juaj do të ishte e ndryshme nëse çelësat e priftërisë nuk do të ishin rivendosur në tokë.14 Pa çelësat e priftërisë, ju nuk do të mund të kishit marrë dhurimin e fuqisë së Perëndisë.15 Pa çelësat e priftërisë, Kisha do të mund të shërbente vetëm si një organizatë e rëndësishme mësimdhënëse dhe humanitare, por jo më shumë. Pa çelësat e priftërisë, asnjë nga ne nuk do të kishte qasje tek ordinancat dhe besëlidhjet thelbësore që na lidhin përjetësisht me njerëzit tanë të dashur dhe na lejojnë që përfundimisht të jetojmë me Perëndinë.

Çelësat e priftërisë e dallojnë Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga çdo organizatë tjetër mbi tokë. Shumë organizata të tjera munden dhe vërtet e bëjnë jetën tuaj më të mirë këtu në vdekshmëri. Por asnjë organizatë tjetër nuk mundet dhe nuk do të ndikojë në jetën tuaj pas vdekjes.16

Çelësat e priftërisë na japin autoritetin që t’i shtrijmë të gjitha bekimet që iu premtuan Abrahamit te çdo burrë dhe grua që i mban besëlidhjet. Puna në tempull i vë këto bekime të mrekullueshme në dispozicion për të gjithë fëmijët e Perëndisë, pavarësisht se ku apo kur jetuan ose jetojnë tani. Le të ngazëllehemi që çelësat e priftërisë janë edhe një herë në tokë!

Ju ftoj t’i merrni parasysh me kujdes tre pohimet vijuese:

  1. Mbledhja e Izraelit është provë se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij kudo.

  2. Ungjilli i Abrahamit është provë e mëtejshme se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij kudo. Ai i fton të gjithë të vijnë tek Ai, “të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; … të gjithë janë njësoj para Perëndisë”17.

  3. Fuqia vulosëse është provë hyjnore se sa shumë Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij kudo dhe dëshiron që secili prej tyre të zgjedhë të kthehet në shtëpi tek Ai.

Çelësat e priftërisë, të rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith, bëjnë të mundur që çdo burrë dhe grua që i mban besëlidhjet, të gëzojë privilegje shpirtërore të pabesueshme e vetjake. Për t’iu rikthyer temës, kemi më shumë për të mësuar nga historia e shenjtë e Tempullit të Kirtlandit.

Lutja përkushtuese e Jozef Smithit për Tempullin e Kirtlandit është një material udhëzues mbi mënyrën se si tempulli na fuqizon shpirtërisht ju dhe mua për të përballuar sfidat e jetës në këto ditë të fundit. Ju nxit që ta studioni atë lutje, të regjistruar te Doktrina e Besëlidhje seksioni 109. Ajo lutje përkushtuese, që u mor me anë të zbulesës, na mëson se tempulli është “një shtëpi lutjeje, një shtëpi agjërimi, një shtëpi besimi, një shtëpi mësimi, një shtëpi lavdie, një shtëpi rregulli, një shtëpi [e] Perëndisë”18.

Kjo listë me tipare është shumë më tepër se një përshkrim i një tempulli. Është një premtim rreth asaj që do të ndodhë me ata që shërbejnë dhe adhurojnë në shtëpinë e Zotit. Ata mund të presin të marrin përgjigje për lutjet, zbulesë vetjake, besim më të madh, forcë, ngushëllim, njohuri të shtuar dhe fuqi të shtuar.

Koha në tempull do t’ju ndihmojë të mendoni çelestialisht dhe të rrokni një këndvështrim të asaj se kush jeni vërtet, kush mund të bëheni dhe të llojit të jetës që mund të keni përgjithmonë. Adhurimi i rregullt në tempull do ta përforcojë mënyrën se si e shihni veten dhe se ku e keni vendin në planin e madhërishëm të Perëndisë. Jua premtoj këtë gjë.

Na premtohet gjithashtu se në tempull ne mund të “marri[m] plotësi të Frymës së Shenjtë”19. Përfytyrojeni se çfarë do të thotë ai premtim për sa i përket hapjes së qiejve për çdo kërkues të zellshëm të së vërtetës së përjetshme.

Ne udhëzohemi se të gjithë ata që adhurojnë në tempull, do të kenë fuqinë e Perëndisë dhe engjëj të ngarkuar “me përgjegjësi për ta”20. Sa ju shtohet siguria kur e dini se, si një grua ose burrë që e ka marrë dhurimin në tempull, të armatosur me fuqinë e Perëndisë, nuk ju duhet ta përballoni jetën të vetëm? Çfarë guximi ju jep vërtet kur e dini se engjëjt realisht do t’ju ndihmojnë?

Së fundi, na premtohet se “asnjë kombinim i ligësisë” nuk do të triumfojë mbi ata që adhurojnë në shtëpinë e Zotit.21

Të kuptuarit e privilegjeve shpirtërore të bëra të mundura në tempull, është jetik për secilin prej nesh sot.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ja ku është premtimi im. Asgjë nuk do t’ju ndihmojë më shumë që të mbaheni fort te shufra e hekurit22, sesa adhurimi në tempull aq rregullisht sa ta lejojnë rrethanat tuaja. Asgjë nuk do t’ju mbrojë më shumë teksa hasni mjegullat e errësirës së botës. Asgjë nuk do ta përforcojë më shumë dëshminë tuaj për Zotin Jezu Krisht dhe Shlyerjen e Tij ose t’ju ndihmojë ta kuptoni planin e madhërishëm të Perëndisë. Asgjë nuk do ta qetësojë më shumë shpirtin tuaj gjatë kohëve të dhembjes. Asgjë nuk do t’i hapë më shumë qiejt. Asgjë!

Tempulli është porta për te bekimet më të mëdha që Perëndia ka në ruajtje për secilin prej nesh, sepse tempulli është i vetmi vend në tokë ku ne mund t’i marrim të gjitha bekimet që iu premtuan Abrahamit.23 Kjo është arsyeja pse ne po bëjmë gjithçka kemi fuqi, nën drejtimin e Zotit, që t’i bëjmë bekimet e tempullit më të arritshme për anëtarët e Kishës. Prandaj kemi kënaqësinë të njoftojmë se planifikojmë të ndërtojmë një tempull të ri në secilën prej 15 vendndodhjeve vijuese:

  • Uturoa, Polinezia Franceze

  • Çiuaua, Meksikë

  • Florianopolis, Brazil

  • Rozario, Argjentinë

  • Edinburg, Skoci

  • Brisbejn, zona jugore e Australisë

  • Viktoria, Kolumbia Britanike

  • Jumë, Arizonë

  • Hjuston, zona jugore e Teksasit

  • Dë‑Moin, Ajoua

  • Sinsinati, Ohajo

  • Honolulu, Havai

  • Uest‑Xhordan, Jutë

  • Lehi, Jutë

  • Marakaibo, Venezuelë

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë dëshmoj se kjo është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai qëndron në krye të saj. Ne jemi dishepujt e Tij.

Le të ngazëllehemi në rivendosjen e çelësave të priftërisë, të cilët e bëjnë të mundur që ju dhe unë të gëzojmë çdo bekim shpirtëror që jemi të gatshëm dhe të denjë të marrim! Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.